Dr.Muharrem Qafleshi/
Dje, Kosova ka përkujtuar datën 12 qershor, duke festuar 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit, që simbolizon hyrjen e trupave paqeruajtëse të NATO-s në territorin e saj.
Ky moment historik ka pasuar fushatën ajrore të kryer nga Aleanca Veri-Atlantike kundër forcave ushtarake dhe policore serbe, një përpjekje e vendosur për të ndaluar vuajtjet e popullsisë shqiptare në Kosovë.
Në shenjë të këtij jubileu, pati organizime të shumta shtetërore si dhe parakalimi i ushtrisë së Kosovës.
Ndërsa në sallën e madhe të Institutit Albanologjik në Prishtinë u bë promovimi i librit të autorit dr. Lulzim Nika “Dokumente amerikane për Kosovën 1945-1999”, që ishte një ngjarje e rëndësishme që tërhoqi vëmendjen e hulumtueseve, punëtorëve shkencore, të disa deputeteve të Kosovës, ish- politikanë me poste të larat shtetërore dhe familjarëve e të afërmëve të Dr. Lulzim Nikës.
Pra, në sallën e madhe të Institutit Albanologjik në Prishtinë ishte e pranishme ajka e shkencës kosovare.
Fjalën përshëndetëse e bëri ushtruesi i detyrës të drejtorit të Institutit Albanologjik Dr. Lulzim Lajçi, pastaj për librin folën redaktoi prof. dr. Jusuf Osmani, recensentët prof. dr. Agim Zogaj dhe Dr. Lush Culaj ndërsa për personalitetin dhe rëndësinë e librit të Lulzim Nikës dr. Muharrem Qafleshi.
Me nga një fjalim rastin u paraqiten edhe ish-ministrat e Arsimi Dr. Arsim Bajrami dhe dr. Enver Hoxhaj.
Në fund paraqiti një ekspoze të thuktë e të qartë rreth librit dhe sfidave që kishte autori gjatë hulumtimit të dokumenteve arkivore në bibliotekat presidenciale në Shtëpinë e Bardhë dhe i falënderojë të gjithë në pranishmit për prezencën e tyre.
Unë po paraqes versionin e shkurtër të ekspozesë sime në këtë promovim libri.
Dr. sci. Lulzim Nika është një figurë e njohur dhe e dalluar akademike në fushën e shkencave historike, politike e diplomatike, një kërkues e hulumtime i përkushtuar e i apasionuar me një veprimtari të pasur botuese në historiografinë kombëtare.
Autor i një veprimtarie të pasur krijuese e botuese në fushën e historisë dhe diplomacisë, ka botuar tre libra shkencor në fushën e historisë e diplomacisë si dhe shumë punime shkencore në revistat më kredibile shkencore.
Pjesëmarrës në konferenca të shumta shkencore kombëtare e ndërkombëtare.
Dr. Lulzim Nika, është një ndër emrat më të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare, i cili vite të tëra ia kushtoi krijimtarisë shkencore, duke hulumtuar dokumente shkruara arkivore në arkivat amerikane dhe evropiane për ndriçimin e ngjarjeve historike të historiografisë shqiptare që nga pas Lufta e Dytë Botërore e deri në luftën e fundit për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
Lulzim Nika, ka dhënë një kontribut të çmuar dhe shumë kompleks edhe në jetën politike e diplomatike të Kosovës, ai ishte Këshilltar Politik në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, nënkryetar i Komunitetit Shqiptar në Dallas të Teksasit, sekretar i Zyrës së Komunitetit Shqiptar po ashtu në Dallas të Teksasit në SHBA, profesor i historisë në Gjimnazin “Gjergj Kastrioti”, aktualisht pas vlerësimit të punës dhe veprimtarisë intelektuale e atdhetare, emërohet drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci” në Drenas, të cilin post e ushtron me përgjegjësi, korrektësi që rezultojnë me suksese të mëdha si në suksesin e nxënësve po ashtu edhe në disiplinë e tyre
Libri të cilin po e promovojnë sot, pasqyron përmes dokumenteve të diplomacisë amerikane për gjendjen e popullit shqiptar të Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare në Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore me të gjitha ngjarjet pesë dekadëshe, e që ishte një periudhë e ngjeshur me ngjarje dhe zhvillime të rëndësishme, ku populli shqiptar i Kosovës, përjetojë tmerret dhe mizorit e serbe e në veçanti të UDB-së jugosllave e sidomos në kohën e Aleksadër Rankoviqit, Sllobadan Milosheviqit e deri në vitin 1999, në Luftën e Kosovës ku shqiptarët u angazhuan përmes Ushtrisë së saj Çlirimtare për çlirimin dhe pavarësimin e saj nga Serbia ultra nacionaliste.
Në këtë libër Dr. Lulzim Nika ka dhënë kontributin e tij shumë të rëndësishëm në ndriçimin e fakteve historike e diplomatike, i cili sjell dokumente arkivore origjinale amerikane për Kosovën dhe të përkthyera në gjuhën shqipe.
Autori ka shfrytëzuar gjerësisht dhe detajisht dokumentet e de klasifikuar të bibliotekave presidenciale të Shtëpisë së Bardhë duke nisur nga Hari Truman, Lindon Xhonson, Ronald Regan, Xhorxh H. Bush, Bill Klinton deri të Xhorxh W. Bush, si dhe letrat e senatorëve e kongresenëve amerikan drejtuar Shtëpisë së Bardhë, memorandumeve, raporteve të inteligjencës amerikane etj.
E gjithë ideja e këtyre dokumenteve është ta paraqes rëndësinë e diplomacisë amerikane që ishte dhe është një zë jetik për Kosovën, po ashtu edhe për të nxitur hulumtuesit e rinj për hulumtime nëpër arkivat amerikan e evropian që të dalin me fakte, argumente e botime të reja për historiografinë shqiptare kosovare.
Vlera e këtij libri të këtyre dokumenteve për historinë e Kosovës janë të patjetërsueshme.
Në këto dokumente, fshihen të gjitha aktivitet 54 vjeçar të diplomacisë amerikane për Kosovën, nga i cili libër do nxirren në dritë shumë të vërteta që tash për tash i mungojnë historiografisë tonë kosovare.
Lexuesi do ta përpijnë këtë libër të autorit Lulzim Nika duke e lexuar me interesim të madh, ngase është një studim i mirëfilltë shkencor me një qasje shumëdimensionale shkencore, ku lexuesi shqiptar i Kosovës, do të gjejë përgjigjejët e shumë pikëpyetjeve të tyre: për përpjekjet dhe qasjen e diplomacisë amerikane për zgjidhjen e çështjes së Kosovës gjatë periudhës 1945-1999, e sidomos gjatë Luftës së Kosovës të vitit 1999.
Së këndejmi, lexuesi shqiptar do ta ketë në dorë një libër me një qasje shumë serioze shkencore, me shumë informacione dhe me shumë të dhëna përmes dokumenteve origjinale e të përkthyera.
Kjo do të thotë, se të gjithë lexuesit, si studenti e si profesori, si qytetari e politikani, si poeti e si shkrimtari, si diplomati e si historiani, si publicisti e si gazetari, do të kenë çfarë të marrin nga ky libër shkencor.
Po ashtu në këtë libër lexuesi do ta shoh punën intelektuale të dr. Lulzim Nikës, i cili këtë libër e ka shkruar me shumë dashuri dhe profesionalizëm të lartë shkencor, historik e diplomatik.
Autorin e përgëzojë dhe e Urojë që të na sjell sa më shumë libra të tillë shkencor.