Dr. Sali Kadria nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, sjell para lexuesit studimin e tij “Nacionalizmi shqiptar në vitet 1912-1924”. Në një rrëfim për “Dielli”-n e “Vatrës” New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, Dr. Sali Kadria shprehet se Lindja e nacionalizmit shqiptar u nxit kryesisht nga publikimi i platformave shoviniste të shteteve fqinje ballkanike në vitin 1844. Nacionalizmi shqiptar i përket modelit të nacionalizmit etnik. Nacionalizmi shqiptar ka shfaqur një dallim të rëndësishëm nga nacionalizmat ballkanikë, ai nuk ka qenë ekstremist si dhe nuk është mbështetur në fondamentalizmin fetar dhe në përjashtimin etnik.
ZHVILLIMI I NACIONALIZMIT SHQIPTAR NGA VITI 1912-1924
Studimi paraqet interes për të kuptuar ecurinë e zhvillimit të nacionalizmit shqiptar; rrugët dhe proceset përmes të cilave mori formë identiteti dhe ideologjia kombëtare; rolin që luajti nacionalizmi për krijimin dhe forcimin e shtetit shqiptar dhe ndikimin që pati shteti shqiptar në përhapjen e ideologjisë së nacionalizmit. Punimi studion së pari, zanafillën, karakterin e nacionalizmit shqiptar, kushtet historike dhe faktorët që çuan shqiptarët drejt formimit të shtetit të tyre të pavarur; Së dyti, veprimtarinë dhe problemet me të cilat është ndeshur nacionalizmi shqiptar në vitet e para të ekzistencës së shtetit shqiptar; Së treti, marrëdhënien e grupeve të nacionalizmit me shtetin shqiptar; Së katërti, rrymat e shfaqura brenda nacionalizmit shqiptar dhe alternativat e parashtruara prej tyre për zgjidhjen e çështjes kombëtare.
FAKTORËT QË KANË NDIKUAR MBI NACIONALIZMIN SHQIPTAR
Faktorët që kanë ndikuar mbi nacionalizmin shqiptar janë të shumtë, të brendshëm, të jashtëm dhe në disa raste të hershëm në kohë. Çështja e nacionalizmit shqiptar është trajtuar edhe më parë nga historiografia shqiptare. Në disa prej këtyre studimeve ka raste ku lihen mënjanë dobësitë e faktorit shqiptar. Ngjarjet dhe personalitetet historike që kontribuan për lindjen dhe përhapjen e ideologjisë kombëtare janë aq të shumtë në numër, sa që çdo kërkues shkencor do ta kishte të vështirë t’i studiojë, t’i shoshisë, t’i lidhë së bashku dhe t’i nxjerrë në dritë. Gjatë punës për realizimin e këtij punimi, është bërë përpjekje për të qënë sa më objektiv dhe në kërkim të shkaqeve historike që kanë nxitur dhe penguar zhvillimin e nacionalizmit shqiptar. Ky studim është trajtuar, duke kombinuar parimin tematik me atë kronologjik. Për përgatitjen e saj, jam mbështetur si në burimet arkivore shqiptare, austro-hungareze, britanike dhe italiane. Po kështu, të pasura janë të dhënat e shtypit shqiptar, të cilat hedhin dritë për të gjitha etapat në të cilat kaloi nacionalizmi shqiptar në vitet 1912-1924. Ky studim mbështetet gjerësisht edhe në literaturën historiografike shqiptare dhe të huaj. Përveç autorëve shqiptarë që janë marrë me këtë periudhë, kemi përdorur edhe studimet e autorëve perëndimorë, të cilët dallohen për lirinë e mendimit në trajtimin e problemeve që kanë të bëjnë me këtë temë. Gjatë studimit, më ka tërhequr vëmendjen këndvështrimi i studiuesit të njohur Anthony D. Smith, një nga përfaqësuesit kryesorë të shkollës së etno-simbolizmit, i cili mbështet idenë se kombi është njëherësh fenomen modern, po aq edhe paramodern. Përfundimet e studiuesit Miroslav Hroch, veçanërisht sa i përket fazave të zhvillimit dhe përhapjes së ideologjisë nacionaliste janë përdorur në këtë punim shkencor. Me interes për shtjellimin e kësaj teme kanë qenë edhe mendimet e studiuesit John Breuilly.
