
Intervistë e gazetarit Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
1. Cili është qëndrimi juaj për kodin e ri penal të miratuar së fundmi sa i takon dekriminalizimit të fyerjes dhe shpifjes? Përpos kërkesës për dekriminalizim të plotë, fyerja mbetet ende vepër penale.
Për të qenë korrekt duhet thënë se dekriminalizimi i fyerjes dhe shpifjes është kryer 14 vite më parë, pas disa ciklesh konsultimesh dhe dialogimesh me grupe interesi dhe me strukturë tjetër përfaqësimi parlamentar mes pozitës dhe opozitës politike në vend.
UGSH ka qenë një aktor i përfshirë në dialogim, konsultim dhe recencë drejtformuluese. Në sipërmarrjen e tanishme UGSH nuk është përfshirë. Ka refuzuar për shkak të shpërfilljes dhe përdorimit formal nga Komisioni Parlamentar për Edukim dhe Informim.
Për mendimin tonë edhe disa organizata apo individë që pretendojnë se përfaqësojnë netëorke organizatash rajonale, kanë gabuar në mënyrën e qasjes së tyre ndaj procesit të iniciuar nga shumica politike parlamentare.
Dekriminalizimi I fyerjes dhe shpifjes i kryer nga Kuvendi si amendim ligjor 14 vite më parë nuk parashikonte dënim me burgim. I quante edhe shpifjen edhe fyerjen vepër penale, por të dënueshme vetëm me gjobë. Nëse do të ishin hequr nga Kodi Penal, atëhere mund të përdorej vetëm termi depenalizim. Por ai amendim u krye në përputhje me realitetin dhe qëndrimet juridike në bashkësinë europiane.
Me ndryshimet aktuale ne mendojmë se është rënduar penalizimi i shpifjes dhe kjo ndoshta si reagim ligjbërësish nga kërkesa populiste dhe prej disa OJQ-sh, për depenalizim dhe kjo sjell risqe veçanërisht për gazetarin dhe freelance-n, sidomos ndaj kërkesave të organit të akuzës ose gjyqësorit për verifikimin e burimeve.
Legjitimimi juridik I depenalizimit të shpifjes, me këtë amendim të 21 janarit 2026 jo vetëm që nuk është kryer, por ka sjellë risk posaçërisht për gazetarin raportues e sidomos atë investigues.
2. Sipas kodit të ri penal, edhe dekriminalizimi i shpifjes vjen i kufizuar për gazetarët, pra bazuar në status, vetëm për gazetarë të regjistruar dhe të njohur. A e shihni këtë si një tentativë për të rregulluar profesionin e gazetarit?
Personalisht kam qenë dhe jam pro nenit të mëparshëm të Kodit Penal. Ishte një garanci kryesisht për shprehjen e lirë, për dinjitetin e individit profesional dhe pse jo edhe për median në tërësi. Tashmë me ndryshimin risku i penaliteteve është i lartë. Pas amendimit të tanishëm, organet e drejtësisë kanë legjitimitet për të depërtuar nëpër thellësitë e procesit vetiak të reporterit, kryesisht reporterëve investigativë etj.
Ndryshimet e miratuara nuk e kanë dekriminalizuar tërësisht shpifjen dhe fyerjen për të gjithë personat, por vetëm për një mënyrë të kufizuar sipas statusit profesional.
Në nenet e amenduara lihet ambigue çështja e regjistrit për regjistrimin e gazetarëve, duke mos përcaktuar se nga kush dhe me cilat atribute?!
Dhe ky amendim imponohet në kushtet e një vakumi tronditës inekzistent të strukturave dhe mekanizmave ekzekutivë vetërregullues.
Kush i çertifikon? Kush u njeh kualifikimin? Kush u konfirmon meritokracinë profesionale dhe u vlerëson karrierën gazetarëve, sidomos aftësinë dhe kualifikimin? Cili është ai organ, institucion apo organizëm vetërregullues që e ka kryer në mënyrë të unifikuar për gjithë komunitetin e gazetarëve këtë? etj…etj..
Ju përdorni termin “status”, cili është ky status? Kush e ka përcaktuar? Në ç’dokument zyrtar dhe të pranuar unifikisht ekziston?!
Në ligj nuk ka vlerë nënkuptimi.
3. Neni nuk e përcakton se cili institucion do të regjistrojë gazetarët, por thotë sipas legjislacionit në fuqi, ndërsa jemi në kushtet që nuk kemi një ligj që rregullon profesionin apo regjistron gazetarët. Pra, duket i pazbatueshëm në këtë pikë. A e shihni këtë si një kornizë konceptuale që kanë institucionet për ta çuar në të ardhmen në një format ligjor për të rregulluar profesionin e gazetarit?
Së pari profesioni ynë nuk konsiderohet ligjërisht profesion. Deontologjikisht ky është term i mbetur në diskutim të hapur.
Mediologjia njeh dy përcaktime: zanat dhe profesion. Nuk ka se si dhe nuk mund ta ketë atributin “çertifikues” për gazetarët një institucion publik e aq më keq shtetëror, qoftë ky edhe ent.
Në komunitetin tonë prej 35 vitesh ka dy qasje antagoniste për rregullimin:
Ka dominuar refuzimi kategorik për mospërfshirjen e gazetarisë në legjislacionin e profesioneve të rregulluara dhe opcioni tjetër përmes Urdhrit të paqenë të Gazetarit në Shqipëri.
