Në Bruksel ka përfunduar takimi ndërmjet Delegacionit shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.
Pas takimit, Mogherini tha se është e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbia.
“Ky takim ishte një mundësi për të biseduar me përfaqësuesit e Kosovës lidhur me dialogun. Në këtë kontekst, Mogherini ka ritheksuar urgjencës për shfuqizimin e tarifës doganore, të vendosur nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e Mogherinit.
Po ashtu, Mogherini u kërkoi autoriteteve të Kosovës të shfuqizojnë taksën doganore, ndaj produkteve nga Serbia.
“Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të dialogut, kërkon një klimë që kontribuon në marrëdhënie të mira fqinjësore, ku marrëveshjet e arritura më herët duhet të respektohen dhe zbatohen dhe veprimet e deklaratat, që nuk janë në interes të përgjithshëm dhe objektivat strategjike të rajonit, duhet të shmangen”, theksohet në deklaratë.
Ndërkaq, dy bashkëdrejtuesit e Delegacionit shtetëror të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, kanë theksuar se në takim kanë prezantuar rezolutën dhe Ligjin për dialogun, si dhe ia kanë sqaruar zonjës Mogherini rolin e këtij delegacioni dhe gatishmërinë për të diskutuar për të gjitha temat e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat do të çonin deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me kushtin parësor, njohjen reciproke.
Shpend Ahmeti ka theksuar se sipas zonjës Mogherini, duhet të punohet me një orar më të ngjeshur në gjysmën e parë të këtij viti, për të parë nëse do të mund të arrihet një marrëveshje.
“Sipas Mogherinit, për BE-në, çdo marrëveshje që është e pranueshme për të dyja palët – por marrëveshje, e cila i përfaqëson vlerat e Bashkimit Evropian – është e pranueshme edhe për ta. Pra, nuk mund dhe nuk do të kemi shtete etnikisht të pastra, sepse ajo nuk është vlerë e BE-së. Nuk mund të kemi kufij që ndajnë etnitë në vija të tilla”, theksoi Ahmeti.
Ai ka shtuar se tashmë i kanë sqaruar Mogherinit që Delegacioni shtetëror nuk është në mbështetje të dikujt apo që dikush është në mbështetje të delegacionit dhe se Delegacioni shtetëror ka mandat nga Kuvendi.
Gjithashtu, në takim me Mogherinin është ngritur edhe çështja e taksës për mallrat nga Serbia, për të cilën Beogradi ka shprehur qëndrimin se pa heqjen e tarifës nuk do të ketë vazhdim të dialogut.
Fatmir Limaj, bashkëkryesues i Delegacionit shtetëror të Kosovës, ka theksuar se zonjës Mogherini i janë bërë të qarta politikat obstruksioniste që i ka ndërmarrë Serbia ndaj Kosovës.
“Ne e thamë aty se duhet të hiqen arsyet për të cilat ka ardhur taksa. Serbia duhet t’i pushojë të gjitha arsyet pse ne e kemi ngritur taksën. Ka shumë kushte që Serbia të plotësojë që të tërhiqet taksa. Kjo nuk është e njëanshme”, tha ai.
“Nën kushte të tilla ne tash e 10 vjet jetojmë me Serbinë dhe askush nuk është lodhur për këtë punë. Ne tani jemi në momentin ku të gjithë duhet ta krijojmë klimën për dialog dhe jo vetëm Kosova. Ne jemi të gatshëm që të bëjmë hapin. Pra, edhe çështja e taksave. Me një marrëveshje gjithëpërfshirëse më nuk do të ketë nevojë për taksë. Marrëveshja gjithëpërfshirëse, njohja e Kosovës dhe praktikisht më nuk do të ketë nevojë për taksë”, theksoi Limaj.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli është shprehur se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të çojë në njohje reciproke, anëtarësimin e vendit në BE, NATO dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.