Të Hënën , 26 Shtator 2016, në Vatër ishte për vizitë Prof. Gjergji Gjinko, i cili ndodhet në SHBA për të prezantuar dhe për të ngritur degët e Shoqatës”Miq të Korçës”. Ai u prit nga kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj.
Kryetari i Vatrës i uroi mirëseardhjen mysafirit dhe e përgëzoi për inisiativën që ka ndërmarrë për të kontaktuar komunitetin korçar në ShBA. E rëndësishme, tha kryetari i Vatrës është mos sjellja në diasporë e konfliktualitetit politik, që është në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj. Ne jemi të hapur për bashkëpunim e siguroi inisiatorin e krijimit të shoqatës së re, kryetari Buçaj.
Edhe Vatra, tha dr. Buçaj, u është mirënjohëse korçarëve, sepse ishin ata që shkrinë shoqatat e tyre dhe u bashkuan në Vatër. Edhe pjesa më e madhe e atyre që e udhëhoqën procesin e bashkimit në Vatër ishin po ashtu korçarë. Ata i bënë një shërbim të shkëlqyer jo vetëm Vatrës, por mbi të gjitha Kombit shqiptar. Krijuan një Federatë që zëvëndësoi shtetin e munguar; ishte më solide se sa shteti i pavarur shqiptar; i parapriu shpalljes së Pavarësisë dhe gjatë viteve të Luftës së parë Botërore dhe pas saj, kur shteti i pavarur kishte rënë, Vatra e përfaqësoi dhe e zëvendësoi denjësisht. Ne jemi të hapur që bijtë, nipërit e mbesat e tyre të vijnë dhe ta vazhdojnë veprën kombëtare e paraardhësve të tyre.
Kryetari i Vatrës u ndal në rrugëtimin historik, zhvillimet në Vatër, fuqizimin e saj vitet e fundit, ngritjen e degëve nëpër shtete të ndryshme, që i kanë dhënë gjallëri jetës komunitare shqiptare në SHBA etj . Dr. Buçaj e njohu mysafirin edhe me veprimtaritë e këtij viti të Vatrës dhe fokusimin e saj në aktivitetet e inkuadruara në “Vitin e Faik Konicës”.
Prof. Gjergji Gjinko tha se ndjehej i nderuar që vizitonte Vatrën dhe sillte mesazhe nga bijtë, bijat, nip kombëtarerit e mbesat e ish vatranëve korçarë. Duke folur për vizitën e tij në SHBA, ai tha se kishte filluar jo vetëm prezantimi i shoqatës në Diasporën shqiptare të Amerikës, por edhe krijimi i degëve, siç ndodhi të dielën më 25 Shtator në Kishën ortodkse në Queens, NY(St Nicholas Albanian Church), po kështu ka ndodhur në komunitetet e tjera dhe do të vazhdohet edhe në Uster, në Waterbury etj. Mysafiri bëri një prezantim të shqatës”Miq të Korçës”, që është inisiativë e një grupi miqsh, simpatizantësh e dashamirësish të Korçës, të cilët banojnë në Tiranë. ( Të plotë lexojeni në Diellin e printuar) (Dielli)