Gezim Zilja/
Dy termocentralet lundruese janë marrë me qira për një periudhë dy-vjeçare nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) kundrejt një vlere prej 336 milionë euro.Të dy TEC-et lundruese kushtojnë 20 milionë dollarë. Qeveria shqiptare do t’i paguajë kompanisë amerikane Exclerate Energy 45 milionë dollarë qira ( 63 mijë dollarë/ dita) dhe firmës Renco 22,5 milionë dollarë (31,5 mijë dollarë/dita) për ofrimin e shërbimit për instalimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e TEC-ve. për dy vjet. Deri tani llogaritet që qeveria shqiptare t’i ketë paguar dy shoqërive rreth 20 milionë euro pa prodhuar asnjë ditë energji. Ndërsa për inceneratorët po hetohet nga SPAK-u për TEC-et lundruese ka një heshtje varri. Opozita (Foltore + Vulë) në qendër dhe në Vlorë për këtë problem nuk pipëtinë fare. Ka diçka që nuk shkon këtu. Ose TEC-et kanë filluar punë dhe këtë e di vetëm opozita ose vet opozita ka ndonjë lidhje me TEC-et që e kompromenton prandaj nuk ndihet. Në zgjedhjet locale opozita nuk e zuri fare në gojë këtë aferë korruptive dhe gjëmën mjedisore që i bëhet Vlorës turistike dhe banorëve të saj, me vënien të punë të TEC-ve. Po botoj më poshtë disa deklarata të Ministres Balluku lidhur me dy TEC-et e ankoruara në Triport të Vlorës qysh më 9 shtator të vitit 2022. Në to shihet qartë papërgjegjshmëria dhe lehtësia me të cilën shpërdorohen paratë publike.
Më 29 korrik, 2022 Balluku, deklaroi: “Të dy TEC-et lundruese janë të pajisura me certifikatën e Bankës Botërore për të sqaruar edhe publikun, sa i përket ndotjes ambientale, pra plotësojnë të gjitha kushtet sipas kritereve të BB-së.” Në përgjigjen që dha Emanuel Salinas, menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë përgënjeshtroi (Tetor 2022) Ballukun duke pohuar se “ Banka Botërore nuk certifikon këto objekte në asnjë vend të botës.” Pra Ministrja gënjeu ditën për diell popullin shqiptar.
Më 16 shtator 2022, shtatë ditë pasi erdhën TEC-et, ajo deklaronte plot pompozitet dhe krenari: “Në 1 janar ( Viti 2023. Shën. im) ne fillojmë me shtimin e kapaciteteve me 114 megavatorë që janë dy anijet prodhuese të energjisë elektrike.” Po vjen sërish shtatori dhe energji ende nuk është prodhuar.
Në 13 dhjetor të viti 2022, duke parë e vizituar vjetërsirat gjithë ndryshk të prodhuara 26 vjet më parë, deklaroi:“Ne do të vazhdojmë gjatë muajit Janar dhe gjatë muajit Shkurt të fusim në prodhim dy anijet prodhuese të energjisë elektrike që tashmë ndodhen të stacionuara në Triport.” Një janari u shty në fund shkurti dhe nuk u kërkua ndjesë. Po problemi është shumë më i madh. Në bilancin e vitit 2022, në janar Balluku do të deklaronte sërish “Ne tashmë kemi dy njësi gjeneruese të cilat janë gati për prodhim, por duke qenë se kaskada sot është në parametra optimalë, nuk është momenti për t’i ndezur. Por sigurisht do të fillojnë të përdoren në momentin më të parë që ne do të kemi nevojë.” Pra as në janar as në shkurt, as në korrik 2023 por kur të kemi nevojë dhe këtë e di vetëm Balluku. Në këto deklarata, kuptohet se ato mund të mos përdoren fare dhe paret publike të derdhen në xhepat e hajdutëve. Këtë vit shirat ishin më bollëk kështu që TEC-et nuk u ndezën fare ama dy shoqëritë paguhen plot 94.5 mijë dollarë në ditë në bazë të kontratës. Si mund të ndodhin veprime të tilla ku dhjetëra milionë dollarë paguhen pa marrë asnjë shërbim? Ngaqë Exclerate Energy është shoqëri amerikane dhe e TEC-et i vizitoi personalisht ish ambasadorje Kim? Po aty po vidhet ditën për diell paraja e shqiptarëve…
PS.Shqiptarët presin nga drejtësia shqiptare të përfundojë hetimet për inceneratorët dhe të fillojë hetimet sa më shpejt me tenderat e rrugëve dhe koncesioneve në shëndetësi. Po me TEC-et e Vlorës kush do të merret? Kush ka firmosur kontratat dhe kush i lëvron faturat? Nëse do të hetohet do të zbulohet një gropë fekalesh që do kutërbojë Shqipërinë deri në Amerikë.