Nga Violeta Mirakaj/
Është një virtyt i madh të duam të jemi , ashtu si duam, të dukemi ose të rrëfehemi ashtu si jemi (Mit’hat Frashëri)…Vjeshta është ulur këmbëkryq në këto ditë nëntori këtu në New York, dhe ka krijuar një kurorë të stërmadhe shumëngjyrëshe e cila të duket dhe e plotëson më së miri nderimin dhe homazhin për shqiptarin e madh, Mit’hat Frashëri. Do të përcillet nga varrezat e Ferneliff në Harstdale, të N.Y. në kodrat e Liqenit në Tiranë, pranë vëllezërve Frashëri dhe Faik Konicës. Kemi ardhur për t’i bërë nderimin e duhur, kanë ardhur nga Washingtoni, Bostoni, Florida, New Jersy, Philadelphia Connecticut, për përcjelljen më së fundi në vendin e tij. Përcjellja bëhet dhe kuadrin e 110 – vjetorit të Kongresit të Manastirit, e cila ka lidhje me emrin e tij; dhe duket se na i kujton përsëri mos harroni – “Përpjekja e të gjithë delegatëve të Kongresit të Manastirit është për t’u ngritur mbi pikëpamjet e ngushta vetjake në të mirë të kërkimit të një zgjidhjeje të pranueshme nga të gjithë.” Kjo është motoja që duhet të udhëheqë, të paraprijë jetën politike dhe shoqërore të vendit tonë. Ceremonia e zhvilluar në sallën “Nënë Tereza” qendër kulturore të kishës “Zonja e Shkodrës” është shumë emocionuese….Himnet kombëtare të dy shteteve, Amerikës “The star spangled banner” dhe i Shqipërisë, ”Hymni kombëtar” kënduar nga tenori i talentuar Riad Ymeri…. pasuar me nderimin dhe respektimin e merituar, arkivoli i Babait të Kombit mbartet me ceremoni nga skuadrilja e policisë së New York. Një organizim me detaje nga ambasada shqiptare në Washington dhe konsullata e saj këtu në New York, përfaqësuar nga Znj.Najada Sojli, e cila shprehet – është përgjegjësia e të zotit të shtëpisë të bëj të mundur ashtu si e meritonte figura e madhe poliedrike e Mit’hat Frashërit, ne jemi shtëpia përcjellëse. Bëhet nderimi dhe homazhi nga të pranishmit, si dhe i paraprirë nga nderimi prej të katër besimeve fetare në Shqipëri, komuniteti mysliman, kisha orthodokse, kisha katolike, si dhe nga komuniteti bektashian. Në filmin dokumentar u dhanë momente nga jeta politike patriotike e Gjeniut të Kombit, Mit’hat Frashëri; realizuar nga Saimir Kumbaro dhe Uran Butka. Zëri origjinal i inçizuar nga radio Londra i Mit’hatit kumbon – “Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm……” Homazhi dhe nderimi i babait të kombit, është paraprirë në vite me rradhë, edhe ditë më parë nga shqiptarë të mirë atdhetarë dhe intelektual, si përfaqësues të “Vatrës” etj. Pëllumb Lamaj, intelektuali poeti dhe shkrimtari i lirisë si çdo vit nuk mungoi pa e nderuar dhe këtë vit, me një kurorë të bukur në vendin ku politikani, atdhetari, intelektuali u preh për 69-të vite…. ai vetë thotë:— unë nderoj Korifeun atdhetar Mit’hat Frashëri, njëkohësisht nderoj fisin tim, fisin shqiptar, të gjithë ata që menduan dhe sakrifikuan për vendin tim…nderimi për të është nderimi i gjithë martirëve….”
Mit’hat Frashëri u lind më 25 Mars 1879, në Janinë. Ishte biri i rilindasit
patriotit të madh Abdyl Frashëri, nipi i enciklopedistit Sami Frashëri dhe poetit të mallit për vendlindjen, Naim Frashëri. Vdiq në New York më 3 Tetor 1949, jetoi 69 vjet. Jetoi në tre epoka, në periudha të ndryshme për fatet e kombit tonë, me problematika dhe zgjidhje nga më kontradiktore, të cilat ndryshojnë rrënjësisht njëra nga tjetra, për nga ngjarjet, për nga proçeset, për nga karakteret e tyre. Prandaj me të drejtë është cilësuar si një nga figurat më komplekse të këtij vendi, që, me kohën që ka ardhur pa paragjykime kërkon vemendje e rivlerësim, që me të drejtë është në rrugë të mbarë… Mit’hat Frashëri është figura që i ka munguar historisë, kulturës dhe letërsisë, politikës dhe diplomacisë i ka munguar brezave me radhë, i ka munguar enciklopedisë sonë. Në çdo faze të jetës politike, historike, letrare dhe shoqërore të vendit tonë, në periudhat më të qenësishme është Mit’hat Frashëri…Në rininë e herëshme punoi në administratën turke, aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit të XIX u bë një nga figurat më të spikatura në periudhën e Pavarësisë. Si një militant rilindës i orës së parë ai u shqua në luftën për të zbatuar programin kulturor të Rilindjes, ndoshta më tepër se çdo bashkëkohor i tij, si shkrimtar i flaktë i temave patriotike, si kryetar energjik i Kongresit të Manastirit dhe si veprimtar i palodhur i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Një aktivitet i gjithanshëm me patriotët shqiptarë të kryesuar nga Çerçiz Topulli dhe Adem Emini, që punonin për për përgatitjen e një kongresi dhe të një reviste të përjavshme. Mendimet e moderuara politike dominonin në rrjedhën e ngjarjeve që rrokulliseshin në shpinë të popullit, që ishte rrezik për të ardhmen e qenësisë si komb…Krijimtaria e tij