Dr. Lulzim Nika/
Kujtojmë me pietet mjekun atdhetar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Doktor Hafir Shalën i cili me punën e tij humane, shëroi në frontet e betejat e luftës shumë nga trimat tanë.
Doktor Hafir Shala, u angazhua deri në flijim për të shpëtuar jetën e shumë luftëtarëve të lirisë dhe popullsinë civile. Shprehim po ashtu respektin e mirënjohjen për të gjithë ata punonjës shëndetësorë që u vunë në shërbim të luftës për liri deri në vetëmohim, siç ishin Dr. Lec Gradica, Dr. Fatmir Krasniqi, Dr. Shpetim Robaj e shumë të tjerë.
Veprimtaria politike, ushtarake, dhe shëndetësore për Kosovën, ishte vet biografia e heroit Hafir Shala. Ai ishte gjatë tërë jetës i pathyeshëm në rrugën e idealit të lirisë së Kosovës.
Ai e ndjeu robërinë bashkë me popullin të cilit aq shumë i shërbeu dhe e deshi. Vepra e tij do të mbetet përgjithmonë në zemrat dhe mendjet e secilit prej nesh, duke dëshmuar vlerën e lirisë së Kosovës.
Lavdi Heroit Dr. Hafir Shala!
Lavdi të gjithë të rënëve për liri!