Analizë , nga Rafael Floqi-
Rama nuk dot a bënte këtë për demokracinë zgjedhore, nuk po e bënte këtë në emër të pan- evropianizmit të tij, por po kërkonte ta bënte më tepër të egoizmit të tij duke e para si një bëmë e mirë, si një akt i shquar PR-i, që do zhvlerësonte sadopak akuzat e opozitës për mënyrën sesi i trajtoi marrëveshjen për ndryshimin e ligjit zgjedhor.
I mërzitur me jetën politike shqiptare që e drejton si timonier pa patentë, kundrejt një opozite që i kanë rënë poturet, me një parlament kukullash, pasi dështoi me Kosovën në idenë për t’u dukur si baba i Kombit edhe në Ligën e Shengenit Ballkanik, pasi nuk mundi të prishte marrëdhëniet me Amerikën pas zgjedhjes të Presidentit Trump, kryeministri ynë ambicioz dhe mjeshtër i selfi-PR-it u mundua të luajë një Ligë me lart në skenën e politikës së jashtme evropiane me zgjidhjen e situatës paszgjedhore në Bjellorusi.
Pikërisht aty ku ai nuk ishte shquar si lojtar dinjitoz, u përpoq të kërkonte të luante arbitrin pa ja kërkuar kush, duke pasur një CV të dyshimtë në zgjedhjet në vend, pikërisht, me argumentin e ndërhyrjes së tij, pajtimin apo zgjidhjen e situatës pas zgjedhjeve të vjedhura në Bjellorusi, e ku tamam, në kopshtin e Moskës. Siç duket ambicia dhe PR i tij me Kazan TV nuk e çoi larg kësaj here. Edi Rama, është vetofruar për të ndërmjetësuar në dialogun mes presidentit të Bjellorusisë Llukashenko dhe opozitës, meqë vendi ynë mban presidencën e OSBE-së.
Në zgjedhjet e mbajtura më 9 gusht, presidenti Alexandër Lukashenko shpalli fitoren me rreth 80 për qind të votave, ndërsa kundërshtares së tij kryesore, Svetlana Tikhanovska, iu atribuuan 10 për qind të votave. Pas kësaj mijëra qytetarë u ngritën në protesta edhe pse Presidenti Aleksandër Lukashenko i dha urdhër policisë që të shpërndante turmat pas rreth një jave tubimesh kundër qeverisjes së tij.
Nëse Shqipëria do të kishte një jetë normale politike dhe raporte normale opozitë-qeveri, askujt nuk do t’i shkaktonte habi, përkundrazi do ta vlerësonte, Shqipërinë dhe angazhimin e Kryeministrit Edi Rama si ministër i jashtëm dhe kryesues, i radhës i OBE-se, që të ndihmonte ne arritjen e zgjidhjeje paqësore pas zgjedhjeve problematike në Bjellorusi. Por në situatat aktuale kur BE dhe SHBA po përpiqen për një jetë normale politike në Shqipëri angazhimi i Kryeministrit Edi Rama mundi të shkaktojë vetëm reagime ironike si kjo meme në foto dhe vetëm gallata në rrjet. Por dihet Rama nuk po e bënte këtë “ sakrificë” për demokracinë zgjedhore, as si detyrim ndaj OSBE-së, nuk po e bënte këtë në emër të pan- evropianizimit të tij, por po kërkonte ta bënte më tepër në emër të egoizmit të tij, duke e parë si një bëmë e mirë, një akti i shquar PR-i, që ia vlente që do zhvlerësonte sadopak akuzat e opozitës për mënyrën, sesi ai e trajtoi marrëveshjen për ndryshimin e ligjit zgjedhor. E ndoshta pa abuzuar me teori konspiracioni, siç thonë gojët e liga “ ai do të takonte Lukashenkon për shkëmbim eksperience”.
