Raporti i Mjaft: Nga 17 premtime u realizuan vetëm 7/
Lëvizja Mjaft prezantoi sot raportin “Vertetëmatësi” mbi punën e qeverisë Rama-Meta për 100 ditet e para të qeverisjes.
Sipas këtij raporti rezulton se në 100 ditët e para të qeverisë nga 17 premtimet elektorale që deklaroi PS gjatë fushatës zgjedhore, 7 premtime janë realizuar, 7 nuk janë realizuar, 2 janë premtime të realizuar pjesshëm dhe një është i pamatshëm.
Vërtetmatësi – 100 Ditë Qeverisje
Nga deklaratat publike të Partisë Socialiste u identifikuan 17 premtime që lidhen ngushtësisht me punën e qeverisë gjatë 100 ditëve të para. Nga këto premtime, 7 rezultojnë të realizuara në përputhje me premtimin, 2 premtime vlerësohen si të realizuara pjesshëm, 1 konsiderohet i pamatshëm dhe 7 premtime konsiderohen të parealizuara.
Ka disa premtime që janë të mbivendosura me njëra-tjetrën, si psh premtimi për përfitimin e një page shtesë për të gjithë të punësuarit me pagë deri 150 mijë lekë (aktualisht i realizuar pjesshëm) dhe premtimit për një pagë mujore shtesë për mësuesit, i cili rezulton i realizuar. Për shkak se premtimet janë bërë në fjalime të ndryshme elektorale, ato janë analizuar të ndara.
Një nga temat më të debatuara nga të dyja kampet politike gjatë fushatës elektorale, ajo e përgjysmimit të tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël, rezulton e pakuptimtë dhe e pamatshme. Partia Socialiste deklaroi se qeveria e ka rënduar biznesin e vogël me tatim mbi fitimin. Partia Demokratike iu përgjigj me një fushatë reklamash ku deklarohej se në fakt biznesit të vogël i është ulur tatimi mbi fitimin. Në realitet tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël nuk ka ekzistuar.
Mes premtimeve të realizuara apo të parealizuara, disa janë të pamatshme nga pikëpamja kuantitative.
Lista e premtimeve për 100 ditët e para
1. Do të anulohet ligji për importin e plehrave;
2. Vendosja nën kontrollin e parlamentit të Institutit të Statistikave ;
3. Do të heqim taksën e biznesit të vogël ;
4. Do të përgjysmojmë tatimin mbi fitimin për biznesin e vogël ;
5. Ulje taksash mesatarisht 40 mijë lekë në vit për këdo që fiton më pak se 150 mijë lekë në muaj ;
6. Do të ulim në 6 për qind taksën e faturës së energjisë elektrike. Po aty;
7. Rikthimi i përfitimeve ligjore për njerëzit me aftësi të kufizuara ;
8. Çdo mësuese do të fitojë një rrogë më shumë nga skema e re e tatimit mbi të ardhurat ;
9. Do të flasim për rritjen e taksës 10 për qind mbi sipërmarrjen vetëm pas 100 ditëve të para, do ta vendosim në një nivel që do të dakordëzojmë bashkarisht
10. Anulimi i koncesionit elektoral në Portin e Durrësit do të zhbëhet që në një nga mbledhjet e para të qeverisë;
11. Rishikimi i te gjitha kontratave koncesionare duke bërë transparente procedurat si dhe duke evidentuar ato procedura që janë kryer në kundërshtim me ligjin;
12. Heqja e taksës 10 % për ilaçet;
13. Auditim ndërkombëtar i financave të vendit;
14. Mbyllja e të gjitha aktiviteteve të paligjshme në fushën e lojërave të fatit;
15. Paketa për lehtësimin dhe zhvillimin e fermerëve me qëllim uljen e kostos së prodhimit;
16. Verifikimi i objekteve pa leje ndërtimi dhe nisja e procesit për prishjen e tyre;
17. Angazhimi që brenda 100 ditësh të çlirohen territoret spitalore nga ndërtimet pa leje.
Në fund të dhjetorit, qeveria publikoi një raport të punës së saj për 100 ditët e para.
