Nga Dr. Islam LAUKA – diplomat, analist/*
Ne jemi sot këtu, sepse ndjehemi të kërcënuar. Ndjehemi të kërcënuar, sepse po kërcënohet Valbona, që është pjesë e pandarë e identitetit tonë. E dimë dhe e njohim autorin e kërcënimit. Sepse ai ka dalë hapur, pa maska, ditën për diell. Është shteti ynë, ai që e ka për detyrë ta mbrojë si Park Kombëtar, që vetë e ka shpallur, para 20 vjetësh.
Me vendimet e Qeverisë për ndërtimin e disa hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, duke shkelur rëndë të drejten mjedisore, kombëtare dhe ndërkombëtare, shteti ynë ështe futur në konflikt të dyfishtë – me natyrën dhe me njeriun.
Por ne, si qytetarë të lirë dhe të përgjegjshëm, nuk do të lejojmë që të prangoset liria e Valbonës me zinxhirin e hidrocentraleve.
Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë shurdhin ndaj kësaj masakre mjedisore, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi t’i dëgjojmë thirrjet e natyrës dhe të njerëzve për ndihmë.
Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë qorrin, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqermi të shohim sa më qartë krimin që po i kanoset Valbonës dhe njerëzve të saj.
Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë memecin, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi që thirrjeve për ndihmë të natyrës dhe të njerëzve t’u japim zë nga zëri ynë.
Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të jetë i pandjeshëm dhe i pashpirtë ndaj këtyre thirrjeve, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi të kuptojmë me mendje e të ndjejmë me zemër lutjet e natyrës dhe njerëzve për ndihmë.
“Ndihmë”, thërrasin bimët dhe kafshët endemike të Luginës së Valbonës. – “Ju lutemi, mos na pakësoni ujin dhe oksigjenin, sepse edhe kështu jemi në rrezik kritik për jetën.”
“Ndihmë”, thërret Gryka e Dragobisë. “Ju lutem, mos ma copëtoni shtatin e Valbonës, sepse ma hiqni freskinë e gjelbërimin dhe ma sillni shkretimin.”
“Ndihmë”, thërrasin njerëzit që e kanë lidhur jetën e dekën me Luginën e Valbonës.
“Ndihmë”, thërrasin zanat, heronjtë e Eposit të Kreshnikëve, mitet e legjendad. – “Ju lutemi, mos na e prekni vendlindjen tonë, sepse nuk kemi ku shkojmë.”
Ne jemi sot këtu, në përgjigje të këtyre thirrjeve, të gatshëm për të ndihmuar dhe për të sakrifikuar.
E dimë që e kemi shumë të vështire, sepse përballë kemi shtetin. Por frikë nuk kemi.
Nga kjo urë, ne i kërkojmë shtetit:
Së pari, transparencë të plotë për vendimet e Këshillit të Ministrave, sa hidrocentrale janë planifikuar të ndërtohen të Valbonë dhe sa leje mjedisore janë dhënë.
Së dyti, të pezullohet menjëherë realizimi i projektit për ndërtimin e hidrocentraleve.Së treti, të organizohet një referendum lokal në Tropojë, lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve dhe, në rast se populli me vullnetin e tij të lirë shprehet kundër ndërtimit të tyre, atëherë të shfuqizohen menjëherë vendimet e qeverisë për këtë projekt.
Nga lartësitë e kësaj ure, ne u bëjmë thirrje intelektualëve të mbarë trojeve shqiptare, grupeve të interesit, shoqërisë civile dhe, sidomos, rinisë: bashkohuni me ne, në një bllok unik, në mbrojtje të margaritarit të kurorës së Bjeshkëve te Bekueme – Valbonës sonë të bukur dhe të lirë!
Valbonë, 8 maj 2016
*Fjala e mbajtur diten e dielë, më 8 maj 2016, (në “Uren e t’Shtrejtit”) në Tubimin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Valbonës.
Ferhat Ymeraga says
Kam ndjekur me shqetesim te madh shkrimet e Mehmet Elezit
dhe te Dr. Islam Laukes mbi rrezikimin e Valbones…
Kjo nuk guxon te ndodh! Nje: eshte nje fyerje ndaj inteligjences dhe ndaj te arriturave shkencore ne fushen e mjedisit!
Valbona eshte nje perle e Natyres (shqiptare dhe europiane). Ajo duhet te ruhet e te mbrohet per te miren e Shqiperise, te Europes e te Botes.
“In wilderness is the preservation of the world”
(“Ne natyren e paprekur eshte qendrueshmeria e botes.”)
thote Thoreau.
Ne shtetin Washington, duke respektuar dijen dhe parimet bashkekohore te shkences se mjedisit, u lirua lumi Elwha
nga prangat e dy hidrocentraleve, te cilat e kishin prangosur kete lum malor ne gjatesi prej 45 miljesh per 100 vjet, qe nga viti 1910. Projekti i rrenimit te hidrocentaleve zgjati nga shtatori i v. 2011 deri ne shtator te v. 2014. Ishte ky projekti me i madh botnor i heqjes se pendave te ndonje hidrocentrali.
Sot, “zhurma e gjeneratoreve eshte zevendesuar me kengen e lumit zaplot, duke hequr zgjedhen e nje shekulli si te mos kishte qene fare. Zgjimi i natyres eshte i dukshem gjithandej.”
” Gjera te medha mund te ndodhin kur njerezit kembengulin,” tha Mike McHenry, biolog i fisit Klallam ne rrjedhen e poshtme te lumit Elwha, i cili e nisi veprimin
per heqjen e pendes kur ende mendohej se ajo ishte nje ide e krisur.”
Por jo me.”
Tashti lumi dhe natyra jane ringjallur, duke perfshire dhe lloje te cmuara te peshkut salmon.
Vendimi per lirimin e Lumit Elwha u mor me nje akt te Kongresit te SHBA ne v.1992. “Me 83 per qind te shtratit te lumit te mbrojtur si pjese e Parkut Nacional Olympic,
eksperimenti Elhwa i cili kushtoi 325 million dollare ofroi nje mundesi unike per te filluar serish.”
“Dukej sikur i gjithe shtrati (menzi) po priste.”
Pra, te mesojme nga kjo praktike e ndritur e mendjeve te urta ne SHBA (ne Washington State), qe mos te prangoset Valbona per njeqind vjet, dhe, pastaj, pas nje shekulli
te shpenzohen me qindra miliona (ndoshta miliarda) leke
per te liruar lumin e mrekullishem Valbona nga prangat
e roberise, te paditurise e te krimit te tmerrshem qe po i
kercenohet.
Uroj qe Shqiperia, dhe mbrojtesit e mjedisit ne Europe, ne SHBA e kudo ne bote, nuk do te lejojne nje gjeme te tille,
e cila do te ishte vertet nje krim i llahtarshem jo vetem ndaj natyres shqiptare po dhe ndaj inteligjences dhe arsyes njerezore!
Ferhat Ymeri
Kent, Washington
Burimi i citimeve: artikulli :ROARING RESURGENCE
ELWHA RIVER After the removal of two dams, nature takes its course
By LINDA V. MAPES
Seattle Times environment reporter
THE SEATTLE TIMES, SUNDAY, FEBRUARY 14, 2016
( Te interesuarit mund te bejne nje udhetim virual mbi lumin Elwha: ” Take a virtual trip the the Elwha:
at sattletimes.com)