
Prof. As. Dr. Bernard Zotaj
(Mjeshtër i Madh)
Kam lexuar me vëmendje librin e autorëve të njohur Kujtim Boriçi dhe Nuri Çuni “Naim Frashërit, apostull dhe birbil i shqiptarizmës”. Është një libër me përmbajtje të thellë kombëtare, që në rrënjët e tij janë mendimtarët e mëdhenj të Rilindjes Kombëtare, por në mënyrë të veçantë, Naim Frashëri i cili zë një vend nderi. Ishte ky rilindas dhe të gjithë rilindasit e tjerë që ngritën dhe ngjallën dashurinë për Atdheun, ishin Bektashinjtë shqiptarë që i dhënë frymë dhe gjak shqiptarit të shek. XIX dhe gjallëruan e ndezën kudo zgjimin e vetëdijes atdhetare, i kënduan mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve.Në libër, pavarësisht se flitet për aktivitetet dhe veprimtaritë e bëra në kuadër të Vitit të Naim Frashërit, atë e përshkon fryma që ndezi Naimi, për të ushqyer shqiptarëve me ndjesinë e njësisë kombëtare. Autorët kanë gjurmuar dhe kanë dhënë çdo detaj të këtij viti që ju përkushtua nga të gjithë shqiptarët Naim Frashërit nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili për një vit rresht ishte në krye të kësaj veprimtarie madhore kombëtare.Nëpërmjet faqeve të librit njihemi se krijimi i kombit shqiptar është bazuar tek etniciteti (gjaku, gjuha, shtrirja gjeografike etj), i cili ka qenë i vetmi element unifikues. Nacionalizmi shqiptar, nuk i pati bazat e veta tek parimet liberale apo bashkimi kulturor, si në disa vende të tjera. Për shkak të izolimit nga gjithpërfshirja në mendimin europian, si pasojë e dominimit të konservatorëve e penguan zhvillimin e nacionalizmit. Shqiptarët patën një mitologji kombëtare që krijuan mitin e një prejardhjeje krenarie dhe të lashtë për vendin dhe shtetin. Këtë e bënë më së miri Rilindasit, e thekson gjatë gjithë veprës së tij, Naim Frashëri.Autorët librin e kanë ndërtuar në disa kapituj që shpalosin gjithë gjerësinë dhe shpirtin e madh të poetit që i këndosi dhe thuri vargje për Atdhenë. Pas një hyrje si lindi dhe u zhvillua ideja për vitin e Naimit, kapitulli i parë trajton Histori dhe vlerësime për Naim Frashërin. Kapitulli i dytë trajton takimin e poetëve në vitin e Naimit, si Moikom Zeqo, Nasho Jorgaqi, Petrit Ruka, Ferit Fixha, Sadik Bejko, Qazim Shehu, Pandeli Koçi, Hyqmet Hasko Dhe Përparim Hysi. Ndërsa dy kapituj, i treti dhe i gjashti trajtojnë Vitin e Naimit në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë. Kapitujt e tjerë deri në të trembëdhjetin trajtojnë takimet për Naimin në Tiranë, në Përmet, në vendlindjen e vëllezërve Farshëri, konferencë shkencore nga Kryegjyshata Botërore dhe Akademia e Shkencave, sesion shkencor në vendlindjen e tre Rilindasve, konferencë shkencore në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, pesë varrimet e Naimt, pasqyrimi i vitit të Naimit në media, si dhe risitë e projektit dhe të libri.Siç është shprehur Kryegjyshi Botëror Dede Edmond Brahimaj, “Naim Frashëri është dritë që do të ndriçojë përjetësisht. Sa më shumë ikin ditët, muajt, vitet e dekadat, aq më shumë ndriçon kjo ditë, aq më të domosdoshme janë rrezet naimiane për shpirtrat tanë, si fetarë e atdhetarë”. Rilindasit e mëdhenj theksonin se dashuria për Atdheun është një ndjenjë e shëndetëshme natyrale, e cila me pak përkujdesje kultivohet lehtë. Kurse prirja e kundërt, mosdashuria për të është rrjedhojë e disa faktorëve këmbëngulës. Injoranca e thellë ku u zhyt për shumë shekuj populli ynë, mungesa e shkollave, e universiteteve, e akademive, pra e të gjitha institucioneve kulturore, e natyrisht mungesa e strukturave shtetërore, e zbehu fort shqiptarizmin ose, në rastin më të mirë e la atë në një nivel primitiv, që me vështirësi e kapërcente folklorizmin. Në kushte të tilla, përballja me një kulturë të huaj ishte tronditëse për shqiptarët. Ajo krijonte dy rrjedhime: ose i shtynte ata, që në shembëllimin e kësaj kulture të ringjallnin kulturën e vendit të vet, ose e kundërta, i largonte përfundimisht prej Atdheut. Kështu, në prag të çlirimit të Shqipërisë i kemi patur të dyja prirje: atdhedashurinë dhe shqiptarizmin e disave, e kundërshqiptarizmin e disa të tjerëve. Ndërsa Naimi shfaqet nga sheshi i purpurt i Qerbelasë, i sakrificës titanike dhe konceptuale në shekuj, duke i rënë xhurasë, mes trimërive stërgjyshore, që kumbojnë rreth e qark, – ka theksuar Moikom Zeqo.Natyra unike e gjuhës shqipe përbënte një bazë për mitin kombëtar. Periudha e Skënderbeut 1443-1468, përfaqëson të parën shprehje të nacionalizmit shqiptar, i cili u venit pas pushtimit turk dhe u ringjall sërish më 1878, pas Kongesit të Berlinit që vendosi lënien e disa trojeve shqiptare jashtë Perandorisë Otomane për esap të Malit të Zi, Serbisë dhe Bullgarisë. Shek. XIX shënoi konsolidimin e mendimit nacionalist shqiptar, nëpërmjet asaj që u quajt periudha e Rilindjes Kombëtare. Shkrimtar i madh shqiptar, një nga përfaqësuesit më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, poeti i madh i Bektashinjve, Naim Frashëri u gjend në vendin e duhur.Rilindasi Naim Frashëri dhe të gjithë rilindasit e tjerë duhet lexuar e rilexuar gjithmonë, sidomos në kohëra të vështira. Duke i shfletuar tani, shikojmë se përveç shqetësimit të tyre themelor: çlirimit të Shqipërisë dhe pavarësisë së saj, ishte një ankth tjetër, i vazhdueshëm, i lidhur ngushtë me të parin: rizgjimin e Atdhedashurisë. Lidhja e Prizrenit, e cila pasoi Kongresin e Berlinit, shënon përpjekjen e parë për institucionalizimin e nacionalizmit dhe njëkohësisht të kombit shqiptar. Kërkesat e saj ishin bashkimi i trojeve shqiptare në një territor të vetëm me autonomi të plotë nën Perandorinë Osmane. Kështu lindi nocioni i Shqipërisë Etnike, ku për herë të parë shqiptarët do të shprehnin aspiratat e tyre kombëtare.Këmbëngulja e tyre për këtë rizgjim, thirrjet e zjarrta “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar” dëshmojnë një të vërtetë tepër të qartë dhe dëshpëruese. Një pjesë e shqiptarëve ishin ftohur prej Atdheut të tyre. Turqizimi i qindramijëra shqiptarëve, greqizimi i një pjesë tjetër, ngatërrimi i përkatësisë shqiptare me atë fetare, dëshmojnë se ndjenja patriotike e një pjesë të shqiptarëve ka qenë jo aq e fortë siç paraqitej. Një pjesë e tyre me lehtësi ishin gati ta këmbenin Atdheun e tyre me një Atdhe tjetër, një pjesë kishin turp të quheshin shqiptarë, të tjerë me lehtësi viheshin në shërbim