
Prof. ass. Dr. Haxhi Ademi
Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë/
Nga shkenca e historisë kemi mësuar se është thelbësore të nxjerrim mësime nga ajo. Nëse nuk mësojmë prej saj, mund të përsërisim gabimet e mëparshme. Historia është një mësuese e çmuar, dhe varet nga ne se si do ta përdorim atë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Prandaj, mund të themi se masakra e mijëra shqiptarëve të pafajshëm në Tivar (ose frontin e Adriatikut) gjatë Luftës së Dytë Botërore është vërtet një nga ngjarjet më të errëta të historisë së Ballkanit. Për këtë masakër nuk u ndëshkua asnjë kush, dhe kjo mungesë e drejtësisë për këto krime ka kontribuar që ato të përsëriten në vitet ’90-të të shekullit XX gjatë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave të popujve, ku u masakruan dhe u vranë mijëra civilë në vende si Bosnja, Kroacia dhe Kosova.
Mobilizimi i shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi drejt frontit të Adriatikut-Komandanti i Shtabit Operativ të Kosovës (SHOK), Sava Drleviq, më 20 mars 1945, kërkonte nga shtabet e divizioneve jugosllave që tashmë ishin vendosur në Kosovë: 41, 46, dhe 52, Grupi i brigadave (malazeze-kosovare) dhe të Komandës Ushtarake Krahinore të Kosmetit (Kosovës – H.A.) që artileria, kalorësia dhe inxhinieria nga radhët e të mobilizuarve t’i dërgoheshin SHO të Kosovës, kurse 800 “njerëz” t’u dërgoheshin “Grupit të brigadave” në Pejë dhe Shtabit të Divizionit 52 në Ferizaj, ndërsa “krejt pjesa tjetër e njerëzve të dërgohen në Prizren, ku do të formohen dy grupe, prej nga do të vazhdojnë tutje” në drejtim të Tivarit. Për mbikëqyrjen e këtyre rekrutëve u ngarkua Shtabi i Divizionit 46-të dhe Qarkkomanda ushtarake e Prizrenit.
Në njërën anë brigadat partizane shqiptaro-kosovare marshonin drejt veriut dhe luftonin përkrah popujve të tjerë të Jugosllavisë për çlirimin e plotë të saj, ndërsa në anën tjetër pushteti i Beogradit synonte që të realizonte “planet për zhdukjen e popullsisë shqiptare nga Kosova dhe Maqedonia […]”.
Krahas brigadave marshuan edhe kontingjente të tëra të të rinjve shqiptarë që u inkuadruan në formacione ushtarake nëpërmjet mobilizimit të përgjithshëm të dhunshëm gjatë muajve mars dhe prill 1945, për t’i dërguar në frontin e dytë të Adriatikut, në veriperëndim të ish-Jugosllavisë, të gjithë meshkujt nga mosha 18 deri 45 vjeç. Mobilizimi në masë i djemve dhe burrave u bë nga të gjitha viset etnike shqiptare për nevojat e Armatës Jugosllave. Në Prizren të gjithë u çarmatosën me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga e gjatë, por kur të mbërrinin në frontin e luftimeve, iu tha se do të pajiseshin me armë moderne angleze. Çarmatosja, iu ka dhënë atyre një sinjal të keq dhe me të drejtë ka lindur dyshimi për përgatitjen e ndonjë skenari shfarosës në prapaskenë. Kjo psikozë u thellua më tepër, atëherë kur u çarmatosën edhe oficerët shqiptarë dhe për përcjelljen e tyre u ngarkua brigada XXVII e Divizionit 46-të serb e njohur për terrorizimin e popullit shqiptar. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e 13 mijë mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar-Dubrovnik-Rijekë. Depërtimi i shqiptarëve të mobilizuar në muajin mars, nga kazermat e Prizrenit u bë në tri grupime.
Më poshtë, do të japim rrugëtimin e rekrutëve shqiptarë nga Kosova deri në Tivar të ndarë sipas grupimeve.
Kështu, grupin e parë të të mobilizuarve fillimisht ishte paraparë të përbënin rreth (2200 luftëtarë) nga qarkkomanda e Ferizajt dhe (1500 luftëtarë) dhe nga qarkkomanda e Prizrenit, që do të thotë gjithsej rreth 3700 rekrutë shqiptarë. “Grupi” nga Ferizaj, më 21 mars 1945, duhet të përcillej nga një ose dy batalione të Divizionit të 52-të nën komandën e Radosh Gjudoviqit, qarkkomandant i Ferizajt. Ky grupim duhej të nisej nga Prizreni më 24 mars, i përcjellë prej një batalioni të Divizionit 46-të dhe të 50-të “udhëheqësve nga Armata e IV-të”, ndërsa më 27 mars duhej të arrinte në Shkodër, ku pas një pushimi ditor nisej për në Tivar.
