


Lindita Budini
Shkodër 15 Korrik,2025
HYRJE
Në kushtet kur teknologjia dhe paisjet elektronike janë në përdorim masiv edhe mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë u nevojitet “shfrytëzimi” i tyre për të motivuar si mësimdhënien dhe mësimnxënien. Kjo jo vetëm sepse sjell metoda bashkëkohore dhe interaktive në mësimdhënie, por ndihmon nxënësit e gjuhës shqipe në diasporë të motivohen që të përmirësojnë kompetencat gjuhësore në mënyrë më efikase dhe më të shpejtë. Studimet kanë treguar që nxënësit që përdorin aplikacione gjuhësore ose platforma online të mësimit të gjuhës së huaj kanë një nivel më të lartë motivimi. Jo vetëm kaq por ata janë më të integruar dhe më të familiarizuar me cështje të ndryshme sociale dhe kulturore të gjuhës që ata mësojnë. Por në anën tjetër tregohet gjithashtu se këto rezultate të larta varen dhe nga qëndrimi, dëshira dhe aftësia e mësuesve për të implementuar teknologjinë në orën e mësimit.
Duke qënë se shumica e mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë janë të arsimuar në institucionet e Shqipërisë, në periudha kohore para se teknologjia të bëhej një mjet i fuqishëm në përdorim, ndihet një nevojë e madhe që mësuesi të marrë trajnime të vazhdueshme në përdorimin e kompjuterit po aq sa edhe në metodat bashkëkohore. Kjo e thënë sepse përdorimi i teknologjisë në ambientet e klasës nuk ka të bëjë vetëm me përdorimin e kompjuterit. Nqs duam të kemi nxënës të motivuar atëherë dhe ne si mësues na duhet të kërkojmë metoda dhe teknika më efikase që rrisin interesin dhe e bëjnë të mësuarit më shumë argëtues.
Ky prezantim ka si qëllim, që nëpërmjet rezultateve të një pyetësor të sjellë kontributin e tij për të theksuar rëndësinë e teknologjisë në motivimin e nxënësve që mësojnë gjuhën shqipe. Gjithashtu në pjesën e fundit ky punim sjell një listë me aktivitete që mund të përdoren lehtësisht nga mësuesit. (Aktivitetet janë prezantuar gjatë orës së punëtorisë në seminar).
MOTIVIMI DHE PËRDORIMI I TEKNOLOGJISË
Motivimi është faktori kyc në arritjen e qëllimit për të mësuar një gjuhë të huaj. Duke u këshilluar me fjalorin fjala “motivim” përkufizohet si entuziazëm, dëshirë, arsye ose zell për të bërë dicka. Gardner (2001) identifikon tre komponentë thelbësor të motivimit për të mësuar një gjuhë të huaj: përpjekjen për të përvetësuar gjuhën, dëshirën për të arritur qëllime specifike dhe sjelljen pozitive ndaj të mësuarit të gjuhës. Ne si mësues mund ta kuptojmë dhe madje ta përcaktojmë motivimin e secilit nxënës duke i parë këta elementë në përgatitjen dhe arritjet e tyre. Ashtu si e thekson dhe Dörnyei (2001), motivimi qoftë i brendshëm ose i jashtëm; me orientim instrumental ose integrues (Gardner &Lambert 1972), (Ushoida 2011) luan një rol vendimtar në përcaktimin e suksesit ose dështimit në cdo përpjekje mësimore.
Është teknologjia e përdorur në orën e mësimit motivi që mban gjallë vazhdueshmërinë e të mësuarit? Le të marrim shembullin e një makinë luksoze. Nqs nuk ka karburant nuk mund të lëvizë. Nqs zotëruesi i saj nuk ka patentë patjetër që do të kapet nga policia.
