Prof. dr. Hysen Matoshi
Këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës/
Muharrem Blakçori ende është ndër emrat deri tani pak të njohur të kulturës dhe të historisë sonë. Për të është ditur fare pak dhe madje në qarqe të caktuara shoqërore. Ndërkohë vitet e fundit kanë dalë në shesh të dhëna që e shquajnë kontributin e tij në fushën fetare dhe arsimore. Muharrem Blakçori ishte i lindur në Pejë më 1894. Pasi kryen dy klasë të medrese në Pejë, për shkak të dhunës serbe, me familjen e tij detyrohet të shpërngulet në Kavajë. Pjesën më të madhe të jetës ishte pedagog, duke dhënë ndihmesë edhe për hapjen e shkollës shqipe në Kosovë më 1941, ndërsa vitet e fundit të jetës iu përkushtua përkthimit dhe hartimit të literaturës fetare në gjuhën shqipe. Vdiq më 1968 në Kavajë.
Përkthyes i Kuranit në gjuhën shqipe
Përkthimi i librave të shenjtë në akëcilën gjuhë përbën një akt të rëndësishëm kulturor dhe përgjithësisht shoqëror. Rëndësia e tyre shkon përtej dimensionit fetar, ngaqë, sikundër dihet, librat e shpallur kanë luajtur rol të rëndësishëm në emancipimin e gjithmbarshëm kombëtar, kanë formësuar bazat etike të shoqërisë, kanë hapur horizonte të reja të zhvillimit mendor, edukativ e kulturor të pjesëtarëve të një kombi të caktuar. Vetë përkthimi i tyre shënon dëshminë më bindëse të shkallës së përparuar të zhvillimit të një gjuhe, ndërsa koha e përkthimit përbën kthesë me rëndësi për procese të mëtejme të zhvillimit dhe të emancipimit. Po kjo gjë mund të thuhet sidomos për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe, marrë parasysh edhe strukturën fetare dominuese të folësve të saj. Pavarësisht se botimi i përkthimit të parë të plotë të Kuranit është i një date të vonshme, përkatësisht i vitit 1985, përpjekjet në këtë drejtim janë të periudhave më të hershme, qoftë si botim i pjesshëm i përkthimit, qoftë si përkthime të Kuranit të lëna, për arsye të kuptueshme, në dorëshkrim. Viteve të fundit janë identifikuar dy përkthime që u bënë në një kontekst shoqëror atipik për jetën normale fetare në një shoqëri njerëzore. Fjala është për përkthimet e periudhës së komunizmit në Shqipëri. Pas botimit të përkthimit të Salih Ferhat Hoxhës, i cili e pa dritën e botimit më 2016, kohët e fundit është identifikuar edhe përkthimi i Kuranit nga Muharrem Blakçori. Ky personalitet islam, krahas përkthimit të Kuranit, të lënë në një dorëshkrim prej 3019 faqesh të fletores, është edhe autor i një trashëgimie të pasur shkrimore në fushën e dijeve islame, po ashtu të lënë në dorëshkrim, ku veçojmë veprat “Akaidi dhe fiku”, “Ilmihali”, “Fjalor arabisht-shqip”(rreth 2000 fjalë) etj.
Pavarësisht se kemi një numër të konsiderueshëm përkthimesh të Kuranit në gjuhën shqipe, konsideroj se përkthimi i Muharrem Blakçorit është me interes të madh për një varg arsyesh. Së pari, është ndër përkthimet e para të plota, në mos edhe i pari në këtë vazhdë, marrë parasysh faktin se përkthyesi u nda nga kjo jetë që më 1968, ndaj edhe rëndësia e tij është e karakterit historik; së dyti, është fjala për një përkthim të bërë në një kontekst tepër të veçantë, sikundër ishte periudha e sundimit komunist – ateist në Shqipëri, kohë kur feja u ndalua me ligj; dhe së treti janë tiparet gjuhësore ato që e bëjnë një përkthim të lehtëlexueshëm për shtresat e gjera që shqipen e kanë gjuhë të komunikimit me Kuranin.
Pikërisht te kjo çështje, pra te veçantitë gjuhësore të këtij përkthimi do të fokusohemi në këtë shkrim, me shpresë që të nxisim si vëmendjen e botuesit të tij të mundshëm, ashtu edhe të lexuesit shqiptar, gjithnjë duke pasur parasysh rëndësinë e madhe fetare, kulturore e të përgjithshme që e ka një përkthim i tillë.
