Ndoshta, tani për tani, jeni në majat e pushtetit. Ndoshta, tani për tani, keni arritur majat e pasurimit. Por, do të vijë dita që ato t’i villni të gjitha. Ju nuk mund të ndërroni dot rrotën e historisë. E vërteta do të triumfojë mbi mashtrimin. Pasi, siç shkruante shumë vite më parë, i paharruarai Ali Asllani:/
“Ja, ja grushti do të bjerë përmbi krye të zuzarve,/
Koha është e maskarenjve, po Shqipëria është e shqipëtarëve!”/
Nga Reshat Kripa/
Mos na fyeni, zoterinj!
Ne ishim te paret, qysh ne ditet e para të restaurimit të sistemit komunist në Shqipëri, që guxuam të ngriheshim kundër tij, në një kohë kur ju ekzaltonit vendosjen e diktaturës në vendin tonë. Ne ishim të parët që guxuam ta vazhdojmë luftën, në kushtet e tmerrshme të shtypjes dhe diskriminmimit, në një kohë kur ju i mbushët duart plot kallo duke duartrokitur për diktatorin dhe pasuesit e tij. Ne ishim të parët që nuk na thyen as pushkatimet masive, as burgjet e tmerrshëm, as kampet mizore të internimit, në një kohë kur ju, të shndërruar në lepuj, iu servilosët atij regjimi. Ne ishim të parët që parullë tonën kishim: “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!” në një kohë kur ju kishit parullën e “internacionalizmit proletar”. Ne ishim të parët që luftonim për një Shqipëri të lirë, etnike, demokratike, me baza shoqërore moderne, për një Shqipëri ku të mbretëronte liria e fjalës dhe mendimit, për një Shqipëri të drejtuar nga njerëz të pakompromentuar, nga shqiptar që nuk ishin kursyer, në çdo kohë e çdo rethanë, për shpëtimin dhe të mirën e këtij vendi, prej burrash punëtorë, të aftë dhe të ndershëm, për një Shqipëri që do të dënonte pseudopatriotët, tradhtarët, të shiturit, spiunët, për një Shqipëri ku nuk do të kishte vend për dallkaukët, servilët dhe të gjithë ata që pengojnë zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë së re, kurse ju jeni pinjollët e pikërisht atyre që e çuan vendin tonë në buzën e greminës, atyre që na vranë e prenë, që zhdukën pronën private, që humbën besimin në Zotin e madh dhe të madhërueshëm, që keni vendosur në krye të organeve të larta administrativo-shtetërore pikërisht ata që i shkaktuan mënxyrën këtij kombi, ish sigurimsat, prokurorët, gjyqtarët dhe lakejtë më të pështirë të atij sistemi.
Mos na fyeni zotërinj!
Pikërisht për ato arsye, që përmenda më sipër, sot janë në grevë urie një pjesë fare e vogël e jona. Është e vërtetë që numri i tyre është shumë herë më i vogël se sa numri ynë i përgjithshëm, por ata na përfaqësojnë të gjithë ne. Mos u mundoni ta shtrembëroni kriterin e asaj greve. Ata nuk janë futur për pesë lekë që ju mundoheni t’ua vishni. Ata janë futur për zbatimin e parimeve për të cilat u sakrifikuan paraardhësit e tyre.. Ata janë futur pasi po shohin se nga ana juaj ka filluar një fushatë e egër për ringjalljen e së kaluarës diktatoriale dhe bashkë me të edhe të diktatorit të urryer. Ata nuk duam të dëgjojnë më për ngjarje dhe individë që historia dhe vetë populli i këtij vendi i ka hedhur në koshin e harresës qysh prej vitit 1990. Ata duan një Shqipëri demokratike, brenda gjirit të kombeve të tjera që janë bashkuar në aleancën e madhe perëndimore.
Mos na fyeni, zotërinj!
