U nda sot nga jeta ish-ambasadori i parë i Shqipërisë në Vatikan, Willy Kamsi. Kamsi ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare, në qytetin e Shkodrës. Kamsi u shqua për veprimtarinë e tij në fushën e arsimit, etnografisë, diplomacisë e bibliografisë.Ai u lind në Bari të Italisë në dhjetor të vitit 1926. U rrit në mërgim, nga ku erdhi në Shqipëri në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, në qershor të vitit 1943.Familja e tij u vendos në kryeqytet, por mbarimi i Luftës do të sillte ndryshime të mëdha në jetën e tij. Edhe pse i ati, Gjoni, nuk ishte marrë gjatë Luftës me politikë, familja e tij në qershor të vitit 1953 dëbohet nga Tirana dhe detyrohet të shkojë në Shkodër.
Në vitet e egra të terrorit komunist në Shqipëri, Willy Kamsi, punoi si bibliotekar pranë Institutit të Lartë Pedagogjik në Shkodër, ku u vlerësua për përkushtimin e tij. Krahas punës së bibliotekarit, Kamsi është i njohur dhe për studimet e tij historike dhe bibliograke, duke botuar një seri artikujsh.
Kamsi gjithashtu ka kontribuar në fushën e përkthimit. Pas rënies së komunizmit, në vitin 1993, ai u emërua nga qeveria demokratike ambasadori i parë i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë. Kamsi qëndroi në këtë detyrë deri në dhjetor të vitit 1996, të cilën e kreu me përgjegjshmëri të lartë, duke nderuar Shqipërinë para përfaqësuesve të tjerë diplomatikë dhe para Selisë së Shenjtë.
Si diplomat Willy Kamsi la shembullin e të përkushtuarit, serioz dhe fisnik, mbase pa frakun ceremonial, se ishin vitet e varfërisë, po ai shkëlqeu mes kolegëve për virtytin dhe dinjitetin, duke e nderuar shtetin e tij.
Në vitet e tjera të jetës Willi Kamsi iu përkushtua botimit të disa veprave të rëndësishme, si numrit të plotë të revistave “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Albania” e Konicës, “Shêjzat”, si edhe disa materialeve me rëndësi historike, si “Ditari” historik i Shuk Gurakuqit, “Kujtimet” e Gjon Kamsit, një përmbledhje e studimeve të tij historike, etj.