Një specifikë e rëndësishme e këtij përkthimi ka të bëjë me aspektin e profesionit të autorit, përkatësisht me dimensionin e theksuar profesional pedagogjik të tekstit që konsiston në një qartësi logjike të strukturës së fjalive, në përpjekjen që të përçohet në mënyrë sa më të kuptueshme domethënia e ajeteve kuranore. Pa asnjë dyshim, me një gjuhë të nivelit të këtillë komunikues, ky përkthim do të kishte ndikim të madh në formimin e lexuesve shqiptarë, të cilët nuk e lexojnë dhe nuk e kuptojnë dot gjuhën e shpalljes së Kuranit. Për të argumentuar këtë qartësi e lehtësi ligjërimi po sjellim një shembull nga përkthimi i tij, i cili në formatin e shqipes tingëllon kështu: “I dashur! Ky kur-ani qerim është ndihma e mëshirës e të Madhit Zot për të gjithë besimtarët që mburren e gëzohen me dinin islam. Siharigjoi ata se kur-ani qerimi e feja islame janë më të hajrit se të gjithë pasunia e dynjasë.” Një logjikë e tillë mendimore, e kthyer në një shprehje të asokohshme gjuhësore, e përçon mesazhin kuranor te marrësi i tij pa pasur nevojë për sqarime e komentime të tjera shtesë. Përgjithësisht fjalësi i përkthimit të Muharrem Blakçorit është i lehtë i zbërthyeshëm ngase është i zakonshëm, i ideuar për të lehtësuar të kuptuarit e materies nga secili lexues. Mbase në përcaktimin për një format të këtillë përkthimi, përveç nevojës së një auditori më të gjerë, do të ketë ndikuar fuqishëm edhe vetë praktika profesionale mësimdhënëse e tij. Duke qenë pedagog pjesën më të madhe të jetës, ai ka zbatuar parime frytdhënëse didaktike në hartimin e teksteve që ka lënë në dorëshkrim dhe këtu, krahas përkthimit – komentimit të Kuranit, kam parasysh edhe tekstin e “Ilmihalit” të lënë po ashtu në dorëshkrim. Tipar i ligjërimit, përveç fjalësit të kuptueshëm për një shtresë të gjerë folësish të shqipes, janë edhe fjalitë koncize e kuptimplote, shmangia e qëllimshme e frazave të lodhshme e të stërgjata, përjashtimi deri në parim i përsëritjeve të panevojshme e jofunksionale, sikundër që Muharrem Blakçori e ka ngritur në parim lidhjen logjike e fjalive në një strukturë unike frazash dhe më tej edhe në kontekste më të gjera tekstore. Sigurisht, sa herë bëhet fjalë për gjuhën e një autori a një vepre, në këtë rast një përkthimi, shembujt ilustrues janë më bindës se çfarëdo përfundimi e argumentimi përgjithësues.
Nisur nga ky fakt, mund të konstatojmë se kundruall përkthimit të Sherif Ahmetit, i cili përpiqet që tekstit arab t’i përgjigjet kuantitativisht me një leksik ekuivalent të shqipes, kuptohet edhe duke ruajtur me sa është e mundur edhe aspektet poetike të ligjërimit kuranor, Muharrem Blakçori ndjek një logjikë tjetër, ngase i përgjigjet leksikut të arabishtes me një numër më të madh fjalësh shqipe. I pari duket se ka synim të jetë sa më afër origjinalit, duke e pasuar skematikisht edhe strukturën leksikore të tekstit origjinal, të cilit mëton t’i përgjigjet me një tekst të përkthyer në format të ngjashëm strukturor, ndërsa i dyti përcaktohet për një përkthim shumë më të çlirët, për një tekst shpjegues e komentues, i cili qëndron më larg karakterit të gjuhës poetike të origjinalit dhe më afër gjuhës narrative e eksplikuese të tregimit, mbase duke u nisur nga vetëdija e përkthyesit se ky lloj ligjërimi akceptohet më lehtë nga lexuesi i zakonshëm.
Pa pretenduar të ndalem te vlerësimi lidhur me korrektësinë e përkthimit të tekstit të Kuranit nga arabishtja në shqipe, konsideroj se Muharrem Blakçori e ka shqipëzuar ndjeshëm përmbajtjen e Kuranit dhe e ka bërë tekst mjaft lehtë të lexueshëm dhe edhe të kuptueshëm prej folësve të shqipes, sidomos për ata që nuk kanë një formim të duhur filologjik e intelektual.
