
Dr. Nikollë Loka/
Murat Toptani lindi me 13 korrik të vitit 1863. Ishte djali i Sait Seremedin Toptanit, personit që hodhi shkëndijën e parë të atdhedashurisë në Tiranë, nënshkrues i Memorandumit kundër copëtimit të trojeve shqiptare në Kongresin e Berlinit të datës 22 qershor 1878. Murati ka qenë atdhetar, poet, publicist, piktor, skulptor, si dhe mësues që punoi fort për futjen e gjuhës shqipe nëpër shkollat turke. Mbahet mend edhe si poliglot, ngaqë zotëronte disa gjuhë të huaja: turqisht, frëngjisht, arabisht, persisht, gjermanisht dhe italisht.
Murati lindi në Aka, (Kaukaz) në kohën e internimit të babait të tij atje. Mësimet i filloi në shkollën “Madam Fyres”, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në “Gallatasaraj” të Stambollit. Gjatë vijimit të mësimeve në “Madam Fyres” pati rastin të njihej me Asijen, vajzën e Sherif Frashërit, të cilën pas vdekjes së të atit e birësoi xhaxhai, poeti kombëtar, Naim Frashërit. Kjo njohje motivoi lindjen e një dashurie të sinqertë mes Muratit dhe Asijes, të cilët me pëlqimin e vëllezërve Frashëri u martuan. Lidhjet mes familjes Toptani dhe Frashëri u forcuan edhe më shumë kur Vesimeja, motra e Murat Toptanit, u martua me më të voglin e vëllezërve Frashëri, Mehmet Frashërin.
Edukata që i kishte dhënë familja Muratit, si dhe kontaktet e babait të tij me vëllezërit Frashëri në Stamboll, veçanërisht bisedat që ai pati me vëllezërit Frashëri luajtën një rol të madh në qëndrimet dhe formësimin e edukimit të tij. Pas përfundimit të arsimit të lartë, Murati me të shoqen Asije u kthyen në Tiranë, diku rreth vitit 1895. Ai udhëtoi shumë nëpër Shqipëri dhe punoi për përhapjen e gjuhës shqipe dhe rritjen e ndërgjegjësimit kombëtar. Duhet theksuar se në atë kohë, situata politike në Tiranë ishte mjaft e trazuar. Sipas raporteve nga konsullata austro-hungareze në Durrës, dy djemtë e Saidit, Murat dhe Refik Toptani qëndronin në krye të grupit të atdhetarëve tiranas. Me ta ishin edhe tre kushërinjtë e tyre, vëllezërit Abdi, Masar dhe Hamit Toptani, djemtë e Adem Toptanit. Me nismën e tyre u themelua klubi shqiptar “Bashkimi” në shtëpinë e tyre në Tiranë dhe ata njiheshin si kundërshtarë të partisë “Iftihad” të myftiut Musa Qazimi.
Murat Toptani bëri një propagandë të madhe për përhapjen e ideve kombëtare dhe qëndresës antiosmane gjatë vitit 1896 në Shqipërinë e Mesme dhe në të gjithë vilajetin e Manastirit, veçanërisht në Tiranë, Krujë, Elbasan, Ohër, Strugë etj. Ai është autor i promemories që popullsia e krahinës së Shpatit i dërgoi Portës së Lartë dhe ambasadorëve të Austro-Hungarisë dhe Rusisë në Stamboll, në dhjetor të vitit 1896, duke kërkuar njohjen e kombësisë shqiptare.
Në vitin 1897, Vjena vendosi të hapte një shkollë shqiptare djemsh në Tiranë, me angazhimin e Murat, Refik dhe Abdi Toptanit. Shkolla shqipe u hap fillimisht në shtëpinë e Osman Elezit, me mësues shkodranin Filip Ashiku. Por Murati u arrestua në tetor të vitit 1897 me akuza se mbështeste idenë e autonomisë së Shqipërisë, si dhe përpjekjet për bashkimin e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut me Besëlidhjen e Pejës, pasi ai kishte punuar për krijimin e degëve të kësaj Lidhje. Murati u mbajt i burgosur për disa kohë në Manastir, pastaj u internua, fillimisht në Gallipoli e më vonë në Tripoli të Afrikës së Veriut, ku u mbyll në burgun famëkeq Tarabuluz Garba. Nga mesi i vitit 1898, Murati arriti të arratisej nga burgu i Tripolit, duke kaluar kufijtë e Perandorisë Osmane. Fillimisht shkoi në Napoli dhe më pas u vendos në Brindizi të Italisë. Arratisja e tij pati jehonë edhe në qarqet diplomatike europiane, veçanërisht në ato austro-hungareze dhe italiane.
