Prishtinë, 14 nëntor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, nëpërmjet një deklarate, ka shprehur dhimbjen e tij të thellë për viktimat e sulmeve të së premtes mbrëma në Paris të Francës, duke dënuar fuqishëm përpjekjet për terrorizimin e popullit francez me akte mizore e terroriste, përmes të cilave po synohet të mbillet frika në krejt botën e civilizuar.
“Në këto momente të vështira, ne ndajmë dhimbjen me popullin dhe institucionet e Francës, por edhe me mbarë botën demokratike, e cila duhet të mobilizohet fuqishëm për ta mundur të keqen që po i kanoset njerëzimit”, ka theksuar kryeministri Mustafa, duke u shprehur në emrin e tij dhe të institucioneve e qytetarëve të Kosovës ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa të plagosurve shërim sa më të shpejt.
Sipas kryeministrit Mustafa, Franca dhe aleatët tjerë euroatlantik do të gjejnë formën për t’iu përgjigjur këtij kërcënimi, sepse gabojnë të gjithë ata që mendojnë se mund t’i hedhin poshtë vlerat e lirisë nëpërmjet terrorizimit të njerëzve.