(Melsen Kafilaj- Royal Institute of Philosophy Fellow)
Muḥammad Farīd Wajdī (1875/8 -1954)
Marrdhëniet e Shqiptarëve me Egjiptin janë të vjetra dhe historike.Nuk do të ndalem këtu për ta përshkruar këtë fakt pasi ajo është pasqyruar më së miri dhe në mënyrë mjaft të detajuar në veprën e Profesor Muhamed Mufakut “Historia e Shqiptarëve të Egjiptit”.Ky artikull ndalet tek një prej figurave më të mëdha kulturore të këtij vendi, Muḥammad Farīd Wajdī. Po kush është personaliteti në fjalë?!
I lindur në Aleksandri të Egjiptit në një familje të pasur dhe me lidhje të forta me Perandorinë Osmane (I ati, Mustafa Wajdi ishte guvernator i Distriktit të Dumyāṭ-it), ai do të shkollohej fillimisht në shkollën “Hamrah Qabetan” dhe atë franceze “Monsieur Valon” dhe më vonë në Medresenë e famshme “Madrasah al-Tawfiqiyyah”në Kajro. Siç na njoftojnë studiuesit Jansen dhe Goldschmidt aktiviteti i tij i parë si intelektual do të ishte publicistika, me botimin në Suez të gazetës “Al-Hayat”(Jeta) përgjatë viteve 1899-1900 dhe më vonë me vijimin e saj në Kajro gjatë kohës kur punonte në Ministrinë e Vakëfeve (Awqaf) në vitin 1906.Në vitin pasardhës ai do të themelonte gjithashtu një tjetër gazetë, “Al-Dastur” (Kushtetuta) në të cilën do të publikonin shumë patriotë dhe intelektualë egjiptian.Por ajo çka përbën interes për ne por edhe për intelektualët shqiptarë të viteve 40-të është fakti që ky dijetar dhe mendimtar reformator, krejt i vetëm midis viteve 1923-1925 do të publikonte “Dāʾirat maʿārif al-ḳarn arrābiʿ ʿas̲h̲ar al-ʿis̲h̲rīn”, Enciklopedinë Islamike (10 Vol), një magnum opus e përbërë gjithësej prej 8419 faqesh. Ky botim është me mjaft vlera si nga pikëpamja kulturore dhe historike për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore dhe ajo është gjithashtu enciklopedia e dytë më e rëndësishme pas “Dāʾirat al-maʿārif” (Rrethi i Diturive), e para Enciklopedi Moderne e publikuar në Arabisht në vitin 1875 prej dijetarit libanez Buṭrus al-Bustānī.
Gjithashtu një interes të veçantë përbën edhe angazhimi i Wajdi-t si kryeredaktor i revistës së Universitetit Al Azhar “Nur Al Islam”(1931), emërtuar më vonë “Majallat Al Azhar”(1935) përgjatë periudhës 1933-1952.Ai e shndërroi këtë revistë në një platformë të vërtetë diskutimi të ideve fetare, letrare, filosofike dhe atyre shoqërore, duke i dhënë kështu një ton të theksuar kritik, apolegjitik dhe polemik.Arsyeja pse i përmëndim këto fakte nuk është e kotë.Një grup studentësh shqiptarë kishte studiuar gjatë kësaj periudhe në Al Azhar, në Universitetin Shtetëror apo edhe në Universitetin Amerikan të Kajros.Madje edhe Prof. Sadik Bega themeluesi i revistës “Kultura Islame”(1939), organ kulturor ky i Komunitetit Musliman Shqiptar e konceptoi këtë revistë në përputhje me vizionin e Ëajdi-t.Në këtë kuptim, Egjipti u kthye në një Kibël kulturore për intelektualët muslimanë shqiptarë të viteve 40-të dhe publikimi i intelektualëve egjiptianë si Taha Hussein, Mohammad Hussein Haykal, Mohammad Farid Wajdi, etj është treguesi më i mirë i këtij fakti.
