Pyetjeve të vështira të opozitës dhe shoqërisë civile se pse qeveria serbe nuk ka një strategji parandaluese kundër shpopullimit të hapësirave të tëra në Serbi, Vuçiqi po iu përgjigjet duke vendosur barrikada në veri të Kosovës. Sa herë që Vuçiqi zihet ngusht me tema të brendshme të karakterit politik, ekonomik e social, ai hap një front të ri në Kosovë, sepse deri më tani vetëm Kosova i ka shërbyer atij si gomë shëptimi.
Shkruan Mehmet PRISHTINA
Në veriun e Kosovës aktualisht po luhet një dramë e rrezikshme me aktorë të importuar nga nëntoka serbe. Serbët e Kosovës janë vetëm statista në këtë teatër tragjikomik, ku Aleksandar Vuçiqi po mundohet të inskenojë edhe njëherë aftësinë e tij për të mashtruar të tjerët duke luajtur rolin e viktimës, madje duke dalur hapur me një shantazh se “ barrikadat nuk do të tërhiqen deri sa Kosova të pranojë krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Të gjithë e kanë kuptuar lojën e tij përpos disa burokratëve në Bruksel, të cilët ende besojnë në konstruktivitetin e Vuçiqit, ndonëse jo pak analistë dhe vëzhgues ndërkombëtarë tash më e kanë të qartë se kush qëndron prapa barrikadave në veri të Kosovës. Eksperti amerikan për Ballkanin dhe ish-diplomati Daniel Serwer në një intervistë për mediat në Kosovë ka thënë, ndër të tjera, se kriminelët që kryejnë operacione në veri janë nën kontrollin e Beogradit. Në të njëtjtën linjë është edhe kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, e cila duke folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës ka deklaruar se Beogradi nuk është i interesuar për marrëdhënie normale me Kosovën, teksa theksoi se Rusia ka ndikim të madh në këtë çështje.
Kur jemi te Rusia tash më është e qartë se ndikimi i saj në prodhimin e krizave rajonale është evident. Të gjitha analizat ndërkombëtare shpiejnë në një konkludim se Putini ka nevojë për një vatër të re krize dikund në Ballkan. Arsyeja është e thjeshtë. Kremlini pretendon se një konflikt Serbi-Kosovë do të reduktonte mbështetjen ushtarke të NATO-s dhe SHBA-së për Ukrainën, dhe do ti jepte avantazh ushtrisë së Putinit.
Propaganda e Beogradit është munduar, por pa sukses, që situatën e fundit në verit të Kosovës ta paraqes si konflikt në mes të serbëve lokalë dhe Qeverisë së Kosovës. Kjo tezë tinzare dhe falce serbe ushqehet me iluzionin se fuqia e presionit do ta detyrojë udhëheqjen politike të Kosovës në Prishtinë që të gjunjëzohet para kërkesave serbe për krijimin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe. Por ishte ish-emisari gjerman në bisedimet Kosovë-Serbi, Wofgang Ischinger ai i cili në një postim në Twitter, ndër të tjera, ka shtruar pyetjen nëse Serbia është e vetëdijshme që nxitja e dhunës në Kosovë do ta bënte të pamundur vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE. Rrjedhimisht, kjo deklaratë e diplomtatit gjerman na bën të kuptojmë se kurrfarë presioni nga ana e Beogradit nuk mund ta detyrojë Qeverinë e Kosovës të hartojë politika që dalin jashtë kornizës së saj kushtetuese.
Viteve të fundit rajone të caktuara të Ballkanit po zbrazen si pasojë e shpopullimit masiv, sidomos të të rinjëve që po mësyejnë Perëndimin për një jetë më të mirë. Mediat serbe për çdo ditë raportojnë për zbrazjen e fshatrave të tëra në thellësi të Serbisë, ku vetëm disa pleqë kanë mbetur t’i fikin dritat nëpër shtëpitë e vetmuara dhe të braktisura. Beogradi nuk ka një strategji parandaluese ndaj procesit të shpopullimit, por ka zell të tepruar të merret me Kosovën, duke i keqpërdorur serbët lokale për nevoja të konsumit të brendshëm politik. Pyetjeve të vështira të opozitës dhe shoqërisë civile se pse qeveria serbe nuk ka një strategji parandaluese kundër shpopullimit të hapësirave të tëra në Serbi, Vuçiqi po iu përgjigjet duke vendosur barrikada në veri të Kosovës. Sa herë që Vuçiqi zihet ngusht me tema të brendshme të karakterit politik, ekonomik e social, ai hap një front të ri në Kosovë, sepse deri më tani vetëm Kosova i ka shërbyer atij si gomë shëptimi. Dhe në shtypin e Beogradit ka me dhjetëra kolumna e analiza të autorëve të ndryshëm të cilët tash më e kanë kuptuar se Vuçiqi është i paaftë të notojë në ujërat e rrëmbyeshëm të politikës së brendshme, prandaj ai merret me serbët e painformuar duke ua imponuar atyre temën e Kosovës si një adrenalinë nacionaliste.
Fatkeqësisht në grupin e të painformuarve po del të jenë edhe disa diplomatë perendimorë, të cilët si duket ende nuk e kanë kuptuar se Vuçiqi po abuzon edhe me durimin e tyre.
Megjithat, ata që do të duhej ta kuptojnë më së miri Vuçiqin dhe qëllimet e tij tinzare, janë politikanët tanë në Prishtinë, të cilët veprimet e tyre politike e shtetërore është mirë t’i koordinojnë me miqtë tanë perendimorë, sidomos me NATO-n dhe SHBA, sepse vetëm në këtë mënyrë mbrohet pacenueshmëria e sovranitetit të Kosovës. Përvoja ka dëshmuar se kur këto veprime janë të koordinuara, Serbisë i ngushtohet hapësira manovruese, kurse shqiptarët shumicë kanë arsye më tepër të brohorasin: “Mitrovicë, jemi me ty!”