*Kështu ndodh kur nuk pyeten specialistët dhe qytetarët/
Nga Shefqet Kërcelli/
*Tre momente nga zbatimi i një projekti të quajtur “Veliera”/
* Zbulimet e reja, si vlerë e shtuar arkeologjike-historiko-turistike e Durrësit/
Pak ditë më parë, gjatë gërmimeve para hyrjes kryesore të portit të Durrësit, dolën në dritë gjetje të reja historike, të cilat konsiderohen nga specialsitët përktatës si vlera të trashëgimisë kulturore. Gjatë punimeve për pastrimin e themeleve të godinës osmane të shekullit XIX-të, në një pjesë të sheshit para portit të Durrësit, aty ku më parë ndodheshin statuja të këngëtarëve të muzikës botërore, kanë dalë në dritë disa objekte të tjera, pjesë e trashëgimisë historike të qytetit. Këto gjetje të reja arkeologjike në Durrës, i kanë bërë specialistët të vlerësojnë se kjo pjesë e trashëgimisë kulturoro- historike nuk duhet varrosur. Zbulimet e reja konsistojnë në një gur varri të periudhës osmane, që dyshohet se i përket ndonjë zyrtari të administratës së atëhershme osmane, një top lufte, i ndryshëm nga ai i gjetur pak ditë më parë, si dhe 22 predha guri me formë sferike që hidheshin me katapultë, një lloj arme e vjetër që përdorej për mbrojtje, që nga antikiteti romak e deri në mesjetë, gjatë rrethimit të një kështjelle për të goditur ushtrinë sulmuese. Topi i dytë, që është më i hershëm se i pari, i gjetur pak metra më tutje, si dhe predhat sferike, që nuk kanë lidhje me të, janë gjetur brenda strukturave të godinës së administratës osmane, e cila mund të ketë qenë përdorur edhe si godinë për qëllime mbrojtjeje. Predhat sferike të gurit dyshohet se i përkasin shekullit XIV-të, por mund të jenë dhe më të hershme. Këto lloj predhash janë përdorur kryesisht deri në gjysmën e dytë të shekullit XV-të, se më pas u prodhuan dhe përdorën predhat shpërthyese. Studiuesit thonë se pas Mesjetës, me zhvillimin e armës së artilerisë dhe përdorimin e predhave shpërthyese, predhat e gurit përdoreshin edhe në strukturat e godinave, për shkak të fortësisë e rezistencës së tyre. Lidhur me gjetjet e reja, arkeologu Edi Shehu, shprehet se, ky sit duhet të mbrohet në mënyrë që të jetë i vizitueshëm nga të gjithë. Ndërkohë edhe themelet e vazhdimit të murit bizantin, pjesë e sistemit të fortifikimit të qytetit, mund të bëhen të dukshme për publikun përmes konservimit dhe mbulimit me xham të disa fragmenteve të tyre. E gjithë kjo pasuri historike që dëshmon një periudhë të rëndësishme për qytetin, atë nën sundimin e Perandorisë Osmane, kur Durrësi pati një tkurrje, humbje të rëndësisë së dikurshme tregëtare, sipas arkeologëve dhe qytetarëve durrsakë, nuk duhet anashkaluar. Bërja e saj e dukshme përmes mbulesave të qëndrueshme dhe transparente, nuk do të cënonte as vazhdimësinë e projektit për ndërtimin e sheshit të ri, madje do të kishte një vlerë të shtuar dhe një atraksion për turistët vendas e të huaj që brenda një perimetri të vogël mund të njihen me dëshmi të Antikitetit Romak, periudhës Bizantine, Mesjetës dhe periudhës së mëvonshme që daton deri në shekullin XIX. Shumë pranë vendit të gjetjeve të reja ndodhet një fragment i murit bizantin, Torra Veneciane, më tutje Muret Mesjetare dhe Amfiteatri Antik, për të vijuar me Muzeun Arkeologjik dhe të tjera dëshmi të rëndësishme të një qyteti, që vlerëson të sotmen dhe të ardhmen moderne të tij. Themelet e godinës së zbuluar i takojnë fundviteve 1800, kur osmanët ishin në kulmin e sundimit të tyre në Shqipëri. Godina është shembur nga tërmeti i vitit 1926, më pas autoritetet e atëhershme vijuan ndërtimin e portit dhe rrugës së tregtarëve. Mënyra e materialet e ndërtimit të mureve kanë elementë që i përkasin kohëve të ndryshme, madje, sipas arkeologëve disa gurë mund t’i përkasin edhe periudhës romake, bizantine e veneciane. Interes paraqesin shtresat arkeologjike që mund të ndodhen poshtë godinës. Megjithatë gjetjet e fundit e shtojnë valencën e këtij siti, ndërkohë që rezultatet e sondazheve arkeologjike, do të jenë baza për vendimmarrjen dhe fatin e këtyre zbulimeve, si dhe nëse projekti për ndërtimin e sheshit publik do të ketë ndryshime që mund të ruajnë këtë pjesë të trashëgimisë historike të qytetit, që historikisht njihet si Durrësi i lashtë{vjetër}. Theksojmë se qyteti i Durrësit, me një histori mbi 3 mijë vjecare, “lundron” mbi mbetje arkeologjike të periudhave të ndryshme historike, për shkak të migrimeve perëndim-lindje dhe anasjelltas, dyndjeve, kryqëzatave, rrugëve tregëtare, etj, por mos harrojmë se asnjëherë në këto treva nuk ka munguar elementi iliro-arbëror-shqiptar. Shkaku kryesor i këtyre shtresëzimeve arkeologjike në Durrës janë tre tërmete të fuqishëm që kanë sjellë pasoja katastrofale në Durrës, një në antikitet, një në mesjetë dhe një në cerekshekullin e shekullit të XX-të, dhe më pak nonjë projekt ndërtimor që mund të jetë zbatuar nga shteti shqiptar në vite. Kuptohet që këto përbëjnë dhe habitatet e dokumentacionin e saktë për historinë e perandorive, qytetërimeve të ndryshme dhe vetë ekzistencën e entosit Iliro-shqiptar.
