
Kosta Nake/
(Romani “Aksidenti” i Ismail Kadaresë, 2010)
Vini re me vëmendje të shtuar qiellin letrar të Kadaresë: Nëse në romane ka histori, atëherë është vrenjtur dhe bie vazhdimisht shi; nëse ka dashuri, atëherë ka shumë mjegull. Por mjegulla e romanit “Aksidenti” është e moskësojetshme – e dendur si re në mëngjes dhe nuk tretet deri në mbrëmje. Kjo i ka shtuar Veprës së tij një zhanër të ri – romanin sekso-policor, atë që studiuesi i mençur Sadedin Mezuraj e quan “pemë të mbjellë në tokën e modernizmit, me rrënjët tek miti dhe antikiteti dhe shenja e postmodernes si teknikë dhe tipar të rrëfimtarisë”, ndërsa Jean-Paul Champeseix, që ka bërë parathënien, shkruan se nuk është “tregim psikologjik” (f.7), çka më detyroi të heq dorë nga zhanri psiko-policor.
Një aksident ku humbin jetën të dy protagonistët Besfort Y. dhe Rovena St., është target i një hetimi policor dhe, kur shkaqet nuk janë të qarta, pistat e hetimit janë të shumta duke arritur deri te ëndrrat (f.65), haluçinacionet (f. 183 dhe 241), komplotet (f. 144-45) dhe nganjëherë ajo që në gjuhën popullore quhet “futje nëpër thekra” (f. 122-23). Në këtë rast retrospektiva në formë kthehet në një mjet kompozicional që vihet në funksion të mjegullnajës në përmbajtje. Barra e zbardhjes së ngjarjes bie mbi hulumtuesin i cili vihet para disa alternativave: Aksident i rëndomtë? Vetëvrasje? Vrasje politike?
Në një mjedis të tillë të ftohtë, mjegullnaja shtohet edhe kur ka ndodhi që nuk lidhen fare me aksidentin. Nga një kullë e kryeqytetit që ka emërtimin “Sky tower” shikohen njerëz që demonstrojnë poshtë në bulevard e s’kuptohet kush janë demonstruesit dhe përse demonstrojnë, diçka kontraverse me kureshtjen e shtuar shqiptare. (Kreu 5). Ose jepet lajmi i vdekjes së mbretëreshës Gerladinë dhe deri në fund nuk sqarohet se ku do të bëhet varrimi. (f.188) Pra, kur mjegulla bie mbi ngjarje e njerëz të tillë, nuk ka çudi që ajo të dendësohet për njerëz dhe marrëdhënie të zakonshme. Në nëntë vjet dashuri, asnjëherë nuk e shohim Besfortin të hyjë në zyrë e të vihet në marrëdhënie me njerëz që të përligjet dyshimi për aksident të qëllimshëm, përveç tangenteve për Serbinë dhe një fotoje me fëmijë të vrarë; Rovena shkon në Vjenë dhe përveç afrimit me një student sllovak, nuk ka auditorë ku mësohet; familjet e të dyve pothuajse janë inekzistente.
Autori ka arritur të krijojë atmosferën e ankthit e tensionit dhe lexuesi më kot pret pak dritë mbi enigmën, ajo, përkundrazi, ose errësohet, ose futet nëpër rrugica qorre. Edhe pse “E penguara” dhe “Aksidenti” nuk kanë ndonjë lidhje të dukshme mes tyre, leximi i njëpasnjëshëm i tyre nuk mund të mos krijojë ngacmim për të hequr paralele mes dysheve Migena – Linda dhe Rovena St. – Liza Blumberg, ku lesbizmi i dyshimtë tek të parat bëhet i pushtetshëm tek të dytat. Orientimet e reja seksuale, tashmë të deklaruara dhe pjesërisht të pranuara, mund të kthehen në një sfidë serioze për dashurinë e gjithëpranuar si tradicionale, që edhe pa ato, ka pësuar krisje të frikshme nga fryma materialiste e marrëdhënieve mashkull-femër. Paralelet mund të hiqen edhe mes flirteve Rudian – Migenë dhe Besfort – Rovena, raportet moshore mes tyre dhe një fejese që shpërfillet deri sa fshihet sikur të mos ketë ekzistuar kurrë. Sadedin Mezuraj mendon se këtyre romaneve mund t’i bashkohet edhe “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”.
Perandori letrar Kadare, ndryshe nga perandorët historikë që vënë nën panxhë vetëm territore, e shtrin sundimin e vet edhe në kohë për ta parë dashurinë dhe tradhëtinë si dukuri të njerëzimit në të gjithë historinë e vet. Korniza 1990 – 2002 është thjesht një formalitet, sepse mund ta marrësh dhe ta vendosësh në çdo shekull duke filluar nga Antikiteti në Mesjetë e këtej. Ja pse shumë herë në roman ndeshim fjalët dhe togfjalëshat “shtatëdhjetë mijë vjet”, “ashtu si një mijë vjet më parë”, “varri i tij të hapej pas një mijë vjetësh”, “milionvjeçare”, ja pse kalimthi përmendet Empedokli që nga kureshtja hidhet në kraterin e vullkanit duke aluduar për zjarrin përvëlues të dashurisë, ja pse tek të dy romanet në fjalë shfaqen Orfeu dhe Euridika, kurse këtu treshes Besfort-Rovenë-Liza i vjen mbretëria servantesiane me Anselmin-Kamillën-Lothartin, ja pse pandehma për ndonjë vrasje të qëllimshme fton baladën tonë për Ago Ymerin.
Si gjithmonë befasues me zhbirimet e veta ndaj të shkuarës së largët, Kadare te “Aksidenti” jep një shpjegim tjetër për raportin Orfe-Euridikë: dështimi i tij për ta marrë nga Hadi tregon se dashuria ka vdekur dhe nuk mund të rifitohet më. Si mjeshtër i detajeve, pasqyra e brendshme në kabinën e makinës kthehet në një strumbullar hulumtimi që e trand vetë hulumtuesin.
Nuk jam i një mendjeje me Mezurajn, edhe pse do të doja të ishte ashtu, se odiseja aventuroze Besfort-Rovena është një analogji mes procesit të integrimit të Shqipërisë në Europë. Nuk ka nevojë t’i kërkohet ndihmë Ezopit për atë që jo vetëm trumbetohet me të madhe, po është bërë objekt diskutimi për të gjithë brezat.
Pavarësisht se romani është përkthyer në disa gjuhë para se të vijë tek lexuesi shqiptar, nuk është lloji i romanit që pëlqej prej Kadaresë, as befasia e tij nuk më cyt, prandaj, personalisht, nuk do ta vendos në raftin e kryeveprave. Mund të jeni në një mendje me mua se deri nga mesi i viteve ’90 Kadareja shkruante për lexuesit shqiptarë e të huaj, pastaj ndryshoi kahu – për lexuesit e huaj dhe shqiptarë. Ky është shpjegimi im i frazës në fjalinë e parë të parathënësit “…do t’i befasojë lexuesit e tij të zakonshëm.” (f.5)