letrare ishte bashkëudhëtare që në fillimet e saj, prej vitit 1897, me “Kalendarin Kombiar” në vijim vitesh deri më 1928. Shkrimin e parë biografik , më 1901 ja kushtoi Naim Frashërit…. Vetë koha ka kontradiktat e veta, me mendime, opinione të ndryshme, si çdo komb, si çdo histori të popujve të ndryshëm me korifenjtë e vet. i tillë ishte Mit’hati me energjinë, dashurinë, inteligjencën, kulturën enciklopediste dhe aftësitë praktike, bëhet dishepulli dhe mbështetësi kryesor. Nuk mund të ishte larg ngjarjeve të mëdha. Në kongresin e Alfabetit, në Kongresin e Manastirit, 14 nëntor- 22 nëntor 1908 , zgjidhet kryetar i kongresit dhe nënkryetar i komisionit të hartimit të alfabetit ( kryetar, At Gjergj Fishta). Në shpalljen e pavarësisë është një nga firmëtarët e saj, si dhe zgjidhet në qeverinë e Ismail Qemalit. Është shumë aktiv në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë në vitet ’20. Ai ka qenë i papajtueshëm me Esad Toptanin dhe veprimtarisë së tij antishqiptare. Jeta e tij është dinamike, gërshetuar jeta politike, diplomatike dhe letrare. Në periudhën 1912 – 1939, Mit’hat Frashëri i shërbeu me sukses atdheut të vet si një militant i luftës diplomatike që zhvilloi shteti shqiptar për t’u afirmuar në arenën ndërkombëtare si shtet i pavarur. Si përkrahës i regjimit republikan që ishte, ai pati kujdes që të mos e përfshinte emrin e vet në jetën e brendshme politike të regjimit monarkik të Ahmet Zogut (1928- 1939). Me mbarimin e Luftës së Pare Botërore, 1918 ai i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo- Kroate- Sllovene. Deklaron se: “ Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan”… vizioni dhe mendimi analitik i tij ka vlerë dhe sot.. Më 1919 si kryetar i delegacionit shqiptar në Paris “ në mbrojtje të të drejtave të Shqipërisë”. Ku i është bërë thirrje nga nga kryesia e “Vatrës” të punojë “për bashkimin e gjithë shqiptarëve për një Shqipëri independence pa asnjë protektorat”. Kur qe aty, me mision, shkroi: “ Indipendenca morale” si dhe punimin “Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë”…Aktiviteti diplomatik sa në Washington, më pas Athinë… Personaliteti i tij ishte i padiskutueshëm. Ai zhgënjehet nga zhvillimet politike në Shqipëri, jep dorëheqjen dhe deklaron largimin nga aktiviteti politik, i cili rikthehet përseri gjatë Luftës së Dytë botërore, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste. Por veprimtaria letrare studimore është në vazhdimësinë e saj. Boton revistën “Dituria”, dhe dimë se në këtë periudhë merr një zhvillim publicistika shqiptare. Ai është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste. Mit’hat Frashëri është autori i “Dekalogut”, vlerësuar nga përkrahësit e tij si “kontribut i madh teoriko- politik” shkruar 1942, në Tiranë. Ai është mbajtur si nacionalist në politikënn shqiptare, duke pasur një korrespondencë të pasur, premorie, takime në konferenca apo takime me personalitete të politikës ndërkombëtare. Duke qenë njohës i disa gjuhëve të huaja, u përpoq në fushën diplomatike, brenda dhe jashtë shqipërisë, për bashkimin në Shqipërinë etnike të ish – katër vilajeteve shqiptare, Janinës, Shkupit, Manastirit dhe Shkodrës…Mbas çlirimit të Shqipërisë iu sekuestrua pasuria e Mit’hat Bej Frashërit. Midis të tjerave ishte dhe biblioteka personale e tij. Sot rreth 40 000 vëllime të kësaj biblioteke janë pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Mit’hat Frashëri, nga pasardhësit e tij politik ka vlerësimin: mendimtari illuminist i neoshqiptarizmës, të viteve ’30.
Në një shkrim, ese, Mit’hat frashëri, ka shpalosur idetë e tij përparimtare dhe nivelin e lartë intelektual, si shtetar,- se çfarë begatie ka trualli shqiptar, që ia shtojnë pozita gjeografike si vend mesdhetar dhe i bekuar nga perëndia, i ndodhur buzë detit e me plot fusha e male, me klimë të mrekullueshme, me njerëz të shquar, në udhëkryqin ku lidhen kombet.
Mit’hat Frashëri akumuloi një kapital të madh patriotik gjatë veprimtarisë së tij gati gjysmë shekullore para Luftës së Dytë Botërore; jetoi dhe veproi në tri periudha të historisë së shqipërisë, të cilat ndyshojnë rrënjësisht njera nga tjetra për nga ngjarjet, për nga proceset, për nga karakteret e tyre. Në emigracion, me ndihmën e aleatëve anglo- amerikanë, shpalli Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, më 26 gusht 1949, në Paris, Francë duke qenë kryetar i tij me anëtarë si Abaz Kupi, Zef Palin, Nuçi Koten, e Seit Kryeziun. Ai ka vënë që në atë kohë në dukje se: – “Shqipëria është pjesë e vendeve të mëdha evropiane dhe zhvillimi i saj do të vijë pikërisht nga bashkëpunimi me vende evropiane dhe SHBA– -në; dhe këtu duket gjenialiteti i personalitetit të tij, që me te drejtë quhet Babai i Kombit Shqiptar….
New York/ 10 Nëntor 2018