Ne lidhje me propozimin e Ramës, kanë plasur shumë reagime, duke ia kujtuar kryeministrit se nuk mundi të zgjidhë krizën politike në Shqipëri dhe as të gjejë gjuhën e përbashkët me opozitën. Për shembull për gazetarin e Bild, Peter Tiede, është e pabesueshme që Edi Rama ka tentuar të nisë bisedime me autokratin bjellorus Aleksandër Lukashenko, si përfaqësues i OSBE-së. Në një reagim në Facebook, gazetari që hodhi bombën e vjedhjes së votave në zgjedhjet e 2017-s, nëpërmjet një shakaje gjermane, shkruan se është për të mos u besuar se Rama tentoi të nisë negociatat me Lukashenkon.“Pa shaka: Edi Rama tentoi të nisë negociata me Lukashenkom dje. Për OSBE-në. E pabesueshme” – shkruan gazetari. Për Peter Tieden duhet të jetë me të vërtetë e pabesueshme ta shikojë Ramën të tentojë të negociojë si kryetar i organizatës së monitorimit të zgjedhjeve, OSBE, me Aleksandër Lukashenkon, presidentin prej 26 vitesh të Bjellorusisë që akuzohet për manipulim zgjedhjesh, gjë që bëri që BE në bllok të mos ia njohë rezultatin.
Gjermani Tiede ishte ai që publikoi përgjimet në gazetën Bild, të audio-regjistrimeve të shkëputura nga dosjet “184” dhe “339”, që hetonin krimin zgjedhor në Shijak e Dibër. Nga komisionarët tek të fortë të zonave, nga drejtues shkollash e deri tek ish-ministra ishin të përfshirë në blerjen e zgjedhjeve. Peter Tiede bënte përgjegjës Edi Ramën për këtë skemë vjedhjesh të zgjedhjeve. Rama në një show PR-i e paditi në gjyq në Gjermani gazetarin, duke thënë se gjyqi do të hidhte dritë mbi akuzat e rreme të Bild, padi e cila do të tërhiqej shumë shpejt, në prill të këtij vit. Ku dosja “339” është tani në shqyrtimin e SPAK-ut.
Regjistrimi i një telefonate duhet ta provojë këtë: Rama i telefonoi më 11 shtator 2016 drejtuesit të një komisioni rajonal zgjedhor, duke e pyetur nëse gjithçka shkoi në zgjedhje ashtu ‘siç ishte diskutuar’. Përgjigja e kreut të komisionit: “Po, shef, siç është diskutuar. Rama i mohon të gjitha: Duket si viktimë e një komploti. Vetëm se: Këto regjistrime, që i kanë bërë hetuesit e tij, ai nuk mund t’i pastrojë nga kjo botë.
Ndërkohë në Minsk autoritetet bjelloruse vazhdojnë të kërcënojnë protestuesit me kallëzime penale në përpjekje për të penguar protesta masive popullore, pas zgjedhjeve presidenciale të zhvilluara në vend. Ndërkohë prokurorët kanë hapur një hetim kundër aktivistëve të opozitës, qëllimi i të cilëve në fakt është të negociojnë për një tranzicion demokratik të pushtetit.
“E ardhmja e Bjellorusisë, dhe për këtë arsye e ardhmja e fëmijëve tanë, tani varet nga uniteti dhe vendosmëria jonë – tha Svetlana Tikhanovskaya, një ish-kandidate për presidente që për momentin ndodhet e strehuar në Lituani – Unë ju kërkoj që të vazhdoni të zgjeroni protestat, mos u frikësoni dhe rrini të bashkuar.
Ministria e Brendshme në Bjellorusi njoftoi se Yevgeny Bokhvalov, njeri prej organizatorëve të protestave në Minsk është arrestuar. Hetuesit gjithashtu kanë marrë në pyetje tre aktivistë të shquar të opozitës, si pjesë të një hetimi penal për krijimin e një këshilli koordinues, qëllimi i të cilit është ndryshimi i pushtetit të uzurpuar përmes mashtrimit zgjedhor.