Për sistemin e shëndetësisë u cituan gjashtë pika reformash, dhe po aq për sektorin e Arsimit. Për çështjet sociale u cituan pesë ndryshime, për mbrojtjen e konsumatorit, tre masa, për mbrojtjen e Mjedisit gjashtë nisma.
Raporti vijon me masat në lidhje me Rendin Publik, të cilat janë përmbledhur në kapitullin: luftë kundër korrupsionit, masat mbi ekonominë, si dhe disa pika mbi procesin e integrimit Europian.
Qeveria nuk i është përgjigjur në mënyrë sistematike premtimeve të veta për 100 ditët, por në raportin e 100 ditëve ka renditur nisma të ndryshme që ka ndërmarrë.
Premtimet për 100 ditët sipas temave:
1. Ndalimi i importit të plehrave
Ndalimi i importit të plehrave në Shqipëri është përmendur në një numër të madh deklaratash dhe fjalimesh paraelektorale. Më 15 shtator 2013, mbledhja e parë e qeverisë së re, u mor vendimi për ndalimin e importit të mbetjeve përmes ndryshimeve në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Me ndryshimet e reja, kompanive që sakaq kanë importuar mbetje, u jepet gjashtë muaj kohë të përfundojnë procesin e mbetjeve sakaq të importuara.
Gjithsesi, Aleanca Kundër Importit të Plehrave, (AKIP), ka shprehur shqetësim edhe për Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 117, datë 13.2.2013 “PËR KRITERET, NË BAZË TË TË CILAVE PËRCAKTOHET KUR DISA TIPA TË METALIT SKRAP PUSHOJNË SË QENI MBETJE”.
Vendimi bazohet në një rregullore të Bashkimit Europian . Efekti real në Shqipëri është vijimi i importit të skrapit të metaleve, të cilat përbëjnë mbi 80 për qind të të gjitha lejeve të lëshuara për import mbetjesh në Shqipëri në bazë të ligjit të mëparshëm. AKIP vlerëson se racionaliteti pas ndalimit të importit të mbetjeve, konkretisht, mungesa e zbatimit të standardeve mjedisore industriale dhe rrezikun e importimit të mbetjeve për qëllim të vetëm, groposjen, është i vlefshëm si për plastikën, ashtu edhe për skrapin. Media dhe blogosfera kanë raportuar shpesh për nivel të lartë ndotjeje dhe mungesë kontrolli mbi normat e emetimit të gazrave ndotës te kompania Kurum, prodhuesi i vetëm i çelikut në vend dhe kompania përgjegjëse për importimin e shumicës dërrmuese të sasisë së skrapit në Shqipëri .
Gjithsesi, për efekt të premtimit elektoral, i cili synonte shfuqizimin e neneve përkatëse të ligjit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve për të cilat qe kërkuar referendum,
Ky premtim konsiderohet i realizuar.
2. Vendosja nën kontrollin e parlamentit të Institutit të Statistikave
Gjatë periudhës 100 ditore nuk është ndryshuar ligji përkatës për sistemin e statistikave në vend dhe Instituti i Statistikave mbetet nën varësinë e Kryeministrit.
Premtimi vlerësohet i parealizuar.
3. Heqja e taksës për biznesin e vogël
Premtimi në fjalë u trajtua me paketën e ndryshimeve të ligjeve fiskale, konkretisht me ligjin “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 9632, DATË 30.10.2006 “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”.
“Këto dy tatime, të cilat biznesi i vogël i paguan një tek njësitë e qeverisjes vendore dhe një tek administrata tatimore qendrore, zëvendësohen me një tatim të vetëm – tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe norma tatimore është 7.5%, ndërsa për subjektet me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë në vit, propozohet një taksë fikse prej 25,000 lekë në vit”, thuhet në relacionin e Ministrisë së Financave të dërguar në Kuvendin e Shqipërisë me rastin e ndryshimit të ligjit në fjalë .
