Ka ndërruar jetë Ilir Zhiti, vëllai i shkrimtarit të njohur Visar Zhiti. Visari, e shprehu dhimbjen me kete mesazh ne rrjetet sociale:
“Vëlla i shtrenjtë, Ilirjan,
qofsh i hijshëm si përherë dhe shkëlqefsh
dhe në rrugët qiellore…”
Ikja e parakohshme e Ilirianit ka prekur thelle familjen dhe miqte.
Lajmi i ka prekur thellë lushnjarët që jetojnë në SHBA dhe përmes Diellit i përcjellin ngushëllimet më të thella familjes..
Ilirjan Zhiti do t’i mungojë familjes, miqve, kolegëve. Ai la pas bashkëshorten, fëmijët, motrën, dy vëllezërit dhe nipër e mbesa.
Gazeta Dielli i përcjell ngushëllimet më të thella familjes së Ilirianit, bashkëshortes dhe fëmijëve, motrës dhe vëllezërve, nipërve dhe mbesave!
Pushoftë në paqe shpirti i Tij!
Poezi të Ilirian Zhitit marrë nga Dielli online
ZËMRA E NËNËS
Rruga e lodhshme,
e gjatë…
Plakë e sëmurë;
fuqi e paktë,
çehrja e zverdhur,
shpirti si trung.
Nëna nëpër ecje,
i biri në burg.
Kaq dëshpërim,
kaq sfilitje,
kaq mall,
kaq pritje,
kaq dëshirë,
kaq drithërim,
kaq torturë,
kaq poshtërim,
kaq brengë…
Dhe një zemër vajze
njëzetvjeçare
do plaste pa frikë
si shalqi i pjekur
kur i vëmë thikën.
Po zemra e nënës,
(plakë e sëmurë)
si e duron vallë,
gjithë këtë torturë ?
Oh, vetëm zemra
e nënës, e brishtë,
mund të thyejë ligjet
e bushtrës diktaturë.
ËNDËRROJ NJË BOTË …
Ëndërroj një botë
që për veprimet e mia të gjykohem
dhe jo për ato që s`kam bërë
të paragjykohem.
A ISHA UNË NJË ËNDËRR ?!
A isha unë një ëndërr,
a Zoti pa një ëndërr,
që ishte
Jeta ime !?
“ HAKMARRJE “
Jeta pa ty,
një moçal trishtimi.
Fytyra jote
si një detektiv
më ndjek në mëngjes.
Edhe në drekë më ndjek.
Në mbrëmje më vdes.
RROTA E FATIT
Në një kohë,
që ishte vetëm në atë kohë,
një i ditur po mendonte :
-Njeriu bëri shpikjen më
gjeniale, shpikjen e rrotës,
por me siguri
nxitjen fillestare e pati
kur pa rrokullisjen
e fateve njerëzore.
IU MBURRA TIM ETI …
Iu mburra një herë babait
se isha i mirë në mësim.
Por më pas fytyrën vrenjti
se për shokun shfaqa nënvleftësim .
-Askush s`është i pa rëndësishëm,
çdokush ka aftësinë e tij;
në botën ku jemi të pranishëm
nuk janë të gjithë gjeni.
Pa punën e “ të rëndomtëve”,
ku jemi dhe ne pa dyshim,
gjenitë e mëdhenj të Botës,
do vdisnin, patjetër, për ushqim.