Në vitin 1996 Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi rezolutën numër 1096 ku bënte thirrje për ndëshkimin e krimeve komuniste të regjimeve totalitare. Kjo rezolutë, për shkak edhe të ngjarjeve të vitit të zi 1997, qëllimisht, kaloi në heshtje nga ana e organeve qeveritare. Duke iu referuiar asaj rezolute, Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës, më 25 janar 2006, miratoi rezolutën numër 1481 “Nevoja për ndëshkimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Mbështetur në këto rezoluta, Kuvendi i Shqipërisë, në tetor 2006 miratoi rezolutën “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”. Për fat të keq, në atë kohë, me urdhër të kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama, deputetët socialistë u larguan nga salla e parlamentit në çastin e votimit. Pra, për zbatimin e pikave të kësaj rezolute që, në fakt, pothuajse ka mbetur në letër, janë sot në grevë të përndjekurit politikë të vërtetë të këtij vendi.
Mos na fyeni zotërini!
Ne kërkojmë zbatimin e pikave të asaj rezolute. Ne kërkojmë dënimin e diktatorit Enver Hoxha, si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial në Europën Lindore. Kërkojmë rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore. Kërkojmë bërjen publike të të gjithë dokumenteve që dëshmojnë krimet e regjimit komunist duke përfshirë dhe dosjet e krijuara në ish-intitucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve. Kërkojmë hapjen e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të sigurimit dhe të atyre që i detyruan për një gjë të këtillë, për politikanët, drejtuesit e institucioneve drejtuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore e lokale, si dhe të mediave audio-vizive apo të shkruara. Kërkojmë hartimin e një strategjie kombëtare për eliminimin e pasojave të totalitarizmit gjysmëshekullor, lidhur me statusin e të përndjekurve politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin dhe dëmshpërblimin e tyre, në një kohë sa më të shpejtë dhe akordimin e një fondi për gjetjen e të rënëve dhe pushkatuarve për liri dhe demokraci pra për arsye politike. Kërkojmë rishikimin e historisë së vendit tonë dhe si rrjedhojë rishikimin e teksteve shkollore, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe kthimin në muze të burgjeve dhe kampeve të tmerrshme politike si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarve të ndershëm për kundërvënien ndaj regjimit totalitar. Së fundi kërkojmë organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përsekutuarve, akademikëve, historianëve dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste.
Mos na fyeni, zotërinj!
Këto janë kërkesat tona. Për këto jemi në grevë urie. Mos u mundoni ta zhvendosni vëmendjen e opinionit publik nga këto kërkesa të drejta në të tjera me karakter ordiner. Ne nuk jemi të dënuar ordiner. Ne jemi të dënuar politikë dhe kërkesat tona kanë karakter politikë. Mos u mundoni të na ngatërroni me elementë që nuk kanë të bëjnë aspak me çështjen dhe parimet tona. Mos u mundoni të na ngatërroni me elementë që kanë qenë të dënuar për motive ordinere, grabitje, mashtrimi, prostitucioni e të tjera dhe që tani na i paraqisni si kryetarë të shoqatave të të përndjekurve politikë, siç është rasti i njerit, të cilit më vjen të pështirë t’ia përmend emrin dhe që ju vetë e keni arrestuar si mashtrues, por që pak më shumë se një vit më parë e ngritët në qiell duke e paraqitur si hero të një greve urie që paskish organizuar. Dua t’ju pyes juve, por edhe një pjesë të gazetarëve të shtypit të shkruar dhe atij viziv:
– Ku jeni bazuar që ende e paraqisni këtë sharlatan si kryetar i një shoqate të
përndjekurish politikë? Cila është kjo shoqatë? A ka vendim gjykate? Kush janë kryetari, sekretari, nënkryetarët e saj? A kanë anëtarë apo janë vetëm drejtuesit e tyre? A kanë degë nëpër rrethet e vendit dhe kush janë kryetarët e tyre. A kanë libreza antarësie dhe libra të regjistrimit të anëtarëve?
