
“Vetëtimë që paralajmëroi stuhinë” (Ismail Kadare)
Nga Frank Shkreli


Pjetër Leka Ivezaj
Lajmin e hidhur për kalimin në amshim të Pjetër Lekë Ivezajt e lexova në portalin e Kishës Katolike Shqiptare Shën Pali në Rochester Hills. Të shtetit Miçigan: “Me dhimbje të madhe dhe zemër të thyer, familja Ivezaj njofton komunitetin shqiptar se më datën 27 janar 2026, paqësisht në shtëpi, i rrethuar nga të dashurit e tij, në moshën 69-vjeçare, ndërroi jetë Pjetër Leka Ivezaj”.
Në vitin 1986, Pjetër Ivezaj u arrestua në Mal të Zi—një akt ilegal që pasqyronte realitetin e zymtë të kohës për shqiptarët që guxonin të mendonin ndryshe dhe që kërkonin të drejtat e tyre legjitime, anë e mbanë trojeve shqiptare. Tani e dijmë se arrestimi i tij nuk ishte thjesht një çështje penale por ishte një përpjekje për ta heshtur zërin e një njeriu që refuzoi nënshtrimin, por edhe të shqiptarëve në përgjithsi. Përvoja e tij e hidhur në duar të autoriteteve komuniste jugollave, siç ishte për shumë bashkvendas të tij, la plagë të thella, por edhe dëshmi të forta të karakterit të një malësori që nuk u dorëzua, ndërsa shpalosi, njëkohsisht, para botës së qytetëruar fytyrën e kalbur të negjimit terrorist sllavo-komunist të ish-Jugiosllavisë.
Por qëllimi i këtij shkrimi të shkurtër me këtë rast morti nuk është historia e arrestimit, burgosjes as edhe e lirimit të Pjetër Ivezajt nga burgjet e ish-Jugosllavisë komuniste me ndihmën e autoriteteve më të larta amerikane të viteve 1980-ave se do kërkonte më shumë kohë e hapësirë. Por dihet se ai u arrestua nga autoritet jugosllave si përfundim i aktiviteteve patriotike të Pjetrit, përfshir pjesëmarrjen e tij në demonstratat anti-jugosllave të komunitetit shqiptaro-amerikan këtu në Shtetet e Bashkuara në mbrojtje të të drejtave të njeriut për shqiptarët e Kosovës. Për ata që janë të interesuar për rastin Ivezaj dhe për atë periudhë, kjo histori është e dokumentuar sumë mirë në librin “Klithma e një shqiponje”, shkruar nga vëllai i Pjetrit, Dr. Fran L. Ivezaj. Një libër jo vetëm letrar e autobiografik, por njëkohsisht, edhe një dëshmi e dokumentuar, historike dhe morale e asja periudhe. Një tregim i gjallë i vuajtjeve, qëndresës dhe dinjitetit të shqiptarit nën shtypjet shekullore të sllavëve të jugut. Në thelb të këtij libri qëndron drama e një familjeje shqiptare — familja e madhe patriotike Ivezaj nga Malësia e Madhe, simbol i qendresës. Veçanërisht, pasqyrohet me dokumenta, përndjekja politike e malësorit shqiptaro-amerikan, Pjetër Ivezajt nga autoritetet sllavo-komuniste jugosllave, përndjekje që më në fund u shndërrua në një simbol të fatit të keq kolektiv shtypës për mijëra shqiptarëve nga të gjitha trojet iliro-arbërore, nën ish-Jugollavinë komuniste, përfshir Kosovën.
Por, dua të kujtoj — me këtë rast të zi për familjen dhe për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan — këtë simbol vuajtjesh e qëndrese në burgjet jugosllave të njërit prej atyre shqiptarëve të heshtur por edhe të palëkundur, siç ishte Pjetër Ivezaj, simbol i përndjekjeve politike dhe sakrificës personale. Duke e kujtuar atë si shembull të një qëndrese morale dhe kombëtare, i cili e pagoi shtrenjtë besnikërinë e tij ndaj Malësisë dhe shqiptarisë, lirisë, dinjitetit njerëzor dhe të drejtave bazë të njeriut, për të gjithë shqiptarët kudo ishin.