2.Qytetarët durrsakë protestojnë
Qytetarët durrsakë, të mbështetur edhe nga shoqëria civile, protestuan më datën 11 shkurt 2017, nën moton “Mos ma prek Dyrrahun”. Kjo protestë, e cila kishte për qëllim pezullimin e punimeve për ndërtimin e Velierës, nisi në formë marshimi nga sheshi “Liria” në drejtim të Torrës Veneciane, ku protestuesit kërkuan ndërprerjen e punimeve dhe marrjen e masave për mbrojtjen e vlerave arkeologjike e historike. Sipas tyre, me vendimet e tij, kryebashkiaku Vangjush Dako po shkatërron vlerat arkeologjike e historike të qytetit bregdetar, duke ndërtuar mbi këto rrënoja Velierën, projektin 6 milion dollarë. Protestuesit shpërndanë fletëpalosje duke iu kërkuar qytetarëve t’i bashkoheshin protestës dhe të marshonin bashkë me ta për mbrojtjen e arkeologjisë. Është nga të paktat protesta që bëjnë qyetarët durrsakë, se ata përgjithësisht kanë qenë dhe janë indiferentë, kjo flet se ndjeshmëria e tyre për këtë projekt e ka kaluar cakun.
3.Debati në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e informimit publik
“Nëse specialistët e arkeologët vendosin, ne jemi gati të ndryshojmë projektin e ‘Velierës’ në Durrës”. Kjo ka qenë deklarata e djeshme e kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, para Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku u paraqit në një seancë dëgjimore me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro. Nuk mungoi as përplasja mes shoqërisë civile e pranishme në komision me Kumbaron e Dakon. Përfaqësuesit e shoqërisë civile thanë se arkeologët kanë folur për shkelje dhe mes tyre përmendën edhe zotin Moikom Zeqo, si një ndër emrat që e ka kundërshtuar projektin në Durrës. Studjuesi i mirënjohur durrsak është shprehur se: “Shqiptarë! Vetëm një mendje delirante dhe e papërgjegjshme e koncepton një projekt 6 milionë euro të mbiquajtur ‘Veliera’ për ‘zbukurim’ në zonën A, të mbrojtur me ligj, ndërkohë që nuk është investuar për kanalet e Durrësit, që përmbytet kur bien shirat, pra një çështje substanciale dhe jetike për banorët, kurse shkelja flagrante e ligjit në zonën A të arkeologjisë, për ndërhyrjen brutale dhe kriminale, duhet të ketë të pandehur këta pushtetarë që i fyejnë arkeologët. Midis tyre edhe mua. Janë injorantë të noterizuar dhe shpirtkazmë ndaj vlerave kombëtare dhe ndërkombëtare të trashëgimisë së jashtëzakonshme arkeologjike të Durrësit! Nuk duhet që kulturën ta mposhtin idiotët!”, thekson studjuesi Zeqo.
Po kush është projekti?
Projekti është përgatitur nga studioja e arkitekturës shqiptare “ERALD -G + ARKONSTUDIO”, në bashkëpunim me studion italine të arkitekturës, “ARCHEA”. Sheshi i ri publik do të ketë një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë, ndërsa vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katrorë. Vlera e përgjithëshme e këtij projekti kap shifrën rreth 6 milionë $.
Agimi says
Vangjush Dako asht kriminel,shkateruwesi i qytetit te durres it,ai mendon vetem se si te pasurohet vet.
Durres I mbytet per mbytet me nje shi te lehte mendo sec behet kur shirat jane ma te rentuar,asht prishur prej Vangjush Dakota qendrojme e durresit dhe njerezit rrezohen dhe thyer no qafen me ato Pablo mermere qe ky bandill ka perdorur.
Asht shume e qart se Vangjush Dako i ka bere keto vetem per perfitim personal.
Tani na del me project te ri me blere $6milion.
Ky asht hajde the i pangopur,asht bashkepuntor me Edi Ramen.