Duke qenë se premtimi qe i prerë “do të heqim taksën e biznesit të vogël” ndërsa ligji i ri Nr. 181/2013 nuk e heq. Ky premtim konsiderohet i parealizuar
4. Do të përgjysmohet tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël
Premtimi për përgjysmimin e tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël nuk bazohej në ndonjë ndryshim fiskal. Ligji i vjetër Nr. 9632, datë 30.10.2006 PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE i ngarkonte bizneset e vogla me tatime të thjeshtuara referencë duke i ndarë sipas fushës së aktivitetit dhe nivelit të të ardhurave dhe zonës së veprimit.
Bizneset e vogla në qytetet kryesore kishin tatime të thjeshtuara që vijonin nga 8 mijë lekë për tregtarët ambulantë te 45 mijë lekë për shitjet me pakicë apo shumicë, në rastet kur xhiroja vjetore vlerësohej në më pak se 2 milionë lekë. Për xhiron maksimale prej 8 milionë lekësh, tatimi varionte nga 123 në 143 mijë lekë. Në këto kushte, diskutimi mbi “tatimin mbi fitimin” për biznesin e vogël, i kryer gjerësisht gjatë fushatës zgjedhore nuk reflektonte realitetin fiskal të bizneseve të vogla.
Ligji i ri nuk jep tabela të detajuara, por ia ngarkon Ministrisë së Financave që të nxjerrë udhëzime. Për këtë arsye, Ministria e Financave publikoi më 31 dhjetor 2013 Nr. 32, “PËR TATIMIN E THJESHTUAR MBI FITIMIN E BIZNESIT TË VOGËL”. Ky udhëzim e ndan biznesin e vogël në dy kategori, kategoria me xhiro deri në 2 milionë lekë në vit dhe kategoria me xhiro nga 2 deri në 8 milionë lekë në vit. Për kategorinë e parë është vendosur një taksim fiks prej 25 mijë lekësh në vit, pa dallim rajonal se ku vepron tatimpaguesi. Për qytetet e kategorisë së dytë dhe të tretë si dhe për tregtarët ambulantë, tatimi i ri prej 25 mijë lekësh, përbën rritje të lehtë, ose nuk e ndryshon. Për qytetet e kategorisë së parë, Tirana dhe Durrësi, bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë përfitojnë ulje me përjashtim të ambulantëve.
Bizneseve me të ardhura nga 2 deri në 8 milionë, u kërkohet që të përgatisin bilance të thjeshtuara, mbi të cilat do t’u taksohet 7.5 për qind e fitimeve neto. Nuk është e mundur të vlerësohet nëse kjo kategori biznesi ka përfituar ulje apo rritje të ngarkesës fiskale në krahasim me tarifat e thjeshtuara të vendosura nga qeveria paraardhëse.
Si përfundim, në lidhje me premtimin nr. 4, mund të thuhet se për shkak se biznesi i vogël nuk ka paguar më parë tatim mbi fitimin, qeveria nuk mundet që ta përgjysmojë këtë tatim. Premtimi në tërësi klasifikohet si i pamatshëm. (Kuadrati 1 në fund të këtij raporti jep disa krahasime mbi ndryshimet e taksimit mbi biznesin e vogël).
5. Ulje taksash mesatarisht 40 mijë lekë në vit për këdo që fiton më pak se 150 mijë lekë në muaj
Taksimi progresiv i të ardhurave qe një pikë tjetër e shumëdebatuar para dhe pas fushatës zgjedhore. Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 29 dhjetor 2013 Nr. 177/2013 “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR” .
Formula e re e tatimit mbi fitimin ruan normën zero për të ardhurat nga paga deri në 30 mijë lekë, taton me 13 për qind diferencën nga 30 mijë deri në 130 mijë lekë dhe me 23 për qind pjesën sipër të ardhurave prej 130 mijë lekësh. Të ardhurat nga honorare, qiratë e dividentët do të vijojnë të tatohen me 10 për qind.