Dua t’a kujtoj atë rast, që në atë kohë i referoheshim si, “Çeshtja Ivezaj” — si një sfidë e madhe që paraqitej atëherë për komunitetin shqiptaro-amerikan por edhe për të gjithë shqiptarët, përball barbarive serbe kundër shqiptarëve, në adthe pore dhe këtu në Amerikë. Si sfidë po, por e kujtojmë edhe si shpresë: si një “vetëtimë që paralajmëroi stuhinë”, siç e ka cilësuar rastin e Pjetër Ivezajt, shkrimtari Ismail Kadare. Duke shtuar se, “Thyerja e tyre (autoriteteve jugosllave) përball Pjetër Ivezajt ishte shenja e parë e sigurtë se një epokë e re po afrohej në Ballkan. Për shqiptarët, në radhë të parë, por edhe për të gjithë të tjerët”, ka shkruar Kadare. Ndërsa shkrimtari Dritëro Agolli ka komentuar rastin Ivezaj duke u shprehur se “Shteti komunist, që s’kishte prapsur as tanket para studentëve të Prishtinës me ’81-ën, detyrohet të tërheq dënimin e Pjetës Ivezajt”. Dhe nëse, “Çeshtja Ivezaj” ose, “Fati i Pjetër Ivezajt po e paralajmëronte fatin e ndryshuar të shqiptarëve dhe të Kosovës”, siç ka thënë Rexhep Qosja, përfundimisht, kjo gjë u takon historianëve të ardhëshëm të thonë fjalën e vet, nëse fati i këtij malësori në duartë e barbarëve sllavë në vitin 1986, ishte vërtetë fillimi i triumfit përfundimtar të shqiptarëve mbi dehumanizimin serb në Ballkanin Perëndimor që eventualisht përfundoi me çlirimin dhe lirinë dhe pavarsinë që gëzon sot Kosova.
Dua të kujtoj gjithashtu në këtë ditë të kalimit në amshim të Pjetër Ivezajt, duke shtuar se kjo “thyerje” e regjimit terrorist serb, vështirë se do kishte ndodhur pa interesimin dhe pjesëmarrjen e shumë faktorëve vendimtarë të politikës amerikane që, më në fund, çuan në lirimin e Pjetër Ivezajt nga burgu jugosllav. Nuk kam asnjë dyshim se kryesori në këtë mes ishte angazhimi aktiv institucional i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në “Çeshtjen Ivezaj”. Fillimisht, ishin përfaqsuesit e shtetit Miçigan në Kongres, të nxitur dhe të mbështetur fuqishëm nga diaspora shqiptaro-amerikane, fillimisht nga shqiptarët e Detroitit me rrethe, kryesuar nga biznismeni dhe aktivisti i dalluar i komunitetit tonë këtu në Amerikë, Z. Ekrem Bardha. “Rasti Ivezaj” u soll në vëmendjen e autoriteteve qeveritare të Washington nga Z. Ekrem Bardha nëpërmjet mikut të tij, njërit prej përfaqësuesve të shtetit Michigan në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Z. William Broomfield. Kongresisti Broomfield kishte organizuar me kolegët e tij sesion-dëgjimi për këtë rast në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në tetor, 1986. Mos qofsha gabim e para e këtij lloji, ekskluzivisht, për t’u informuar për fatin e një personi – një malësori të arrestuar e keqtrajtuar në burgjet jugosllave – por edhe për gjëndjen e rëndë të shqiptarëve në ish-Jugosllavinë e asaj kohe.
Ky presion nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, u shoqërua në atë kohë edhe me raporte periodike të Departamentit të Shtetit dhe të enteve të tjera qeveritare dhe jo-qeveritare amerikane, ku flitej për shkeljet sistematike të drejtave të njeriut në Jugosllavi, duke e rritur për Beogradin, koston politike dhe diplomatike të mbajtjes në burg të figurave si Pjetër Ivezaj. Prandaj, lirimi i tij nuk ishte thjesht rezultat i rrethanave të brendshme jugosllave, por produkt i ndërhyrjes ndërkombëtare, ku Kongresi Amerikan luajti rol kyç. Duhet të kujtojmë se ky episod mbetet një dëshmi konkrete se si demokracitë perëndimore, kur vihen në lëvizje nga komunitetet e tyre dhe nga parimet e lirisë dhe të demokracisë, mund të ndikojnë drejtpërdrejt në fatin e individëve të persekutuar dhe të kombeve të shtypur.
