Neki Lula ne Sofren poetike te Diellit/
MOSNI!/
(Mos e braktisni Atdheun o vellëzerit e mi të bekuar)/
Me tëmthat e gishtërinjve preka plot ëndrra diellin/
Jam duke ecur me qefin ranishtës së blinduar/
edhe në Groenlandën e acareve ku mungon kaltërsia e qiellit/
po gjej gjurmë fisi nga fara pjellore e Arbërit të bekuar/
Edhe po të shkoni përtej oqeaneve e detrave të tërbuar
Do shihni farën e Arbërit që gjithëkah është shpërndarë
zemërimi m’i pëlcet ndjenjat fytyra ime si një hënë e pikëlluar
jam i venitur kur pipthat çelin e shartohen në tokën pa dashuri e varr
A thua farën e shpërndakan shtrëngatat plot me mundim
që në dhënat e huaja të mbjellin rrënjë në shkretëtirë?
Jeta na përplasi historikisht nëpër udhëkryqe e krajata
Por si atdheu i shqipeve s’ka as në brigjet më të largëta
Po këndojnë nuset këngë shqipe edhe në Alaskë
Por zemra ju shtrydh mall e thesar vendlindjeje
Një ditë do të kthehn në atdheun e lashtë
Me shpirtin e gaztë do këndojnë ninulla te djepi fëmijëve.
Mos braktisni atdheun se ju mallkon në liri vetmia
kur ne dhe të huaj mbeteni të vuajtur e të përbuzur kudo
Besoni se do ju marrë malli për rrugët me baltë për varre e vërria
Mosi i lini përindërit, vëllezërit e miqtë pa fjalën e ngrohtë
KËRKOI RRUGËN
Hap pas hapi po eci mbi do rrasa guri kalldrëmeve të vjetra
po i kërkoj gjurmët e mia mbi bërrylin e Lumit të Gjakut
Me mallin e pashuar sa gurët në bedena te kështjella
Dikur ika si fëmijë u ktheva një ditë i thinjur në oborr te lesa
Me syze të trasha e me një shkop prej druri u ula te pragu
Fytyra ime e zbehtë me rrudha ish si horizonti para muzgu
nga thellësia e shpirtit më buron një dashuri që me mban gjallë
Po çmallem me varret e gurët e sokakute e s’dua të jem si murgu
me ata që një ditë u ndava e me kurrë s’kam për t’i parë
Se malli këputka shinat e trenit e malli është plazëm është zjarr
Më lini të çmallem me gurrën e lumit e në oborrin plot bar
Me Koshin në ahur me misrin në hambarë, me tagji që ushqen një kalë
Me lamën plotësuar me mollët në bashqe me livadhë e me arë
Me orën e Pllugun e babës e furkën e sanxhakun e nanës varur në tra
me vekun e motrës kur shkoi nuse me qerre te kuq e më të kuqin bajrak
Pa me lerni të çmallëm unë një herë me ju, o miq, që kurrë s’ju kam harruar
Se kurbeti i mallkuar me ka ndryshkë, më ka vyshkë si limanin m’ka tharë
Nuk e di kur ngopem me ju të dashurit vëllezër e nipa me lerni të çmallem
Mos më merrni lakmi, se ndryshe ja, këtu do të kallem nga ky mall.
BABAIT
(Babait tim me rastin e 13- vjetorit të vdekjes)
Akoma po të shoh sot në Pllugishtë
Duke lëvruar arën me kalë të bardhë
Zëri yt prej bariut të kohërave mes stuhisë
Mbi retë e qiellit je ylber, je oaz
Ishe ballë i rrudhur nga fshikulla me murlane
Duart me plot të çara si një hartë e vjetër
Këmishë e shqyer padrejtësisht nga hordhitë barbare
Shikimi yt ishte lumë i bardhë që kurrë nuk diti të shtjerret.
Ishe gojëëmbli i sinorëve e stinëve në ikje
Se çizmja e huaj rëndë na pat rënduar
Mirë i latoje me aq mençuri fjalët nëpër vite
Kalon edhe kjo” flamë” e shumë si kjo thyen qafën pa kujtuar
U përplase me regjime të egra nëpër mote
Mbi pellgun e vullkanit plot zjarr, plot llavë
Mes kënetave të mykura plot shavar
Ece mbi kepat e malit plot bar, por mbete ngadhnjimtar
Gjithmonë qeshej fytyra jote burrërore dhe engjellore
Se ishe drithnor e mbete pjesë e sofrës së bujarisë
Mes rrudhave të ballit lexoj kapitullin e jetës që rrjedh si kroje
Për mikun mbete mik, ndaj pusho i qetë në parajsën e pavdekësisë.
E sot ngrihu, o balli im, me plot rrudha e bjezga
Ujit lisat me ujin bekoje mbi lëndinë
Kjo lutje ime le të shkojë në vesh të hyjnesha
Le të përkundet i qetë djepi ynë i ardhmërisë
EH, MALLI
Shpesh më sjell malli në oborrin e shtëpisë të mbetur larg
Ma lidh shpirtin me rrënjët e themelit në kullës pragbardhë
Më rëndon si vllakë lanesh që zbresin prej pylli, tek druri
Me gurë malli i mbaj koshin mbi supe si shajak unuri
Këtu nuk më njeh as fqinji, lagjja, as rruga me gjemba drizash
Nuk më përshëndet askush me fjalë marrë nga pellazgjishtja
Një murla cegemin e ngricës po e shkund nga palltoja e vjetër
E degët janë zhveshur nga gjethet e ngrohtësisë së vjeshtës
Atje më pret gurra e stanit e veshur me myshk vetmie
Currilin cërr cërr natë e ditë nuk e ndala, për besë, asnjë çast
Në ahishten e vendlindjes këndon gushëbardha kumurie
Pranverën e thërret bashkë me burrat e menduar mërgimtarë
Ca rreze dielli hapin sytë pas tufanit dhe ciklonit të egër
Edhe toka e thërret të zotin me ardhë në kopshtije e në ugar
Mbi këtë bukuri që ta ndez fort pishën e kuqe të zemrës
Kur zëri përplaset lugjeve të vendit tim plot me flori e arë