NGA ILIR HASHORVA/*
“Kudo që vajtëm na pritën me gëzim e entuziazmë sikurse po u zbriste Perëndia nga qielltë,” – me këto fjalë fillon raporti i parë që Kryetari i Misionit të Jashtëzakonshëm për hapjen e shkollave dhe kurseve të gjuhës shqipe në Kosovë, Ali Hashorva, i dërgonte shtetit shqiptar më 25.7.1941 – “Na turreshin nga prapa si të dehur duke na pyetur: ‘Kur po na vjen Shqipnia, kur po na vijnë mësuesët e Shqipnisë?’, ose ‘Kur po na vjen Albania?’ e na luteshin që të mos i ‘mashtrojshim’, d.m.th., të mos i gënjenim, t’u thoshim të vërtetën. Kemi shkuar me ta çaste të paharrueshme mallëngjimi. Kudo që vajtëm, sa dhe në skajet më të largëta, njerëzinë e gjetëm të gjallë, trime e të flakët në ndjenjat kombëtare. Fryma shqiptare po buçet në të gjitha anët e Kosovës. Sundimi i rëndë serb jo vetëm nuk e ka përulur shqiptarësinë e krenarinë e këtij populli, por e ka forcuar dhe ca më tepër. Burrat e mëdhenj e trimat legjendarë të luftërave të Skënderbeut këtu i kemi të gjallë përpara syve, të hedhur nga shtati, të drejtë nga trupi, të lehtë në lëvizje. Tirania serbe nuk ka mundur ta prekë fort as gjuhën shqipe, e cila flitet kudo e bukur dhe e virgjër, sikundër ka qenë folur që në kohët e para”.
Në një mbledhje të Ministrisë së Arsimit të asaj kohe u vendos të dërgohej një Mision Shkollor për të hapur kurse e shkolla shqipe në Kosovë e në vise të tjera të Jugosllavisë të banuara nga shqiptarë. Në mbledhje, Ali Hashorva kërkoi të ishte anëtar i misionit. Ministria e pranoi kërkesën e tij dhe e caktoi kryetar të misionit. Ajo caktoi dhe 70-80 arsimtarë të tjerë për t’iu bashkuar atij misioni, shumica kosovarë, që kishin studiuar në Shqipëri ose jashtë saj me bursë shqiptare.
Në shkresën që Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, i dërgonte Ali Hashorvës, shkruhej:
Zotni Ali Hashorvës,
Antarit t’Inspektoris s’Epërt
Për me studjue gjendjen arsimore simbas programës qi përshkruhet ma poshtë në Kosovën e lirueme, kam vendosë me dërgue atje nji mision shkolluer te jashtëzakonshëm.
Si kryetar të këtij misioni kam caktue zotnin t’Uej, mbasi, mbështetun në provat qi keni dhanë në të kryemit e detyrave të ndryshme, qi ju kam ngarkue herë pas here, kam besim të plotë se do t’ja dilni në krye si ma mirë edhe kësaj pune kaq të randësishme nga çdo pikpamje.
Veprimtaria e Juej qi do të zhvillohet në Kosovën e lirë përmbledh studimin e gjendjes s’Arsimit Filluer e të Mesëm si dhe rregullimin e kurseve verore për gjuhën shqipe për të mëdhej e të vegjël.
Antarët qi kanë me bashkëpunue me Zotnin t’Uej janë:
- Jonuz Blakçori, Profesor i Shkollës së Punës, Tiranë.
- Abdurrahim Buza, Profesor në Liceun e Tiranës.
Zoj. Flora Pali, mësuese n’Institutin Donika Kastrioti.
- Shaban Arra, Inspektor’i Arsimit t’ Kosovës.
- Zef Pali, mësues i gjuhës shqipe në Liceun e Shkodrës.
- Xhavid Nimani, mësues në qarkun e Kosovës.
- Fadil Haxhihoxha, mësues në qarkun e Kosovës.
Të gjithë këta Zotni mvaren dhe do të drejtohen prej jush në të kryemit e punëve të ndryshme qi do t’u ngarkoni.
Po kështu, varen prej jush edhe mësuesit, qi do të dërgojmë s’afërmi për kurse verore të gjuhës shqipe për të mëdhej e të vegjël. Zotni mësuesve keni me u a caktue po ju vendet e shërbimit.
Ju uroj të gjithëve punë të mbarë në të kryemit e kësaj detyre të shenjtë kombëtare e me randësi historike.
