Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/
Fjalorët shqiptar për Naum Veqilharxhin
Naum Panajot Bredhi, Veqilharxhi, sipas Fjalorit të Pedagogjisë (1983), Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985) dhe Fjalorit Enciklopedik Shqiptar vëll. 3 (2009) është një nga përfaqësuesit më të hershëm të Rilindjes Kombëtare, autor i abetares së parë shqiptare dhe i një varianti orgjinal të alfabetit shqip, avokat dhe studiues shqiptar, një ndër figurat më të shquara të viteve të para të Rilindjes Kombëtare dhe çmohet si njëri prej ideologëve të saj të parë.
Fjalori i Pedagogjisë me autor Shefki Osmani thekson fjalën “dëshmor i arsimit’ tonë kombëtar. Në fakt, me akt juridik, Naum Veqilharxhi është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 141, datë 7.9.1985, të Komiteit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Korçës. Në të dy fjalorët e Enciklopedisë të botuar nga Akademia e Shkencave nuk përmendet që është dëshmor i atdheut, po kështu dhe në konferenca dhe sesione shkencore, në shkrimet e vijueshme në shtypin e përditshëm, në raste të përvjetorëve të tij.
Është kjo një harresë, një pakujdesi e atyre që bëjnë zërin në fjalor, apo dhe e autorëve të tjerë, apo nuk dinë si është vlerësuar dhe nderuar ky përfaqësues i madh i hershëm i Rilindjes tonë Kombëtare Shqiptare. Dhe më tej akoma, në fjalorin e Pedagogjisë (1983) dhe Enciklopedik (1985), shkruhet se ka ndërruar jetë rreth vitit 1846, ndërsa në Enciklopedinë e vitit 2009, del se ka ndërruar jetë në vitin 1854. Ne Republikën e Shqipërisë ka një rregullator shkencor që është Akademia e Shkencave e që duhet t’i ketë të qarta standardet, vlerësimet e nderimet që i bëhen në jetë një atdhetari dhe përfaqësuesi të hershëm të arsimit tonë kombëtar…
Nderime për dëshmorin e arsimit kombëtar
Në sistemet që ka kaluar Shqipëria, institucionet dhe rrethet shkencore janë munduar ta shquajnë figurën e Naum Veqilharxhit dhe ta vlerësojnë me shkrime, me konferenca shkencore dhe me studime për të gjithë veprën e tij, të botuar dhe të shkruar që ka arritur deri më sot.
Më 6 dhjetor 1957 figura e Naum Veqilharxhit është vendosur në një pullë shqiptare. Në Korçë, në një nga lulishtet më të bukura është vendosur një bust i Naum Veqilharxhit, si dhe një bust i tij gjendet dhe në shtetin e Rumanisë.
Në Shqipëri një shkollë 9 vjeçare në Korçë mban emrin e tij, si dhe një shkollë fillore po me emrin e “Naum Veqilharxhi” në fshatin Mohlan të Suharekës, në Kosovë.
Në Tiranë në Njësia Bashkiake nr. 3, tek Varri i Bamit, është një rrugë me emrin e tij, si dhe një rrugë në Bashkinë Kamzë. Rrugë me emrin “Naum Veqilharxhi” gjenden dhe në Gjakovë e Prishtinë të shtetit të Kosovës.
Familja Veqilharxhi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, në Shqipëri dhe në Rumani. Konstandin Veqilharxhi ishte i pari president i gjyqtarëve për qytetin e Brailes. Shqipëria dhe Rumania e kanë vlerësuar njeriun që lidhi urën e miqësisë mes tyre, duke i dhanë mirënjohjen e kujdesin e merituar. Shtëpia e Naum Veqilharxhit në qytetin e Brailas, është muze dhe ruhet nga shteti rumun. Shteti shqiptar dhe akademikë e tij konsiderojnë Naum Veqilharxhi figurë të spikatur të diasporës shqiptare në gjysmën e parë të shek. XIX.
Për Naum Veqilharxhi, jetën dhe veprën e tij janë organizuar tryeza shkencore, si në Prishtinë me 24 maj 2007, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Ndërsa në Tiranë më 13 dhjetor 2022 nga Akademia e Shkencave është organizuar një tryezë shkencore për nder të Naum Veqilharxhit, në 225-vjetorin e lindjes së tij.
Akademik Emil Lafe, në kumtesën e tij “Parime kulturore dhe gjuhësore të Naum Veqilharxhit”, u shpreh se Naum Veqilharxhi ka qenë pa dyshim një fenomen në historinë politike dhe kulturore të Shqipërisë në mesin e shek. XIX dhe se ky qe burizani e përçuesi i vetëm i zgjimit të ndërgjegjes kombëtare në atë kohë, titan ndërlidhës mes territ tokësor e qiellit të ndritun. Kushtrimi i tij nuk ra në vesh të shurdhët”.
Prof. dr. Fedhon Meksi ka theksuar se Naum Bredhi-Veqilharxhi meriton një vend nderi në altarin e nacionalizmit shqiptar. Naumi i takonte një familjeje me tradita në fushën e kulturës në përgjithësi dhe të shqiptarisë në veçanti. Gjyshi i tij Llazar Bredhi, ishte një nga veprimtarët e shquar për futjen e shqipes në kisha dhe shkolla. Meksi rendit rrethanat e bashkëpunëtorët me të cilët Veqilharxhi luftoi për “zgjimin e vetëdijes” së shqiptarëve, e njëri prej tyre ishte Vangjel Zhapa, i cili financoi hapjen e shkollave shqipe dhe botimet e abetareve të para.
Në këto tryeza shkencore është theksuar porosa dhe modeli i Naum Veqilharxhit për besimet fetare në vend, të praktikoheshin në një mënyrë të veçantë, në mënyrën shqiptare, me tone të ulura, ku nuk ka vend ideja e përçmimit të bashkëkombësve të feve të tjera, duke i lënë vendin respektit të ndërsjellë. Ai vuri gurin e parë për rilindjen e kombit shqiptar, që do të përfshinte të gjithë shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë.
Përkushtimi për arsimin shqiptar
U lind në Vithkuq më 6 dhjetor 1797. Familja e tij e trashëgoi mbiemrin Veqilharxhi nga pozita që i ati, Panajoti, kishte në oborrin e Ali pashë Tepelenës në Janinë, tregtar që furnizonte me ushqime ushtrinë angleze kur kjo kishte pushtuar ishujt jonianë më 1811. Naumi mësimet e para i ka marrë në shkollat angleze në ishujt jonianë.
Para vitit 1806 mërgoi me familjen në Moldavi (Kishinjev). Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër robërisë osmane, si një nga udhëheqësit e saj, bashkë me Shqiptarë të kolonisë së atjeshme. Iu kushtua çështjes së Çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare.
Me shkatërrimin e Vithkuqit më 1819, u shpërngulën si familje në Rumani. Naumi student mori pjesë në revoltat e 1821 të Vllahisë e Moldavisë. Pak vite më pas nisi të punonte avokat, vuri prokopi dhe kontribuoi në jehimin e ideve të Rilindjes Kombëtare. Aty u bashkua me një shoqëri intelektualësh shqiptarë, që çmonin të domosdoshëm kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare për Rilindjen Kombëtare Shqiptare.
Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat Jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”.
Ëvetar shqip i Naum Veqilharxhit, botim i vitit të hershëm 1844 është Abetarja e Parë Shqipe, e njohur gjer më sot. Shkronjëtorja e tij shërbeu si nismëtarja e teksteve të abetareve shqipe, që përveç misionit didaktik, patën rol historik dhe shtrirje e përdorim të gjerë në shkollat shqipe. Naum Veqilharxhi me “Ëvetarin shqip” e renditi Shqipërinë në radhët e kombeve të qytetëruara dhe të ndriçuara të Europës. Në hyrje të librit na fton për lexim të mbarë “për çdo si cilë që do të mësonjë të kënduarit e të shkruarit bukur shqip”.
Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri. Largpamësia e Naum Veqilharxhit qëndron, jo vetëm në shtytjen që i dha lëvizjes së popullit shqiptar kundër robërisë shekullore osmane, por edhe në faktin se është i pari që dalloi e paralajmëroi rrezikun që do t’i vinte kombit nga qarqet shoviniste greke e nga politika e Patrikanës.
Shqiptarët i shihte si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. Kishte besim tek aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve. Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkombëtarizimit që vinte nga shkollat e huaja dhe punoi për një shkollë shqipe me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes. Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Për të gjtihë këtë veprimtari patriotike dhe kulturore u helmua nga Patrikana dhe vdiq në Stamboll. Me veprën e tij, Naum Veqilharxhi, dëshmor i atdhut u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e kombit shqiptar.
foto: wikipedia.org