të forcave kundërshqiptare.Nga pena e Naimit doli më 1886 “Bagëti dhe Bujqësia”, e para poemë letrare shqipe që ngjallte tek bashkatdhetarët e vet vërtetësinë e prejardhjes së tyre gjuhësore kombëtare dhe krenarinë nacionale. Kështu Rilindasit u përpoqën shumë ti bindnin shqiptarët se nuk duhet të turpëroheshin nga vendi i tyre. Ata kishin një Atdhe të bukur, kishin një gjuhë madhështore, një prej 6 gjuhëve themelore të Europës dhe një nga 10-12 gjuhët themelore të Botës. Ata ishin racë e bukur trupërisht dhe tepër të aftë mendërisht, se kishin një histori të shkëlqyer, se gjëmat kombëtare nuk ishin një arsye për t’u ftohur me Atdheun, por përkundrazi, për t’u afruar më fort me të. Aksioni i tyre për zgjimin e Shqipërisë ishte më i madh dhe më i gjëri aksion kulturor në krejt historinë tonë shqiptare. Rrallë herë emërtimi i një lëvizje përkonte plotësisht me qëllimin e saj, ashtu si në rastin e Rilindjes Shqiptare. Në të vërtetë ishte ajo që Rilindi Shqipërinë, ose me saktë, ishte ajo që lindi Shqipërinë moderne.Naim Frashëri, mori nismën e pabesueshme për të krijuar një mistikë familjare dhe shpirtërore për shqiptarët e tij, pra bektashizmin tipologjik dhe përbashkues gjithshqiptar. Ringritja morale e popullit shqiptar ishte aksioni më i ngutshëm dhe më i rëndësishëm në atë kohë të vështirë që ndërmorën rilindasit. “Naimi është dielli i kombit. Naimi ka punuar për të mos vdekur kurrë” – shkruante Ismail Qemali. Naimit, populli i dha si mbiemër emrin e Shqipërisë, e quan Naim Shqipëria.Libri “Naim Frashërit, apostull dhe birbil i shqiptarizmës”, i shkruar me shumë dashuri dhe përkujdesje nga autorët, ka për mision të përshkruaj dhe të nxjerrë në pah vlerat e poetit kombëtar, bektashiut të madh, Naim Frashëri. Për Naimin është shkruar dhe do të shkruhet në përjetësi, në kohëra dhe në brezat që do të vijnë, pasi roli i tij, i vëllezërve Frashëri dhe i të gjithë rilindasve të tjerë, të cilët u ngritën në një nga periudhat më të vështira të ekzistencës së kombit shqiptar, për kulturën e gjuhën shqipe, është jetike dhe kombëtare. Naimi si bektashi, si poeti dhe si atdhetarë shkroi perla të papërsëritshme për besimin e paqtë dhe për Shqipërinë. Autorët kanë ditur të nxjerrin në pah duke theksuar se “Naimi është e do të mbetet idhull në përjetësi, dritë e pashuar, jo vetëm për besimatart bektashinj në Shqipëri e hapësirat mbarëshqiptare, por për miliona bektashinj në mbarë botën dhe miliona miq të tjerë”.Ndaj aktivitetet për Naim Frashërin, nuk kanë munguar çdo vit dhe në hapësirat mbarëshqiptare, jo vetëm në data përvjetorësh që lidhen me poetin, por dhe në raste të tjera. Libri “Naim Frashërit, apostull dhe birbil i shqiptarizmës” i prurë me shumë përkujdesje nga autorët Kujtim Boriçi dhe Nuri Çuni dhe i drejtuar me shumë mënçuri nga Selia Bektashiane, është një risi e re, ku përshkruhet një veprimtari kombëtare mjaft komplekse e që organizohej për herë të parë. Autorët kanë ditur të përmatësojnë vlerat dhe idetë e Rilindjes Kombëtare e në mënyrë të veçantë, të Naim Frashërit.Përgëzime autorëve për punën madhore të bërë dhe risitë për librin, URIME!BERNARD ZOTAJTiranë, më 27 nëntor 2021