Nga Ramiz LUSHAJ/
Shpesh, për njerëz të vlerave e nderave si Rrustem Gecaj, kur vjen fjala për mirënjohje ndaj tyre, i ndie ka thonë: Ia din’ Zoti! Po, kësaj here, në kit’ fund prilli 2015, ia diti dhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, tue e nderue me meritë me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. E ka për kryefjalë motivacioni: “Në shenjë vlerësimi të lartë e respekti të thellë për veprimtarinë e tij…”. Epo dihet: nderi të nderon. Aq ma tepër kur flitet e veprohet për shembëllime si Rrustem Gecaj që rri “në hije”, në heshtje, e punët e mira i ka në dritë të diellit, të jehonshme. Ky, kaherë, ende pa mbrri në kapërcyell të dekadës së gjashtë të jetës së tij, ishte në lartësi të nderit të kombit, por kur i vlerësojmë njikështu njerëzit emblemë e ditës atëherit jemi tue e pa në sy e tue e prek ma mirë e ma shpejt në vizione e në hapa të ardhmen tonë kombëtare. Ne, si shoqëri shqiptare, veçmas pas diktaturave sllavo-komuniste Enver-Tito-Millosheviç, në kushtet e sotme të Rendit të Ri Botëror, në misionet tona kombëtare të bashkimit, integrimit e progresit, kemi nevojë kombëtare për njerëz të tillë si biznesmeni veprimtar Rrustem Gecaj, për dekorata të tilla elitare si “Nderi i Kombit”. Në udhët tona të sotme e të nesërme na duhen simbolet kombëtare me dekrete presidenciale të ditës e me fytyrë të kohës, në pasqyrë e në ballë, ashtu sikurse vet elementët kimik në Tabelën e Mendelejevit.
“Nderi i Kombit”, Rrustem Gecaj, është rrënjas nga Lluka e Ulët e Deçanit të Kosovës dardane, djalë i mirë e burrë i fortë i kullës-kala të Gecajve, një kullë etno-historike – sa e traditës dhe moderne, për nga arkitektura nga ma të veçantat ndër trojet etnike shqiptare në Ballkan, të cilën shpesh e dogjën shkijet e Serbisë për qëndresën e trimat e saj dhe gjithmonë mbeti në kambë, monumentale. Edhe ky, Rrustem Gecaj, më përngjet me kit’ kullë me gene e lartësi shqiptare. E thanun ndryshe: ai është vet kjo “kullë në lëvizje”… për Kombin. Qyshce në lindjen e tij. Në çdo qelizë të tij. Në hapat e tij. Si atëherit kur 25 vjeçar (viti ’72) e kapërceu Atlantikun i detyruar, si shumkush, nga përndjekjet e persekutimet kundërshqiptare deri në genocid të kryera në pafundësi me urrejtje e gjakderdhje nga sllavët. Edhe deri më sot, që ka hy’ në gjysmë shekull jetë në Amerikë, në vendin e lirive e mundësive të mëdha. Ai, thonë se shkon shpesh në vendlindje, tek kulla e tij në Deçanin e legjendave të vendbetejave të Eposit të Kreshnikëve, të kryetrimave historik Sylejman Vokshi (Lokaj), Isa Boletini (Maksutaj), Ramush Haradinaj… E, tashti, po e di sekretin e rrugëtimit të Rrustemit si “Kullë Gecaj (Deçani) në lëvizje”: ai marrka “karburant” (energji) e lartësi në rrënjët genetike të kullës së tij të madhe, në visin e tij të Deçanit historik në analet kombëtare shqiptare.
Biznesmeni Rrustem Gecaj, sëbashku me nipin e tij, Harry Bajraktari, qyshse në vitet ’80 ka ndihmue minatorët e grevës së urisë të Stari Tergut, ku iu gjendën pranë me fonde për disa vite 20 familjeve minatore me 186 veta. Edhe kur Serbia ia ndërpreu fondet Radio Televizionit të Kosovës, këta të dy, dajë e nip, ishin ndër donatorët aktiv për mbajtjen e tij, për të folur shqip e shqiptarisht.