Grupin e dytë, e përbënin rreth 900 luftëtarë nga rrethi i Pejës, nën komandën e Janko Llakiçeviq, qarkkomandant i Pejës, rreth 1400 luftëtarë nga rrethi i Mitrovicës, të komanduar nga komandanti i qarkut të Mitrovicës dhe rreth 1500 luftëtarë nga rrethi i Prishtinës, nën komandën e oficerit të qarkkomandës, gjithsej 3800 luftëtarë. (Sipas Hajdini- Xani, në Eshalonin e Dytë ishin 4700 luftëtarë, Masakra e Tivarit, f.17) Për të shoqëruar kolonën e dytë u ngarkuan repartet e Divizionit të 46-të Jugosllav.
Pas arritjes së të gjitha forcave në Prizren, Shtabi Operativ i Kosovës, bëri ndryshimet përkatëse. Ai i ndau të mobilizuarit në tri grupe me rreth 2500 veta. Për shoqërimin e tyre ngarkohej brigada e 27-të e Divizionit të 46-të.
Komandanti i Shtabit Operativ të Kosovës, Sava Dërleviq u sugjeronte dhe i urdhëronte njësitet e ngarkuara për t’i transportuar njerëzit e mobilizuar që “…gjatë transportit të kenë kujdes që njerëzve t’ua pamundësojnë dezertimin, kurse gjatë pushimit të bëhet bllokimi i kuarteve të banimit”. Komandantët dhe komisarët politikë do të jenë personalisht përgjegjës, nëse nga pakujdesia ua mundësojnë ikjen.
Nga Prizreni, kolona/grupi i parë me 2394 persona ( Sipas Azem Hajdinit Xanit i mbijetuari i Masakrws sw Tivarit bga Prizreni u nisën 3700 luftëtarë, ndërsa nga Shkodra u nisën 2394. Gjatë kësaj rruge u likuiduan ose u zhdukën 1306 persona. Më gjerësisht shih: Hajdini-Xani, Masakra e Tivarit, f.35) u nis më 24 mars dhe në fund të muajit arriti në Tivar, ku iu dorëzua reparteve të Divizionit të 9-të Jugosllav. Për më tepër në burimet e kohës thuhej: “… disa shqiptarë janë likuiduar pranë Suharekës … disa burra u likuiduan pranë Kukësit, ku ishin trupat e tyre të hedhur në një luginë […]”.Gjatë rrugës janë vrarë rreth 400 shqiptarë, ndërsa sa i përket kushteve gjatë marshimit të detyruar ishin të tmerrshme.
Kolona/grupi i dytë, i përbërë nga 2382 vetë, u nis nga Prizreni më 26 mars. Rekrutët e grupit të dytë arritën në Shkodër më 30 mars, ndërsa kur arritën në Tivar iu dorëzua reparteve më të mëdha të brigadës 10-të malazeze. Rreth 700-800 prej tyre gjatë rrugës u vranë ose u zhdukën, prej të cilëve vetëm në Fushë-Arrëz, 126 persona.
Kolona/grupi i tretë u nis më 27 mars 1945 dhe përbëhej prej 2.700 personave. Për t’i shoqëruar ata u ngarkuan repartet më të mëdha të brigadës 27-të.
Duke u bazuar në të dhënat e mësipërme mund të konstatojmë se vetëm me anë të këtyre tre kolona/grupeve nga Kosova për të plotësuar radhët e Armatës IV të Jugosllavisë u dërguan 7476 luftëtarë të rinj. Gjatë rrugëtimit të tyre për në frontet e Adriatikut, të mobilizuarit-rekrutët shqiptarë, u keqtrajtuan në mënyrë shtazarake nga kriminelët serbo-malazezë dhe ndihmësit e tyre ideologjik. Për keqtrajtimin e tyre, gjatë rrugës dhe në Tivar, studiuesi Robert Elsie, duke u mbështetur në kujtimet e regjistruara nga at Zef Pllumi, shkrimtar katolik i rendit françeskan, në një nga episodet e shumta të kujtimeve të tij, kujton: “Në hyrje të Shkodrës…kur një grup studentësh që studiojnë për priftërinë vizitoi Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në rrëzë të kalasë për t’u lutur për shpëtim …në kthesë në rrugë, pamë një rrugë të pafundme ushtarësh që vinin tek ne. […]. Ata përparuan ngadalë, duke u ngritur me vështirësi të mëdha në rreshtat e katër. Ishim të tmerruar. Çfarë mund të jetë kjo ushtri? Ata mezi kishin energji për të qëndruar në këmbët e tyre […]. “Nga jeni?” “Nga Kosova”. Ne kemi marshuar vazhdimisht për një javë dhe nuk kemi pasur asgjë për të ngrënë. Kemi ardhur mbi male […].