NACIONALIZMI SHQIPTAR, SFIDA DHE VËSHTIRËSI
Gjatë punës sonë kemi ndeshur edhe disa vështirësi. Së pari, trajtimi i kësaj teme është multidisiplinar. Së dyti, ideologjia e nacionalizmit vazhdon të jetë ende pjesë e ligjërimit të epokës sonë. Prandaj, trajtimi i kësaj teme, kërkon një analizë objektive të kujdesshme. Së treti, trajtimi i nacionalizmit në këndvështrimin historik paraqet vështirësi në gërshetimin e tematikës me kronologjinë historike. Së katërti, materiali i nevojshëm dokumentar dhe literatura kanë qenë mjaft të shpërndara dhe në gjuhë të huaja. Përveç kësaj, vëzhguesit e asaj kohe si dhe studiuesit që janë marrë me çështjen e nacionalizmit shqiptar për probleme të veçanta kanë shprehur mendime të ndryshme dhe në disa raste kontradiktore. Kjo ka ardhur për shkak të interesave personale apo të shteteve që përfaqësonin, por që kanë çuar deri në shtrembërimin e fakteve historike. Punimi ynë përbëhet nga hyrja dhe tetë krerë. Në kreun e parë, kemi trajtuar nacionalizmin shqiptar si fenomen politik. Në kreun e dytë, nacionalizmi shqiptar është vështruar në raport me faktorët ndërkombëtarë. Kreu i tretë, trajton krizën e nacionalizmit shqiptar që u shoqërua me shpërbërjen e shtetit shqiptar. Kreu i katërt, i kushtohet dilemave të nacionalizmit shqiptar për arritjen e paqes pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Kreu i pestë, analizon përpjekjet dhe mangësitë e nacionalizmit shqiptar në procesin e ribërjes së shtetit. Kreu i gjashtë, pasqyron raportet e nacionalizmit shqiptar me institucionet fetare. Kreu i shtatë, trajton raportet që ndërtoi nacionalizmi shqiptar me minoritetet në Shqipëri. Kreu i tetë, analizon problemet që çuan në përçarjen e nacionalizmit shqiptar. Punimi mbyllet me burimet arkivore dhe literaturën historiografike. Me këtë rast e ndjej obligim t’i shpreh falenderimet e mia për motrën time Albana, udhëheqësen shkencore të tezës sime doktorale, Prof. dr. Fatmira Musaj, recensentëve të kësaj monografie, Akademik prof. dr. Beqir Meta, Akademik prof. dr. Marenglen Verli dhe Prof. assoc. dr. Anton Panchev, të cilët i falenderoj përzemërsisht për vërejtjet e sugjerimet me vlerë.
KUSH E NXITI LINDJEN E NACIONALIZMIT SHQIPTAR?
Lindja e nacionalizmit shqiptar u nxit kryesisht nga publikimi i platformave shoviniste të shteteve fqinje ballkanike në vitin 1844. Mundësia e copëtimit të tokave të banuara shqiptarët nga shtetet fqinje, mbeti një shqetësim dhe rrezik permanent për banorët e këtyre viseve. Nacionalizmi shqiptar është zhvilluar me ritme progresive të shpejta gjatë çerekut të parë të shekullit XX. Natyrisht, përhapja e nacionalizmit shqiptar në mesin e banorëve nuk ka ecur gjithnjë në mënyrë drejtvizore. Procesi i ndërtimit të kombit shqiptar ka njohur uljet dhe ngritjet e tij në disa momente të shkurtra. Nacionalizmi shqiptar nuk është nacionalizmi më i ri dhe as më i fundit në Ballkan. Ideologjia kombëtare është shfaqur pothuajse në të njëjtën kohë te shqiptarët, siç u shfaq edhe te popujt e tjerë ballkanikë, por shqiptarët vonuan pak më tepër se fqinjët për formimin e shtetit kombëtar. Ndryshe nga nacionalizmat e tjerë ballkanikë, nacionalizmi shqiptar nuk u mbështet në doktrina fetare, por për shkak të vështirësive të tij të brendshme e të jashtme, ndryshe nga nacionalizmat fqinj, ai u përpoq të zbatonte parimin e njohur të Revolucionit Francez të vitit 1789 “Liri, barazi, vëllazëri”.
NACIONALIZMI SHQIPTAR I PËRKET MODELIT TË NACIONALIZMIT ETNIK
Nacionalizmi shqiptar i përket modelit të nacionalizmit etnik, megjithatë për shkak të ndikimit të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, nga fillimet e tij dhe gjatë gjithë periudhës së marrë në studim, ai ka shfaqur një natyrë mbrojtëse. Nacionalizmi shqiptar ka shfaqur një dallim të rëndësishëm nga nacionalizmat ballkanikë, ai nuk ka qenë ekstremist si dhe nuk është mbështetur në fondamentalizmin fetar dhe në përjashtimin etnik. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, detyrat kryesore që qëndronin para nacionalizmit shqiptar ishin: Ngritja e strukturës së shtetit shqiptar; “bërja e shqiptarëve” si komb modern; mbrojtja e territorit të shtetit shqiptar nga rreziku i aneksimit prej shteteve fqinje si dhe përpjekja për të gjetur mundësinë e bashkimit të trojeve etnike të banuara në shumicë nga shqiptarët. Pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, nacionalizmi shqiptar i konsideroi të padrejta dhe nuk i pranoi vendimet e këtij forumi ndërkombëtar. Sipas këndvështrimit të nacionalistëve shqiptarë, më shumë se gjysma e trojeve të banuara nga shqiptarë mbetën jashtë shtetit shqiptar.
DY GRUPIMET KRYESORE BRENDA NACIONALIZMIT SHQIPTAR
Pas vitit 1913 deri në vitin 1924 (e më vonë), brenda nacionalizmit shqiptar kanë ekzistuar dy grupime kryesore: 1. Grupimi i nacionalizmit të moderuar,i cili mendonte se “Pa Shqipëri nuk ka Kosovë dhe Çamëri” dhe 2. Grupimi i nacionalizmit irredentist, anëtarët e të cilit mendonin se “Pa Kosovë nuk ka Shqipëri”. Të gjitha lëvizjet kryengritëse brenda shtetit shqiptar në periudhën 1912-1924 janë zhvilluar gjoja si “lëvizje të kombëtarëve” për të përmbysur “antikombëtarët”. Kjo ka rrënuar themelet e shtetit dhe unitetin kombëtar të shqiptarëve. Në zhvillimin e ideologjisë kombëtare në harkun kohor 1919-1924 pati ndikim Lufta e Parë Botërore dhe sidomos ngritja e një administrate shqiptare sipas modelit perëndimor gjatë këtyre viteve. Në periudhën e mëvonëshme, modeli austro-hungarez dhe francez i administratës publike u mor si model nga nacionalistët shqiptarë. Gjatë viteve 1912-1924, dobësia kryesore e nacionalizmit shqiptar ishte ekzistenca në mënyrë permanente e një shteti të dobët, ndërkohë që kjo dobësi është shfrytëzuar me mjeshtëri nga shtetet fqinje për synimet e tyre ekspansioniste. Konsolidimi i shtetit shqiptar mbeti një brengë e vazhdueshme për këtë nacionalizëm.
NACIONALIZMI SHQIPTAR NJOHU NJË RRITJE VEÇANËRISHT NGA VITI 1920
Nacionalizmi shqiptar njohu një rritje veçanërisht nga viti 1920 e më pas. Qeveria e Sulejman Delvinës dhe ajo e drejtuar nga Ahmet Zogu kontribuan mjaft jo vetëm në ringritjen e shtetit kombëtar shqiptar, forcimin e sovranitetit, afirmimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në arenën ndërkombëtare por edhe në nxitjen e mobilizimit social të shqiptarëve. Në vitet 1921-1924, jetën politike dhe kombëtare të shqiptarëve e dominuan disa figura kryesore të nacionalizmit shqiptar: Fan Noli, Ahmet Zogu dhe Faik Konica. Ahmet Zogu synonte stabilizimin e brendshëm të shtetit shqiptar, duke u mbështetur në parimin se kombi shqiptar kishte nevojë për forcimin e autoritetit të shtetit dhe kjo arrihej vetëm përmes zbatimit të ligjit me dorë të fortë. Nga ana tjetër, Fan Noli si drejtues i opozitës mendonte se vendi nuk mund të zhvillohej përmes mënyrës autoritare. Fan Noli dhe Faik Konica mendonin se për të vendosur stabilitetin e brendshëm të shtetit shqiptar duhej të shmangeshin shkaqet politike, ekonomike dhe sociale që nxisnin pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj shtetit të tyre dhe që çonin shqiptarët në kryengritje të njëpasnjëshme. Ata mendonin se krahas zhvillimit ekonomik, vendi kishte nevojë edhe për vendosjen e një sistemi demokratik parlamentar. Ndonëse në këtë periudhë u hodhën themelet e traditës parlamentare shqiptare, ky model nuk ndikoi në stabilizimin e shtetit shqiptar.
ÇFARË NDIKOI NË DOBËSINË E NACIONALIZMIT DHE TË SHTETIT KOMBËTAR
Në dobësinë e nacionalizmit dhe të shtetit kombëtar ka ndikuar ruajtja nga periudha e kaluar e karakterit lokalist dhe e sedrës së sëmurë egoiste të një pjese të mirë të nacionalistëve shqiptarë. Për shkak se shteti shqiptar nuk arriti të konsolidohej, nacionalizmi shqiptar mbeti më i dobët krahasuar me nacionalizmat e tjerë të vendeve të Ballkanit. Për rrjedhojë, nacionalizmi shqiptar mbeti një kërcënim më i vogël për paqen dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit. Ideologjia e nacionalizmit shqiptar u mbështet në ligjërimin e “orientalizmit”. Sipas këtij diskursi, shqiptarët duhej të “arratiseshin nga Lindja”, pasi kjo e fundit ishte burimi i të gjitha të këqijave, ndërsa kultura dhe mënyra perëndimore e jetesës ishin mishërim i “së mirës dhe i progresit”. Ndërtimi i një administrate publike profesionale dhe kujdesi i shtetit ndaj qytetarëve të saj pa asnjë lloj dallimi, përmirësimi në mënyrë sa më të shpejtë i nivelit të mirëqënies ekonomike dhe kulturore të qytetarëve do të kishin qenë faktorët kryesorë që do të mund të forconin rolin dhe kontributin e shtetit dhe të kombit shqiptar në rajon. Për nacionalizmin shqiptar njësoj si edhe tek nacionalizmat e tjerë, territori ishte një nga elementët thelbësorë për ekzistencën kombëtare. Megjithatë studimet mbi nacionalizmin dëshmojnë se, faktori kryesor që e bën një komb të pasur e të fortë, nuk është sipërfaqja e territorit që zotëron një shtet i caktuar, por ritmi i zhvillimit ekonomik, social dhe politik i tij. Ecuria e zhvillimit të nacionalizmit dhe shtetit kombëtar shqiptar është mishëruar në shprehjen e njohur të Faik Konicës, botuar në gazetën “Dielli” në Boston Mass.:“Në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria-fjalë fatale-vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varit të saj: “U- ngjall nga idealistët; U- ruajt nga rastet; U-vra nga politikanët”.