Formula e mëparshme e tatimit qe 0 për të ardhurat nga paga deri në 30 mijë lekë dhe 10 për qind për të ardhurat mbi 30 mijë lekë, ku dallimi i madh qe që mjaftonte që paga të kalonte 1 lek mbi 30 mijë lekëshin për t’u tatuar me 10 për qind në krahasim me pagën që mund të qe 1 lek nën 30 mijë lekëshin për t’u përjashtuar.
Sistemi i ri jep një ulje të tatimit efektiv për pagat nga 30 deri në 130 mijë lekë dhe rritje të tatimit efektiv për pagat nga 130 mijë e më shumë. Tabela 1 paraqet ndryshimet.
Përfitimi maksimal nga ndryshimet fiskale është për rreth 120 mijë të punësuar me pagë 30 deri në 60 mijë lekë në muaj. Për pagat 40 mijë lekë, përfitimi vjetor rezulton 32,400 lekë ndërsa për pagat më të larta, përfitimi vjen në reduktim.
Në total, 56 për qind e të gjithë të punësuarve që paguajnë tatim mbi të ardhurat personale ose 241 mijë punonjës, kanë paga të deklaruara prej më pak se 30 mijë lekë dhe nuk preken nga ndryshimi për shkak se tatimi për ta qe zero dhe mbeti zero. Rreth 41 për qind e të punësuarve janë përfitues nga skema e re ndërsa 3 për qind janë humbës.
Premtimi për “ulje taksash mesatarisht prej 40 mijë lekësh në vit për këdo që fiton deri në 150 mijë lekë në muaj” rezulton në këtë mënyrë i realizuar pjesshëm, dhe për një numër të vogël të punësuarish.
6. Ulja me 6 për qind taksën e faturës së energjisë elektrike për konsumatorët familjarë
Premtimi nuk sqaron se për çfarë takse bëhet fjalë, por kjo fjali mund të interpretohet se bëhet fjalë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, e cila paguhet nga konsumatori për produktin energji elektrike masën 20 për qind si për çdo mall tjetër. Gjatë periudhës 100 ditëshe të qeverisjes si dhe në paketën fiskale të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, nuk rezulton të ketë patur ndonjë klauzolë për të ulur ndonjë taksë specifike apo tatimin mbi vlerën e shtuar për energjinë elektrike. Për këtë arsye, premtimi konsiderohet i parealizuar.
7. Rikthimi i përfitimeve ligjore për njerëzit me aftësi të kufizuara
Në vitin 1996, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 8098 “Për statusin e të verbrit”.
Neni 11 i ligjit të lartpërmendur parashikonte: “Të verbrit kanë të drejtë që ata vetë dhe shoqëruesit e tyre të udhëtojnë falas në transportin urban, dhe me gjysmë çmimi në transportin interurban, duke përfshirë atë shtetëror dhe privat”; ndërsa në lidhje me tarifat telefonike dhe ato të energjisë elektrike, neni 12 i ligjit për statusin e të verbrit parashikonte:
“Të gjithë të verbrit, të paaftë për të lëvizur pa shoqërues, në kushte fizike të invaliditetit të grupit të parë, pajisen me telefon. Ata paguajnë tarifë telefonike të nivelit të parë të favorizuar për popullsinë, e përcaktuar në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, duke u përjashtuar nga tarifat e tjera, diferencat paguhen nga shteti. Të gjithë personat e verbër, sipas nenit 1 të këtij ligji, paguajnë 20 për qind të vlerës së konsumit mujor të energjisë elektrike, diferencat paguhen nga shteti”.
