URDHRI “NDERI I KOMBIT” NJË DEKORATË E MERITUAR PËR NJERIUN E MIRË E TË SHQUAR MUHAMET MALO/
NGA RAMIZ LUSHAJ/ 1.Këto ditë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Bujar Nishani, e nderoi me Urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) Njeriun e Mirë, atdhetarin e humanistin e shquar, dr. Muhamet Malo. Kjo dekoratë e lartë në hierarkinë e dekorimeve renditet e treta në Shqipëri, pas Urdhrit “Flamuri Kombëtar” dhe Urdhrit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Në Presidencë u mbajt një ceremoni zyrtare solemne, me prani të bashkëshortes e fëmijëve dhe të afërmëve të Muhamet Malos, miqëve të tij, si dhe personalitete të politikës, botës akademike e diplomatike, të kulteve, të skenës e ekranit, të shoqërisë civile, etj.
Në fjalën e rastit dhe në motivacionin e dekoratës, Presidenti i Republikës e çmoi lartësisht emrin, jetën e veprën shumëdimensionale të dr. Muhamet Malos duke i vlerësuar veprimtaritë e tij të shumta e të vazhdueshme sipërmarrëse, kontributore e humanitare në sporte, në turizëm, në kulturë, arte e letërsi, në masmedia, në shëndetësi, në albanologji, tek njerëzit në nevoja jetike e shoqërore, për institucionet e kultit, jetimoret, azilet e pleqëve, për shoqërinë civile, etj.
Z. Enklajd Malo, biznesmen rinor e me të ardhme, duke e marrë këtë dekoratë meritore e të lartë, shprehu falenderime për institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për këtë nderim e mirënjohje ndaj babait të tij të nderuar Muhamet Malo dhe premto për ecje dinjitare në rrugët e tij të traditës së mirë të biznesit, bamirësisë e atdhetarisë.
2.Dr. Muhamet Malo në kohën e tij të deri sivjetme vlerësohej si një ndër elitarët e biznesit panshqiptar, një nga punëdhënësit më të mëdhenj, me të ardhura të qëndrueshme e në rritje, por me një veçanësi të tij, pasi një pjesë të konsiderueshme të pasurisë të vet në këto dekadat e Tranzicionit të tejzgjatur shqiptar e ndante me humanizëm të pastër me të tjerët, e jepte atdhetarisht e shpirtërisht për sektorë e njerëz në nevojë, etj. Ishte filantrop shqiptar nga ma të shquarit ndër kohëra, përndryshe ma i veçanti për nga dimensionet e vlerave, hapësirat efektive, laryshia e fushave e sektorëve investues, shumat e fondeve, vazhdimësia e kontributeve të tij humanitare, etj.
Ndaj, për shembëllim real, konkret, veçojmë një prej fushave të investimeve të tij edhe humanitare, sportin, ku Muhamet Malo ishte “Mjeshtër i Sportit”dhe “Mjeshtër i Merituar i Sportit”; kampion i Shqipërisë (1982-1990) në mundjen klasike (për peshën 82-90 kg); president i Federatës Shqiptare të Mundjes (1992-‘96 e 2013-’14), president i Shoqatës Kombëtare të Mundjes (prej v. 2005), President Nderi i FSHM (2008-2013); një nga sponsorët ma të fuqishëm të veprimtarive lokale, kombëtare e ndërkombëtare të mundjes e të disa mundësve kampion; president i shoqatës private të boksit “Klajdi-Klub” Sh.p.k.., etj.
Në vijim të shembëllimit, për të vlerësuar ma shumë e ma mirë kontributin financiar të madh të njeriut të madh Muhamet Malo po marrim vetëm një vit, disi ma të largët, vitin 2002, kur sponsorizoi peshëngritësit e rinj në Kampionatin Europian në Francë; ekipin shqiptar të peshëngritjes në Kampionatin Botëror në Poloni (nëntor), Kampionatin Kombëtar të Bilardos (korrik), Federatën Kombëtare të Notit (nëntor), për zhvillimin e futbollit të femrave (nëntor); klubin sportiv “Studenti” në volejboll, për Spektaklin “Sportisti më i mirë”(janar), për Kupën “Nana Mbretëreshë Geraldina” në basketboll për femra (nëntor), për Spektaklin “Yjet e Sportit” (janar), etj.
