-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekoron me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e KFOR-it Gjeneralmajor Franco Federici, me rastin e përfundimit të mandatit/
-KFOR – Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO-ja prej 15 Tetorit 2021 do ketë komandant të ri Gjeneralmajorin e Ushtrisë Hungareze, Ferenc Kajári/
-Në vitin 1999 të lirisë së Kosovës – hyrjes së farcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it, komandanti i parë ishte Gjenerali Britanik Michael Jackson/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 12 Tetor 2021/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar komandantin e KFOR-it, në Kosovë, Gjeneralmajor Franco Federici me Medaljen Presidenciale Ushtarake për kontribut në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit gjatë mandatit të tij në krye të këtyre trupave.
Presidentja Osmani ka theksuar gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me KFOR-in, duke potencuar se synim strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.
Forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, e cila është vendosur në Kosovë para 22 vitesh në pranverën 1999, prej 15 Tetor 2021 do ketë komandant të ri Gjeneralmajorin e Ushtrisë Hungareze, Ferenc Kajári, i cili merr detyrën nga Gjeneralmajori Franco Federici – pasuesi i Gjeneralmajorit Michele Risi që përfundonte misionin operacional 1-vjeçar në 13 Nëntor 2020.
Ceremonia e ndrërrimit të komandës mes KFOR XXV dhe KFOR XXVI do të bëhet në Kampin Film City (Shtabi i KFOR-it) në Prishtinë në 15 tetor në orën 11:00. Admirali Robert P. Burke, Komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, do të kryesojë ngjarjen.
Gjeneralmajor Ferenc Kajári për median hungareze MTI ka thënë se ai do të jetë komandant i trupave të 27 vendeve (19 anëtarë të NATO-s dhe tetë vendeve partnere) që sigurojnë personelin e KFOR-it. Ai tha gjithashtu se KFOR ishte operacioni më afatgjatë dhe më i suksesshëm i NATO-s që nga viti 1999, citonte media në 25 Gusht 2021.
Në vitin 1999 të lirisë së Kosovës – hyrjes së farcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it, komandanti i parë ishte Gjenerali Britanik Michael Jackson.
Para 22 viteve, në 24 Mars 1999, nisi ndërhyrja shpëtimtare për Kosovën e NATO-s-KFOR-it, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ende pa kaluar tre muaj Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 Qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morin-Vërmicë, drejt Prizrenit… Për këto ngjarje historike atëherë kam raportuar edhe nga minutat e para të ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s me aviacion luftarak edhe nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin e sillnin lirinë e paqen në Kosovë…