


Nënë Tereza: “Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit.”
Nga Merlin Tushe
Në mars të këtij viti udhëtova disa ditë për në Indi. Temperaturat atje ishin tepër të larta, në New York sapo kishte hyrë pranvera. Isha sëbashku me nënën time, kishte dëshirë të vizitonte “Shtëpitë” e Nënë Terezës, njëherësh i pëlqen të eksplorojë vende e qytetërime të tjera. Skuadra e pilotazhit realizoi një zbritje fenomenale në aeroportin Internacional “Indira Gandhi” në New Delhi.
Gjatë qëndrimit në Delhi vizituam Tempuj, Muzeume, Institucione Fetare, India Gate, Kalanë e Kuqe ndërtuar me gurë të kuq e të fortë për të përballuar sulmet e luftrat nga pushtuesit, parqe plot lule e pemë. Pamë nga afër Parlamentin dhe Presidencën Indiane, elefantët gjigantë, tigrat, gamilet, nuk na shpëtuan pa fotografuar as majmunët e racës relfore, për të cilët u këshilluam të tregonim kujdes për ndonjë sulm të papritur.
Vizituam shtëpinë e ish-Kryeministres së Indisë Indira Gandhi, kthyer në muze, që ruhej nga Garda Shtetërore. Gandhi u vra në vitin 1984, rreth orës 9:30 të mëngjesit në Delhi. Sipas shtypit të kohës, atentati iu bë nga ekstremistët Sikë, pjesëtarë të sigurisë së saj personale. Tek vendi ku është vrarë Indira Gandhi është vendosur një xham i madh me mbishkrimin për jetën e saj dhe si një udhë kristali për memorialin e saj. Më 31 tetor 1984, dy nga truprojat e Gandhit e qëlluan me armët e tyre të shërbimit në kopshtin ku ajo po ecte në rezidencën kryeministrore në Nju Delhi dhe do të intervistohej nga aktori britanik Peter Ustinoalv, i cili po xhironte një dokumentar për televizionin irlandez. Indira Gandhi u dërgua menjëherë në spital, ku u operua nga doktorët dhe u deklarua e vdekur në 2:20. Vrasësit kishin qëlluar me 31 plumba drejt saj, prej të cilëve 23 kishin kaluar përmes trupin ndërsa shtatë kishin mbetur brenda. Gandhi u varros më 3 nëntor në afërsi të Raj Ghat. Vendi ku ajo u varros njihet sot si Shakti Sthala. Funerali i saj u xhirua direkt nga stacione televizive në të gjithë botën, duke përfshirë edhe BBC.
Arsyeja e ndalesës tonë në Delhi, ishte të shikonim nga afër “Shtëpitë” e ngritura nga Nënë Tereza për të sëmurët e të vobektit, nga Shën Tereza e Kalkutës, murgesha katolike, misionarja shqiptaro-indiane dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqen. Kanonizuar më datë 4 Shtator 2016 nga Papa Françesku në Vatikan. Ditë që nuk do ta harroj kurrë. Ishte një ngjarje e jashtëzakonshme jo vetëm për ne shqiptarët që udhëtuam atë shtator nga SHBA në Romë, por për të gjithë shqiptarët ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, dhe emocion i madh për gjithë qytetarët e botës që mbushën Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu (sot zyrtarisht njihet si Mary Theresa Bojaxhi) themeloi Misioneret e Bamirësisë, një kongregacion katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që janë duke vdekur nga HIV/AIDS, lebra dhe turbekulozi. Ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore dhe shkolla.
Nënë Tereza ishte një tregëtare e njohur. Ishte bashkëpronare e një firme ndërtimi në Shkup, kompania e saj bëri bashkëfinancimin e projektit për ndërtimin e teatrit të parë të Shkupit. Ajo mori pjesë në zhvillimin e linjës hekururodhe që e lidh Kosovën me Shkupin, projekt që e kishte financuar personalisht.
Nënë Tereza tregonte çdo herë se ishte shumë krenare që familja e saj asnjëherë nuk e la dikë me dorë ose zemër të zbrazët. Ajo disa herë e vizitoi edhe Kosovën. Çdo kund u admirua për veprat e saj bamirëse. Nënë Tereza nuk e ka mohuar kurrë origjinën e saj shqiptare. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Më poshtë po citojmë disa shprehje të Nënë Terezës: “Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.”
“Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, buzëqeshja është fillimi i çdo dashurie.”