Në Itali, Murad bej Toptani lëvizi nga një qytet në tjetrin, në kolonitë shqiptare të atjeshme, ku vazhdonte propagandën për çështjen kombëtare. Në Brindizi, Murati filloi të bashkëpunonte me gazetën “Albania” të Anselmo Lorekios. Aty Murati botoi artikullin përkushtues “Shqipëria e shqiptarëve”, ku shkruante: “Kurrë nuk u ndal shpresa dhe dëshira e lirisë për shqiptarët”, si dhe poezitë “Vëllazëria”, “Shpata e Skënderbeut” etj.
Kur ishte në Itali, Murati mbajti lidhje me atdhetarë të tjerë shqiptarë që vepronin në qendrat e tjera të emigracionit shqiptar. Në një letër të datës 20 korrik 1898 drejtuar doktor Ibrahim Temos, shkruan nga Brindizi: “Për sa kohë të kem një pikë gjaku, do ta derdh për mëmëdheun tim të dashur, kudo që të jem, sido që të jetë”.
Në tetor 1898, Murati u gjend në Bruksel dhe prej andej, së bashku me Faik Konicën, shkoi në Bukuresht. Murat Toptani është ndër të paktët shqiptarë të shquar, për të cilin ka shkruar, më shumë se njëherë, vetëm fjalë të mira dhe Faik Konica. Sipas tij, “Murad Beu ishte patriot i zjarrtë, mjaft inteligjent… urren sllavët dhe ka simpati për Austrinë”. “Albania” e Konicës shkroi disa herë për Murat Toptanin dhe ai botoi aty disa vjersha. Murati bashkëpunoi edhe me gazetën periodike “Shqipëria” (1897-1899), numri i parë i të cilës u botua më 10 maj 1897 në Bukuresht. Kjo e përkohshme qarkulloi fillimisht një herë në javë dhe pastaj u bë e përdyjavshme. Në këtë organ bashkëpunuan edhe shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë si: Thoma Avrami, Loni Logori etj.
Platforma e saj kishte si pikësynim që t’i shërbente ndërgjegjësimit të shqiptarëve në përpjekjet kundër pushtuesit osman, për autonomi dhe pavarësi, për informimin lidhur me situatën luftarake që po krijohej në atë kohë në vendin tonë, si dhe t’i bënte të qartë opinionit të huaj lashtësinë e traditat patriotike të popullit shqiptar. Periodiku “Shqipëria”, përveç artikujve në gjuhën shqipe që zinin vendin kryesor, botoi edhe shkrime në gjuhë të huaj, si në greqisht, rumanisht dhe frëngjisht, me qëllim që edhe të huajt të njiheshin me aspiratat liridashëse të popullit shqiptar.
Nga fundi i vitit 1899, Murad bej Toptani u kthye në Shqipëri. Meqenëse u angazhua në veprimtari atdhetare, ndiqej nga autoritetet osmane dhe në vitin 1900 punonjësit e rendit kontrolluan shtëpinë e tij në Tiranë dhe gjetën atje libra mësimi në shqip, vjersha dhe Hstorinë e Skënderbeut, të gjitha të shtypura më 1881 me lejen e autoriteteve të kohës. Me atë rast, Murat Beu, me gjithë familje, u internua në Konia të Anadollit dhe u kthye në atdhe vetëm në vitin 1908. U angazhua në Lëvizjen Kombëtare për pavarësinë e Shqipërisë dhe mori pjesë në Kuvendin e Vlorës si përfaqësues i Tiranës.
Me atë rast ai mbajti një fjalim të ndezur dhe plot retorikë, të cilin e kishin vlerësuar Mit’hat Frashëri dhe baronesha Marie Amelie Frein von Godin, të dy dëshmitarë në ngjarje. Murat Toptani është njëri nga nënshkruesit e aktit të Pavarësisë.
