…Apo ndoshta ju, të nderuar historianë, nuk gjeni sa duhet beteja shumëditore, të ashpra e të përgjakshme me nazistët, aty ku ata deshën të qëndronin dhe luftëtarët tanë i dëbuan, që ju t’i përshkruani? Dhe shtrëngoheni tani të vërtiteni rreth Mukjes, kuislingëve, dhe armiqve tërësisht shqiptarë të Enverit? A nuk po rrëshqisni vetë në luftë civile, në atë që ju e kundërshtoni me force, ashk dhe artikuj të zjarrtë? Është botërisht e pranuar se Enveri me repartet partizane, i mundi me meritë forcat kundërshtare për pushtet, dhe se gjermanët, në një farë mënyre, na ndihmuan mjaft për çlirimin e Shqipërisë.
Dhe tani për këtë luftën tuaj civile, që po zhvilloni tash shtatëdhjetë vjet, a nuk do të gjendet një burrë i shquar, vizionar që t’ju thotë “zjarr ndalo!”/
Nga Pëllumb Kulla/
Ja këtu, pas shtatëdhjetë vjetësh! Unë nuk përfaqësoj Mid’hat Frashërin, megjithëse jam pakëz nacionalist. Bile edhe Paskal Milo nuk përfaqëson Enverin, megjithëse është tepër-tepër enverist!
Profesor Miloja me ca profesorë të tjerë janë shumë të shqetësuar se po përbëjnë pakicë, të pamjaftueshme për të mbrojtur vlerat e Luftës Nacional Çlirimtare dhe janë angazhuar me apele dramatikë që u bëjnë njerëzve për t‘u mbledhur në mbrojtje të saj.
Në mbrojtje të Luftës Nac. Çl. bashkohem edhe unë, dhe ma do mendja bashkohen të gjithë pasi në vetvete, për një komb nuk ka kauzë më të shenjtë se sa lufta për çlirim. Dëshmorët e luftës kundër okupatorit kanë nderimin e të gjithëve, të bashkëkohësve dhe gjeneratave pasardhëse.
Por historianët tanë të mbijetuar të erës enveriste bëjnë shejtan budallain, ngaqë me 29 nëntorin ata prapa luftës NCl shmangin temat përvëluese të dekadave që morën udhë me fundin e atij nëntori.
Ata janë shkencëtarë të lidhur këmbë e duar nga veprat që i bënë me titujt e profesorëve dhe doktorëve. Me këtë duarlidhje ata nuk do të duan ta prekin as Luftën e Klasave, as rrethimin e plotë të ishullit arbëror me 25 fije telash me gjemba, as prapambetjen e vendit, si më i fundit vagon i trenit europian, as mungesën totale të lirive, as bjerrjen morale, të pabesisë, të përgjimit dhe të spiunimit.
Mbase jam larg ofiçinës së tyre, por nuk e kam parë të qasen te lufta e gjatë me mullinjtë e erës, dua të them, me “armiqtë” në arte, ushtri dhe ekonomi. Ata e ndjejnë që lufta për çlirim është e vetmja temë që i nderon dhe atë e shohin ngushtë, pa nëntemat e saj të shumta me çështje kombëtare, me varësitë nga Kominterni dhe komunistët fqinjë e shumë e shumë nëntema të tjera. Edhe vetë luftën për çlirim ata e vlerësojnë siç i takon ta vlerësonin, por sillen si kali në lëmë rreth figurës së Enver Hoxhës dhe mbyllin sytë mbi shëmtinë historike të shfarrosjes së tërë komandantëve të Luftës Nacional Çlirimtare nga dora e kryekomandantit të tyre paranojak.
Historianët tanë nuk ndryshojnë aspak nga Nexhmie Hoxha tek nuk thonë asgjë të re.
Unë nuk e kam përjetuar kohën e pushtimit dhe luftën. Dhe as pretendoj të bëj historianin. Nuk kam as qasjen komode në dokumenta dhe e pranoj se nuk më mbetet veç të elaboroj faktet që më jep historia e PPSh dhe librat e zotërinjve historianë, shumica e të cilëve gjithashtu nuk e njohin pushtimin dhe luftën në vetën e parë, por shohin në mënyrë selektive dokumentat që mbështesin tezat e tyre të titujve shkencorë. Ca më keq kur profesor Miloja u drejtohet shënimeve të Enverit dhe beson në manipulimet dhe mashtrimet e tij historike derdhur në tërë ato volume, që janë materialisht më të pasura për komedianët, se për historianët.