Njejtësisht mund të flasim edhe për sipërmarrjet, kontributet e humanizmin e tij në kulturë, për arsimin (prej kohësh ishte dhe antar i Fondacionit Amerikan për Edukimin e të rinjëve – FEER), për botimet e librave në të gjitha fushat, për sponsorizimin e telenovelës së parë shqiptare “Njerëz dhe Fate”; për emisionin“Ethet e së premtes mbrëma” në të gjitha edicionet e tij, që solli prurje kulturore, talente të shquara të skenës e ekranit, që kushtoi qindra mijë dollarë; etj. etj.
3.
Muhamet Malo mbetet njeriu i bizneseve unikale në Shqipëri.
I pari e hapi një kompani të basteve “Top-Star”, e njohur ndryshe edhe “Euro-Lloto”, që kryen aktivitet edhe jashtë vendit.
I pari ngriti një televizion privat për sportin,“TeleSport”, me ekip profesionistësh të shquar, me drejtor aktual ish gazetarin e njohur të BBC në Londër, Ilir Kadia. Tek ky televizion, shqiptarët për herë të parë ndiqnin “live” veprimtari sportive ndërkombëtare të futbollit, tenisit, çiklizmit, volejbollit, etj. Gjithashtu, ishte ndër të parët botues të gazetave sportive në Shqipëri.
I vetmi që ka investuar miliona dollarë amerikanë për të ndërtuar të parin teleferik në Shqipëri, “teleferikun e Dajtit” me kullën “Dajti Tower Belvedere Hotel” dhe bar-restorantin “Ballkoni i Dajtit”, që kanë ndihmuar fuqishëm turizmin në Parkun Kombëtar të Dajtit, etj.
I pari që investoi si aksioner në të paren bankë private me kapital tërësisht shqiptar. Ishte ndër aksionerët e “Hotel Tirana International”, përndryshe i thirrun “15 katëshi”, një nga hotelet ma të mëdha në historinë e ndërtimtarisë e turizmit shqiptar, që sot ka pronar të vetëm biznesmenin Ram Geci, një nga miqtë biznesmenë të Muhamet Malos.
4.
Urdhri “Nderi i Kombit” nuk është i pari dhe as i vetmi për dr, Muhamet Malon, pasi ai mban gjithato dekorata, tituj, çmime, çertifikata.
Presidenti Amerikan Barack Obama e ka nderuar me “Çmimin e Presidentit për Arritjet e Jetës” (vjet, 2016) me motivacionin: “Për angazhimin e tij gjatë gjithë jetës në ndërtimin e një kombi më të fortë nëpërmjet shërbimit vullnetar…”.
Dr. Muhamet Malo është vlerësuar edhe me Medalje Presidenciale “Për Merita të Vecanta Civile”, si dhe nga organizata e organizma ndërkombëtare është nderuar me titullin “Ambasador i Paqes”; “Lidershipi më i mirë në biznez”, etj.
Qendra Shqiptare e Studimeve Amerikane e Britanike) e nderoi në 60 vjetorin e lindjes me Çmimin e madh “Konica” (pas vdekjes), një çmim me të cilin janë vlerësuar edhe Presidenti Amerikan Bill Klinton, Kryeministri Britanik Tony Blair, Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova e të tjera personalitete të larta. Dr. Muhamet Malo edhe tani është e mbetet në vazhdimësi President Nderi i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS).
Dr. Muhamet Malo është vlerësuar me Çmimin “Pjetër Bogdani” nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës, me Çmimin “Konstandini i Madh” nga Akademia Monarkiste Shqiptare, etj. Ai, në jetën e pasjetën e tij, ka marrë gjithato medalje e çertifikata, ku po i cekim disa prej tyre, si: “Përfaqësues dinjitoz i biznesit shqiptar për kontributin e shquar në ndihmë të njerëzve në nevojë”; Mirënjohje nga Federata Evropiane e Peshëngritjes; Mirënjohje për ndjeshmëri të thellë ndaj personave të verbër; Mirënjohje nga Lidhja e Pensionistëve të Shqipërisë, Mirënjohje nga Shoqata e Jetimëve, Mirënjohje nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, etj.
Dr. Muhamet Malos i shkojnë për shtat të gjitha vlerësimet lartnore ndaj figurës e veprimtarive të tij si “Njeri i Mirë”, “Burrë i lartë”, “Misionar i shquar”, “Filantropist”, “Biznesmen i madh, atdhetar e humanist i madh”, etj. si dhe ato ma të fundit kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë e cilësoi “një hero modern…” dhe e vlerësoi me Urdhrin “Nderi i Kombit”.