
Akademik Vasil S. Tole/
Është një rast i mbarë që në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së dirigjentit dhe kompozitorit Simon Gjoni, promovojmë këtu, në Akademinë e Shkencave, librin “Muzika dhe Epoka”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij, i shkruar nga Andis Gjoni, i biri i kompozitorit.
Duke i uruar mirëseardhjen familjes Gjoni, znj. Gjoni dhe djalit e autorit Andis, si dhe kolegëve muziktarë dhe jo vetëm, dëshiroj t’ju përcjell urimet më të mira të Kryesisë së ASH-së për festimet e merituara të 100-vjetorit të lindjes së Simon Gjonit, festime që përfshijnë disa veprimtari, si koncerti me vepra të zgjedhura me orkestrën simfonike të RTSH-së dhe një kast të njohur këngëtarësh, të drejtuar nga maestro Eno Koço, “Nderi i Kombit”, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ekspozita, si dhe ky promovim i librit “Muzika dhe Epoka”.
Simon Gjoni i përket brezit të krijuesve dhe muziktarëve që bënë historinë e muzikës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, një brez i ardhur nga ajo që konsiderohet “qarku muzikor i Veriut”, me qendër në qytetin emërmadh të Shkodrës. Pjesë e këtij brezi janë Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Tonin Zadeja Tonin Daija, Gjon Simoni, Gjon Kapidani etj.
Pikërisht për këto personalitete, një pjesë mbajtës të titullit akademik-Daija, anëtarë të një akademie shqiptare-Zadeja, ose të vlerësuar me titujt më të lartë artistikë të vendit tonë si Jakova, Harapi etj., këtu, në Akademinë tonë të Shkencave, me raste përvjetorësh si ky i z. Simon Gjoni, janë organizuar aktivitete nderimi e promovimi për ta dhe trashëgiminë e tyre.
Nga ana tjetër, e vërteta kërkon të thuhet se ndërsa për kompozitorë si Jakova, Zadeja, Harapi e ndonjë tjetër janë shkruar monografi e studime për jetën dhe krijimtarinë e tyre, jeta dhe krijimtaria e Simon Gjonit nuk ka qenë objekt i ndonjë libri të veçantë (pavarësisht botimeve me krijimtarinë e tij muzikore, edhe këto nën kujdesin e familjes), e, për pasojë, për të e krijimtarinë e tij është folur e shkruar më pak edhe pse fama e këngës “Lule borë” e ka shenjuar emrin e tij në disa breza shqiptarësh.
Nga sot, libri “Muzika dhe Epoka” do të fillojë të plotësojë një boshllëk që ishte krijuar në lidhje me njohjen sa më të mirë të jetës dhe krijimtarisë së Simon Gjonit, te muzikëdashësit dhe profesionistët e fushës. Unë e lexova librin dhe mund të pohoj se ai është shkruar me vërtetësi, mbështetur mbi fakte e dokumente, është shkruar me dashurinë e birit për babanë që kishte, pra në faqet e librit do të gjeni njëherazi, si autorin e paanshëm që shkruan historinë e jetës dhe veprës së artistit Simon Gjoni, po ashtu edhe ndjeshmërinë e djalit që shkruan me adhurim për babanë artist e krijues. Ky raport i dyanshëm mendoj se i ka bërë mirë librit, duke sjellë një ritëm të brendshëm në tekstin e librit që të bën ta lexosh me një frymë.
Libri ndjek parimin kronologjik, pra fillon me familjen, historikun e familjes Gjoni, me rrënjët e shtrira thellë në malësitë e Veriut, për të ardhur në Shkodër, aty ku u shpërngul familja e Simon Gjonit. Për të vazhduar me fëmijërinë e shkollimin e përgjithshëm, atë muzikor pranë françeskanëve të mëdhenj, aty ku Simoni është bashkë me kompozitorët e mëdhenj të së nesërmes. Vijon me krijimet dhe interpretimet e para të këngëve të tij, ndër to një vend të posaçëm zënë rrethanat e krijimit të kryekëngës “Lule borë”, për të vazhduar me shkollimin për dirigjim në Pragë, aktivitetin si dirigjent pas shkollimit pranë Teatrit të Operës dhe Baletit, orkestrës simfonike të RTSH-së dhe si pedagog pranë Institutit të Lartë të Arteve, sot UART, në Lidhjen e Shkrimtarëve etj. Një vend i veçantë i kushtohet kompozimeve, rrethanave të krijimit të tyre e sigurisht krijimit të familjes së tij të dashur, e cila po vazhdon të kujdeset për trashëgiminë e tij pas ndarjes nga jeta në mënyrë të parakohshme. Një katalog i plotë i krijimtarisë së Simon Gjonit ia shton vlerën këtij botimi.
Pa u zgjatur, pasi të tjerë folës që e kanë njohur nga afër do të shpalosin vlerat e z. GJONI, e uroj Andisin për këtë botim që i shtohet bibliotekës muzikore shqiptare, duke uruar që njohja e krijimtarisë së Simon Gjonit të vazhdojë edhe me publikime të tjera në të ardhmen.
Fjala qe Akademik Vaso Tole, mbajti sot ne promovimin e librit “ Muzika dhe Epoka”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së dirigjentit dhe kompozitorit Simon Gjoni, i shkruar nga Andis Gjoni.