Në vitin 1991, te dy, me prijtar nipin e tij, Harry (Hajdari) e themeluan e mbajtën deri vonë tue e financue me qindra mijë dollarë amerikanë të parën gazetë dygjuhëshe shqip-anglisht në Amerikë, gazetën “Illyria”, që ishte e mbetet një zë i fuqishëm i shqiptarëve në Amerikë (Uashington, Nju Jork, etj.), në selinë e OKB-së në Nju Jork, në Ballkan.
Rrustem Gecaj për shumë shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Amerikë, etj është treguar bajemirë me fonde, tue i sjellë për mjekim në Amerikë, tue i ndihmue në nismat e tyre, në vështirësitë e tyre, etj. Rrustem Gecaj ndihmoi dhe në Mitrovicë, kur në nëntor 2008 nisi aksionin i madh humanitar për donacione për ndërtimin e shtëpive të rrënuara nga lufta të shqiptarëve në përballje me terrorin serb tue lëshue vet i pari çekun me mijëra dollarë amerikanë për shtëpinë e Ali Kadriut e të tjerëve.
Rrustem Gecaj është nga investitorët më të fuqishëm në Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane. Njëherash një nga mikpritësit e ndër zëdhënsit e saj në Amerikë, si për Ibrahim Rugovën, Atifete Jahjagën, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, etj. Sikurse dhe për ish presidentin e ish-kryeministrin e Shqipërisë, dr. Sali Berisha. Po, tashti, Rrustem Gecaj ka investime startore dhe në Shqipërinë Londineze, dhe në vite e dekada ka qënë lobues e kontribues për demokratizimin e progresin e saj.
Rrustem Gecajn, kurrnjiherë se kam takue, po unë e kam njoft ende pa lind e kam me e njoft edhe kur të mos jem, se ai e ka njoft vetëveten, atë e ka njoft Koha Shqiptare në dy anët e Atlantikut, atij i kanë dhanë vlerësime dy presidentët Nishani e Jahjaga të dy shteteve shqiptare në Ballkan. Ai u rrit me dashurinë për Kosovën e për Kombin dhe e rriti dashuria për Kosovën e për Kombin.
Ay, si e thotë Presidenti Nishani në motivacionin e dekoratës: me “veprimtarinë e tij të çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur…” e ka vendin e rolin e vet në konstelacionin e yjeve shqiptarë në qiellin e historisë shqiptare, pa i hy’ në hise kurrkujt, pa iu xhelozue asnjanit, pasi qielli ka vend plotpërplot për yje në hapisrën e vet dhe për sytë tanë. E mue, edhe këta të dekoruemit me Urdhërin “Nderi i Kombit”, më ngjajnë si yje në qiellin shqiptar, për breznitë shqiptare.
Kjo Kulla e Gecajve në Deçan ka shumë yje. E njof nga larg dhe një tjetër, njanin prej tyre. Hysen Gecaj i thonë atij. Edhe ky – veprimtar kombëtar e biznesmen. Rrinë tek rranjët, tek trolli i vet, ma së shumti Anadrinit e në Luginën e Rahovecit – tek fabrika e venës “Stone Castle”. E kam pa në foto në Tuzin shqiptar në Mal të Zi tue vendos tufa me lule tek shtatorja e Nanë Terezës dhe në Prekaz tek varri i Adem Jasharit e në Prishtinë tek varri i Ibrahim Rugovës, në Tiranë tek shtatorja e Hasan Prishtinës. E sy-pashë nga larg në qytetin e Bajram Currit më 17 prill 2015 teksa kishte ardhë në ceremoni e veprimtaritë solemne e festive të dekorimit nga Tropoja të dr. Islam Lauka, ish-ambasador i Kosovës, me titullin e lartë “Qytetar Nderi”.
Syni i njeriut në këto kohë të vështira të globit kërkon me pa njerëz kaq të mirë të tokës e historisë së vet shqiptare.