2
Por mund të lind edhe pyetja nësë vërtet do na duhej një makinë e tillë kaq e shtrenjtë. Ose nqs jemi shumë njerëz a nuk do ishte më mirë të përdornim transportin publik?1
Pra, ashtu si konsiderimi i cdo detaji në përdormimin e makinës për të arritur në destinacion, në të njëjtën mënyrë, mësuesi dhe nxënësi duhet të përzgjedhin teknologjinë në arritjen e objektivave të mësimit. Pa patur një ide të qartë të përdorimit të teknologjisë edhe rezultatet e të mësuarit nuk do të jenë të kënaqshme -nxënësi do të humbasë interesin dhe për mësuesin ora e mësimit do bëhet një rutinë e mërzitshme dhe e lodhshme. Dudeney (2022) vë në dukje se teknologjia vetë, nuk i motivon nxënësit për një kohë të gjatë, por në kombinim me një mësues të mirë, aktivitete interesante dhe materiale të dezinjuara mirë, mund të luajë një rol domethënës që ti mbajë nxënësit të angazhuar në të mësuarin e gjuhës. Në fund të fundit ne synojmë të kultivojmë te nxënësit pavarësinë për të mësuar edhe jashtë ambienteve të klasës duke i mbajtur të apasionuar në qëllimet që ata duan të arrijnë.
Për mësuesit nuk është e nevojshme të mendojnë të krijojnë orën më të shkëlqyer të mësimit duke përdorur sa më shumë teknologji, por të realizojnë objektivat e vendosur duke integruar edhe teknologjinë nëse shihet e arsyeshme. Sipas Stanley (2013) mund të ndiqet një listë me pyetje të thjeshta që qartësojnë mësuesit nëse përdorinmi teknologjisë është një ide e mirë për atë orë mësimi.
1. Pse të përdoret teknologjinë?
2. Për kë është më i mirë përdorimi i teknologjisë?
3. Për cfarë mund të përdoret teknologjiamë mirë?
4. Ku duhet të përdoret teknologjia?
5. Kur duhet të përdoret teknologjia?
6. Si duhet të përdoret teknologjia?
Sipas Stanley këto pyetje nuk kanë si qëllim të kritikojnë përdorimin e teknologjisë por më shumë kanë tendencën të vënë një baraspeshë midis aftësisë që mësuesi ka në përdorimin e teknologjisë dhe përzgjedhjes së mjetit teknologjik për aktivitetin e radhës. Sipas Reinders (2022) teknologjia mund të luaj një rol tranformues dhe me vlere në mësimdhënie vetëm kur përdoret me qëllime pedagogjike. Ky transformim do të ketë më shumë rezultate kur mësuesit janë trajnuar për të qënë përdorues konfident dhe entuziast të teknologjisë me qëllim që të nxisin interes të vazhdueshëm, përgjegjësi për të mësuarin dhe motivim të lartë gjatë procesit të të mësuarit të gjuhës në të gjitha kompetencat gjuhësore.
STUDIMI
Pyetësori i formuluar në Google Form, pati si qëllim të mbledh opinionet e mësuesve rreth përdorimit të teknologjisë. Ky pyetësor u bazua në disa nga pyetjet e ngritura nga
1 Shembull i marrë nga “Our experts advise on Using Technology to motivate learners” fq. 9
3
(Stanley 2013) të përmendura më sipër. Sipas tij teknologjia duhet të jetë pjesë e asaj që mësuesi është duke bërë në orën e mësimit, dhe jo një pushim, lehtësim ose shpërblim për nxënësin. Këtij pyetësori ju përgjigjen rreth 37 mësues nga 8 shtete në diasporë: 18 mësues nga Greqia, 11 mësues nga Italia, 2 mësues nga Austria, 2 mësues nga Gjermania, 1 mësues nga Anglia, 1 mësues nga Kanadaja, 1 mësues nga Suedia dhe 1 mësues nga Norvegjia. Mësuesit ishin të moshës nga 25 vjec deri në 51vjec e lart. Gjithashtu pjesa më e madhe e mësuesve të pyetur kishin kryer studimet për mësuesi në universitet e Shqipërise, dhe vetëm një pjesë e konsiderueshme kishin kryer studime të tjera në vendet ku jetojnë përkatësisht.