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”
Godina në Delhi funksiononte si qendër e Misionereve të Paqes në botë, por edhe si Jetimore për fëmijët e varfër e të sëmurë. Një vit më parë aty kish ndalur edhe ish Sekretarja e Shtetit Amerikan Hillary Clinton. Nënë Tereza me përpjekjet e saj kish arritur të hapte qendra bamirësie në 19-të shtete të Indisë, tre të tilla vetëm në Jaipur. Ajo qëndronte një javë në çdo qendër ku kujdesej me shpirt për të sëmurët e të vobektit. Një Qendër të tillë ka hapur edhe në Bronx, të cilën kemi patur rast ta vizitojmë e të shkruaja për të. Ndërsa në Shqipëri “Shtëpinë” e parë të misionit të saj bamirës Nënë Tereza e hapi në Tiranë, në rrugën “Budi” ku fillimisht strehoi gra e vajza që kishin probleme në familje apo me shëndetin.
Kudo nëpër rrugët e Delhit shikoje akoma të ruajtura me “fanatizëm” pankartat e G20 -2023, si arritje për zhvillimin e vendit. Delhi përbëhej nga Delhi i vjetër dhe Delhi i ri. Megjithë arritjet veçanerisht në Delhin e vjetër, ku dominonte skamja, vrasjet, përdhunimet e vjedhjet, krimi ishte në shkallë të lartë. Shtresa ekstremisht e varfër jetonte nëpër kasolle të rrënuara poshtë urave, anës rrugës e lumenjve, pjesa tjetër e popullsisë nëpër pallate të reja të stilit europian me ballkone, udhëheqësia në bllok rrethuar me mure e forca të shumta policore dhe ushtrisë.
Pas tre ditësh u nisëm drejt Jaipurit, një prej 29-të shteteve të Indisë. U ftuam në dasmën e dy të rinjve indianë, djali me profesion ekonomist, vajza e bukur indiane dhe ajo kishte kryer studimet e larta në Indi. Edhe në Jaipur u ndalëm në Qendrën Humanitare të Bamirësisë “Nënë Teresa”. U takuam e folëm nga afër me murgeshat, stafin mjekësor dhe fëmijët e sëmurë. Kujdesi dhe shërbimi ndaj të varfërve e të sëmurëve ishin prioriteti i tyre, si një amanet i veçantë i Nënë Terezës, që ato e zbatonin me përpikmëri. Brenda “Shtëpive” të Nënë Terezës në Jaipur kishte tre qendra, Misioni i Paqes, Qendra e të vobektëve dhe e të sëmurëve rëndë, seicila me personel të specializuar. Përveç murgeshave, stafit mjekësor edhe fëmijët me probleme shëndetësore u treguan shumë të dashur me ne.
Në Jaipur vizituam edhe një nga 7-të mrekullitë e botës, Tempullin e famshëm Taj Mahal. Taxh Mahali përfaqëson shembullin më të rafinuar dhe sofistikuar të arkitekturës Mogule. Origjina e tij gjendet në rrethanat e porositjes, kulturës dhe historisë së Indisë së sunduar nga Perandoria Mogule. Këtë mauzole e porositi perandori i shqetësuar mogul Shah Jahan, pas vdekjes së gruas së tij të parapëlqyer, Mumtaz Mahal.
Sot është një nga ndërtesat më të famshme dhe të njohura në botë. Taxh Mahali është një kompleks i gjerë ndërtesash dhe kopshtesh që shtrihen në mbi 22.44 ha dhe përfshin varre dytësorë, infrastrukturë ujore, qytezën e vogël të ‘Taxh Ganxhit’ në jug dhe një ‘kopësht të dritës së hënës’ në veri të lumit. Ndërtimi i Taxh Mahalit filloi në vitin 1632, në bregun jugor të lumit Yamuna në Agra dhe u përfundua në vitin 1648. Dizajni u konceptua njëkohësisht si kopje e shtëpisë së Mumtaz Mahalit në parajsë si një mjet propagande për perandorin.
Në vitin 1607 princi mogul Khurrum (më vonë i njohur si Shah Jahan) u fejua me Arjumand Banu Begumin, mbesa e një fisniku pers. Ajo do të bëhej dashuria e padiskutueshme e jetës së tij. Ata u martuan pesë vjet më vonë në 1612. Pas celebrimit të martesës së tyre, Khurram-i i dha asaj titullin Mumtaz Mahal (Stolia e Pallatit). Vitet pasues Khurrumi mori dy gra të tjera, por sipas kronikanit zyrtar të oborrit, Qazvinit, marrdhëniet me gratë e tij të tjera “kishin të bënin pak me statusin e martesës. Intimiteti, dhembshuria e thellë, vëmendja dhe pëlqimi, që madhëria e tij kishte për djepin e përsosmërisë Mumtaz u mungonte një mijë herë çfarë ai ndjente për ndonjë tjetër”.