Në vitin 2000 u miratua ligji nr. 8626, datë 22.6.2000 “Statusi i invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik”, i cili u jepte përfitime të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në prill të vitit 2012, qeveria e Shqipërisë propozoi ligjin nr. 26, datë 5.4.2012 për disa ndryshime në ligjin nr. 8098, “Për statusin e të verbrit”. Këto ndryshime e zëvendësuan nenin 11 me klauzolën: “Të verbrit dhe shoqëruesit e tyre përfitojnë kompensim për shërbimin e transportit. Masa, kriteret dhe procedurat e këtij përfitimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Neni 12: “Të gjithë personat e verbër, sipas nenit 1 të këtij ligji, përfitojnë kompensim të faturës së energjisë elektrike dhe të faturës telefonike fikse. Masa, kriteret dhe procedurat e përfitimit të këtij kompensimi financiar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Relacioni shoqërues për këto ndryshime ligjore shprehte shqetësimin se pas privatizimit të kompanisë së telefonisë fikse Albtelecom dhe kompanisë së shpërndarjes së energjisë Elektrike OSSH sh.a (sot CEZ shpërndarje), qeveria pati akumuluar borxhe me vlerën e dhjetëra milionë dollarëve ndaj këtyre kompanive për përfitimet e marra nga personat me aftësi të kufizuara sipas ligjeve në fjalë.
Procesi i miratimit të ndryshimeve ligjore u shoqërua me protesta nga ana e grupeve përfaqësuese të të verbërve dhe personave të tjerë me aftësi të kufizuar, të cilët shprehën frikën se qeveria po I hapte rrugë kufizimit . Qeveria pretendoi se synonte thjeshtë të vendoste një sistem më të rregullt.
Në zbatim të këtij ligji, Këshilli i Ministrave nxori vendimin nr. 404, datë 20.6.2012, i cili përcaktoi rregullat për kompensimin. Masat e kompensimit për energjinë elektrike dhe shërbimin telefonik fiks të vendosura me këtë vendim nuk ndryshojnë nga ato të vendosura më parë. Ato janë 2 mijë lekë në muaj për faturën e energjisë elektrike për individët me statusin e invalidit që kanë nevojë për kujdestar dhe 1,400 lekë në muaj për ata që nuk kanë nevojë për kujdestar. Kompensimi i tarifës telefonike u dha në masën 1 mijë lekë në muaj.
Premtimi
Në dhjetor të vitit 2012, Eglantina Gjermeni, deputete e Partisë Socialiste, deklaroi para një përfaqësie të personave me aftësi të kufizuar: “Një nga masat e 100 ditëve të para të qeverisjes socialiste do të jetë anulimi i ndryshimeve ligjore që ka imponuar maxhoranca qeverisëse, e cila u grabiti Personave me Aftësi të Kufizuar disa të drejta ekonomike e sociale të fituara me mundin dhe sakrificat e tyre”.Gjatë 100 ditëve të para, qeveria e re nuk ka ndërmarrë ndryshime ligjor në lidhje me këtë pjesë të shoqërisë.Rrjedhimisht ky premtim rezulton i parealizuar.
8. Çdo mësuese do të fitojë një rrogë më shumë nga skema e re e tatimit mbi të ardhurat
Në takimin e datës 23 Prill 2013 në qytetin e Shkodrës, përfaqësues të Partisë Socialiste deklaruan se, në 100 ditët e para të qeverisjes do të ndryshohet taksimi mbi pagën, ku nga ky taksim i ri mësuesit do të përfitojnë 1 pagë mujore më shumë në fund të vitit.
Mësuesit janë mes të punësuarve me paga 30-50 mijë lekë në muaj dhe fasha me përfitim më të lartë nga formula e re e tatimit progresiv mbi të ardhurat. Përfitimi vjetor për këto shtresa është afërsisht sa një pagë mujore. Rrjedhimisht ky premtimi konsiderohet i realizuar.
9. Do të flasim për rritjen e taksës 10 për qind mbi sipërmarrjen vetëm pas 100 ditëve të para, do ta vendosim në një nivel që do të dakordëzojmë bashkarisht.
