
NGA PELLUMB LAMAJ*/
Kish filluar të binte dëbora e parë.Ashtu dalë ngadalë dhe e qetë floktonte nga retë duke mbuluar rrugicat e ngushta ndërmjet kapanoneve prej druri, catitë e kodrat e zymta që rrethonin Luginën e Vdekjes me emrin Spac, ku qenie të pafajshme të kryqëzuara padrejtësisht nga mendja djallëzore e shpirti kriminal të njeriut, dergjeshin aty me dekada të harruara dhe nga vet Zoti.
Perdja e bardhë vallëzonte nën dritat e prozhektorëve të ushtarëve drejtuar nga ne dhe telat me gjemba ,që më parë gërvishnin qiellin ,nuk dalloheshin më.Herë pas here ushtarët shkrepnin nga një fishek drite për të na treguar se na kishin nën shenjë,dhe drita e tyre merrte pamjen e një vetëtime që sytë tanë të lodhur drejt qiellit e prisnim me kohë.
Pasi hëngrëm copën e bukës dhe gotën e cajës,bashkë me një mikun tim që dergjej burgjeve për tre dekada nisëm të bëjmë xhiron e zakonshme të darkës në hapësirën e kapanoneve.Dëbora zbriste nga,retë,ledhatonte kokat tona dhe trashte e patrazuar dhe magjishëm shtresën e bardhë ku ne zvarrisnim opingat e llastikut.
Bëmë disa xhiro dhe i ngazëllyer nga bukuria që kishte ndryshuar pamjen e zymtë e të zezë të kampit ,ndalova hapin dhe ju drejtova mikut tim;
Sa bukur…..Këtë s’na e ndalojnë dot barbarët !
E pashë që ai u ngrys e pas disa hapash ndaloi ,drodhi një cigare,e ndezi e pasi e thithi dy tre herë mu drejtua ;
Pëllumb a e di ti krimin më të madh që hijenat e kuqe kryen ndaj nesh ?
E vështrova gjatë,ngrita supet dhe për momentin s’dija c’ti thoja.Krimet ishin aq të shumta e makabre sa dhe vet ne kishim filluar të mos i besonim.
Bëmë dhe disa hapa dhe pastaj mu drejtua me shikimin hedhur larg,tej telave me gjëmba ndoshta i mbërthyer nga ndonjë muzë e castit që vinte ti ndizte shpirtin.
Krimi më i madh është se na vodhën dhe na vranë të drejtën hyjnore për të dashuruar.Ti je i ri ,plot energji e zjarr do ta prekësh lirinë, por ne…… – dhe pasi thithi fort cigaren lëshoi një re tymi që ju bashkuan flokëve të dëborës që vazhdonte të binte e patrazuar dhe e qetë.
Vazhduam xhiron dhe pas pak ndaloi sërish dhe mu drejtua ;
Ti je ri dhe shkruan, por mbi të gjitha të shkruash për ty është dhe detyrë.Tregoi botës një ditë për ne… për ne që u kryqëzuam këtu vetëm e vetëm se donim të bukurën.
Në cast u dëgjua britma e policit që lajmëronte që të futeshim nëpër kapanone.I thamë natën e mirë njeri tjetrit e u shpërndam.Shkova pranë krevatit të kashtës dhe nisa të rrotullohem majtas e djathtas . Fjalët e tij më binin si daulle e s’më ndaheshin për asnjë cast.Në sytë e tij që ende shkëlqenin,në gjoksin e tij plot gulcim e në fytyrën plot rrudha,atë natë të gjatë e të pafund, preka nga afër krimin më të madh të të gjithë krimeve.Nuk di sa kohë kaloi ashtu dhe vetëm gërhitjet dhe ndonjë britmë nga ndonjë ëndërr e keqe e ndonjë fatkeqi, më zgjoi nga ai vegim.Mora letrën e ashtu zemërthyer nga ato që më tha miku im hodha në letër disa vargje …….
Ishte herët në mëngjes kur u dëgjua britma e tellallit dhe policit që bënte zgjimin. ,Jashtëëë! Gjithçka ishte mbuluar nga velloja e bardhë e dëborës.E mora letrën e futa në xhep dhe pasi mbaruam një nga një nevojat personale duke pritur në rradhë ,u nisa te sporteli i mencës për të marrë supën. Mbaruam mëngjesin dhe pas pak na urdhëruan të futeshim në sallën e leximit kur bëhej leximi i veprave të diktatorit.Para se të futeshim brenda ,i zgjata letrën mikut tim.Ai e mori dhe e futi menjëherë në xhep.
Do ta lexoj më vonë – më tha – se po më kapën – më kalbën në qeli.
Tej telave me gjemba një vegim rinie
C’më zhduku sonte monotoninë
Me c’zjarr e afsh m’rrëmbeu n’ato ije
Ku muz’ e plagosur kërkon arratinë
Ishte Dita e Verës e lulet vallëzonin
Hijenat e kuqe më vodhën rininë
Më këputën,më ndanë nga lulet e tjera
E më flakën të vyshkesha në errësirë.
I gjithë në rrjetë u katandis globi
Detrat, oqeanet, qielli vet’
Vall’ si duron Zoti tek sheh nga sipër
Si kryqëzohen e shuhen bijtë e vet.
*DITARI I BURGUT Spac 1983