Nga Astrit LULUSHI/ Jeta është sekondë e cila bëhet minutë, e zgjatet e zgjatet deri në kohë. Jeta ecën, është njeriu që ndalet, por humbjen nuk dëshiron ta pranojë. Siç ndodh me të pabesin që jeton me pika, vdes në çdo kohë, ose është asnjëherë gjallë. Kjo është arsyeja pse me Besën njeriu krenohet gjatë që prej kohërave që nuk dihen.
Është bërë natyrë e dytë që njeriu me përgjegjësi kur bën gabim kurrë nuk duhet të kërkojë ndjesë; njësoj si dikur edhe tani kur qeveritarët asnjëherë nuk kërkojnë falje për shumë abuzime. Paraardhësit vranë e prenë në luftë e luftë klasash dhe nuk patën ndonjë pasojë, thonë ata, atëherë pse ne sot të pranojmë vjedhjet e shkeljet, dhe të mos vrapojmë për të rizgjedhur veten, ose për një kockë që na hedhin? Çfarë komedie po luhet me turma pa çorape që brohorasin mes skandaleve dhe gafave të rënda të zyrtarëve nga më të lartët, të cilëve u zgjatet qëndrimi në vend që të japin me turp dorëheqjen, siç ndodh shpesh në raste edhe më pak të ngjashme në Perëndim. Duket se një mënyrë të tillë qeverisjeje bota e lejon si model që nuk duhet ndjekur.