Nga Astrit Lulushi/
Si valë të vogla që formohen në lumë, kështu janë lëvizjet e ndryshimit; proces i vazhdueshëm, i thyer në forma të tjera nga goditjet me pengesa. Kjo jep arsyen pse ndryshimi duhet të jetë ose i vërtetë a i plotë, ose hiç fare; ndryshe nga ëndrra e keqe gjatë gjumit pas ngrënies. Ndryshimi pasqyrohet qartë vetëm kur lëvizja e valëve pushon. Në periudhën kur njeriu fle dhe trupi bie në qetësi, pamjet e ëndrrave në tru reflektohen duke shfaqur imazhet e pamjeve të ditës. Në këto ëndrra, herë herë njeriu duket i hutuar, i çuditshëm, palidhje, i ethshëm, a si i dehur. Ka ëndrra që nxisin e frymëzojnë. Ka edhe nga ato që shkaktojnë trazira e shqetësim. Këto të fundit i ngjajnë ndryshimit që shfaqet si imazh i pasqyruar në mënyrë plotësisht të shtrembëruar, duke sjellë pamje krejt ndryshe nga origjinali. Ndryshimi i vërtetë, që duhej të ishte shfaqur, ende nuk ka ardhur.