Për keqtrajtimin e rekrutëve shqiptarë nga pushteti jugosllav mësojmë edhe nga një raport i komandës së qarkut të Shkodrës, që e informon Komandën e Përgjithshme të UNÇSH-së se trajtimi që ju bëhej kosovarëve të mobilizuar ishte tejet i rëndë. Me këtë rast, ajo kërkonte që për të verifikuar saktësinë e këtyre fakteve dhe për t’u dhënë fund këtyre ngjarjeve, duhej të ndërhyhej edhe pranë misionit ushtarak jugosllav në Shqipëri.
Komunistët e Shqipërisë i ndihmuan komunistët jugosllav duke i’a lejuar që nga territori i Shqipërisë jugosllavët të kryenin operacione spastrimi të shqiptarëve. Në mënyrë të veçantë, një përshtypje të hidhur midis popullsisë së qytetit të Shkodrës bënë vrasjet e ndërmarra në të dalë të qytetit, në urën e Bunës, përpara se kolonat të drejtoheshin nga ana e Malit. Për këtë incident më 3 prill, komanda e qarkut të Shkodrës e informon SHP të UNÇSH-së rreth incidentit te lumi Buna, ku në mesnatën e 1 prillit gjatë kalimit të kolonës në skelën e këtij lumi, për arsye të panjohura e ndoshta aksidentalisht, u mbyt një ushtar jugosllav dhe një prej të mobilizuarve. Por, nga të dhënat e kohës, nuk ishte incident por veprim i menduar mirë. Kjo sepse u inskenua rënia e ushtarit malazez nga trapi në lum, i cili bërtiti se gjoja atë e hodhën shqiptarët dhe kërkonte të gjuhej kundër tyre me armë se po e vrisnin. Ushtria jugosllave që shoqëronte autokolonën, duke aluduar së mbytja u bë me paramendim, hapi zjarr ndaj rekrutëve shqiptarë që prisnin të kalonin lumin. Shoqëruesit e Batalionit II të brigadës 27 të Divizionit të 46-të komandoheshin nga Qiro Stikoviq. Gjuajtjet vazhduan deri sa aty kaluan tre oficerë shqiptarë me motoçikletë për në Shkodër. Më pas, erdhi një major serb me disa oficerë që i mblodhën shqiptarët e mbijetuar dhe filluan t’u mbajnë fjalim për “bashkim-vëllazërim”, për UNÇ-në dhe për Titon, me ç’rast u shprehën “keqardhje” për “incidentin” që ndodhi dhe për viktimat e rëna, që sipas studiuesit Nasi, ishin 17 persona dhe shumë të tjerë që u plagosën.
Por, incidenti i sipërshënuar, nuk ishte i fundit dhe më i rëndi për shqiptarët e rekrutuar. Në qoftë se nuk do të ndodhte ajo çfarë ka ndodhur në Tivar, e që do ta shpjegojmë më pas, përgjatë rrugëtimit në drejtim të frontit të Adriatikut te Ura e Tamarës mbetën të vrarë 500 persona. Edhe burimet zyrtare të qeverisë shqiptare pohojnë se me këtë rast u vranë ose plagosën 500 shqiptarë. Shefqet Peçi njoftonte nga Shkodra Komandën e Përgjithshme së “Brigada e Mbrojtjes së Popullit” kapi 10 kosovarë të mobilizuar që kishin ikur nga Tivari. Në pyetje tregojnë sjellje shumë brutale të përcjellësve partizanë jugosllavë, të cilët i kanë futur në një vend të ngushtë në Tivar, dhe pas pushkatimit e mitralimit pa asnjë shkak, kanë mbetur të vrarë, të plagosur dhe të shpërndarë 500 vetë. Çështja na duket me karakter shumë serioz.” Pra, gjatë rrugëtimit të rekrutëve shqiptarë të Kosovës drejt frontit të Adriatikut, nuk arritën as një e treta e tyre, ngase gjatë rrugës u vranë qindra e mijëra shqiptarë. Për vrasjen pa gjyq në tokën shqiptare të më tepër se 1000 kosovarëve të pafuqishëm mësojmë nga të dhënat që gjenden në AMEPJ dhe AIDSSH. Por, gjendja e tyre edhe më e vështirë bëhej me të arritur në Tivar, ku lodhja gjatë rrugës, uria, etja dhe pasiguria e jetës tashmë kishin krijuar një gjendje të rëndë tensioni psikik. Me të arritur në Tivar, rekrutët shqiptarë jo vetëm që nuk u armatosën ashtu siç ju ishte thënë, por ndaj tyre u bë masakër me përmasa të mëdha, të cilën e ekzekutuan brigada 10-të malazeze (e Divizionit të 46-të).