Ministri ERNEST KOLIQI
Tiranë 23.6.1941
Deri në këtë kohë, Ali Hashorva kishte pasur këtë karrierë profesionale: Pasi kishte mbaruar studimet në Firence për filozofi-pedagogji, në vitin 1933 u caktua të jepte mësim në shkollën normale të Gjirokastrës. Më pas – inspektor arsimi në atë prefekturë dhe, pas saj, inspektor arsimi në prefekturën e Korçës. Pas tre vjetësh në Korçë dhe me largimin e Aleksandër Xhuvanit prej shkollës normale të Elbasanit, në vitin 1938, Aliun e caktuan drejtor të asaj shkolle. Me ardhjen e italianëve, Aliun e pushuan nga ajo detyrë, por nga fundi i vitit 1939, e caktuan të punonte në Komisionin Teknik të Ministrisë së Arsimit së bashku me Aleksanër Xhuvanin, Kostaq Cipon, Anton Deden, Kolë Kamësin, Sterio Spasen etj.
Ali Hashorva së bashku me familjen e tij dhe me anëtarët e misionit u nisën menjëherë për në Kosovë. Në hyrje të Raportit të parë që ai dërgon nga Kosova, shkruan:
“Sapo arritëm këtu, bëmë një udhëtim nëpër të gjithë Kosovën, si në pjesën e pushtuar prej trupave italo-shqiptare, ashtu dhe në atë të pushtuar prej gjermanëve, për t’ardhur në përpjekje të drejt për drejt me autoritetet lokale e me popullin…
“Fushën e veprimit të Misionit e kemi ndarë në dy sektorë me qendra në Prizren e në Prishtinë. Në të parën qendër punën e drejtojmë ne vetë; në të dytën kemi ngarkuar Z. Shaban Arra. Ne të Prizrenit jemi ndarë në dy pjesë: njëra pjesë studion gjendjen e Prizrenit, të Suharekës e të Dragaçit e pjesa tjetër atë të Gjakovës e të Rahovecit. Si të kryejmë këtë rajon, do të hidhemi nga ana e Pejës.
“Në Plavë e Guci nuk u shkua dot. Ato zona ishin të rrezikuara nga çetat e Mihailoviçit. U shkua gjer në fshatin Kuçishtë në Rugovë, por u kthyen mbrapsht. As në Tetovë, Gostivar e Shkup nuk u shkua dot, se do të duhej të kalohej nga Kaçaniku të cilin e kishin bllokuar bullgarët.
Po në atë raport, pasi flitet për ndarjen e mësuesve në shkolla të ndryshme dhe jepet gjendja e ndërtesave shkollore, thuhet:
“Numri i nxënësve, sidomos i shqiptarëve është shumë i madh, pra, për vitin e ardhshëm për Kosovën e çliruar do të nevojitën shumë mësues, sa vetëm me ata që kemi tani nuk është e mundur kurrsesi të plotësohen nevojat, pra Ministria duhet ta studiojë që tani këtë çështje që është nga më jetësoret për kombin tonë”.
Më 9 Shtator 1941, Ali Hashorva dërgon raportin tjetër mbi Gjendjen Arsimore të Kosovës. Sipas tij në atë kohë kishte 202 shkolla fillore me 30000 nxënës dhe 491 mësues. Kishte tre gjimnaze: i Prizrenit me 579 nxënës, prej të cilëve 82 shqiptarë; i Pejës në 998 nxënës, prej të cilëve 71 shqiptarë; i Prishtinës me 871 nxënës, prej të cilëve 25 shqiptarë. Në të gjitha shkollat e mesme të Kosovës mësonin vetëm 276 nxënës shqiptarë.
Më pas jepen mendime për rregullimin e shkollave për vitin 1941-1942. Këtu thuhet:
“Të çelen shkolla fillore e foshnjore në 39 qendra. Shkollat të jenë krejt e vetëm në gjuhën shqipe…Të mos lejohet kurrsesi hapja e shkollave minoritare për arsye se serbët e vendit nuk janë veçse shqiptarë e vllehë të semisllavizuar nga shkaku i fesë së përbashkët me serbët; shumë syresh, sidomos në katundet e përzier, e pikërisht në rrethin e Rohovecit, bash ata që e quajnë vetën serbë, flasin shqipen fare mirë, si dhe ne”.
Si qendër arsimore, ndërmjet Gjakovës, që ishte më e pastër si shqiptare, dhe Prishtinës, Ali Hashorva dhe Misioni i tij caktoi Prishtinën. Qëllimi: t’u bëhej ballë rrymave sllave nga veri-lindja. Caktimi i Prishtinës si qendër arsimore në atë kohë, me siguri bëri që, më pas, ajo të bëhej edhe qendër kulturore, politike e administrative, pra kryeqendër e Kosovës.