Në korrik 1913, Esat Pashë Toptani u bë pjesë e Qeverisë së Vlorës. Ai përfaqësonte fuqinë turke dhe i uritur, siç ishte për pushtet, bëri kompromise të pabesueshme. Viti 1914 ka mbetur një vit i pafat për shqiptarët. Shtëpia e Muratit u dogj nga forcat rebele të Haxhi Qamilit. Humbi i gjithë koleksioni i thesareve artistike të familjes, përfshirë shumë libra, dokumente dhe letra të Naimit, Samiut dhe Konicës.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, Murati hyri vullnetar në ushtrinë austro-hungareze, por dhe Perandoria që e kishte përkrahur gjatë përndjekjeve që i bënte Porta e Lartë dhe vetë ai patën fund të hidhur katër vjet më vonë. Në një raport të shërbimit të fshehtë anglez të vitit 1916, lexojmë: “Murad beu: Nga familja e Toptanasve, kushëri me Esatin, por në konflikt të vazhdueshëm me të, shtrëngohet të jetojë jashtë shtetit. (…) Ka ndikim të madh në popullsinë e Shqipërisë së Mesme”. Siç duket, Murat Toptani u largua përkohësisht nga vendi dhe bashkëpunoi me organet e shtypit të shqiptarëve jashtë atdheut. Në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë ndodhet një vëllim me poezi prej tij, botuar në vitin 1924. Parathënien e ka shkruar Mithat Frashëri. Ky vëllim poetik u publikua nga shtypi i kohës, si pasqyrë e ngjarjeve në të cilat ai mori pjesë dhe ishte protagonist. Murati njihet edhe si skulptor; një bust të Skënderbeut e ka punuar në Napoli më 1898, një tjetër në Tiranë në vitin 1917. Më vonë, bustin e Tiranës e riprodhoi në bronz mjeshtri i skulpturës monumentale Odhise Paskali. Busti i gruas së tij, Asijes, është një nga punimet e tij më cilësore dhe ndër të paktat vepra të tij që nuk ishte politike. Karikatura e Murad Toptanit, e titulluar “Premtimet e Anglisë”, është një krijimet e tij më të mprehta. Dy kalorës, me vështrimin përpara, shkojnë drejt fatalitetit shaluar mbi kuaj, kapistallët e të cilëve i tërheq një skelet njeriu nga thellësia e greminës.
Në Arkivin Qendror të Shtetit, në Tiranë, gjendet një fletë broshure, fleta 14, e cila lartëson veprën patriotike të Murad Bej Toptanit. Dokumenti është në gjuhën osmane, ku në shqip nuk gjendet përkthimi, por një shpjegim për përmbajtjen: Fleta lartëson veprat patriotike të Murat beut, tue i thanë se ti edhe me të vra me tradhti e me tortura, nuk do të vdesësh, sepse me idealin e lirisë në zemër e me ndjenjat e sacrifices do të mbetesh i pavdekshëm e të tjera”. Përcaktimi i këtij teksti anonim duket se është i saktë, veprimtaria patriotike, më shumë se gjithçka tjetër, ka mundësi të rezultojë më jetëgjatë në histori. Përpjekjet për çështjen e kombit shqiptar i kushtuan Murat Toptanit vuajtje e dhimbje, iu desh të kalonte prova të shumta e të bënte sakrifica me çmim të lartë, por, në fund, firma në dokumentin e pavarësisë, më 28 nëntor 1912 i hapi portat e përjetësisë.
Mit’hat Frashëri shkruan se patriotizmin Murati e ka trashëguar nga i ati, por si rreze dielli e ka marrë nga Naimi. Murat Toptani ka pësuar një atak në zemër me 11 shkurt të vitit 1918. Portreti i Murat Toptanit i piktorit Vilson Haliti është një sintezë e veprës artistike të këtij patrioti të përkushtuar që u bë nderi i familjes së shquar Toptani. Sot një shëtitore e vendosur në qendër të Tiranës dhe një shkollë -vjeçare në qytetin e Tiranës mban emrin e tij. Presidenti Bamir Topi e ka dekoruar Murat Toptanin me titullin “Nderi i Kombit”, si njërin ndër firmëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë.