Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, të mbarë vatranëve, të shqiptaro-amerikanëve dhe të familjes sime; shpreh ngushëllimet më të dhimbshme familjes Repishti për ndarjen nga jeta të shqiptarit të shquar, intelektualit, aktikomunistit, atdhetarit, veprimtarit, studiuesit dhe aktivistit të madh të kombit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sami Repishtit.
Një humbje e madhe për kombin shqiptar, kulturën kombëtare, letrat shqipe dhe mbarë komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sami Repishti si ikonë e qëndresës antikomuniste, si shkrimtar, si publicist e mbrojtës i pa lodhur i të drejtave të njeriut, i bëri një shërbim historik kombit tonë e mërgatës shqiptare në Amerikë.
Ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare në institucionet amerikane, promovoi interesat kombëtare, imazhin, kombin e komunitetin shqiptar në shoqërinë amerikane duke lartësuar vlerat më të çmuara të kombit tonë në Perëndim.
Sami Repishti ishte një pishtar drite dhe lirie ku pas daljes nga ferri komunist, rrezatoi paqe, falje e dashuri. Aktiviteti i ngjeshur atdhetar e patriotik, studimet dhe botimet në publicistikë, analizat e komentet, reportazhet, dokumentaret në media kombëtare e ndërkombëtare, përbëjnë një thesar e mirënjohje, trashëgimi të përjetshme që Sami Repishti na la pas.
Frymëzues dhe shqiptar dinjitoz i këtij shekulli.
I pa harruar kujtimi, jeta dhe vepra e Sami Repishtit.
Jemi pranë familjes Repishti në këto momente trishtimi e lamtumire.
Zoti e pastë në parajsën e përjetshme.
Pranë jush dhe me nderime
Kryetari i VATRËS
Dr. Elmi BERISHA