ANALIZË E PYETJEVE TË PYETËSORIT
⮚ A i përdorni paisjet teknologjike gjatë orës së mësimit?
Për të krijuar një ide sa më të qartë nëse teknologjia përdoret gjatë orës së mësimit të gjuhës shqipe në diasporë 4 prej 37 mësuesve ju përgjigjen negativisht, dmth nuk përdorin teknologji në një orë mësimi. Edhe pse është një numër i vogël përsëri lihet vend për të ngritur disa pyetje të konsiderushme:
– nëse mësuesit nuk janë të qartë me termin teknologji, pasi të gjithë jemi të pajisur me një telefon celular të lidhur me internetin;
– nëse mësuesit mund të kenë mungesë aftësie dhe njohurie në përdorimin e mjeteve teknologjike në ambientet që japin mësim ose e thënë më mire mbartin një frikë nga teknologjia;
– ose nëse klasat ku japin mësim kanë mungesa të aparateve teknologjike.
Prandaj ndërsa përpiqemi ti japim rëndësi të mësuarit të gjuhës shqipe në diasporë, duhet ti japim po aq rëndësi dhe zhvillimit professional të mësuesve dhe aspekteve të tjera që plotësojnë formimin e tyre. Në artikullin “Nuk ka vend në klasë për analfabetët dixhital”, botuar në gazetën Guardian (2012), Gavin Dudeney thekson:
“Ndërsa teknologjia është po aq pjesë e jetës personale dhe profesionale sa janë edhe stilolapsat dhe librat, kam frikë se do të dështojmë të luajmë rolin tonë në paisjen e tyre (të nxënësve) për të ardhmen. …”
Gjithashtu ai parashikon se nëse mbetemi kryesisht analfabetë në terma dixhitalë, rrezikojmë të përfundojmë si një bezdi e parëndësishme në jetën e përditshme të njerëzve që pretendojmë se i ndihmojmë, pasi realiteti është se të rinjtë e sotëm janë më shumë të përditësuar me risitë e teknologjisë sesa ne mësuesit.
⮚ Kujt i shërben përdorimi i teknologjisë?
Në përgjigjen e pyetjejes së mësipërme shumica e mësuesve e shikojnë teknologjinë si një mjet të nevojshëm si për mësuesin edhe për nxënënsin. Më poshtë po ju sjell një tabelë të përfitimeve që kanë nxënësit dhe mësuesit nga përdorimi i teknologjisë.2
2 Përfitimet u referohen nxënësve dhe mësuesve të anglishtes, marrë nga “Our experts advise on Using Technology to motivate learners” Oxford University Press. fq. 10
4
| Përfitimet për nxënësit | Përfitimet për mësuesit |
| Mundësi për tu ekspozuar me gjuhën si brenda ashtu dhe jashtë ambientit të klasës | Mësuesi pasuron të mësuarit me një larmi aktivitetsh |
| Përdorim i gjuhës autentike | Mësuesit mund të përdorin lirshëm gjuhën autentike |
| Fleksibilitet në të mësuar dhe pavarsi e përdorimit të mjeteve teknologjike që nxënësi ka në përdorim | Mësuesi i fokuson nxënësit dhe u jep udhëzime drejt një përdorimi pedagogjik dhe të përgjegjshëm të paisjeve |
| Gjuha mësohet në lidhje me vendodhjen, interesin, nevojat ose situatat relevante të nxënësit | Mësuesit i drejtojnë nxënësit në atë që është reale për të mësuar |
| Nxënësit kanë mundësi të përfshihen në komunitete sociale online | Mësuesit u krijojnë nxënësve mundësi komunikimi dhe bashkëpunimi edhe jashtë klasës duke krijuar rrjete komunikimi |
| Nxënësit kanë mundësi të përfshihen në vet vlerësim të përdorimit të gjuhës | Mësuesit monitorojnë rezultatet dhe identifikojnë problemet |
Sic duket nga tabela përfitimet e mësuesve janë më shumë punë diagostikuese, feedback, më shumë monitorime dhe më shumë burime për tu përdorur. Ashtu si në cdo aspekt jetësor teknologjia në përvetsimin e një gjuhe ka si qëllim të sjell cilësi në rezultate dhe kursim kohe në përgatitjen e materialeve të përdorura gjatë orës së
mësimit.
