NGA ELIDA BUÇPAPAJ/
Me rastin e 70 vjetorit çlirimit të Shqipërisë nga okupatori fashist, që përkon me ditën e instalimit të diktaturës më mizore staliniste, qeveria e Shqipërisë vendosi t’i akordojë Vito Kapos ish-anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së, ish- Sekretare e Parë e Bashkimit të Grave komuniste të Shqipërisë, ish-Ministre e diktatorit Hoxha dhe bashkëshorte e Hysni Kapos, ish Nr.2 të regjimit komunist “Medaljen e Mirënjohjes”. Përveç kësaj të gjithë individët që u nderuan me medalje, qeveria u akordoi edhe nga një milionë lekë të vjetra.
Kryeministri Rama i cili tallet aq shpesh me fotografitë e diktatorit që i janë shfaqur nëpër skenografitë e ceremonive zyrtare, ku ai ka marrë pjesë, kësaj here nuk e marr me mend se çfarë komenti mund të bëjë. Një gjë e kam të qartë se arroganca nuk ka kufij.
Fakti që Mimi Kodheli, një ministre e NATO-s, i ka akorduar Medalje Mirënjohje një ish-ministres së diktatorit Hoxha, përbën scoop dhe skandal së toku. Nuk e di nëse ky haber është marr vesh në quartierin gjeneral të NATO-s në Bruksel. Aty ndodhet edhe përfaqësuesi ynë shqiptar. Të cilit i bie të mbrojë interesat e NATO-s përpara interesave apo çartjeve të qeverisë shqiptare.
Dekorimi i Vito Kapos apo i Arben Putos, kunatit të kriminelit Manush Myftiu dhe njërit prej historianëve më besnikë të diktatorit dhe diktaturës, i cili ka çerek shekulli tranzicion që e mbron regjimin të cilit i shërbeu për gjysmë shekulli duke sulmuar kolaboracionistët dhe kuislingët e Shqipërisë nuk ka si të jetë një lapsus si thotë Pandeli Majko për Vito Kapon. As fotot e diktatorit nuk janë lapsus. Sepse mund të pranohet vetëm një herë lapsusi, por kur bëhen seri lapsusesh, atëhere kjo hyn në strategjinë e shtetit i cili sfidon shqiptarët, NATO-n dhe Perëndimin. Kjo është gjuha diplomatike. Mesazhi që përcillet: Mimi Kodheli nuk do të duhej ta pranonte që institucioni i saj apo emri i saj të përzihej me këtë intrigë ballkanike, e cila e njollos si zonjën ashtu edhe dikasterin e saj dhe po ashtu edhe Numrin Një të qeverisë.
Kur mësova se qeveria shqiptare do të ndante dekorata me rastin e ditës të çlirimit të Shqipërisë, prita të dëgjoja që në këtë listë të përfshiheshin emra që kanë luftuar kundër pushtuesit italo-nazist. Ne e kemi parasysh se pushtimi dhe lufta kundër tij nisi më 7 prill 1939 e partia komuniste u formua gati tre vjet më vonë, ndërsa deri në Marrëveshjen e Mukjes mbajtur më 1-3 Gusht 1943, ku kërkohej formimi i Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë, lufta kundër pushtuesit dhe krijimi i Shqipërisë Etnike ishte ideal i përbashkët si për nacionalistët ashtu edhe për komunistët. Por Mugosha dhe Popoviçi e detyruan Enver Hoxhën që ta rrëzonte Marrëveshjen e Mukjes dhe prej këtu nis lufta civile, vëllavrasëse dhe ndarja e shqiptarëve e cila vijon edhe sot e kësaj dite.
Kur dua të them një nga tre fjalët e mira për Sali Berishën, natyrisht kujtoj anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kjo nënkupton se ky institucion do të vijë një moment që t’u thotë ndal marrëzirave monstruoze, pasi dihet se Perëndimi ka vënë shenjën e barazimit midis krimeve të nazizmit dhe krimeve të komunizmit, duke i quajtur me emëruesin e përbashkët si krime kundër njerëzimit.
Këtë duhet të bëjë Shqipëria, t’i njejtësojë dy diktaturat. Këtë duhet të bëjë qeveria e Edi Ramës, këtë duhet të bëjë edhe Parlamenti i Shqipërisë. Dhe jo të provokojë me dekorime të tilla. Që kanë efektin e njohur të boomerangut.
Kur dëgjova se qeveria shqiptare do të dekoronte luftëtarë antifashistë, duke patur parasysh, reklamën si qeveri e Rilindjes, më shkoi mendja tek të gjithë prindërit tanë të dashur, të cilët iu bashkangjitën luftës çlirimtare me shpresë të madhe për liri dhe barazi ndërsa me kalimin e viteve edhe ata u kthyen në viktima të regjimit mizor në krah të të cilit ata luftuan. Dhe Edi Ramës i takonte që t’i nderonte këto figura. Më mirë Edi Rama të dekoronte Partizanin e Panjohur se sa të shkonte aq larg në fantazinë e tij të absurditizmit.
Prita që qeveria e Edi Ramës të dekoronte post mortum tim atë, Vehbi Skënderin dhe shokët e tij, si partizanë të thjeshtë, kur pa mbushur 16 vjeçët, teenagera, morën armët për liri. Im atë me një grup shokësh nga Medreseja e Tiranës lanë mësimet dhe leksionet e marra nga Vexhi Buharaja, Profesor Mehdi Bushati apo profesor Shaban Demiraj dhe iu bashkuan çetës së Haxhi Lleshit që në vitin 1943, ku babai im u plagos tri herë. Ai na tregonte se Çeta e Haxhi Lleshit e çliroi Dibrën dhe vendosi aty flamurin shqiptar, por u detyrua që ta hiqte me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm. Duket Çeta e Dibrës ka vepruar në respekt të strategjisë së Marrëveshjes së Mukjes e cila do të rrëzohej nga diktatori Hoxha me urdhër të dy mentorëve të tij Mugosha-Popoviç.
Prita kryeministrin Edi Rama që në listën e dekorimeve të kishte përfshirë postmortum dajën im, Gafer Shyti, i cili 12 vjeçar braktisi një bursë studimi për në Itali dhe iu bashkangjit formacioneve partizane. Konkretisht luftoi në Brigadën e Parë dhe tregonin se pushka që mbante në krah ishte më e gjatë se vetë ai kur nisi luftën. Kjo shihet edhe nga fotot e tij që i takojnë asaj kohe.
Kur përmenda tim atë dhe dajën tim, këtë e bëra për të simbolizuar kategorinë e të gjithë rinisë shqiptare idealiste që u përfshi në luftë. Por pretendimet e mia ishin iluzione. Bile duke lexuar në shtypin e Tiranës, mbeta pa gojë, kur në një shkrim hulumtues të Tedi Blushit të datës 6 dhjetor 2014 tek gazeta Shqiptare lexova se “Gazeta Shqiptare” i kishte kërkuar prej dy javësh ministrisë së Mbrojtjes vënien në dispozicion të listës së emrave që janë dekoruar por përgjigjia ka qenë “nuk e japim”. „Kjo i shton edhe më shumë dyshimet, shkruan GSH dhe më tutje vazhdon „Madje edhe për rastin e Vito Kapos ky dikaster refuzoi të ishte transparent. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli si edhe Shefi i Përgjithshëm i ushtrisë, Jeronim Bazo refuzuan t’i përgjigjeshin pyetjes së “GSH” nëse ishte dekoruar apo jo e veja e Hysni Kapos dhe për çfarë meritash. I vetmi reagim ka qenë i zëdhënëses së Kodhelit. “Janë dhënë medalje vetëm për veteranët e kategorisë “A” dhe kategorisë së Parë“, shkruan Gazeta Shqiptare.
E shihni prapë ndarjen, në Kategorinë A, në kategorinë e parë, ku bëka pjesë Vito Kapo, Arben Puto përfshi edhe ish-presidenti Alfred Moisu, ndërsa etërit tanë nuk i takojnë asnjë kategorie nga këta që ka përfshirë Mimi Kodheli dhe shefi i saj i qeverisë. Shumë më mirë!
E qartë që emrat e luftëtarëve të thjeshtë nuk janë pjesë e Kategorisë A, sepse në këtë kategori janë përfshirë emrat që i kanë shërbyer diktaturës dhe jo luftëtarët e luftës anti-fashiste. Në Kategorinë A janë ministrat e ish-diktatorit, historianët e ish-diktaturës të cilët për mjerimin e saj i dekoron Ministrja e NATO-s Mimi Kodheli, e cila për arsye pushteti dhe kolltuku nuk do t’ia dijë fare as për integritetin dhe as për dinjitetin e saj.
Natyrisht absurditete, scoope, skandale, monstruozitete të kategorive të tilla që mbajnë markën e qeverisë Rama janë të papranueshme për një shtet normal demokratik, ku funksionon shteti ligjor i vendosur mbi themelet e parimeve për liri dhe demokraci.
Nuk e di nëse Edi Rama e ka lexuar veprën e Honoré de Balzac ‘La Peau de chagrin’ – Lëkura e Shagrenit – është një roman i përkthyer edhe në shqip, që, i shtjelluar me elementët e një romani fantastik, ka si temë qendrore konfliktin midis etjes për pushtet dhe jetëgjatësisë së pushtetit. Sipas autorit të Komedisë Njerëzore, etja për pushtet që e bën Princin e Niccolo Machiavellit të justifikojë të gjitha mjetet, është ndërkohë armik i jetëgjatësisë së pushtetit, sepse konsumimi është i pakthyeshëm.
Sadik Elshani says
E pergezoj Znj. Bucpapa per kete shkrim dhe shkrimet tjera te ngjashme ne kete teme, sa te rendesishme, aq edhe aktuale. Ne keto 23 vite pas permbysjes se diktatures komuniste, Shqiperia ka bere pak, ose aspak per t’i denuar krimet e komunizmit dhe per t’u distancuar nga e kaluara komuniste. Per fat te keq, mendesia komuniste eshte bunkerizuar thelle ne mendjet dhe zemrat e shume shqiptareve. Ata “historiane” e “intelektuale” bolshevike qe e shtremberuan, e falsifikuan historine tone duke i thurur himne diktatorit Hoxha dhe regjimit te tij cnjerezor, pa kurrefare turpi ende e vazhdojne te njejten melodi dhe jane mjaft te zeshem ne mediat e shtypura, televizive e elektronike. Organet shteterore, partite politike, si dhe nje pjese e mire e mediave, kontrollohen nga pasardhesit e byroisteve dhe neokomunistet. Kam bindjen se shqiptaret jane te paafte dhe u mungon guximi per t’u ballafaquar me te kaluaren komuniste. Sic duket, disave edhe nuk u konvenon. Pa i denuar krimet e komunizmit, Shqiperia nuk mund te ecen perpara drejt integrimeve europiane. Nje nga kushtet vendimtare per anetaresimin e Shqiperise ne BE, duhet te jete denimi i krimeve komuniste dhe largimi nga jeta politike i atyre qe ne menyre aktive dhe me devotshmeri i kane sherbyer atij regjimi. Gjate L2B kunder fashizmit nuk luftuan vetem komunistet, madje sic thekson edhe Znj. Bucpapa, atyre u doli gjumi shume vone, vetem kur u sulmua Bashkimi Sovjetik. Lufta e tyre nuk ishte per nje Shqiperi kombetare/etnike, por lufta e tyre ishte ideologjike, lufte per pushtet me cdo kusht. Kisha patur shume deshire qe ajo dite nentori e vitit 1944, te ishte dita e clirimit te Shqiperise, por nuk mund te quhet clirim dita qe sjell instalimin e diktatures se eger komuniste qe per gjysem shekulli e tmerroi dhe e torturoi nje popull te tere duke e krijuar nje ferr mbi toke.