Kryeministri Edi Rama komentoi mbi tatimin mbi sipërmarrjen në 10 prill 2013. Ai premtoi se një diskutim mbi rritjen apo jo të këtij tatimi (nënkuptohet tatimi mbi fitimin), do të kryhet pas 100 ditëve të para të qeverisjes dhe se kjo do të bëhej përmes diskutimeve dhe “rënies dakord” me përfaqësuesit e sipërmarrjes. Gjatë diskutimeve mbi ndryshimet në paketën fiskale, në dhjetor, shumë shoqata biznesi u ankuan për mungesën e komunikimit nga ana e qeverisë në lidhje me ndryshimin e tatimit mbi fitimin.
Rama iu përgjigj më 21 dhjetor 2013: Nuk kemi thënë që taksën e biznesit të madh do e vendosë vetë biznesi. Taksat për biznesin e madh do i vendosë qeveria e zgjedhur nga 1 milionë vota dhe jo biznesi i madh . Kjo deklaratë bie ndesh me atë që Rama tha më 10 prill. Për këtë arsye, premtimi për të dakordëzuar nivelin e tatimit mbi fitimin me sipërmarrjen, konsiderohet i parealizuar.
10. Anulimi i koncesionit elektoral në Portin e Durrësit
Disa ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit, qeveria e Shqipërisë ofroi për kontratë koncesionare një pjesë të Portit të Durrësit . Fituesi u shpall më 19 gusht ndërsa më 25 gusht, deputetja e Partisë Socialiste Ermonela Felaj deklaroi në emër të kësaj partie se ky privatizim është elektoral dhe se do të zhbëhet menjëherë në një nga mbledhjet e para të qeverisë. Gjatë mbledhjeve të para të qeverisë, një gjë e tillë nuk është bërë.
Premtimi konsiderohet i parealizuar.
11. Do të fillojmë procesin e transparencës për koncesionet dhe privatizimet.
Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit 2013, përfaqësues politik të Partisë Socialiste si dhe kryetari i Partisë Socialiste z. Edi Rama kanë deklaruar se në 100 ditët e para të qeverisë së re, do të filloj procesi i vlerësimit dhe analizimit të të gjitha koncesioneve që janë dhënë nga Partia Demokratike, me qëllim bërjen transparente të kontratave koncesionare që dyshohen se janë lidhur në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Në muajin tetor 2013, Ministri i Industrisë dhe Energjitikës Damian Gjiknuri miratoi ngritjen e grupit të punës me ekspertë që do të kontrollojnë të gjitha praktikat koncesionare të lejeve minerare në zonën e Bulqizës. Grupi i ekspertëve do të analizojë realizimin e programit të koncesionit, gjithashtu do të kontrollohet edhe plotësimi i kushteve të sigurisë dhe të shëndetit në punë të punonjësve të punësuar. Kontrolli përfshin gjithashtu edhe evidentimin e aktiviteteve të pa licencuara që ushtrojnë veprimtari në zonën e Bulqizës.
Veprime të tjera janë kryer po në kuadër të verifikimit të marrëveshjeve koncesionare dhe respektimit të kushteve të kontratës për kompani ku Shteti është aksioner , i tillë është rasti i kontrollit në kompaninë Albetrol ku nga kontrolli i realizuar u pezulluan 35 supervizorë qe monitoronin marrëveshjet koncesionare hidrokarbure me palët e treta.
Pesë janë kompanitë me të cilat Albpetrol kishte marrëveshje që duhet të mbikëqyreshin dhe këto janë Bankers Petroleum, Stream Oil, Sherëood, Transoil dhe Phoenix. Me kompaninë e fundit, shoqëria Albetrol sh.a ka vendosur mbylljen e marrëveshjes hidrokarbure “Per zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve ne vendburimin e naftës Amonice”, për shkak te detyrimeve të prapambetura të kësaj kompanie.
Të njëjtën iniciativë ka ndërmarrë edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, pas disa ankesave të grupeve të interesit ne lidhje me procedurat jo ligjore që janë aplikuar, për dhënien e koncesioneve për kompani te ndryshme, duke shkelur parimet e konkurrencës së lirë.