Ndoshta ju do të thoni:
– Po ju a i keni këto?
Ejani, të nderuar zotërinj, ejani në zyrat tona! Ato ndodhen në godinën ku, dikur, sundonte
diktatori. Aty do t’i gjeni të gjitha, madje të hedhura edhe në kompjuter. Do të gjeni edhe dokumentin e antarësimit të shoqatës tonë në Shoqatën Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, me qendër në Berlin, me kryetar zotin Jure Knezovic, nga Kroacia dhe sekretar zotin Rudolf Guenther, nga Gjermania.
Ju, të nderuar gazetarë, thoni se materialet, për të qenë të besueshme, i merrni të paktën nga dy burime. Në cilin burim figuron që i lartpërmenduri qenka kryetar shoqate? Për të qenë realist, do t’ju rekomandoja të bënit një verifikim për të gjitha shoqatat e të përtndjekurve politikë dhe, atëherë, do të shikonit se sa të tilla janë në të vërtetë.
Mos na fyeni, zotërinj!
\ Është turpi juaj të përdorni një pjesë të të përndjekurve politikë kundër shokëve të tyre. Është turp për një të përndjekur politikë të përdoret kundër shokëve të tij për një shpërblim që mund t’i japin padronët. Një fenomen i tillë ndodhi me të ashtuquajturin Instituti i të Përndjekurve Politikë, ku një përfaqësues i tij volli fjalët më të ndyra për pjesëmnarrësit e grevës. Nuk e dimë nëse e kishte nga vetja apo kështu e kishte mësuar drejtori i tij apo padronët e tjerë. Sidoqoftë grevistët ia dhanë përgjigjen. Ata i nxorrën përjashta dhe mbyllën me dry portën e atij instituti.
Zotërini qeveritarë! Hiqni dorë nga demagogjia dhe mashtrimi! Hiqni dorë nga skenat komike të dëmshpërblimit fallso që zhvilloni në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale! Zoti Ministër! Jeni ende i ri për të mësuar gjuhën e demagogjisë dhe mashtrimit. Hiqni dorë nga shpërndarja e dokumentave falso të dëmshpërblimit kur në degët e bankave nuk keni derdhur ende asnjë shumë për dëmshëprblimin e këtyre të përndjekurve, megjithëse kanë kaluar disa muaj. Keni filluar me premtime qysh para një viti, qysh kur zhvillohej fushata elektorale. Kanë kaluar dhjetë muaj dhe ju ende nuk keni mbajtur asnjë premtim.
Ju drejtohemi të gjitha partive politike që e quajnë vetën parti të modelit europian dhe ju bëjmë thirrje të bashkohen me grevën tonë, të bashkohen me parimet tona të paraqitura më lart. Ndërsa partive në pushtet u themi t’i thërrasin mendjes. Kthehuni në rrugën e drejtë europiano-perëndimore, përndryshe rrugët e Europës për ju do të jenë të mbyllura.
Ndaj, mos na fyeni, zotërinj! Ne ju themi, dhe kjo është e vërteta, se ne jemi fitimtarët e vërtetë të bëtejës së madhe midis komunizmit dhe antikomunizmit midis socializmit dhe kapitalizmit, midis totalitarizmit dhe demokracisë. Ndoshta, tani për tani, jeni në majat e pushtetit. Ndoshta, tani për tani, keni arritur majat e pasurimit. Por, do të vijë dita që ato t’i villni të gjitha. Ju nuk mund të ndërroni dot rrotën e historisë. E vërteta do të triumfojë mbi mashtrimin. Pasi, siç shkruante shumë vite më parë, i paharruarai Ali Asllani:
“Ja, ja grushti do të bjerë përmbi krye të zuzarve,
Koha është e maskarenjve, po Shqipëria është e shqipëtarëve!”
Kryetar i Shoqatës Antikomnuiste
të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës