Me 15 Shtator 2018, ditën e shtunën në mëngjes, ndërroi jetë në një spital të Nju Jork-ut, shkrimtari Makensen Bungo.
Makensen Bungo lindi më 14 prill të vitit 1926, në Elbasan. Kreu shkollën Normale të këtij qyteti dhe më pas studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Gjuhë-Letërsi, me korrespondencë(pas burgut).
U arrestua në vitin 1946 dhe më 12 tetor të po atij viti, Gjykata Ushtarake e Elbasanit e deklaroi fajtor për «krime kundër shtetit» dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe konfiskimin e pasurisë. Dhe më 26 shkurt të vitit 1947, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Qendrës Elbasan urdhëroi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. U lirua në vitin 1950.
Makensen Bungo provoi torturat e egra të hetuesisë së diktaturës komuniste dhe pa vdekejn me sy në Kënetën e Maliqit, në kampin famkeq të Vloçishtit etj.
Akuza e fabrikuar ishte “Agjitacion e propogandë”, e konsideruar si krim kundër shtetit! A e din ipse? …
Sepse kishte thënë në biseda se Kosova është e robëruar…
Gjatë kohës së diktaturës nuk u lejua që të botojë. Makenseni edhe kur ia dhanë të drejtën e mësimdhënies sipas diplomimit e dërguan në zona të thella në fshatra të Tepelenës, Gjirokastrës dhe Fierit.
Makensen Bungo, pas rëniessë komunizmit,është autor i disa librave. Përmendim:
- Monografia për Abaz Kupin(2001)
- Këneta e Vdekjes( u botua më 1996 dhe u ribotua edhe 5 herë- më 2009 u botua në gjuhën angleze)
- Gruaja me të zeza-Vëllim me tregime(2008)
- Rrugëtim me psherëtima-Roman(2009)
- Nëna Kosovare-poemë(2003)
- “Varret” poemë…etj..
- Musine Kokalari…
Ai ishte një ndër bashkëpunëtorët e palodhur edhe për shtypin e diasporës, vecanërisht i gazetës”Dielli”, ku kontribuoi me studime, artikuj, poezi etj.
Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” dhe Gazeta e saj”DIELLI” i shprehin ngushëllimet më të thella Familjes Bungo.
PS: Gjatë ditës së nesërme do të përcjellim informacion për shërbimet funerale dhe për varrimin(Dielli)
***
Nacionalisti Abaz Kupi në një monografi shkruar nga Makensen Bungo
Nga Klajd Kapinova/Illyria/ Arkiv/
Shumë rrallë dhe për më tepër vetëm në vitet e demokracisë në Shqipëri është folur dhe shkruar për veprimtarinë dhe jetën e nacionalistit Abaz Kupi.
Aktiviteti dhe puna e tij në dobi të nacionit tonë është ende e panjohur dhe për më tepër, gjatë sistemit të anatemimit të vlerave shqiptare komunizmi dhe “studiuesit” komunistë hodhën baltë dhe nxinë aktivitetin patriotik të nacionalistit Abaz Kupi. Kjo vepër letrare si një pronë e punës së palodhshme krijuese, hulumtuese dhe shkencore e studiuesit skrupuloz Makesen Bungo është e mirëpritur në qarqet e kulturës mbarëshqiptare dhe në veçanti në diasporë SHBA, Shqipëri, Kosovë dhe Çamëri, si një punë e mirëfilltë shkencore me vlera të veçanta në llojin e vet.
Redaktori i kujdesshëm dhe i talentuar Dalip Greca, është përkujdesur njësoj sikurse autori Makesen Bungo, duke i dhuruar Atdheut dhe trojeve etnike shqiptare Abazin të gjallë dhe në përjetësi. Duke lexuar dhe rilexuar ndihesh sikur je pranë personalitetit të madh të shquar Abaz Kupit. Stili dhe mënyra e të rrëfyerit e gërshetuar me finesë me materialet e dokumentat historike origjinale janë një mjeshtëri e art në të shkruarit të autorit Bungo. Për të tillë burra të shquar të nacionit shqiptarë ka nevojë të edukohet dhe të ripërtërihet në vlera patriotike populli ynë i lodhur nga historiografia e shterpër komuniste dhe shërbëtorët e saj që përsëri shkruajnë dhe zhgarravisin si në kohën e monizmit.
Duke depërtuar nëpër arteriet e kapitujve të veprës monografike kushdo e kupton, se je futur në vërtetësinë e ngjarjeve e fakteve historike të ofruar me kulturë nga Makesen Bungo, duke na shpalosur shembullin e shërbestarit të nacionit dhe të Flamurit shqiptar, me të cilin ishte rritur e mbrujtur personaliteti i Abaz Kupit. Ai ishte një fytyrë e ndritshme e dashurisë, sakrificës, përkushtimit ndaj nacionit dhe Atdheut të tij të dashur për shumë dekada. Ai sakrifikoi një jetë të tërë në shërbim të vatrave martire shqiptare.
Shumë studiues ka raste që bijnë në përsëritje në stil dhe në mënyrën se si e ndërtojnë monografinë e tyre shkencore, duke sakrifikuar kështu gjithë atë material të pasur që kanë vjelur dhe mos të arrijnë në qëllimin e tyre të mirë. Por tërësisht i veçantë paraqitet studiuesi e letrari Makesen Bungo dhe redaktori i kujdesshëm Dalip Greca. 5 dekadat e jetës e aktivitetit patriotik të personazhit kryesor Abaz Kupi lexohen këndshëm, duke e dalluar atë si luftëtar, organizues e udhëheqës në përpjekje të reja e të pashtershme për të fituar lirinë dhe pavarësinë shtetërore, për forcimin dhe sigurimin e kësaj qenie të lirë shqiptare.
Kontributi i shquar i Abaz Kupit, është e mbushur me përpjekje për këtë ideal dhe si një rrymë atdhedashurie pëshkon tërë monografinë përkushtuar me dashuri, theks shkencor dhe nota të ndezura letrare nga vetë autori i veprës Bungo. Me interes mund të kundrohen aspektet e rëndësishme të aktivitetit të dendur dhe cilësor të patriotit Kupi në dobi të Atdheut, qoftë kundër ndërhyrjeve të shteteve fqinjë për të penguar nga brenda konsolidimin fillestar të shtetit të ri shqiptar, ashtu edhe kundër qëllimeve pushtuese tështeteve megallomanë. Ai natyrshëm është shquar për krijimin e një shoqërie shqiptare progresiste, duke iu larguar gjithnjë e më shumë rrymave politike bolshevike që si sëmundje kancerogjene kishin prekur si individët dhe një pjesë të shoqërisë shqiptare kishin importuar si ideologji nga Rusia. Nëse ndonjë shqiptar nuk e di apo nuk ka pasur shansin dhe fatin të mësojë nga puna e madhe patriotike që ka bërë atdhetari nacionalist Abaz Kupi, tashmë sot ka mundësi që të ketë në dorë një vepër serioze monografike me të gjitha të vërtetat e historisë së jetës së tij brenda komunitetit shqiptar në vendlindje ashtu dhe këtu në diasporë e në familjen e tij.
Vepra monografike kushtuar Abaz Kupit është ndarë në 10 kapituj. Ajo fillon me një kushtim, për të vijuar më pas me; “Rinia, në vazhdim të jetës”, “Oficeri i xhandarmarisë”, “Kthimi në Atdhe”, “Nga Peza në Mukje”, “Pushtimi nazist”, “Vëllavrasja”, “Jeta e kampeve në SHBA”, “Vlerësimi”, “Heronjtë nuk vdesin”, përmbajtja dhe një resume në gjuhën angleze.
Ndoshta do të ishte me rëndësi që të vihet në dukje, se autori Makesen Bungo për hartimin e kësaj vepre, ka mbledhur me durim dhe qëllimin fisnik si një bletë punëtore shumë të dhëna gojore të bashkëkohësve kujtime dhe dokumente të ndryshme nga zotërinjtë: Petrit Kupi, Enver Shaskaj, Fuat Myftija, Ndrecë Gjergji, Bradhok Ndreu, Atdhe Dungu, Nderim Kupi dhe sidomos Ramiz Dani, i cili autori thekson se është edhe nismëtari për hartimin dhe botimin e kësaj vepre, duke e ndihmuar shumë autorin për hartimin e kësaj monografie serioze shkencore.