Në atë raport, jepen dhe këto hollësi për caktimin e Prishtinës si qendër arsimore e Kosovës:
“Në Kosovë është e domosdoshme çelja e një shkolle normale me internat…. Vendi më i përshtatshëm për të na duket Prishtina, mbasi gjendet në qendër të Kosovës e mund të arrihet me lehtësi si nga Veriu (Mitrovica, Jeni-Pazari, Vuçiterna, Podujeva), si nga Lindja (Gilani, Medvegja, Presheva, Kumanova), si nga Jugu (Ferizoku, Kaçaniku e Shkupi), ashtu dhe nga Perëndimi (Peja Gjakova e Prizreni). Prishtina në të ardhmen duhet të bëhet qendër drite e bashkimi shpirtëror si për Kosovën e çliruar, ashtu dhe për pjesën e mbetur jashtë kufijve, që neve, me sa patëm rasë ta shihnim e ta dëgjonim, na u paraqit plot jetë e gjallëri dhe e vendosur të mbetët shqiptare e të çlirohet me çdo mënyrë sapo t ‘i paraqitët rasa e volitshme… Normalja ka për të rrënjosur mirë në qytet edhe gjuhën shqipe që ka pësuar mjaft nga robëria sheku1lore”.
Në Raportin mbi Kurset e Kosovës, Ali Hashorva, më 19.9.1941, thotë:
“Çelja e kurseve verore në Kosovë ka qenë një nga veprat e pakta e më të bukura që ka kryer Shteti Shqiptar në atë vend që nga data e çlirimit të tij e gjer tani. Mundimet e shpenzimet jo vetëm nuk shkuan kot, por u kurorëzuan me fitime shumë të shkëlqyera”.
Dhe, më poshtë, tregon për rol të shumanshëm të mësuesve misionarë:
“Fryma shqiptare në Kosovë kishte mbetur e paprekur dhe e fortë; por, me gjithë këtë, sundimi i rëndë serb dhe ngjarjet e papritshme e të rrufeshme kishin tronditur shpirtin e kosovarit sa që ai s’dinte nga t’ia mbante e si ta fillonte punën për të realizuar ëndrrën e tij të pareshtur: bashkimin e tij të njëmendtë me shqiptarët e tjerë të Shqipërisë së Lirë; në shpirtin e tij mbretëronte shqetësim e nervozizëm. Kishte nevojë për dikë që t’i fliste zëmrës së tij, që ta udhëzonte në rrugën e mbarë të lirisë së vërtetë e të përparimit. Këtë “dikë” kosovari e gjeti te mësuesi shqiptar që i vajti pikërisht në kohën kur ai ndodhesh në gjendjen shpirtërore që treguam. Mësuesi u bashkua shpirtërisht ngushtë me të, duke i ndarë me të të mirat e të ligat, duke i qetësuar shpirtin e duke e drejtuar nga rruga e drejtë e mbarësisë.
“Arsimtarët, si të dehur nga gëzimi, … që posa arritnë në tokën e bekuar të Kosovës, për një herë, sapo që muarrën urdhërin, u shpërndanë gjer në çipat më të largëta e të vetmuar të Kosovës, të parët përfaqësues të Shtetit Shqiptar.
“Kosovarët në këtë mënyrë erdhën në përpjekje të drejt për drejtë me frymën e shqiptarisë së vërtetë, me atë diçka që dëshironin e që s’dinin si t’ia arrinin, për të cilën e kishin intuitën, por nuk e kishin të kthjellët idenë. Te mësuesi kosovarët gjetën vet-vetën”…
Pastaj flitet për nivelin profesional të misionarëve:
“Të gjithë këtë punë arsimtarët e bënë jo vetëm me zellin që treguan, por dhe me zotësinë e tyre. Ne mund të dëshirojmë që shkollat tona të mesme të jenë edhe më të përsosura, dhe është e arsyeshme. Por, e vërteta është se nuk jemi dhe aq shumë prapa. Nga puna që pamë në Kosovë, mësuesit shqiptarë na u duknë në një shkallë më të lartë se mësuesit e ish-Jugosllavisë. Arsimtarët shqiptarë në Kosovë u treguan përgjithësisht në lartësinë e misionit që shteti u ka besuar”.
Më poshtë tregohet për një ngjarje interesante:
“Arsimtari ka të mburret dhe për një punë tjetër që, posa të mos e përmendim ne këtu, mund të mbetët në harresë, ndonëse është me rëndësi shumë të madhe.