Është një fatkeqësi e madhe që ky përkthim nuk ka bërë jetë normale. Një jetë normale e tij do të parakuptonte botimin në kohën e përkthimit dhe leximin e vazhdueshëm të tij. Jam i sigurt se po të botohej këtu e gjashtë dekada më herët ndikimi i këtij përkthimi në jetën fetare dhe në mendimin e përgjithshëm islam ndër shqiptarët do të ishte shumë më i madh se sa mund ta jetë tani kur numri i përkthimeve të Kuranit në shqip është dyshifror. Pavarësisht kësaj, një botim i këtij përkthimi nuk do të ishte vetëm njohje e një vlere të hershme kulturore, nuk do të ishte thjesht sjellje e një dëshmie historike të publicistikës islame në gjuhën shqipe, ose provë e zhvillimit të terminologjisë dhe mendimit shkencor të asokohshëm në fushën përkatëse, ngase ky përkthim edhe në ditët e sotme do të kishte funksion praktik dhe do ta gjente lexuesin e tij për arsyet e përmendura më lart e që kanë të bëjnë me vlerat e tij si tekst, me tingëllimin e tij të natyrshëm në gjuhën shqipe dhe sidomos me dedikimin për një shtresë të gjerë të lexuesve. Një botim i këtij dorëshkrimi do të ishte shpagim i duhur moral e intelektual edhe për autorin e kësaj pune të madhe, përkthyesin e komentuesin Muharrem Blakçori, i cili në një kohë të vështirë, mbase më të vështirën në historinë tonë fetare, ia doli ta shqipëronte si të plotë Kuranin, librin e shenjtë, madje atëherë kur qoftë edhe përmendja e tij publike shkaktonte telashe të mëdha. Këtë punë madhore atëbotë mund ta bënte vetëm një njeri shpresëplotë në caktimin e mirë të Krijuesit tonë. Një botim, qoftë në versionin origjinal, qoftë në atë të redaktuar në planin e shqipes standarde, do të ishte mirënjohje dhe vlerësim edhe për familjarët e përkthyesit, të cilët në rrugëtimin e vështirë jetësor, që për dekada e imponoi diktatura komuniste, arritën ta ruanin një trashëgimi pa të cilën kultura jonë, kombëtare e fetare, gjuhësore e shpirtërore, diturore e artistike, do të ishte shumë më e varfër. Botimi i këtij përkthimi të Kuranit do të ishte edhe një dëshmi e pamohueshme se besimin në Krijuesin Fuqiplotë nuk e çrrënjosën as masat më drastike dhunuese të një ideologjie që mosbesimin e ngriti në nivelin e kodifikimit ligjor.
Ndër themeltarët e shkollës shqipe në Kosovë
Krahas kontributit të çmuar në fushën përkthimit dhe të sjelljes së dijeve islame në gjuhën shqipe, duhet thënë se Muharrem Blakçori ishte intelektual i shquar, i cili, pas ndryshimeve të mëdha të vitit 1941, kur Kosova dhe vise të tjera shqiptare u bashkuan me Shqipërinë (e cila atëbotë ishte nën pushtimin italian), dha kontribut të çmueshëm për themelimin e shkollës shqipe në viset shqiptare. Kosovarët, të cilët kishin migruar në Shqipëri, shumica prej tyre për shkaqe politike dhe të përndjekjes së vazhdueshme nga pushteti i Mbretërisë Jugosllave, pas dhënies fund të sundimit sllav (prill 1941), u kthyen të kontribuonin në ngritjen e përgjithshme të trojeve të tyre të origjinës. Shumë prej tyre, gjatë qëndrimit në Shqipëri, ndoqën shkollën në gjuhën shqipe dhe ishin të përgatitur profesionalisht e vullnetplotë që të ndihmonin vëllezërit e mbetur nën robërinë e pushtuesit dhe nën robërinë e padijes e të prapambetjes arsimore, që e kishte imponuar shtypja më e egër në krejt Evropën e asokohshme. Muharrem Blakçori, sipas dokumentacionit pedagogjik të Ministrisë së Arsimit, që asokohe drejtohej nga Ernest Koliqi, ishte ndër të parët që u angazhua për të përhapur shkollën kombëtare dhe dijen e arsimin në gjuhën amtare. Kështu, ende pa filluar viti shkollor, Muharrem Blakçorin e gjejmë të angazhuar në kurset verore që kishin synim përgatitjen e kuadrit për hapjen e shkollave amtare në vitin e ri mësimor. Bazuar në listën e datës 27 korrik 1941, Muharrem Blakçori ishte mësuesi i vetëm që kishte marrë përsipër hapjen e kursit veror në Istog, krahas një numri të mësuesve të tjerë që ishin dërguar si pararendës të njërit prej projekteve më të mëdha për kombëtarizimin e shkollës në Kosovë e në vise të tjera shqiptare të mbetura jashtë shtetit amë deri atëherë. Gjithnjë lidhur me kurset verore, më 1942, e gjejmë të jetë angazhuar në qytetin e Pejës. Më duhet të theksoj se të dhënat për këtë aspekt të rëndësishëm të historikt të arsimit kombëtar u morën nga vëllimi me dokumente të kohës, që e ka botuar vite më parë studiuesi i spikatur Qerim Lita, e që titullohet “Tokat e liruara 1941 – 1944” – përmbledhje dokumentesh, Logos A, Shkup, 2016.
