Nga Murat Gecaj/
Siç dihet, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit tonë, herë pas here, zhvillohen veprimtari të ndryshme e mbresëlënëse, kulturore e artistike. Kështu, p.sh., aty bëhen përurime librash, festohen ditëlindje krijuesish etj. Por, jorrallë, hapn ekspozita pikture ose fotografike.Në ketë shënim, dëshiroj të përmendi se, nga data 17-25 shtator 2015, aty qëndroi e hapur Ekspozita me emrin “Enigma”, nga piktorja emigrante në Greqi, Dhimitra Misrasi-“Lusha”. (Ajo do të jetë hapur edhe nesër).Këtë Ekspozitë e kanë vizituar shumë banorë të Tiranës, ndër ta edhe piktorë e skulptorë, punonjës të artit e kulturës, poetë e shkrimtarë, artistë e publicistë etj. Sigurisht, ata kanë krijuar përshtypjet e tyre rreth përmbajtjes e realizimit artistik të afër 45 punimeve të paraqitura.Unë nuk mund të bëj vlerësime të sakta për këtë ekspozitë edhe për faktin se nuk jam specialist i kësaj fushe, por dhe sepse nuk është qëllimi i këtij shënimi ose kësaj skice, që po publikoj. Ekspozitën në fjalë pata rastin që ta shihja pikërisht sot.Në përgjithësi, më bënë përshtypje pikturat e kësaj autoreje të talentuar. Një shikuesi a vizitori jo specialist, i tërheqin vëmendjen si tematika e pikturave, por edhe ngjyrat e ndezura të tyre, pasqyrimi i botës shpirtërore të portreteve të realizuara, detajet artistike etj. Veçanërisht, janë të pëlqyeshme peisazhet e ndryshme. Pikërisht, pranë një pikture të tillë, pata kënaqësinë që të bënim një foto, bashkë me piktoren Dhimitra Mistrasi-“Lusha”.Me këtë rast, e urojmë këtë autore, si për çeljen e kësaj ekspozite në kryeqytetin tonë dhe për vazhdimësinë e krijimtarisë, gjithnjë e më të bukur. Shpresojmë e presim, që në to të ketë kurdoherë frymën e dashurisë për vendlindjen dhe të pasqyrojë sa më bukur: traditat e mrekullueshme të popullit tonë, botën e pasur shpirtërore njerëzve dhe shijet artistike të bashkatdhetarëve tanë, kudo që ata ndodhen!
Tiranë, 25 shtator 2015