⮚ Ku dhe si mund të përdoret teknologjia?
Pyetjet e tjera mblodhën informacion se kur dhe si duhet të përdoret teknologjia. Duke u bazuar në përgjigjet e dhëna nga mësuesit arrihet në përfundimin se cfarë do lloj mjeti teknologjik që përdoret duhet të jetë në masë të caktuar, në bashkërendim me librin e kursit dhe në një kohë të limituar për të mos humbur objektivat e caktuara për orën e mësimit. Këto përgjigje zbulojnë angazhimin e mësuesve për të përqafuar metodat e reja që mundësohen nga përdorimi i teknologjisë sipas njohurive, mundësive dhe aftësive të gjithësecilit. Është për tu theksuar gjithashtu se në përgjigjet e tyre mësuesit kishin të qartë idenë se me përdorimin e teknologjisë duhet konsideruar dhe mosha e nxënësve duke parashtruar kështu dhe cështjen e sigurisë së fëmijëve.
KONKLUZIONE DHE REKOMANDIME
Ky studim solli, së pari, mendime nga studiues të mësidhënies kryesisht të gjuhës angleze të cilët hedhin dritë mbi faktin se teknologjia është e nevojshme për të motivuar nxënësit gjatë procesit mësimor të një gjuhe. Së dyti, u sollën rezultatet e një pyetësori që treguan se mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë e konsiderojnë teknologjinë si një
mjet të rëndësishëm që ndihmon mbarëvajtjen e mësimit dhe angazhimin e nxënësve si brenda dhe jashtë mureve të klasës.
Po në anën tjetër mbetet akoma një domosdoshmëri realizimi i studimeve dhe kërkimeve më konkrete, me qëllim që rezultatet të konsiderohen për qëllime edukative dhe arsimore vecanërisht për mësuesit e diasporës sic janë trajnimet, përgatitja e
5
materialeve didaktike dhe dixhitale në ndihmë të tyre apo dhe për krijimin e rrjeteve të punës që kontribojnë në rritjen e cilësisë në mësimdhënie në diasporë dhe mërgatë.
Teknologjia luan një rol të rëndësishëm në arsim dhe domosdoshmërisht dhe në mësimin e një gjuhe të huaj. Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë duhet të përdorë teknologjinë jo vetëm në përshtatje me mësimdhënien e lëndëve të tjera edukative por dhe si një mjet motivimi për nxënësit me qëllim që orët e mësimit të jenë të pëlqyera dhe të mësuarit të marri formën autonome dhe të ketë jetgjatësi.
REFLEKTIM
Si mësues të përkushtuar të gjuhës shqipe në diasporë, misioni ynë kryesor është t’i orientojmë nxënësit tanë, të cilët tashmë i përkasin gjeneratës së tretë të shqiptarëve jashtë vendit, të mësojnë gjuhën shqipe si mjet i një komunikimi që mban gjallë lidhjen dhe bashkimin me të afërmit e tyre në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe kudo ku familjarët e tyre gjenden. Roli ynë si mëuses kapërcen promovimin e të sjellurit në klasë mjete novatore, metoda efektive apo informacionet e fundit për të realizuar orën më të mrekullueshme të mësimit. Në këtë kontekst orët e mësimit marrin formën e përgatitjes së udhëtimeve me destinacione të larmishme dhe shumë domethënëse për cdo nxënës drejt tokës amë.