
ANTON MARKU JUNÇAJ/
Me krijimin e një shoqërie kulturo-artistike me emrin “Rapsha në mërgim“ këtu në Michigan para 10 vitesh si udhëheqës i valleve burimore fillova të grumbulloj disa gjëra të vjetra antike që i përdornim në valle popullore si buljerat, djepi, veshje kombëtare, vegla pune dhe instrumenta muzikore të traditës sonë kombëtare. Me kalimin e kohës kjo lami filloi të më hyjë në gjak çdo ditë e më shumë. Çdo herë që po merrja rrugën për Malsi po investoja në këtë Muzeum duke e pasuruar me elementë të ndryshëm të identitetit tonë kulturor. Sot në Muzeum kam afër 600 artikuj të trashëgimisë tonë kombëtare që tregojnë plotësisht një jetë të pastër e të gjallë shqiptare nga e sotmja e deri me mijëra vjet më parë. Këtu në këtë Muzeum gjenden diku 20 palë veshje kombëtare duke filluar nga ato të Malësisë e deri tek Çameria, nga Shakshir, Xhublet e deri tek Fustanella e nga Plava e Gucia e deri tek Mirdita. Muzeumi është i pasuruar me disa armë të vjetra dhe vazhdojmë me enë të jetës së përditshme historike të shqiptarëve. Në muze gjendet edhe një numër i madh i veglave të punës që janë përdorur që nga koha Ilire e deri më sot. Brenda Muzeumit ka një librari te pasur me shumë vepra të dalluara të letërsisë, historisë e albanologjisë shqiptare si vëllimet e At Gjergj Fishtës, Kanuni i Lek Dukagjinit, Meshari i Gjon Buzukut si dhe vepra te shkruara nga shkrimtarët letërsisë moderne shqiptare si Çun Lajci, Zef Pergega, Anton Berishaj, Nusret Pllana, Rrustem R Berisha etj.
Ky Muzeum jep një kontribut të rëndësishëm në përpjekjen për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.