
Prof. Dr. Sylë Ukshini/
“Prezenca e gjerë e elementëve kriminalë në Kosovë të lidhur me grupe terroriste të Lindjes së Mesme, kryesisht të Sirisë, si dhe bandave kriminale në Ballkan dhe pjesë tjera të Europës, do të thotë se rajoni me historinë e janë të pasur dhe trashëgiminë kulturore është duke u bërë një strehë e hajnave dhe kriminelëve të të gjitha llojeve. A duhet të jetë kjo ndonjë befasi kur ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë strukur si elita sunduese e Prishtinës? Për të hetuar mizoritë, përfshirë vrasjet dhe rrëmbimet me qëllim të trafikimit të paligjshëm të organeve të kryera nga disa prej tyre, u krijua një gjykatë e posaçme me nismën e BE-së pas një raporti të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty. Ne ende jemi duke pritur që ky organ gjyqësor të fillojë punën dhe të ngrejë akuza kundër kriminelëve.”
Ky citat është pjesë e një artikulli të përbashkët e Sergey Lavrov, Ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë, dhe Ivica Daciq, Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, i botuar më 18 qershor 2020 në Rossiyskaya Gazeta dhe Kurir, dhe i i publikuar edhe në portalin e Ministrisë së Jashtme të Federatës Ruse në gjuhën ruse, gjermane, franeceze, spanjolle dhe portugale
Daciq dhe Lavrov në këtë artikull anti Kosovë paraqet vizionin e përbashkët rus dhe serb për të Kosovën. Daciqi dhe Lavrov theksojnë se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, dhe homologu i tij, Ivica Daciq, bëjnë propagandë agresive ndaj shtetit të Kosovës, duke theksuar se shteti i Kosovës është në buzë të greminës ekonomikisht dhe se krimi është në rritje të vazhdueshme. Po ashtu, ata asokohe kërkonin që Gjykata Speciale të marrte vendime sa më shpejt ndaj “kriminelëve” të UÇK-së si dhe kërkonin që të respektohet Rezoluta 1244 si një zgjidhje përfundimtare.
Një pjesë qendrore e tekstit të Daciqit dhe Lavrovit është kritika ndaj Perëndimit – SHBA-së dhe BE-së – të cilat akuzohen se imponojnë zgjidhje të njëanshme, injorojnë interesat e Serbisë dhe nxisin destabilitet përmes mbështetjes së “separatizmit kosovar”. Artikulli denoncon gjendjen e brendshme në Kosovë, të cilës i atribuohet korrupsion, krim i organizuar dhe ndikim i ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke u ndalur sidomos te akuzat për krime lufte dhe trafikim organesh. Po ashtu, theksohet se Gjykata Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së, themeluar me nismë të BE-së, ende nuk ka dhënë rezultate.