Disa nga koncesionet që janë në proces verifikimi janë:
Ø Koncesioni midis Ministrisë së Financave dhe Shoqërisë Rapiscan Security Inc. për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve dhe automjeteve, po rishikohet dhe është në prag konkludimi.
Ø Koncesioni I Kolaudimit midis Ministrisë së Financave dhe Shoqërisë SGS: Për këtë koncesion janë bërë ndryshime në kodin rrugor në mënyrë që shërbimi I kolaudimit të makinave të kryhet dhe nga operatorë të tjerë, duke I hequr kështu shoqërisë SGS, monopolin e dhënë me këtë koncesion.
Ø Koncesioni lidhur midis Bashkisë Himarë dhe shoqërisë Euro kontakt sh.p.k. Për zhvillimin e një projekti në plazhin e Dhërmiut dhe Himarës është anuluar pasi është shqyrtuar. Anulimi bërë me VKM nr. 28, datë 22.01.2014.
Ø Koncesioni me Ministrinë e Financave për pullat fiskale dhe koncesioni I lidhur për ngjyrosjen e karburanteve, janë në proces rishikim i për ligjshmërinë e tyre.
Ky premtim konsiderohet i realizuar.
12. Heqja e taksës 10 % për ilaçet
Heqja e taksës 10 % për ilaçet ishte një nga premtimet elektorale të Partisë Socialiste gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Përfaqësues të Partisë Socialiste kanë pohuar se heqja e kësaj taksë do të lehtësojë qytetarët me afro 10 milionë dollarë në vit.
Në ndryshimet e propozuara në paketën fiskale të miratuar në muajin Dhjetor 2013 u parashikua heqja e taksës 10% për ilaçet dhe u vendos që kjo taksë të bëhet e zbatueshme në muajin Prill 2014. Megjithëse kjo taksë është hequr mbetet për t’u parë nëse ky lehtësim do të shkojë tek konsumatorët fundor apo do të mbahet si fitim i padrejtë nga tregtarët. Ky premtim konsiderohet i realizuar.
13. Auditim ndërkombëtar i financave të vendit
Auditim i financave të vendit ishte një tjetër premtim elektoral i Partisë Socialiste, me qëllim skanimin e gjendjes financiare të shtetit për të patur një pasqyrë reale të ekonomisë dhe të raporteve të shtetit me paranë publike dhe me atë private.
Sa i përket këtij premtimi, në muajin tetor u përzgjodh Agjencia e Auditit, ku u vendos kompania ndërkombëtare Deloitte&Touche. Sipas marrëveshjes se nënshkruar me këtë kompani, ajo do të dorëzojë raportin final të auditimit dhe shifrën reale të borxhit publik brenda datës 30 nëntor 2013. Në raportin e pare te publikuar ne muajin nëntor 2013, kompania “Deloitte&Touche”, konkludoi se borxhi që qeveria i ka sipërmarrjes private në vend kap shifrën e 25 miliardë lekëve, e dhënë kjo vetëm për 80% të kontratave te audituara. Rrjedhimisht ky premtim konsiderohet i realizuar.
14. Mbyllja e të gjitha aktiviteteve të paligjshme në fushën e lojërave të fatit.
Gjate fushatës elektorale Maj-Qershor 2013, nga Partia Socialiste u premtua se do te mbyllen te gjithë operatoret e lojërave të fatit të cilat kryejnë aktivitet të paligjshëm. Në aksionin e Policisë së Shtetit të quajtur “Fundi i Marrëzisë” e koordinuar me organet tatimore ne vend u kontrolluan ne rang vendi 1553 subjekte dhe u sekuestruan gjithsej 3424 pajisje. Nga ky kontroll u evidentuan në total 1282 vepra penale “Zhvillim i palejuar i lojërave të fatit”; dhe u kallëzuan për ndjekje penale 1370 autorë.