Masakra në Tivarë ka ndodhur më 1 prill 1945, në Breg të Tivarit, në ndërtesën e Monopolit të Duhanit, në oborrin e tij dhe në rrugën afër mureve të oborrit. Kjo masakër u krye vetëm brenda disa minutave, në një sipërfaqe të ngushtë dhe në mënyrë barbare. Ushtria “çlirimtare” serbo-malazeze masakroi, me armë zjarri e armë të ftohta, mijëra shqiptarë duarthatë, të mobilizuar kinse për nevoja të Armatës Antifashiste të Jugosllavisë. Ja si e përshkruan i mbijetuari Xani, këtë krim: “… në të dy anët e hyrjes së oborrit i prisnin me shufra hekuri … Vetëm në hyrje të oborrit mbetën të vdekur 100-150 persona, ndërkohë në ndërtesë ishin futur rreth 1000 persona, ndërsa në oborr konsideroheshin që ishin nga 2200 deri në 2500. Përveç tyre, në rrugë të rrethuar nga ushtarët mbetën 1000 deri në 1100, tani më jo të rreshtuar por grumbull, për arsye se likuidimi i tyre të kryhej sa ma lehtë. Në përfundim të këtij plani, ushtarët kapën Ramiz Loshin nga fshati Vraniq i komunës së Suharekës, me pretekstin se ai ishte njëri nga ata që kishte tentuar ta merrte revolen, andaj mbi të u zbraz një “Shanzher” revolesh. Sipas Azem Hajdinit, i riu Ibrahim Koca, nga fshati Polac i Skenderajt, së bashku me disa rekrutë, u drejtuan tek komanda e shtabit, e cila ishte e vendosur në oborr, për t’ua parashtruar këto kërkesa: Të apelonte që të ndërpritej represioni dhe dhuna ndaj rekrutëve shqiptarë dhe t’u lejonin që t’i ndihmonin rekrutët e tjerë që kishin mbetur tek hyrja e oborrit. Ata u gjuajtën me breshëri armësh nga të gjitha anët por dhe nga këshilltarët infermierë dhe pjesëtarët “gati të gjitha institucioneve civile e ushtarake” domethënë “të gjithë ata që ishin në atë moment aty dhe kishin armë”. Brenda një ore, shumë nga rekrutët shqiptarë, të cilët ishin në oborre dhe në sheshin e ndërtesës, gjetën vdekjen nga breshëritë e automatikëve. Madje, nga tmerri që panë një pjesë e madhe u sëmurën psiqikisht, e shumë të tjerë ranë në gjendje kome. Pas një ore e gjysmë ndërpritet zjarri i armëve, ndërsa atyre që kishin mbetur gjallë iu bë thirrje të ngriheshin, ngase duhet mjekuar të plagosurit. Pra, sërish u tradhtuan pasi, kur ata filluan të ngriheshin në këmbë, repartet rihapën zjarr. U bë thirrja e dytë, sipas së cilës, të plagosurve iu premtua se do të dërgoheshin në spitalet e Tivarit, Dubrovnikut e të Splitit, ndërsa atyre që ishin brenda në ndërtesë iu kërkua t’i ndihmonin për të hapur rrugët.
Sipas Azem Hajdinit për të biseduar me ushtarët doli Isuf Halili nga fshati Radishevë–Skenderaj dhe pasi u premtua se vrasjet do të ndërpriteshin dolën nga ndërtesa të gjallët që ishin brenda. Gjatë daljes së tyre u kontrolluan një nga një dhe iu mor çdo gjë e vlefshme. Pamjet në oborr ishin tejet të tmerrshme. Ishte shumë e vështirë të identifikoheshin njerëzit ngase shumë prej tyre i ishte prerë koka apo i kishte humbur gjysma e fytyrës. Të tjerët, të mbuluar nga gjaku kërkonin ndihmë, ose luteshin që t’i vrisnin e të përfundonte vuajtja e tyre nga plagët e marra.
Hipokrizia e pushtetit komunist-jugosllav vërehej hapur, kur në njërën anë kryenin masakra ndaj shqiptarëve, si kjo e Tivarit, ndërsa në anën tjetër oficerët mbanin fjalime për “vëllazërim-bashkimin”. Gjatë pastrimit të vendit në mjetet e transportit u ngarkuan bashkërisht të vrarët dhe të plagosurit. Pas kërkesave këmbëngulëse të atyre që shpëtuan u bë verifikimi i të gjallëve. Ata ishin gjithsej 810 veta, mbi 90% e tyre ishin nga ata që kishin qenë të mbyllur në ndërtesë. Midis të gjallëve ishin edhe disa të tjerë që kishin mbetur ndërmjet kufomave ose të plagosurve, të cilët ia arritën që të largohen gjatë natës në drejtime të ndryshme. Në bazë të vlerësimeve të atyre që mbetën gjallë, një pjesë e mirë e të plagosurve mund të shpëtonte, në rast se do t’u jepej ndihma mjekësore. Por dhe vuajtjet e të gjallëve nuk mbaruan këtu, ngase atyre përveç që nuk iu ofrua asnjë ndihmë mjekësore, ata u përballën edhe me vështirësinë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.