Emri i Muharrem Blakçorit shfaqet edhe në një listë tjetër të kohës, që po kështu kishte të bënte me përgatitjen e kuadrit arsimor që do të dërgohej në Kosovë. Është fjala për listën e mësuesve që u dërguan për kurset verore në Kosovë, ku përveç emrit dhe mbiemrit të mësuesit përfshihej edhe e dhëna lidhur me vendin e angazhimit të tyre ekzistues në Shqipëri. Kështu, ndër 63 mësuesit e dërguar figuron emri i Muharrem Blakçorit që atëherë shërbente në fshatin Vorrozen të Kavajës.
Krahas punës në kursin veror, Muharrem Blakçorin e gjejmë të emëruar si mësues në shkollën nr. 1 të Pejës në vitin e rregullt shkollor 1941/1942, ku bënte pjesë krahas mësuesve, si: Nuredin Kopliku, Persa Gjonbalaj, Bajram Gashi dhe Rrok Jakova. Gjithsesi kalimi i një numri të mësuesve në tokat e liruara ishte bërë edhe me vendimin nr. 1431, të datës 5 nëntor 1941, të Këshillit të Ministrave të Mbretërisë Shqiptare, nënshkruar nga kryeministri Shefqet Vërlaci, në listën shoqëruese të të cilit ishte përfshirë edhe transferimi i Muharrem Blakçorit, sikurse u tha më lart, nga Vorrozeni i Kavajës në Pejë.
Përgjithësisht mund të thuhet se ngritja e kapaciteteve arsimore të kohës ishte fryt i angazhimit të drejtuesve të Qeverisë Shqiptare, e cila, ndonëse nën një sundim të huaj, mori një varg masash për të përmirësuar jetën e përgjithshme të shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera që atëbotë u bashkuan me Shqipërinë. Është evidente se gjatë atyre viteve (1941-1944) u jetësuan një varg të drejtash kombëtare, sociale, arsimore, fetare e identitare, të cilat, nën sundimin jugosllav, as që mund t’i paramendonte popullata shqiptare. Hapja e shkollave dha rezultate larghedhëse në zhvillimin e përgjithshëm dhe ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës, për çka dhanë një kontribut madh mësuesit e ardhur nga Shqipëria, e ndër ta pa dyshim edhe Muharrem Blakçori me bashkëvendësit e tij me origjinë nga Kosova, të cilët kishin një motiv më shumë për ta ndihmuar vendlindjen dhe bashkëkombësit e tyre. Është koha e fundit që emrat e këtyre mësuesve pishtarë të shkollës kombëtare të nderohen në të gjitha qytetet (a fshatrat) në të cilat ata dhanë ndihmesën e tyre të çmueshme. Emërtimi i ndonjë rruge të qytetit (në këtë rast emërtimi ndonjë rruge në Pejë me emrin e Muharrem Blakçorit), ose edhe i ndonjë shkolle, do të ishte një gjetje e duhur dhe nderim për kontributin historik të mësuesve pishtarë, të cilët me punën e tyre vetëmohuese e shënuan kthesën më të madhe për ndërgjegjësim kombëtar të shqiptarëve.