
Ahmet Xhafo*
*Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut/
Të nderur vatranë ju falenderoj nga zemra për pjesëmarrjen në përkujtimoren e 80 vjetorit të gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë. Është një ditë e hidhur, e pa harrueshme, e pa falshme për krimet barbare të kriminelit Napoleon Zerva me bandat e tij të orkestruara nga qeveria greke mbi shqiptarët e Çamërisë. Kriminelët zgjodhën fundin e Luftës së Dytë Botërore për të spastruar një pakicë muslimane shqiptare të pambrojtur të një shteti komshi. Një krim i tmerrshëm. Grekët kanë harruar kontributin e Arvanitasve për pavarësinë e Greqisë.
Një turp për Europën që lejuan një krim të tillë mizor, e një fatkeqësi që misioni ushtarak anglez që nuk ndërhyri ta ndalonte këtë gjenocid të tmerrshëm. Edhe sot në mënyrë të pafalshme Europa, i mban sytë të mbyllura për këtë krim të pandëshkuar që një anëtare e Bashkimit Europian po vazhdon krimet e saj edhe sot në shekullin e 21-të. Muslimanët çamë padrejtësisht nuk lejohen të vizitojnë shtëpitë e tyre të sekuestruara prej shtetit grek, nuk lejohen të vizitojnë varrezat e gjyshërve e stërgjyshërve të tyre. Një hakmarrje primitive e Greqisë. Një krim gati shekullor që ndodh mu në zemër të qytetërimit europian e askush nuk reagon, fatkeqësisht as shteti shqiptar. Shteti grek vodhi e sekuestroi me dhunë pasuritë, tokat, bizneset, bagëtitë, e shtëpitë e shqiptarëve. Ende sot asnjë falje, asnjë kompensim, as asgjë, vetëm harresë, por shqiptarët e Çamërisë nuk do të harrojnë përjetë. Grekërit ca shtëpi të çamëve ua dhanë vllehëve grekë e të tjerat u sekuestruan e janë bosh, tashti si gërmalla. Një nga këto shtëpi është e familjes Xhafo, në Filat të Çamërisë.
Për të mbuluar krimet e saj, qeveria greke ka mashtruar duke akuzuar pa fakte e pa prova çamët si bashkëpunëtor me nazistët, por e verteta me fakte është që Napoleon Zerva ka bashkëpunuar me nazistët. Më poshtë është një ekperiencë e një 7 vjeçari, Ahmet Xhafo: Me qëllim nuk do t’u jap statistikat e vrasjeve e krimeve makabre greke. Në qershor të vitit 1944 është momenti më dramatik për popullin martir çam, të pafuqishëm e të pa mbrojtur. Bandat gjakatare të Zerves u sulën egërsisht me krime të papara e të padëgjuara mbi shqiptarëte pafajshëm të Çamërisë. Babai im Taip Xhafo, me familje tre djem e tre vajza, sapo dëgjoi për masakrën greke në Paramithi, herët në mëngjes, u nisen nga Filati ne drejtim të Shqipërisë. Jo nga xhadeja por nga monopatet sepse zervistët i kishin bllokuar rrugët për ti grabitur e pastaj i vrisnin shqiptarëteÇamërisë. Kriminelët grekë u prisni grave gishtat për tu marrë unazat, veshët për tu grabitur vathët, çanin barqet e grave shtatëzanë për të vrarë foshnjat e palindura. Familja jonë nëpër pyje e kodra u nisem drejtë Koskës e në Shales. U sistemuam në shtëpinë e zotit Zenel Kadriu i cili sapo ishte martuar e jetonte me nusen e nënën e tij. Na hapen dyert e me ne ndanë atë që kishin me bujari e fisnikëri.
Çamët për ti shpëtuar tmerrit vazhdonin në varg natë e ditë në këmbë, pa ngrënë, pa pirë, pa plaçka, të lodhur e të rraskapitur me fëmijë të vegjël e të sëmurë. Shumë prej tyre kanë vdekur të traumatizuar. Kur e kujton, të dhemb shpirti se çfarë vuajtjesh e persekutimesh kanë hequr mbi kurriz padrejtësishtshqiptarëte Çamërisë. Familja jonë më vonë u sistemua në shtëpinë e një mikut tonë të familjes që quhej Omer Mehmeti, i quajtur kulak, nga që ishte i lidhur me Ballin Kombëtar dhe ishte i pasur. Komunistët ja kishin konfiskuar të gjithë pasurinë, por jo bujarinë e fisnikërinë. Atë dimër shumë të egër e kaluam aty.
Në pranverën e vitit 1945 u nisëm nga Shalësi për Sarandë. Na dhanë një kalë e dy jorganë që kishim e një samar ndërronim motrat që ishin më të vogla, të tjerët në këmbë. Arritëm në Sarandë shumë vonë të lodhur e të uritur. Të nesërmen nënës së shkretë, i mori vëllai unazat, vëthët, e një varëse floriri, për ti shitur e për të blerë bukë. Motrat e vogla qanin nga uria. Të nesërmen u drejtuam drejtë portit nga niseshin çamët për Vlorë e Durrës, me benzinata, (anije transporti). Para nesh ishin nisur dy benzinata me çamë ku kishte dalë në rimorkiator grek qe i terhiqte e çonte në Korfuz. Pasdite kur po niseshim drejt nesh ishte drejtuar një rimorkiator tjetër por kapiteni u kthye në drejtim të Gjirit të Himarës, shpëtuam. U nisëm në mëngjes e arritën në Vlorë ku na dhanë bukë misri me djathë e u nisëm për Durrës, ku ndenjëm për disa muaj. Më vonë u vendosëm në Tiranë, ku jetonte halla jonë, Nazo Demi, nana e Ali Demit.
Në vitet 1947-48 në Shqipëri ishte sistemi i trisketimit e një krizë buke e madhe. Shumë herë nuk merrje dot se vinte me pakicë. Kjo e detyroi babanë tonë që me anë të një mikut të tij, Kalosh Drini, të blinte një sasi mielli misri në Fushë -Krujë. Natën e mbuluam miellin me bar, por vigjilenca e spiunëve e pikasi miellin dhe e mori shteti e babanë e arrestuan dhe e çuan në burg. U lirua pas 6 muajsh me kusht që të mos ta përsëriste më. Për arsye ekonomike mua e vëllanë Xhaferin na dërguan në strehën varfënore. Unë kam qëndruar në shkollën e fëmijëve në Tiranë, Elbasan, Lushnje e Berat.
Në muajt Tetor – Nëntor 1949 në Gramoz luftonte EAM-i, komunistët grekë, me forcat qeveritare të Greqisë. Ata i kërkuan qeverisë shqiptare që të bënte çmos që gjithë meshkujt çamë të shkonin për ndihmë. Qëllimi ishte që ata çamë që kishin mbetur të eleminoheshin. Çamët me një zë kundërshtuan të shkonin të luftonin në Greqi. Në rast se preket kufiri shqiptar, atëherë çamet ishin të gatshëm të luftonin e të mbronin tokën shqiptare. Për refuzimin e mësipërm, babai e disa burra të tjerë nga Çamëria u internuan në rrugën Gramsh-Llozhan-Korce për 11 muaj punë të rëndë.
Në 5 Mars 1953 në Moskë vdiq krimineli e diktatori rus, Stalini. Për këtë ngjarje qeveria komuniste urdhëroi popullin të dalë në sheshin Skenderbej ku u bë një ceremoni mortore për të cilin qanë e vajtuan pa pushim. Por vetëm babai tone, Taipi, nuk qau e nuk u përlot por shau Stalinin. Për këtë ai u internua një vit në fabrikën e tullave në Tiranë. Vetëm kur Stalini u shpall kult individi e liruan babanë.
Qeveria komuniste na trajtoi si qytetarë të dorës së dytë e nuk lejoi asnjë aktivitet për Çamërinë. Politikanët shqiptarë nuk guxonin ose kishin frik nga Greqia të kërkonin të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë. Qeveria komuniste Çamërinë e Kosovën nuk i quante si çështje kombëtare.
Edhe sot, Greqia i kërcënon me kthimin e emigrantëve shqiptarë në Shqipëri e me veto për anëtarësimin në “Bashkimin Europian”. Greqia dhe sot vazhdon të krijojë telashe për Shqipërinë e të mbajë në foëuqi “Ligjin e Luftës me Shqipërinë”. Një fatkeqësi për Shqipërinë që kemi dy komshinj të këqinj. Prandaj duhet të jemi vigjilent për atdheun e kombin tonë. Falenderoj Vatrën për këtë organizim e për bashkpunimin me organizatat çame. Unë jam krenar që jam një vatran i vjetër e i uroj kësaj organizate një shekull tjetër e më shumë në shërbim të kombit shqiptar.
Bashkatdhetarë mos e harroni kurrë Çamërinë.