Mobilizimi i Prillit – Më 13 prill, SHO i Kosovës, urdhëroi rifillimin e mobilizimit të kontingjenteve të reja, të cilat do të përdoreshin po ashtu për të plotësuar radhët e reparteve të Armatës IV-të jugosllave. Në të njëjtën kohë, Shtabi Operativ i Kosovës ngarkoi komandat vartëse në Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Ferizaj, Prizren (por munguan nga qyteti i Gjakovës – H.A.) për të siguruar kontingjentet përkatëse, ndërsa për shoqërimin e të mobilizuarve deri në vendin e dorëzimit ngarkoi forcat e Divizionit të 46-të jugosllav. Grupi i Parë u nis nga Prizreni për në Tivar më 19 prill, në përbërje të 1520 luftëtarëve. Grupi i Dytë me 2626 luftëtarë u nis më 20 prill, nën mbikëqyrjen e forcave të brigadës 25-të dhe të kompanisë së zbulimit të Divizionit 46-të të Jugosllavisë, ndërsa më 24 prill u nis grupi i tretë me 1216 persona, i shoqëruar nga forcat e brigadës 26-të. Pra, në total gjatë muajit prill në veri të Jugosllavisë u dërguan 5362 veta. Rreth 188 burra u zhdukën në rrugë dhe pjesa e mbetur e këtyre forcave u dërgua në Trieste. Kështu, nga burimet e kohës del se gjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, për plotësimin e Armatës IV Jugosllave u dërguan rreth 13.000 rekrutë shqiptarë nga Kosova, të cilët u detyruan me forcë për të shkuar të paarmatosur në frontin e Adriatikut në Jugosllavi. Gjatë muajit prill u dërguan edhe rreth 5000 luftëtarë të tjerë nëpërmjet brigadës 7-të, që përbëhej nga partizanët shqiptarë të Dibrës, Tetovës, Gostivarit etj.
Sipas studiuesit Shatri, në total nga viset shqiptare në fillim të vitit 1945 u dërguan 14.990 shqiptarë në frontin e Sremit në përbërje të brigadave VI, VII dhe VIII kosovare dhe 5000 nga brigada VII (IV) me shqiptarët nga Maqedonia. Gjatë marsit dhe prillit në drejtim të frontit të Adriatikut nga Kosova u dërguan 12.838 rekrutë, ndërsa shqiptarë nga Maqedonia u dërguan 4594 vetë. Në total nga hapësira shqiptare për plotësimin e reparteve jugosllave morën pjesë 37.424.
Sipas Fatos Bejt, i cili mbështete në dokumente arkivore ndër të tjera thekson së masat që mori ushtria komuniste jugosllave për të nënshtruar Kosovën ishte edhe mobilizimi i detyrueshëm i përgjithshëm i meshkujve të moshës 18 – 45 vjeç. Në periudhën mars – qershor 1945 u mobilizuan rreth 53.000 shqiptarë. Sipas tij, synimi kryesor ishte largimi i këtyre forcave më të afta për luftë jashtë territorit të Kosovës për të realizuar më lehtësisht nënshtrimin dhe riokupimin e saj. Natyrisht që të mobilizuarit nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare kishin një efektiv të konsiderueshëm dhe me ta mund të formoheshin njësitë nga më të mëdhatë të UNÇJ, por këto kontingjente u shpërndanë dhe u përdorën për të plotësuar radhët e reparteve të ndryshme jugosllave. Por, nga radhët e UNÇJ, shqiptarët shiheshin si të “dyshimtë” dhe “reaksionarë”. Kjo përcaktoi padyshim qëndrimin armiqësor që u mbajt ndaj tyre. Në reparte të ndryshme shumë nga ata, që po marshonin drejt veriut të Jugosllavisë, në vend që të trajtoheshin si bashkëluftëtarë, trajtoheshin si të burgosur.
Përveç Masakrës së Tivarit, pushteti komunist-jugosllav kreu edhe një masakër tjetër ndaj shqiptarëve, atë të brigadës që përbëhej nga shqiptarët e Maqedonisë. Një nga format për largimin e popullsisë shqiptare nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare ishte edhe mobilizimi i tyre në “Brigadat e punës” të cilat do të merrnin pjesë “në ndërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta”. Në fakt brigada të tilla u krijuan në të gjithë Jugosllavinë, por brigadat e tjera anë e kënd saj punonin në ndërtimin e vendit të tyre, ndërsa brigadat shqiptare u shpërndanë nëpër Jugosllavi. Sipas studiuesit Lefter Nasi, “…ata punonin në sektorët më të rëndë, në kushte shumë të vështira të jetës e të trajtimit, në kujtesën e dëshmitarëve ka mbetur e freskët trajtimi që ju bë brigadës punuese…” Brigada përbëhej nga qytetarët shqiptarë të rajonit të Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Kumanovës etj. Brigada kishte rreth 4000 persona dhe duke pritur mjetet e transportit për në Goricë e Trieste ajo kishte ndaluar në Mal të Zi. Pa pritur ndërtesa ku ishte strehuar kishte marrë zjarr. Rreth 90 persona nuk kishin mundësi të dilnin dhe vdiqën.