Autori në shenjë mirënjohje dhe respekti falënderon të gjithë, miqtë dhe dashmirësit, bashkëluftëtarit e patriotit të madh Abaz Kuqit, mbasi pa kontributin e tyre kjo vepër do të ishte e pamundur që të botohej. Për hartimin e veprës është dlirë dhe hulumtuar një literaturë e pasur dhe e larmishme në diasporë dhe nga autorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj, libra, dorëshkrime, shtypi i kohës, si “Atdheu”, “Balli i Kombit”, “Bota sot”, “Dielli”, “Illyria”, etj., në Shqipëri, Kosovë.
Vepra luksoze ka në ballinë portretin e patriotit dhe personalitetit të shquar në jetën politike dhe shoqërore në diasporë dhe vendlindje të Abaz Kupit dhe botuar me përkujdesje të veçantë nga Shtëpia e njohur Botuese dhe Shtypshkronja cilësore “Gjonlekaj Publishing” në New York të SHBA, në vitin 2001.
Kush është Abaz Kupi?
Duke respektuar të gjitha të drejtat e autorit të monografisë studiuesit dhe letrarit Makesen Bungo, nuk dua të shkruaj mbi të rejat që zbardhen në vepër për herë të parë nga autori, por në mënyrë telegrafike të përshkruaj truallin, se ku punoi për 50 vjet me radhë intelektuali dhe personaliteti i spikatur Abaz Kupi brenda Shqipërisë dhe jashtë saj.
Autori Bungo me të drejtë e fillon monografinë e tij me kapedanët që kanë pasur dhe kanë shtete e tjera të botës, princër, mbretër, perandorë, presidentë, apo personalitete të tjera të shquara të fushave të ndryshme që janë respektuar nga popujt e tyre gjatë shekujve. Ndryshe ndodhi e ndodh shpesh në vendin më të çuditshëm në botë që ka emrin e bukur Albania dhe albanët që jetojnë në trojet e tyre, mbasi kështu na njeh bota.
Afërsisht 200 faqet e monografisë shoqërohen me shumë foto origjinale, të cilat hijeshojnë dhe e rrisin edhe më shumë dinjitetin dhe vërtetësinë e veprës në fjalë. Ky prijës i lirisë shqiptare radhitet sipas autorit të monografisë me të drejtë përkrah Mic Sokolit dhe Azem Galicës, Spiro Bellkamenit dhe Shaban Polluzhës, Isa Boletinit dhe Selam Salarisë, Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos, Dedë Gjo Lulit dhe Bajram Currit, Idriz Seferit e Sef Kosharja, për të ardhur sipas mendimit tim tek mijëra e mijëra Adem Jasharë të UÇK-së në Kosovë që luftuan kundër makinës shfarosëse serbe në trojet etnike shqiptare, detyrë të cilën e kishte edhe Abaz Kupi. Shpesh krahina e Krujës, ka qenë vendi i heronjve të vërtetë dhe mbi të gjitha Gjergj Kastriotit që për 25 vjet me radhë bëri që të dridhet Evropa për qëndresën e tij kundër Perandorisë së “pathyeshme” turke, që kishte pushtuar vendin tonë dhe pas vdekjes së Heroit Nacional embajti vendin në morsën shkatërrimtare për 500 vjet me radhë…
Saktësisht 111 vjet më parë lindi Abaz Kupinë Krujë në një ditë të nxehtë gushti, më 6 gusht 1892. Autori është futur në thellësia të origjinës së Kupëve duke theksuar se ata nuk janë vendas po të ardhur në Krujë (Kurbini). Biografi dora-dorës ka pëshkruar me hollësi gjithçka ka lexuar, mësuar dhe dëgjuar nga bashkëkohësit apo shtypi periodik në diasporë dhe pas 1991 në Shqipëri mbi Kupët dhe birin e tyre të denjë Abaz Kupi. Vepra e mirëseardhur, vjen në një kohë dhe situatë kur në Shqipëri po shkruhet shumë për “historitë” e lavdishme të diktatorëve shqiptarë në gazetat dhe revistat e majta, duke privuar shqiptarët për të parë edhe anën tjetër të medaljes, sekush kanë qenë bijtë më të denjë të popullit shqiptar. Sot harxhohen me mijëra ton letra, bojë dhe dollarë për t’i mbushur mendjen shqiptarëve se diktatori (kujtojmë vitin 1998 kur nga një anketë e gazetës “Koha Jonë” (Tyne) Nënë Tereza dhe Skënderbeu u radhitën pas Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, etj.
