Nga B.Jashari/.- Në Kosovë sot me ndezjen e flakadanëve në Kompleksin Memorial në Prekaz dhe “Natën e Zjarreve”, përmbyllet manifestimi treditor gjithëpopullor në kujtim dhe nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari.
Në Prekaz, 16 vjet më parë, në 5, 6 e 7 mars 1998, në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari.
“Këto ditë marsi, të simbolikës së pranverës, Kosova po qëndron gatitu në përkujtim të emrit, jetës, veprës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, familjes së tij të madhe dhe gjithë Dëshmorëve të Kombit”, tha mbrëmë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Akademinë përkujtimore, mbajtur në Prishtinë.
“Ne përfaqësuesit dhe politikanët e popullit tonë, sot e nesër, duhet të mësojmë nga jeta e Adem Jasharit, nga vepra dhe nga vlerat morale, politike e kombëtare që përfaqësonte”, u shpreh Krasniqi. Ai shtoi se Adem Jashari na mëson si ta duam Kosovën, si t’i qëndrojmë besnikë interesit madhor të saj, si t’i japim çdo ditë diçka nga vetja jonë.
Manifestimi i organizuar nga qeveria nisi në 5 mars në Kazermën Adem Jashari në Prishtinë me ceremoninë ushtarake të FSK-së dhe vazhdoi dje me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe në të gjitha Komplekset Memoriale të Dëshmorëve të UÇK-së në Kosovës, e në mbrëmje në Prishtinë u mbajt akademia përkujtimore