“Ja se si :
“Jeni-Pazari, krahina që e ruan me fanatizmë kujtimin e origjinës së saj shqiptare e karakteristikat shpirtërore e fizike, por që, fatkeqësisht ka humbur gjuhën amtare, kishte mbetur pezull, nuk dihesh kujt do t ‘i takonte. Ishte frikë se mos i ngjitësh Malit të Zi. Populli, duke mos dashur në asnjë mënyrë të bashkohesh me Malin e Zi, ishte ndarë në dy pjesë. Njëra pjesë, me nacionalistin e shquar shqiptar në krye, Zotin Aqif Bluta, donte ta lidhtë fatin e krahinës me atë të Mitrovicës, e cila shpresohesh se do t ‘i lihesh Shqipërisë; kurse pjesa tjetër, për të shpëtuar nga Mali i Zi, kishte vendosur të përpiqesh për t’u bashkuar me Kroacinë. Në kohën kur vajtëm ne në Jeni-Pazar për të shikuar në kishte mundësi për të çelur ndonjë kurs, qytetin e gjetëm të stolisur me flamurë kombëtarë, kafenë e madhe të qytetit të emëruar “Kafe Skënderbeg”, gjindarmerinë me shkabë dykrenore, me kurorën e Skënderbeut mbi festën e kuqe, gjithë shenja që na mbushnë zemrat me gëzim; por, me gjithë këto, një komision 5-6 veta ishte nisur për Kroaci, për tu marrë vesh që Jeni-Pazari të bashkohej më të. Mirëpo vajtja e jonë atje, dërgimi i shpejtë i mësuesve dhe entuziazmi që ngjalli çelja e kursit në atë vend, e lartësoi shpirtërisht dhe e forcoi aq tepër pjesën që donte të mbetesh e lidhur me Mitrovicën, sa që kjo pjesë mori krejt fuqinë në dorë duke e mposhtur përfundimisht pjesën tjetër. Dhe kështu Jeni-Pazari, ky qytet i djegur për Shqipërinë, mbeti i lidhur me Mitrovicën dhe po gëzon të drejtat minoritare që i janë dhënë Mitrovicës, Vuçitërnës e Podujevës… Kështu, mund të themi se këtë qytet shqiptar e shpëtoi vepra e mësuesve”.
Shumë shpejt puna filloi të jepte frute.
Më 8 Prill 1942, në një raport mbi inspektimin e arsimit në Kosovë, ndërmjet të tjerave, Ali Hashorva, thotë:
“Në Prishtinë si Normalja, ashtu dhe Internati janë rregulluar për bukuri, ndonëse mungesat i kanë pasur të shumta e, ndonëse, të themi të drejtën, nuk e kanë pasur përkrahjen e duhur nga ana e kësaj Ministrie… Edhe për sa i përket përfitimit të nxënësve në mësime ne, duke marrë parasysh rrethanat e vështira nën të cilat u krijua ky Institut, mbetëm mjaft të kënaqur. Shkolla nuk duket sikur është krijuar sot e me elementë shumë heterogjenë, por sikur të ketë qenë prej shumë kohësh. Vumë re me kënaqësi se nxënësit mësimet përgjithësisht i kuptonin mirë dhe kishin fituar aftësi të shpreheshin në shqipe pa vështirësi. Z.Z. Rexhep Krasniqi e Vasil Andoni së pari, e pastaj të gjithë profesorët që vajtën që në fillim, meritojnë çdo lëvdatë për punën që kanë kryer. Puna e tyre është një përmendore që na jep nder ,,,”.
Një vit Ali Hashorva punoi dhe jetoi familjarisht në Kosovë. Ajo punë njëvjeçare hodhi themele të shëndosha për një veprimtari gjithnjë e më premtuese për ata që do të shkonin më pas. Pas grupeve të para të mësuesve, shkuan në Kosovë dhe grupe të tjera. Deri në fund të vitit shkollor 1943-1944, atje kishin shkuar rreth 300 mësues. Nuk ishte pak për kohën.
Pas një viti pune në Kosovë, Ali Hashorva u thirr në Tiranë dhe u emërua Inspektor Epror në Ministrinë e Arsimit. Më pas, u vendos në postin e rëndësishëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit. Nga ai post, ai u largua më 8.2.1944, ditë në të cilën u arrestua në zyrë dhe u burgos në burgun e Tiranës së bashku me funksionarin tjetër të lartë të asaj ministrie, Ahmet Duhanxhiun, të akuzuar si përkrahës dhe ndihmues të luftës kundër pushtuesit. Mbasi doli nga burgu, Ali Hashorva u caktua në Inspektorinë Eprore ku qëndroi deri sa mbaroi lufta, në 28 nëntor, 1944.