Kësisoj në këto shënime unë nuk do jap shpjegime se nuk e kam lartësinë e duhur. Por do t’i kërkoj ca shpjegime, me shpresën se tërthorazi do të m’i japin zotërinjtë që po përmend.
Zotërinj historianë, lufta në Shqipëri që filloi në shkallë të gjerë në vitin e fundit pas pesë vitesh pushtim, ishte një luftë në favor të Çlirimit apo në favor të Pasçlirimit?
Mukja që u nis me qëllimin e mirë për të bashkuar forcat kundër okupatorit, a nuk ishte e gabuar që në nisje, pasi Balli ditën e parë të Mukjes ishte po aq tradhëtar, saç ishte dhe pas një jave, kur u shkye marrëveshja? Mos Enveri dhe tutorët e tij të përtejkufijve u vonuan shtatë dit për diagnostikimin e nacionalistëve të Mid’hat Frashërit?
Mid’hat Frashëri vetë ishte antikomunist i deklaruar… Mos ndofta vlerësimi i tij historik si armik i shqiptarëve nga ana juaj, bëhet ngaqë ishte armik i komunistëve?!
Shumë njerëz e njohin prejardhjen time dhe e dijnë që në familjen e ngushtë dhe në një rreth pak më të gjerë kam pesë njerëz të ekzekutuar nga komunistët. Kanë kaluar shumë dekada dhe pas të dënuarve tanë kanë vdekur dhe ekzekutorët e tyre. Pas një hetimi jo të plotë, anoj subjektivisht në mendimin se kanë qenë të pafajshëm. Gjithsesi, nuk kam parë as te vetja, as te të afërmit, kurrfarë ndjenje tjetër, veç keqardhjes. Nevojat e kthesave marramendëse tranzicionale kanë bërë që ata të kenë marrë edhe pafajësinë! Edhe pa një rigjykim të bëmave të tyre, të mira apo të këqia! Dhe bile, edhe janë dëmshpërblyer! E pranoj që është grotesk i pastër. Por a do të ketë mundësi që të mos trazohen më nga historianët tanë me emra autoritarë? Dhe me që delegatët e dy palëve në Mukje, ballistë, komunistë dhe jugosllavë, kanë vdekur që të tërë, a nuk do të ishte mirë që të lihen të qetë edhe ata, tok me fajet, gabimet, apo edhe krimet e tyre?
Apo ndoshta ju, të nderuar historianë, nuk gjeni sa duhet beteja shumëditore, të ashpra e të përgjakshme me nazistët, aty ku ata deshën të qëndronin dhe luftëtarët tanë i dëbuan, që ju t’i përshkruani? Dhe shtrëngoheni tani të vërtiteni rreth Mukjes, kuislingëve, dhe armiqve tërësisht shqiptarë të Enverit? A nuk po rrëshqisni vetë në luftë civile, në atë që ju e kundërshtoni me force, ashk dhe artikuj të zjarrtë? Është botërisht e pranuar se Enveri me repartet partizane, i mundi me meritë forcat kundërshtare për pushtet, dhe se gjermanët, në një farë mënyre, na ndihmuan mjaft për çlirimin e Shqipërisë.
Dhe tani për këtë luftën tuaj civile, që po zhvilloni tash shtatëdhjetë vjet, a nuk do të gjendet një burrë i shquar, vizionar që t’ju thotë “zjarr ndalo!”
Sadik Elshani says
Paskal Milo nuk eshte asgje tjeter, vecse nje bolshevik i papermiresueshem, shtremberues dhe falsifikues i historise sone i bunkerizuar ne mendesine komuniste.
J Rrapi says
Mire e ke o Zoti Pellumb ose me saket shume mire e ke por kush te degjon.Une nuk te sugjeroje dote ty por do kishja shume deshire qe te lexoja me shume artikuj nga ty dhe ndoshta me gjykimin tend te drejte do te ndryshoje edhe mendje te tjera qe te kthjellohen.