Kopje e revistës “Majallat Al-Azhar”(1939)
Vexhi Buharaja e nis bashkëpunimin me revistën “Kultura Islame” në kohën kur ishte ende student i Medresesë së Tiranës, duke kontribuar në të me artikullin e parë “Tragjedia e Qerbelasë”, e botuar më 17 Shkurt të vitit 1940.Ai do të dërgonte herë pas here në këtë organ kulturor edhe ndonjë lirikë mitake dhe delikate, për të cilat do të flasim një herë tjetër.Po këtë vit ai do të punësohet pranë redaksisë së revistës në fjalë duke u marr gjithashtu edhe me veprimtarinë përkthimore. Kështu psh, në Mars të vitit 1940 Buharaja do të sillte të përkthyer nga arabishtja në bashkëpunim me Sadik Begën (Drejtorin Përgjegjës) 3 artikujt e parë të intelektualit Taha Hussein, në rubrikën “Heronj të Mendimit” të cilën ky i fundit e botonte tek revista më e vjetër kulturore e Egjiptit “Al Hilal” (Gjysmëhëna). Ndërsa Bega do të fokusohej po këtë vit në përkthimin e veprës “Jeta e Profetit Muhamed” (1933) të shkrimtarit dhe Ministrit Egjiptian të Edukimit Mohammad Hussein Haykal, Buharaja siç e pohon edhe vet tek “Kultura Islame” do të merrej me përkthimin e artikujve të botuar të Wajdi tek “Nur Al Islam” dhe “Majallat Al Azhar” pasi Wajdi sipas tij “jo vetëm që shkruan me logjikë të ftohtë e pa passion por gjithashtu ai është edhe një fanatik i paepur i së Vërtetës.”(Buharaja 1941:99)
Por në mendimin tonë, Buharaja 23 vjeçar do të zgjedhte që të përkthente artikujt e Wajdi në kuadër të debatit të Misionarëve Jezuitë Italianë në lidhje me Islamin në Shtypin Shqiptar të Kohës dhe për arsyen tjetër që Wajdi ishte një apologjet brilant i Islamit dhe Qytetërimit Islamik.Nuk është rastësore që artikulli i parë që Buharaja përkthen nga Wajdi është“Fuqia e Islamit në Botë”.Gjatë viteve 1940-44 të bashkëpunimit të Buharasë me revistën “Kultura Islame” ai do të përkthente edhe disa artikuj të tjerë të Ëajdi, artikuj të cilët më vonë do të përbënin lëndën përmbajtësore të dy veprave të rëndësishme të dijetarit prodhimtar: “Al-Madanīyah wa-al-Islām” (Qytetërimi dhe Islami) dhe “Al-Sīrah al-Muḥammadīyah taḥta ḍawʼ al-ʻilm wa-al-falsafah” (Biografia e Profetit Muhamed në dritën e Shkencës dhe Filosofisë), kjo e fundit një përmbledhje prej 80 artikujsh të shkruar nga Wajdi gjatë viteve 1939-1946 tek “Majallat Al Azhar” dhe e botuar nga dijetari tjetër egjiptian Muhammad Ragab al-Bayumi.
Si përfundim, mund të themi që nëpërmjet Vexhi Buharasë jo vetëm që kemi përcjelljen në shqip të një prej dijetarëve më të mëdhenj të Egjiptit si Mohammad Farid Wajdi por gjithashtu konfirmojmë edhe tendencën kulturore të intelektualëve muslimanë shqiptarë të viteve 40-të në drejtim të këtij Vëndi; tendencë e reflektuar si në mënyrën e konceptimit të revistës “Kultura Islame” por edhe në përmbajtjen e saj, me autorë dhe shkrime publicistike të përkthyera prej gazetave dhe revistave më në zë të Dheut të Faraonëve.