Ndërkohë, Presidenti i rizgjedhur Lukashenko ka premtuar ta shtyp protestën e opozitës. Pasi konfirmoi hapjen e një çështje penale kundër anëtarëve të Komitetit që flasin në emër të protestuesve, Shefi i Shtetit njoftoi për largimin nga puna e punonjësve të shtetit që hynë në grevë në shenjë solidariteti me protestat. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme, policia deri më tani ka bërë 6.700 arrestime, ndërsa qindra njerëz janë lënduar gjatë përleshjeve, të cilat gjithashtu u morën jetën e tre demonstruesve.
Por a i ka Rama kredencialet për të zgjidhur krizën politike në Bjellorusi?
“Ka një problem në Bjellorusi. Bjellorusia duhet që të afrohet me BE-në dhe jo me Rusinë. Për fat të keq, kryesues i OSBE-së është Edi Rama, sepse është ministër i Jashtëm. Dhe këtu fillojnë problemet. Do të ishte e dëshirueshme që Shqipëria të kishte presidencë normale. Edhe më 2010 Shqipëria ka mbajtur presidencën e Këshillit të Evropës, nuk arriti ndonjë gjë të madhe, por nuk la nam. Në Bjellorusi zgjedhjet ishin të vjedhura. Kjo kur po ndodh një precedent i rëndë. Shqipëria kryeson OSBE-në, ndërsa qeveria shkel normat e OSBE-së me ligjin për mediat. Edi Rama nuk ka kredencialet për t’u ulur me Lukashenkon, sepse nuk ka zbatuar ligjet për zgjedhje të ndershme ka kaq kohë. Do të shkojë Edi Rama t’i thotë për zgjedhjet, kur ai mund t’i thotë se zgjedhjet e tua janë me probleme, që ti ke probleme me zgjedhjet. Problemi është se një lider problematik, si Rama , e do shprehet Lukashenko, do të më tregojë mua për zgjedhjet e dhunën”, tha ish Deputeti i PD Genc Pollo në një reagim në TV, News 24 në Shqipëri.
Por s’duhet te harrojmë se Bjellorusia nuk është Ukraina, dhe gjendet pikërisht ne kopshtin e pasëm të Rusisë. Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar një takim virtual, përmes një video- konference, me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit në vend për të diskutuar mbi situatën në Bjellorusi. Ai theksoi papranueshmërinë e çdo ndërhyrjeje të jashtme në punët e brendshme të Bjellorusisë dhe mungesën e alternativave për zgjidhjen e të gjitha problemeve të brendshme atje nga udhëheqja e këtij vendi në dialog me qytetarët e saj.
Por duke e kuptuar këtë kryeministri ynë që mendonte se kjo ndërhyrje e tij ne kuadër te OSBE-se do ishte një akt i mirë PR-i për të mbuluar shkeljet e zgjedhjeve në vend dhe një “ shuplakë” për opozitën, nuk pat harruar siç duket se po luante afër shtrofullës së ariut rus, ndaj u kujtua dhe mori hapin e parë, t’i merrte leje ustait.
Ambasada e Rusisë në Tiranë ka zbuluar detaje nga një telefonatë e bërë mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov. Sipas ambasadës biseda është zhvilluar me iniciativën e palës shqiptare. Rusia i ka bërë të qartë Ramës se nuk duhet të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Bjellorusisë.
“Palët diskutuan mbi situatën në Bjellorusi në kontekstin e propozimeve të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së për të kontribuuar në zhvillimin e dialogut midis autoriteteve dhe opozitës. Ministri Lavrov vuri në dukje se është e nevojshme që bjellorusët të lejohen të zgjidhin vetë punët e tyre, të mos ketë ndërhyrje në dialogun midis autoriteteve dhe shoqërisë dhe t`u mos u imponohet shtetasve bjellorusë asgjë nga jashtë, në mënyrë që të shmanget përvoja e trishtë e “ndërmjetësimit evropian” në Ukrainë në shkurt 2014.