Dua të kujtoj. në këtë ditë të kalimit në amshim të Pjetër Ivezajt, për të gjithë shqiptarët, por sidomos për diasporën shqiptaro-amerikane se figura e Pjetër Ivezajt ka një domethënie të veçantë për të gjithë ne edhe pas largimit të tij nga kjo jetë. Historia e Pjetër Ivezajt dhe shumë shqiptarëve si ai, të fund shekullit të kaluar, është bërë tanimë pjesë e mozaikut të vuajtjeve dhe qëndresës kombëtare shqiptare — një histori që meriton të ruhet dhe të përcillet brez pas brezi, këtu në mërgim dhe në atdhe. Përvoja e hidhur e Pjetër Ivezajt na kujton sot të gjithë neve se pse u detyruam të largoheshim — me mijëra shqiptarë — nga trojet tona stërgjyshore, sidomos gjatë 1960-1970-ave. Qe besa, duhet të na kujtojë të gjithëve këtu në Amerikë por edhe në Malësi, Shqipëri e Kosovë por dhe anë e mbanë trojeve shqiptare sot, se liria dhe demokracia sado e brishtë që është në trojet tona që gëzojnë sot shqiptarët, nuk duhet marrë kurrë si e mirëqenë, por për të cilat vlera duhet të luftohet çdo ditë, për t’I ruajtur e për t’i mbrojtur.
Me ndarjen e Pjetër Ivezajt nga jeta, humbëm një dëshmitar të gjallë të një epoke padrejtësishë, por fituam një obligim moral: që të mos harrojmë! Kujtimi i Pjetër Ivezajt na fton të flasim hapur për të kaluarën, por edhe të kujtojmë dhe të nderojmë viktimat e asaj historie të hidhur dhe të mbrojmë të vërtetën historike nga heshtja dhe relativizimi. Ndarja e tij nga kjo jetë, le të shërbejë gjithashtu si një kujtesë se liria dhe identiteti kombëtar i shqiptarëve janë ruajtur edhe falë njerëzve të thjeshtë si Pjetër Ivezaj i Malësisë së Madhe, të cilët nuk u përkulën kurrë, përballë padrejtësive të historisë.
Kur ndahet nga kjo jetë një burrë si Pjetër Ivezaj, jo vetëm familja e ngushtë e familja më e gjërë, farefisi në mërgim dhe në Atdhe, por e gjithë mërgata jonë pëson një humbje të rëndë. Kujtimi, vepra dhe dinjiteti i tij prej burrë-malësori mbeten trashëgimi të gjalla, jo vetëm në familjen e tij, por edhe tek të gjithë ata që e njohën, sidomos pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit. Pjetër Ivezaj pushoftë në paqë e Zoti i dhashtë forcë familjes dhe të afërmëve për të përballuar këtë dhimbje dhe humbje të rëndë. Familjarëve dhe far-e-fisit kudo që janë nepër botë, disa prej të cilëve i kam njohur gjatë viteve, u paraqes ndjenjat e mia më të ndieshme dhe ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e Pjetër Ivezajt. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!
Frank Shkreli
Botimi i Librit, “Klithma e një shqiponje”, një ndërmarrje bujare për të qitur në dritë të Vërtetën, siç e ka përjetuar vet Pjetër Ivezaj dhe familja e tij. Me mirënjohje të thellë për ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këtij vendi të bekuar për të gjithë ne shqiptaro-amerikanët e vjetër e të rinj, për ndihmën e pakursyer të Amerikës gjatë historisë, në mbështetje të ekzistencës së racës shqiptare dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Përfshirë historinë moderne të angazhimit të përbashkët të komunitetit shqiptaro-amerikan me përfaqsues të enteve më të larta qeveritare të Shteteve të Bashkuara, siç ishte, “Çeshtja Ivezaj”.

Pjetër Ivezaj me Kongresistin e Miçigenit, William Broomfield, një prej mbështetësve kryesorë të përpjekjeve për lirimin e tij nga burgjet jugosllave, n[ një pritje në sallën e Kishës Katolike Shqiptare, Shën paëi në Miçigan
Pjetër Ivezaj në krye të demonstratës anti-jugosllave për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, Washington DC.
Xhim Xhema, me origjinë nga Kosova — biznismeni dhe aktivisti i njohur shqiptaro-amerikan i çeshtjes së Kosovës ndër dekada dhe biznismeni dhe aktivisti tjetër i çeshtjeve kombëtare, Ekrem Bardha nga Leskoviku, kanë dëshmuar se nga ditët e para të demonstratave anti-jugosllave në Washington dhe qytetet tjera amerikane, që në fillim të 1980ave, ishin malësorët të parët ata që morën pjesë në tubime për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve të Kosovës!

Pjetër Ivezaj në demonstratë në Washington, 2006 – “Të drejtat në Mal të Zi, ose bashkë me Shqypni”.

Pjetër Ivezaj majtas, me Ambasadoren e Presidentit Ronald Reagan pranë Kombeve të Bashkuara, Jean Kirkpatrick
Fotot: Nga libri “Klithma e një shqiponje” e autorit Dr Fran L. Ivezaj –Kërkoj ndjesë për kualitetin e forografive.