Sipas vlerësimeve të Njësisë së Lojërave të fatit, evazioni fiskal që bizneset e lojërave te fatit kanë kryer arrin në rreth 110 milionë dollarë në vit. Kjo shifër është dy herë më e shumë nga të ardhurat që shteti mbledh realisht nga gjithë kjo industri dhe vetëm në 5 vjet i ka hequr buxhetit gati 5 për qind të Prodhimit Kombëtar.
Ky premtim konsiderohet i realizuar.
15. Paketa për lehtësimin dhe zhvillimin e fermerëve me qëllim uljen e kostos së prodhimit.
Lehtësimi i fermerëve nga barra fiskale me qëllim uljen e kostos së prodhimit për produktet bujqësore me qëllim uljen e kostots së prodhimit, ka qenë një nga premtimet e qeverisë së re në kuadër të planit për 100 ditët e para të qeverisjes.
Mjeti me të cilën kryhet kjo ndërhyrje ligjore është paketa fiskale e miratuar në muajin Dhjetor 2014. Në ndryshimet e bëra në paketën e re fiskale nuk u parashikua asnjë masë lehtësuese për fermerët dhe produktet e tyre bujqësore. Rrjedhimisht ky premtim konsiderohet i parealizuar
16. Verifikimi i objekteve pa leje ndërtimi dhe nisja e procesit për prishjen e tyre
Një tjetër premtim i rëndësishëm i Partisë Socialiste ka qenë nisja e procesit të verifikimit dhe prishjes së objekteve të ndërtuara pa leje në të gjithë teritorin e Republikës se Shqipërisë.
Ne muajin gusht 2013, përfaqësues të Partisë Socialiste deklaruan se, gjate muajit Shtator do te nise operacioni për evidentimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje.
Procesi i nisur në muajin shtator 2013 dhe vazhdon të jetë në progres, duke evidentuar dhe prishur rreth 160 objekte (godina/lokale) pa leje, ndërkohe që regjistrohen dhe 600 objekte të tjera si, furra gëlqerore dhe struktura mbajtëse reklamuese. Shtrirja gjeografike e këtij aksioni ka përfshirë:
-Tiranën dhe aksin rrugor Tirane-Durrës 31 objekte, 300 struktura mbajtëse për reklamim të subjekteve private;
-Në teritorin e mbikalimit në Urën e Dajlanit ne Durrës 11 objekte;
-Në teritorin e Krujës 300 furra gëlqerore;
-Në teritorin e Qarkut Lezhë 20 objekte;
-Në teritorin e Bashkisë Lushnje 21 objekte;
-Në zonën Bregdetare Vlorë-Orikum-Llogora 77 objekte;
Sa i përket nisjes së procesit të verifikimit dhe prishjes së ndërtimeve pa laje, ky premtim konsiderohet i realizuar, ndërkohë që mbetet ende për tu parë nëse ky proces do të shtrihet në të gjithë teritorin e Republikës së Shqipërisë.
17. Angazhimi që brenda 100 ditësh të çlirohen territoret spitalore nga ndërtimet pa leje
Çlirimi i ambienteve spitalore nga ndërtimet pa leje ka qenë një tjetër premtim i qeverisë në kuadër të prioriteteve për 100 ditët e para të qeverisjes. E përmendur edhe gjatë fushatës elektorale, por edhe në seancën plenare të datës 14.09.2013 gjatë diskutimeve për Programin e Qeverisë, ky premtim ka qenë një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë e drejtuar nga z. Ilir Beqja.
Për rrjedhim, gjatë periudhës 5.10.2013 deri me 20.10.2013 janë prishur rreth 16 objekte të kundërligjshme në teritorin e QSU-t në Tiranë, duke liruar të gjitha hapësirat e zëna në këtë teritor. Procesi i evidentimit dhe prishjes së objekteve pa leje brenda teritoreve të Qendrave Spitalore në të gjithë vendin është ende në progres, kësisoj ky premtim konsiderohet pjesërisht i realizuar.(Ora News)