Në kështjellën Rambuje në Paris, në Kuvendin vendimtar për lirinë e Kosovës, mbajtur më 6 shkurt-18 mars 1999, ndodhi ndryshe nga 1919-ta e Kështjellës së Versajës, pasi kësaj here, miqtë e mirë të Shqiptarëve në Ballkan iu gjenden pranë Kombit Shqiptar, fateve të Kosovës. Aty ishte dhe “zonja e hekurt”, Madelene Ollbrajt, Sekretare e Shtetit Amerikan. Ne, Shqiptarët jena pa vllazen në kit’ botë, po Amerikën e kena “probatime”(vëllame), pasi kena “pi gjak gishti” e shpirtnim ndërveti qyshce herët, nga Uillsoni tek Klintonët e Bushët. Aty, në Rambuje, erdhën dhe kongresmenët amerikanë Eliot Engël e Sue Kelly, në shoqëri të fisme të atdhetarëve shqiptaro-amerikanë Rrustem Gecaj e Harry (Hajdar) Bajraktari. Në kështjellë erdhën nga përtej Atlantikut dhe këta dy trima shqiptar nga Amerika. Në kuvend ishin ndihmatarë dhe këta dy burra të Kosovës. Këta janë ilake ndërveti, me gene gjaku e hapa pragu. Geci është daja e Bajraktari është nipi. Të të njëjtit profil. Në të njëten udhë, krahpërkrah e ballas. Asht e palcë nderveti, vlera të përhershme e ndera të shpeshta për të tjerët. Te dy në lartësi të kohës, me kontribute për Kombin. Te dy të dekorurar “Nderi i Kombit”. Ashtu si jena mësue ta shohim Shqipen me Dy Krena edhe ata që i njohin këta të dy atdhetarë nuk mund t’i shohin e konceptojnë ndryshe veçse kësisoj, sëbashku, unitar, shembëlltar. Asnjë çek me dollarë nuk i ka prishë ndërveti dajë e nip në biznese, udhë e lartësime.
Këta të dy, si rrallkush, shpesh në bashkari dhe me elitarë të tjerë shqiptaro-amerikanë, e kanë faktorizue Kosovën në institucionet e larta të Amerikës, kanë qenë avokat të Kombit të vet shqiptar, e kanë mbështetë dy herë rradhazi zgjedhjen e Presidentit Amerikan Bill Klinton, të senatorëve Hillary Klinton, Bob Dole, Joe Liberman, John McCain, Alfonse Marcello D’Amato, të kongresmenëve Eliot Engël, Sue Kelly, e të tjerë. Kanë pasë njohje e lidhje të mira me presidentë demokratë e republikanë të Amerikës, me personalitete të larta amerikane. Kjo ka pasë dhe interes e mirësi kombëtare shqiptare.
Këta të dy janë ndër përfaqësuesit elitarë të komunitetit shqiptaro-amerikanë, si në struktura drejtuese të organizatave e organizmave shqiptare në Amerikë si të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane të DioGuardit, të LDK-së të Ibrahim Rugovës, të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Federatës PanShqiptare “Vatra”. Vet Rrustem Gecaj, me nismen e tij, kohët e fundit investoi mijëra dollarë amerikanë për rikonstruksionin e godinës trekatëshe të Vatrës, etj.
Si përmbyllje po e cekim motivimin e dhënies të dekoratës “Nderi i Kombit” për veprimtarin kombëtar, biznesmenin shqiptaro-amerikan, Rrustem Gecaj, ku tekstualisht jepet vlerësimi e nderimi ndaj tij “… për shërbim, mbrojtje e mbështetje të çështjes kombëtare, si dhe për lartësimin e emrit dhe vlerave të rralla të bashkësisë shqiptaro-amerikane”. Pra, për të gjitha këto, Nderi i Kombit, Rrustem Gecaj, është një Kullë Deçani në lëvizje përditësore e lartësore për kombin e vet.