Në Goricë brigada ishte e detyruar të kryente punët më të rënda dhe nën mbikëqyrjen e reparteve të OZN-as. Studiuesi Lefter Nasi, ndër të tjera, shkruan: “Aty u ndalën me shumë se gjysma të zgjedhur një për një sipas dëshmitarëve i futën në kazerma të veçanta. Mëngjesin e ditës së nesërme shumica e tyre u gjenden të vdekur ndërsa ata që kishin mbetur të gjallë nuk ishin në gjendje të flisnin dhe se sytë ju rrjedhin lotë. Në dhomat e gazit u masakruan gati 2000 veta”.
Këtë masakër që pushteti komunist-jugosllav kreu ndaj ushtarëve shqiptarë të pafajshëm në Goricë e përmend në diskutimet e tij, Rankoviqi: “Rasti i dytë gjithashtu është pasojë e burokratizmit dhe e krimeve të pajustifikueshme që disa shqiptarë nga ai kontingjent u vendosën në lokalet ku më parë ishte një magazinë-baroti, edhe aty u ngulfatën 130 njerëz…Shqiptarët kanë humbur besimin, kjo është e qartë, dhe nuk e kanë humbur për shkak se e kanë ndje në lëkurën e tyre Jugosllavinë e vjetër (Mbretërinë e Jugosllavisë – H.A.), por e kanë humbur për shkak të gabimeve të cilat i kryen udhëheqësit tanë ndaj tyre…”. Shqiptarët për t’i shpëtuar dhunës e terrorit jugosllav arratiseshin nga Kosova, duke kërkuar strehim në Shqipëri. Por, edhe atje ata ndiqeshin nga njerëzit e UDB-së, dhe pastaj shoqëroheshin për në Jugosllavi, ku gjatë rrugës me pretekste të ndryshme, i vrisnin. Në fillim të vitit 1945, autoritetet jugosllave, pushkatuan ilegalisht dhe pa gjyq në territorin e Shqipërisë, më tepër se 1000 shqiptarë nga Kosova. Krimet e terrori i ushtruar në Shqipëri në periudhën e pasluftës, dëshmohet nga deklaratat e bëra nga Enver Hoxha, më 31 gusht 1966, kur flet për vrasjen e 1200 shqiptarëve në Tivar. Po ashtu, për këto krime, flasin dhe ish nëpunës të lartë të shtetit shqiptar, si Nesti Kerenxhi, ish zëvendësministër i Ministrisë së Brendshme, Shefqet Peçi, etj.
Për masakrat në Tivar dhe në Goricë të dhënat e para jo të kompletuara zyrtare i hasim nga Aleksandër Rankoviqi, që ishte udhëheqës i lartë në nivel të Serbisë e Jugosllavisë, i cili i paraqiti të dhënat për këtë ngjarje në Kongresin Themelor të Partisë Komuniste të Serbisë, që u mbajt në Beograd, më 8-12 maj 1945. Në këtë kongres gjatë diskutimeve nga pjesëmarrësit u pranua si një gabim i tmerrshëm, pasi sipas tyre, u vranë 430 persona, mirëpo, kjo shifër u minimizua skajshmërisht. Përveç kësaj, Aleksandër Rankoviqi mundohej që gjithë fajin t’ua ngarkonte udhëheqësve të Kosovës. Gjatë diskutimeve me Dushan Mugoshën, ndër të tjera, ai shprehej: “…Unë nuk do të futem në detaje. Një shqiptar i revoltuar në një përcjellës, hoqi pushkën dhe e vrau. E vrau një shokun tonë luftëtar. Por shokët tanë që në vend se tërë ngjarjen ta zgjidhnin, që të mos nxiteshin grindje, ata kanë dashtë t’i dënojnë, kanë dashtë të zbatojnë reprezalje, deshën të pushkatojnë 40 shqiptarë për një luftëtar tonin të vrarë. Disa shqiptar filluan të hidhnin bomba. U hodhën disa bomba. Ndërsa, udhëheqësit tanë hapën zjarr dhe vranë 300 shqiptarë. Ky është një shembull që patjetër duhet të mësojmë edhe ne që punojmë me ushtri dhe që punojmë në teren…”.