Kjo, pra, ishte ajo punë e madhe, aq e rëndësishme për arsimin dhe kulturën shqiptare, por edhe për çështjen kombëtare në përgjithësi (çështje që në atë kohë shihej krejt ndryshe nga ç’shihet sot), e bërë në një kohë aq të shkurtër, në një periudhë aq të vështirë, nga aq pak njerëz, por aq shumë të përkushtuar dhe, megjithatë, kjo njihet pak ose aspak nga shqiptarët. Deri sot nuk është bërë asnjë studim për të, nga asnjë historian. Kjo ngjarje është lënë në harrese, sepse politika shqiptare që pas vitit 1944 ka mbuluar apo luftuar çdo përpjekje të bërë në të mirë të Kosovës dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë, sidomos përpjekjet që u bënë në kohën e fashizmit. Po ashtu, duheshin lënë në harresë persona protagonistë që punuan me shumë zell për Kosovën.
Midis atyre që punuan për ngritjen e arsimit shqip në Kosovë, që nuk u panë me sy të mirë nga regjimi komunist në fillim, por edhe nga regjimet që erdhën më pas, ishin: Ernest Koliqi, Ministri i Arsimit, ai që urdhëroi nisjen e Misionit; Ali Hashorva, ai që e drejtoi Misionin, i pa dëshiruar dhe i mënjanuar krejtësisht nga regjimi komunist; Jonuz Blakçori, anëtar i misionit, i padëshiruar nga regjimi komunist, i internuar në moshë të thyer e vdekur në internim; Vasil Andoni, më pas eksponent i Ballit, i pa dëshiruar nga regjimi komunist; Haki Taha, i pa dëshiruar nga regjimi komunist, ekzekutuesi i kryeagjentit serbokomunist, i antishqiptarit, Miladin Popoviç, mikut të ngushtë të Enver Hoxhës.
Qershor 2016
*Fotografia është marrë më 13 korrik, 1941, në Prizren. Në të janë një pjesë e anëtarëve të misionit shkollor. Në rreshtin e parë në këmbë, i katërti nga e majta, me duar të kryqëzuara, është kryetari i misionit, Ali Hashorva.
Pjesët e dhëna në këtë shkrim janë marrë nga arkivi personal i Ali Hashorvës.
Sadik Elshani says
Zoti Hashorva, shume faleminderit per kete shkrim. Hapja e shkollave te para shqipe ne Kosove 75 vite me pare, eshte padyshim njera nga ngjarjet me te rendesishme ne historine e Kosoves. Ata qe e ndermoren kete mision te shenjte, ishin atdhetare te perkushtuar e vizionare dhe ne Kosove gjithmone kane qene e do te jene te nderuar. Nuk po zgjatem me teper, se edhe vete jam duke pergatitur nje shkrim te shkurter.
Fritz Radovani says
Vetem kuriozitet: Emnat e te Ndjerit Ali Harshova dhe Ernest Koliqi, a jane te pakten Emna te ndonje shkolle ne Kosove? Me respekt.
ILIR HASHORVA says
ZZ. Sadik Elshani dhe Fritz Radovani,
Duke ju falënderuar përzemërsisht për komentet dashamirëse, më duhet të them se mirënjohja e vërtetë është një nga virtytet më pak të vlerësuara nga ne shqiptarët. Me sa di unë, nuk ka asnjë shkollë në Kosovë që të mbajë emrat e Ernest Koliqit, të Ali Hashorvës apo të ndonjë tjetri nga Shqipëria që të ketë kontribuuar për arsimin shqip në Kosovë.
Ilir Hashorva
Sadik Elshani says
Edhe une bera ca kerkime ne internet, por fatkeqesisht nuk gjeta asnje shkolle ne Kosove qe mban emrin e Ernest Koliqit, apo te Ali Hashorves. Kjo eshte e papranueshme! Ne Suhareke/Therande, vendlindjen time (tani jetoj ne Filadelfia), mesues ne ate kohe ka qene Zotni Ilmi Duli nga Shkodra. Personalisht jam i angazhuar qe shkolles fillore t’i nderrohet emri nga “7 Marsi” ne “Ilmi Duli”. Nese kjo nuk eshte e mundur, atehere, rruga ku ndodhet shkolla te marre emrin e mesuesit te nderuar dhe t’i ngritet nje permendore.
kadri veseli says
Vazhojne komunistet te kene emrat ne snkollat e Kosoves.
Fatkeqesi.
Perfundimisht u jane vu disa rrugeve ne Prishtine emrat e Ernest Koliait e Mustafa Krujes