Për më tepër në kapitujt e “Historisë së Shqipërisë”, (Tiranë, 2002) nuk e përmendet Abaz Kupi, ose nëse rastësisht citohet ky personalitet më shumë trajtohet sipas syzeve të sistemit të Enver Hoxhës, mbasi ata që e rishkruajnë “historinë” janë të njëjtit persona që kanë zënë vendet kyçe në fondacione, ministri dhe departamentet e “kulturës”.
Për të qenë realisht të saktë është më mirë t’u thuhet edhe disa brezave se kurrë dhe asnjëherë nuk do ta mësoni historinë e Shqipërisë të saktë dhe paanshmëri dhe ideologji komuniste. Mbasi ende vegjetojnë “studiuesit” dritëshkurtër. Po të lexosh me kujdes “veprat” e diktatorit E. Hoxha del se Abaz Kupi është një legalist tradhëtar, reaksionar, armik i popullit, agjent i CIA-s, KGB-së, UDB-së, Vatikanit, Serbisë, Greqisë e shumë epitete të tjera që për çudi kanë zënë rrënjë thellë edhe në mendjet e hartuesve të teksteve për shkollat e mesme dhe ciklin e Lartë Universitar.
Vepra “Abaz Kupi” shkruar me fakte dhe argumenta nga studiuesi dhe letrari Makesen Bungo është një vepër e mirëseardhur për qarqet atdhetare dhe nacionaliste që e kanë kujtuar gjithnjë në heshtje gjatë kohës së diktaturës dhe me shkrime e libra (të integruar me personazhe të tjera të personaliteteve të anatemuar shqiptarë, kumtesa dhe përvjetore në shenjë respekti dhe mirënjohje për misionin e tij të madh në përkushtim të Atdheut të dashur dhe njerëzve në diasporë në SHBA.
Pak fjalë për rautorin dhe redaktorin Dalip Greca
Dy autorë të ndryshëm Makesen Bungo dhe redaktori i talentuar dhe gazetar i njohur Dalip Greca, kanë bashkuar energjitë e tyre, talentin dhe dhuruar kohën për të nxjerrë në dritë një vepër shkrimore me të gjithë elementet bashkëkohorë që përmban hartimi i një monografie. Ndonëse larg shtetit amë Shqipërisë autori Bungo dhe redaktori Greca, janë përpjekur me korrektësi të shkruajnë në gjuhën e bukur shqipe çka nuk ngjet shpesh në shumë libra që vijnë nga diaspora në vendlindjedhe për më tepër nga SHBA që ndër shekuj bluan kultura dhe gjuhë të popujve nga vijnë dhe vendosen emigrantët. Me sa duket përvoja e pasur dhe talenti në të shkruar pa përsëritje dhe fjalë të huaja të pakuptueshme kanë bërë që vepra kushtuar nacionalistit të flaktë “Abaz Kupit” të radhitet me dinjitet në fondin e artë të librave monografikë si të veçantë në llojin e tyre. Puna voluminoze dhe përkushtimi atdhetar i autorit Bungo dhe redaktorit të kujdesshëm e të pasionuar Greca ka bërë që tashmë lexuesit shqiptarë të kenë në dorë një vepër të cilën me vështirësi ose aspak s’do ta kishin bërë një departament historie në Universitetin e Tiranës apo departamentet shkencore të Akademisë së Shkencave, që më shumë merret me promovimin e librave të diktatorëve komunistë se sa të nacionalistëve të vërtetë shqiptarë. Shpirti dhe dashuria për të kryer këtë shërbim ngaj popullit shqiptar dhe miqve ka bërë ka bërë që autori Makesen Bungo dhe redaktori i monografisë gazetari dhe redaktori i palodhur Dalip Greca të mirëpriten në Shkodër, Tiranë, Krujë dhe Kosovë për këtë vepër cilësore dhe luksoze që i kanë ofruar lexuesit dhe studiuesve të rinj shqiptarë. Urime dhe vepra të tjera presim nga Makesen Bungo e redaktori i saj Dalip Greca, që nderuan vetveten, mbasi një fjalë e urtë franceze thotë: “Lavdia e tij (në rastin tonë personalitetit Abaz Kupi) s’ka nevojë për asgjë (mbasi flet vetë vepra e tij) e jona (autorit e redaktorit) ka nevojë për Të”.
Marrë nga gazeta “Illyria”