Por, pa marrë parasysh qëndrimin e udhëheqjes jugosllave, e cila në këtë kongres shprehte “pendimin” rreth tragjedisë së Tivarit dhe të Goricës, duke u munduar që gjithë fajin t’ua hidhte shqiptarëve, kjo çështje mbeti e mjegullt deri në vitet ’90-të të shekullit të kaluar. Arsyeja për këtë ishte e qartë, pasi në vitet në vijim komunistët jugosllavë nën Titon nuk ishin të interesuar për zbardhjen e krimeve të kryera kundër rekrutëve shqiptarë.
Por, ndonëse është shkruar në historiografinë shqiptare për këto masakra, pas viteve 90-të, ende kanë mbetur disa çështje ta pa trajtuara tërësisht, si për shembull numri i të vrarëve, i cili në shumë studime varion me shifra të ndryshme. Kështu, sa i përket numrit të të vrarëve në frontin e Adriatikut mund të themi se ishte tejet i madh. Vetëm gjatë marshimit të rekrutëve shqiptarë në territorin shqiptar gjetën vdekjen nga 400 deri në 1000 shqiptarë.
Siç paraqitet edhe në raportin e përgatitur nga Ymer Berisha ndër të tjera thuhet se: “Shumë partizanë shqiptarë qenë vrarë ose zhdukur në luftërat e shteteve tjera ballkanike. Shumica e tyre janë vrarë si njerëz të dyshimtë nga vetë partizanët, kur e kanë filluar kryengritjen në Kosovë. Numri i të vrarëve saktësisht nuk mund të dihet. Dihet vetëm ajo se në Mal të Zi janë vrarë brenda 24 orëve 1670 njerëz, në Dubrovnik 5 600 ndërsa në rrugën Prizren-Shkodër 700. Deri sot, përafërsisht janë masakruar dhe vrarë në këto qytete dhe rrethet e tyre: Prizren, Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Pejë, Istog, Plavë, Guci, Skenderaj, Rozhaj, Tutin, Pazari i Ri, Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Prishtinë, Gjilan, Ferizaj më shumë se 26 000 banorë.”
Sipas raportit te ambasadorit britanik në Beograd, Ralph Skrine Stevenson, drejtuar Sekretarit të Jashtëm, Anthony Eden thuhet se “Pretendohet se në Tetovë u burgosën 7 000 shqiptarë dhe një numër i madh shqiptarësh nga zona e Shkupit iu qepën pyjeve, ndërkohë 140 vetë dezertuan brenda një dite nga centrali elektrik bashkiak. Në Shkup kishte thashetheme të vazhdueshme për probleme me shqiptarët, ku konstatohet se u dëbuan forcërisht në Banat 12 000 shqiptarë nga Kumanova, Gjilani dhe Vraja. Nuk ka shumë konfirmime të pavarura të këtyre raporteve, por nga fundi i marsit kishte fjalë në Beograd se shqiptarët po transportoheshin, përmes Beogradit, në këmbë dhe nën roje drejt veriut për në Banat; gjithashtu, një raport amerikan fliste për raste të tifos midis shqiptarëve aty. Nga Spliti vinin raporte se midis datave 5 dhe 8 prill erdhën tre valë me kosovarë, në total rreth 200 burra, disa prej tyre të ruajtur nga roje, të cilët thuhej se ishin mobilizuar në Kosovë për të spastruar zonën nga fraksione problematike pas trazirave në afërsi të Prishtinës”.
Sipas Shaban Haxhis, komandantit të brigadës 7-të kosovare, në Tivar u vranë 1600 rekrutë shqiptarë. Por, duke u mbështetur në të dhënat e historianit Uran Butka, i cili ka analizuar shifrat e dhëna nga burime të ndryshme, mësojmë që numri i shqiptarëve të vrarë, të mbytur, të helmuar e të zhdukur në frontet e Adriatikut varion nga 2.947-3.447. Ndërsa, sipas të mbijetuarit të Masakrës së Tivarit, Azem Hajdinit, në Tivar u masakruan 4.310 shqiptarë si dhe u bë helmimi i më se 1.340 luftëtarëve të tjerë në kazerma ushtarake në Dubrovnik. Ndërsa, sipas studiuesit Robert Elsie, që të dhënat i mbështet në statistika ushtarake, mësojmë që 2.543 rekrutë shqiptarë u vranë, por sipas tij kjo shifër mund të jetë shumë më e lartë, ngase sllavët natyrisht që kishin prirje për ta zvogëluar shifrën e të vrarëve. Shifër të përafërt të të vrarëve na ofron studiuesi Muhamet Pirraku, sipas të cilit, vetëm në Masakrën e Tivarit janë vrarë 1700 shqiptarë, ndërsa po të shtohet edhe numri i të vrarëve në Dubrovnik dhe i atyre gjatë rrugës nga Prizreni deri në këtë qytet, shifra arrin afërsisht 2.400 qytetarë shqiptarë që u vranë në frontin e Adriatikut. Të dhëna për numrin e viktimave na ofron edhe Fatos Beja, ku sipas tij numri i të vrarëve është më i madh se 600 dhe më i vogël se 1560 persona. Për të dalë te numri i saktë i viktimave në Tivar është e domosdoshme të analizohet lista e të nisurve nga Prizreni, ku i janë dorëzuar brigadës 10-të malazeze më 30 mars në Shkodër, si dhe lista prej 800 vetash që u regjistruan në hyrje të ndërtesës së Monopoli të duhanit. Pra, asnjë studim për këto ngjarje nuk mund të konsiderohet i plotë pa shfrytëzuar dokumentet në arkivat jugosllave.