Mumtazi vdiq në Burhanpur më 17 qershor 1631, pas ndërlikimeve me lindjen e fëmijës së tyre të 14-të, vajzës Gauhara Begum. Ajo ishte duke shoqëruar burrin e saj që po luftonte në një fushatë në Rrafshin e Dekanit. Trupi i saj u varros përkohësisht në një kopësht të quajtur Zainabad në brigjet e Lumit Tapti në Burhanpur. Kronikanët bashkëkohës të oborrit i kushtojnë një vëmendje të pazakontë kësaj ngjarjeje dhe pikëllimit të Shah Jahanit me ikjen e saj.
Menjëherë pasi dëgjoi lajmin perandori thuhet se u bë i pangushëllueshëm. Ai nuk u pa në oborr për javë dhe konsideroi abdikimin dhe jetimin si një vetmitar fetar. Historiani i oborrit Muhammad Amin Qazwini, shkroi se përpara vdekjes së gruas së tij, mjekrra e perandorit “nuk kishte më shumë se dhjetë ose dymbëdhjetë qime të bardha, që ai e kishte zakon ti shkulte, u kthye në gri dhe pastaj e bardhë dhe se ai shpejt kishte nevojë për syze pasi sytë e tij u përkeqësuan nga e qara e vazhdueshme. Meqë Mumtaz Mahali kishte vdekur të mërkurën, në atë ditë u ndaluan të gjitha zbavitjet. Jahani hoqi dorë nga dëgjimi i muzikës, mbajtja e stolive, veshjeve të kushtueshme ose parfumeve për dy vjet. Kaq e shqetësuar ishte familja perandorake sa një i afërm shkroi se “nëse ai vijonte ta linte veten pas dore në vajtim, Mumtazi mund të mendonte të ikte nga gëzimet e parajsës për tu kthyer në tokë, në këtë vend të mjerë — dhe ai duhet të mendoj për fëmijët që ajo i ka lënë në kujdestari”.
Siç është Kulla Eifel në Francë, Sydnei Opera House për Australinë, ashtu edhe Taj Mahal është për Indinë. Ky monument i famshëm ndërtuar nga perandori Shah Jahan në përkujtim të gruas së tij Mumtaz Mahal, përshkruhej si monumenti më ekstravagant i ndërtuar për dashurinë.
Për ndërtimin e Taj Mahal punëtorët ishin marrë jo vetëm nga India, por edhe nga Azia Qendrore. Numri i punëtorëve që morrën pjesë në lartësimin e ndërtesës kapte shifrën mbi 20. 000 vetë. Ekspertët që kanë dorë në dekorimet e veprës, janë francezi Austin nga Bordeaux dhe italiani Veroneo nga Venecia. Për Arkitektin kryesor mendohet se ishte Isa Khan që vinte nga Shiraz i Iranit, por për origjinën e tij ka hipoteza e legjenda të ndryshme. Një gojëdhënë që nuk ka burime të sigurta historike është edhe fakti se perandori, që të mos bënin më vepra kaq madhështore, urdhëroi t’u priten duart mjeshtrave dhe arkitektit që ndërtuan Taj Mahal, në mënyrë që kjo e fundit të ishte e papërsëritshme. Thonë se Shah Jahan, tepricën e jetës së tij, e kaloi i burgosur në Agra Fort, duke shikuar drejt lumit varrin si pjesë e fundit e së shoqes. Mermeri me të cilin është punuar ndërtesa, është i tillë saqë i ndryshon nuancat e ngjyrave sipas dritës që merr. Në lindje të diellit Taj është magjepsës. Taj Mahal është vizituar nga shumë personalitete botërore si Princesh Diana, Presidentët e Amerikës etj.
Përsa i përket zhvillimit Jaipur ishte qytet me prespektivë, urbanistika dhe infrastruktura ishin në proçes, aty ishin ngritur e po ndërtoheshin pallate e hotele me 4 dhe 5 yje. Përveç qenve nëpër rrugët e Jaipur shikoje edhe lopë, të cilat ushqeheshin me mbeturinat e hedhura. Në përgjithësi si besimtar populli indian, lopën e quante të shenjtë, nuk e preknin, as nuk e konsumonin si ushqim. Dasma në Jaipur histori më vete. Gratë, burrat, të moshuarit dhe fëmijët veshur me fustanet dhe kostumet e tyre tradicionale. Nusja sipas zakonit vendas kishte veshur fustan e vello të gjatë në ngjyrë të kuqe, ndërsa dhëndri ishte veshur me kostum të bardhë. Mysafirët, muzika e vallet indiane vijuan përgjatë gjithë javës. Përveç dasmorëve kërcenin e gëzonin edhe banorët e zonës përqark. Marrja e nuses një moment sa i veçantë aq dhe emocionues. Dasma vazhdoi nga e hëna deri mëngjesin e ditës së shtunë.