Pasi iu përgjigj disa zërave të brendshëm kritikë se nuk po bën aq sa duhet për zgjidhjen e situatës politike në Bjellorusi Kryeministri, Edi Rama ka zhvilluar së fundmi në cilësinë e kreut të OSBE-së, një bisedë telefonike rreth 30 minuta me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov. Dhe kjo në një kohe kur kritiku i njohur i presidentit, Putin, opozitari rus, Aleksej Navalny u dërgua me emergjencë në spital në Moskë të enjten, pasi gjatë një fluturimi nga Tomsku në Moskë, ai humbi vetëdijen. Kundërshtari i Putin mbërrin në Berlin, mjekët të paqartë për rënien në koma po trajtohet në spitalin Charite, në Berlin.
Por e çuditshme është se kjo bisedë, ndryshe i është komunikuar publikut shqiptar dhe ndryshe raportohet nga diplomacia ruse. Në të gjitha mediat e Tiranës u raportua një lajm, i cili i referohej kanalit informativ Top News, që me siguri nuk e ka shpikur vetë, por e ka marrë nga kryeministria, ku thuhej se “gjatë kësaj bisede telefonike me Lavrov, mësohet se kryeministrit Edi Rama i është komunikuar se Vladimir Putin, i ka kërkuar presidentit Bjellorus, Aleksandër Lukashenko të pranojë kërkesën e OSBE-së për negocimin mes palëve politike”.
Pra, sipas këtij njoftimi, pretendohet se Moska qenkësh dakord që Edi Rama të negociojë si kryetar i OSBE-së konfiktin në Bjellorusi. Aty opozita po “akuzon qeverinë se ka manipuluar zgjedhjet, ndaj Rusia ka mbështetur nevojën e ndërhyrjes së OSBE në zgjidhjen e krizës” thuhej në komunikatën e përhapur në mediat e Tiranës. Por, Ministria e jashtme ruse jep një version krejt të ndryshëm. Sipas tij, Lavrov ia ka bërë të qartë Ramës, pas kërkesës për bisedë të këtij të fundit, se s’duhet të përzihet në Biellorusi. Bashkimi Evropian, mbajti një takim urgjent të nivelit të lartë për krizën, ku u vendos të mos njihet rizgjedhja e Lukashenkos dhe vendosja sanksioneve financiare ndaj zyrtarëve që BE-ja i fajëson për manipulime zgjedhore dhe abuzim ndaj protestuesve. Në përfundim të saj mbledhja doli me një sërë konkluzionesh një prej të cilave qe edhe mbështetja për iniciativën e kryetarit të OSBE, Edi Rama.
Kjo e bëri kryeministrin t’u përgjigjej zërave kritike nga Shqipëria duke komentuar në twiter se: “Disa shqipe të politikës së madhe që fluturojnë lart, po vrerosen pse nuk kam shkuar në Minsk dhe ia paskam humbur një shans Shqipërisë! Në Minsk OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve”.
Këto ditë kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kreut të OSBE, së bashku me ministren e Jashtme të Suedisë, Ann Linde, vendi i së cilës do të mbajë presidencën e ardhshme të organizatës, i kanë dërguar një tjetër letër presidentit të Bjellorusisë, ku kanë ripërsëritur “ofertën” për ndërmjetësimin e dialogut. Në letër, të dy politikanët u ofrojnë sunduesve bjellorusë një ofertë për të ndërmjetësuar menjëherë, të “dëgjojnë” të gjitha palët dhe të “diskutojnë sfidat aktuale”
Siç thotë dhe Rama vetë të dyja palët s’kanë besim tek ai. As opozita pasi e sheh si autokrat që grabit zgjedhjet në vendin e vet dhe as Lukashenko që e sheh veprimin e Ramws si karshillëk, se qasin për pajtues pasi lojtari hilacak nuk mund të jetë arbitër i mirë. Siç duket as Evropa s’i ka besuar plotësisht Ramës gjersa i bashkangjiti edhe ministren e jashtme suedeze Ann Linde pasuesen e radhës të kryesisë së OSBE-së për këtë “mission impossible”.