Mund të themi se dërgimi i shqiptarëve në frontin e Adriatikut dhe më pas krimi që çetnikët serbë dhe malazez bënë me rastin e Masakrave në Tivar dhe Goricë, ishte çmimi që ata e paguan me gjakun e mijëra të vrarëve dhe të plagosurve, ndonëse totalisht ishin të pafajshëm. Pra, përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, për shqiptarët ishte i tmerrshëm, sepse jo vetëm që nuk fituan të drejtën e vetëvendosjes dhe qëllimin final: bashkimin me Shqipërinë, por u tradhtuan, u masakruan, u torturuan dhe në fund, Kosova u aneksua në mënyrë të dhunshme.
Si përfundim, mund të themi se, nga 1 prilli 1945 e deri në fillim të viteve 90-të kur ra sistemi komunist, ngjarja ndër më tragjiket në historinë e popullit shqiptar është Masakra e Tivarit. Por në të gjithë periudhën e sipërpërmendur, kjo ngjarje e rëndë nuk është trajtuar si duhet dhe sa duhet, për shkak të ndikimit të ideologjisë komuniste. Trajtimi i drejtë i ngjarjes së Tivarit, kërcënonte me destabilizimin e marrëdhënieve etnike dhe të ashpra midis shqiptarëve të Kosovës dhe malazezëve, që jetonin në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin në Jugosllavinë jugore. Madje, jo vetëm që nuk u shkrua asnjë rresht deri në këtë periudhë, por ata që inskenuan këtë tragjedi, sikur deshën të humbnin çdo gjurmë të kësaj masakre. Edhe nga dëshmitarët e kohës, që fati i shpëtoi nga vdekja dhe shtresa intelektuale e akademike deri në fillim të viteve 90-të të shek. XX, sikur e heshtën këtë ngjarje të rënd për popullin shqiptar, në veçanti atë të Kosovës.
Kjo heshtje, si nga ana e botës akademike po ashtu edhe nga dëshmitarët e kohës, mbase ishte e kuptueshme, po të kemi parasysh rrethanat në të cilat ndodhej populli shqiptar i Kosovës pas vitit 1945, periudhë në të cilën nuk ishte e favorshme të diskutohej e të shtrohej kjo çështje. Në Kosovë kjo ngjarje e rëndë për shqiptarët nuk u trajtua, për shkak të regjimit të Beogradit dhe tendencave në vazhdimësi të justifikimit nga ana serbo-malazeze, ndërsa në Shqipëri, Masakra e Tivarit ishte thuajse e panjohur gjatë gjithë periudhës së sistemit komunist të Enver Hoxhës, mbase për arsye ideologjike, apo fajit të cilin e ndjente pushteti i Tiranës. Mirëpo, pas rënies së komunizmit (1990), Masakra e Tivarit, filloi të zbardhej nëpërmjet studimeve nga autorë të ndryshëm andej e këtej kufirit, por megjithatë edhe sot e kësaj dite, kjo masakër ka mbetur e pastudiuar mjaftueshëm, pa përgjegjës e përgjegjësi.
Së fundmi, mund të themi se masakra e mijëra shqiptarëve të pafajshëm në Tivar (apo frontin e Adriatikut), mund të jetë një ndër krimet më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore në Ballkan dhe jo vetëm, ndërsa për shqiptarët kjo masakër mund të klasifikohet si një ndër katastrofat më të mëdha kombëtare. Ndërkaq, Tivari si vendi ku u krye krimi, nuk u zgjodh rastësisht, por për shkak se ishte larg nga të gjitha lidhjet komunikuese, që ua mundësonte kryerjen e krimit në mënyrë tejet të fshehur. Pastaj, shkëmbinjtë dhe deti i gjerë, ofronin mundësi ideale që t’i ekzekutonin pa gjurmë të gjitha viktimat dhe kufomat e plojës, në mënyrë që tërë ato krime t’i mbulojë heshtja, duke mos dhënë asnjë të dhënë për opinionin, në veçanti atë ndërkombëtar.