Shërbimet diplomatike mesh Shqipërisë edhe Indisë janë kryer nga ambasadori shqiptar me seli në Pekin, por së fundmi qeveria shqiptare miratoi hapjen e ambasadës edhe në Indi. Si një hap përpara për marrëdhëniet dypaleshe. India është një shtet në Azinë jugore. Bregdeti i Indisë është e gjatë 7.517 kilometra. India është djepi i disa besimeve në Azi, e këto janë Hinduizmi, Sihiszmi, Budizmi, Jainimzi. Ky shtet Jug-Azian konsiderohet si një ndër shtetet që në dekadat e fundit ka arritur zhvillim të madh ekonomik shumë shpejt, dhe është “Ekonomia” më e madhe e 12-të e Botës. Krahas zhvillimeve ekonomike, varfëria në Indi është shumë e dukshme. Një numër i konsiderueshëm të popullsisë së Indisë janë analfabet. Për të njohur nga afër autenticitetin e vendit me makinën që na shoqëronte më së shumti ndoqëm rrugët lokale. Gjatë historisë, në Indi kanë jetuar shumë kultura, raca, besime të ndryshme.
Ngritjet dhe zbritjet e Perandorive në këtë vend janë bërë shumë më parë se në Europë. Referuar materialeve të kohës, mongolët ishin të parët që pushtuan Indinë. Portugezët ishin Evropianët e parë që arritën në Indi. Vasco De Gama, në vitin1498 arriti në brigjet e Kerala, dhe Portugezët arritën të sundojnë tregtinë Portugali – Indi. Në vitin 1612 Anglezët kolonialist, filluan fazën e pushtimit duke hapur një Qendër Tregtare në Indi. Më pas më 1640 u hap Qendra Tregtare në Madras, më 1668 në Mumbaj dhe në vitin 1690 në Kalkutë. Ndërsa Qendra Tregtare e parë Franceze në Indi është formuar në Pondicherry. Në vitin 1803 i gjithë rajoni i Indisë ishte nën pushtimin Angle, përveç Punjab’it. Anglezët vazhduan traditën Mongole të qeverisjes, dhe vazhduan Ideologjinë Mongole, që Indinë e shihnin vetëm si vend “që fitohet para”. Dhe bazuar në këtë parim kultura dhe tradita Hinduse nuk ishin të rëndësishme për ata. Për Anglezët rëndësi kishte se si skllevërit Indiane kryenin detyrat që u jepin Anglezët.
Siç na treguan mjekësia po ashtu ishte falas për të gjithë, por qysh prej tre viteve vizitat e kurimet edhe tek mjekësia private suportoheshin pjesërisht nga shteti. Në Jaipur vizituam edhe një spital 8-të katësh privat, dy vite kishte që ishte ndërtuar, aty kryheshin të gjitha shërbimet mjekësore, duke filluar nga shtrimet në urgjencë, operacionet, çdo sallë ishte paisur me aparaturat më moderne të kohëve të fundit.
Çdo i ri dhe e re që mbushte 18 vjeç kishte të drejtën e votës dhe mund t’i nënshtrohej testit të marrjes së patentës së makinës. Tendenca e të rinjve ishte lënia e atdheut për një jetë më të mirë në Europë e perëndimin e largët. Si lehtësi ekonomike përveç autobusëve, veturave, taksive, më së shumti rrugëve qarkullonin edhe motorçikletat.
Përsa i përket letërsisë indiane ajo është një nga më të vjetrat në botë, shkrimtarët më të mëdhenj të saj janë Rabindrnath Tagore nga Bengali, i cili la një trashëgimi të pasur të tregimeve të tij të shkurtra, romane dhe kompozime muzikore. Dhanpat Rai Srivastav lindur në Uttar Pradesh që konsiderohet si një ndër autorët më të shquar të letërsisë Hindustani dhe shkrimtari RK Narayan që shkroi libra shumë të famshëm trillues dhe jo- trillues. Modelja dhe aktorja indiane – amerikane Priyanka Chopra ka qenë fituese e kurorës Miss India. Tempulli më i famshëm në Indi është ai i RamMandarit. Përsa i përket kafshëve India specifikohet me elefantët, tigrat dhe majmunët e racës relfore, lulja lotus, ndërsa për zogjtë njihet për zogun e palloit. Pas eksplorimit e udhëtimit tonë 10-të ditor në Indi u kthyem në SHBA me mbresa tepër interesante.