Natyrisht e shoh premisën për domosdoshmërinë e një formatimi ligjor për rregullimin e statusit social të gazetarit në vend.
Por jo për këtë shkak që lidhet me amendimin e fundit të Kodit Penal.
Personalisht dhe organizata ku jam pjesë, kemi bindjen se vetëm Vetërregullimi i strukturuar dhe me gjithëpërfaqësim është alternativa e duhur dhe projekti i vyer për ta realizuar këtë rregullim.
4. Në gjykimin tuaj, statusi i gazetarit i shërben apo jo gazetarit? Çfarë sjell për sektorin?
Statusi i gazetarit është një nocion disi abstrakt.
Në diskutimin prej gati 35 viteve për këtë çështje në vend, janë ballafaquar dy modele: modeli italian i Urdhërit të Gazetarëve dhe modelet europiane të vetërregullimit përmes mekanizmave ekzekutivë vetërregullues, ku përgjithësisht nënkuptohet trinia e Kodit Etik-Këshilli Vetërregullues dhe Bordet Ekzekutivë Vetërregullues.
Ne nuk kemi patur dhe nuk kemi asnjë prej tyre.
Këto dy modele mund të sjellin statusin e gazetarit, i cili natyrisht u shërben gazetarëve dhe mediave si pushtet në një shoqëri.
Nëse strukturohen dhe vihen në veprim këto, qoftë modeli i pari apo i dyti, atëhere në sektorin mediatik do të kemi padyshim shumë, shumë ndryshime dhe dalje nga krizat që e kanë shembur dhe e mbajnë në kënetizim besueshmërie, ndikimi, veprimi, mosmëvetësie dhe keqpërdorimi funksionin e medias dhe dinjitetin e gazetarit në këtë vend.
5. A përjashton ky status gazetarët e pavarur (freelance)? Çfarë pasojash ka për pluralizmin e medias dhe lirinë e shprehjes?
Çdo status i munguar dhe sidomos i papërcaktuar, përjashton.
Ky amendim i sapokryer i Kodit Penal në nenet që lidhen me mediat dhe fyerjen dhe shpifjen për organizatën tonë UGSH është; i paplotë dhe me vakume, me hallka të paqena në zinxhirin e legjislacionit dhe sidomos në atributet ekzekutive të cilat janë të papërcaktuara në këtë Kod Penal.
Pasojat janë në disa plane: mbi pluralizmin e shprehjes dhe raportimit, mbi lirinë vetiake të shprehjes dhe raportimit prej individit profesional në gazetari, mbi mediumet dhe sidomos mbi editorin,( i cili në Shqipëri ka varësi totale për çensurim dhe vetëçensurim, por asnjë status dinjiteti apo editorimi mbi kritere profesionale, por pendul në varësi të urdhëruesit pronar apo administratorit të medias).
Freelanc-a në Shqipëri nuk ka status, nuk ka përcaktueshmëri dhe nuk njihet si kategori profesionale. Përderisa nuk njihet, jeton totalisht në pambrojtje dhe në realitet informal.
6. Organizatat e medias në vend i mëshojnë vetërregullimit dhe mbikëqyrjes së pavarur dhe jo krijimit të mekanizmave të varura nga shteti për njohjen e gazetarëve apo rregullimin e profesionit? Si e shihni këtë dhe sa mendoni se do të ndikojë aspekti politik në këtë proces?
Ky është mëshim pa ndikim dhe pa impakte potenciale vetëvepruese. Organizatat e gazetarëve, duhet thënë se proceset e përbashkëta dhe të unifikuara të vetërregullimit në Shqipëri, i kanë një betejë vijueshmërisht të humbur. Ka aktorë që kanë suksese të pjesshme apo edhe kampionë historie suksesi për donatorë apo projekte të financuara sikundër është Këshilli Shqiptar i Medias. Por nuk kemi një arritje të përbashkët dhe gjithëpranuese në këtë proces. Nuk kemi një histori suksesi, por përkundrazi një histori dështimi për krejt realitetin dhe skenën multimediale aq inflacioniste që ka ky vend.
Për mendimin tim, por edhe sipas pikëpamjes që ndan UGSH, problemi është tek mungesa e një strukture unifikuese(!).
Ne nuk kemi gjetur përkrahjen, as refuzimin e as pohimin, për propozimin e ripërsëritur dhe të publikuar, sipas të cilit nevoitet një strukturë e tillë:
Mbajtja e Kongresit Kombëtar të vetërregullimit mediatik.
Ky kongres zgjedh Këshillin Kombëtar Vetërregullues.
Këshilli Kombëtar zgjedh dy mekanizmat ekzekutivë vetërregullues si Këshillin dhe Bordin Ekzekutiv Vetërregullues.
Kjo arkitekturë përfshin çdo organizatë, çdo entitet dhe grup interesi, përfshi edhe ente apo struktura monitoruese që ka skena e shoqërisë sonë dhe i japin vullnet, legjitimitet dhe forcë vepruesese strukturës profesionale kombëtare vetërregulluese.
Por diversiteti dhe sidomos tendencat për protagonizëm vetiak ndër të tjerash e pengojnë këtë realizim dhe procesin që kemi kohë që e humbasim.
P.S: Kjo intervistë iu dha koleges Erisa Kryeziu, pranë medias online Citizens.al, e cila u botua në pazazhe në këtë media. Po e publikojmë të plotë si një arsyetim më të plotësuar të pikëpamjes që ndajmë për kolegët dhe publikun në kuadër të debatit dhe diskutimeve që pasuan