-Edhe në Kosovë ndodhte Srebrenica, gjenocidi i forcave serbe…/
-Para 25 viteve, në Korrik 1998 raportoja: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica…Presidenti Ibrahim Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën…/
-Gazeta kosovare e rezistencës “Bujku” e 22 Korrikut 1998: Kongresisti John Olver i shkruan Bill Klintonit – Në emër të viktimave të Srebrenicës shpëtojeni Kosovën. Letrën drejtuar Presidentit të SHBA e nënshkruan 27 kongresistë amerikanë…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 11 Korrik 2023/ Edhe në Kosovë përkujtohet gjenocidi-masakra e forcave serbe e para 28 viteve në Srebrenicë – Bosnjë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës në fillimin e një seance plenare mbajti një minutë heshtje me rastin e 28-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, në kujtim të kësaj masakre gjenocidale, si ditë e përkujtimit, por edhe si thirrje për dënimin e kriminelëve.
“Masakra e Srebrenicës, është masakra më e madhe e pas Luftës së Dytë Botërore në kontinentin evropian. Më 11 korrik 1995 forcat kriminane serbe vranë 8 mijë e 732 boshnjakë. Prandaj, për këtë arsye propozoj ta kujtojmë këtë ditë. Kjo ditë përkujtohet edhe nga ana e Bashkimit Europian. Gjithashtu edhe Kuvendi i Kosovës para dy viteve kishte miratuar një rezolutë në përkujtim të masakrës së Srebrenicës. Gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit nuk vjetërohen kurrë, kriminelët duhet marrë dënimin e merituar”, theksoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Gjithashtu, para deputetëve për masakrën e Srebrenicës foli edhe nënkryetari i Kuvendit, Bahrim Shabani, i cili tha se trupat apo pjesët e trupave të viktimave boshnjake të gjenocidit në Srebrenicë, janë varrosur në Qendrën Përkujtimore të Potoçarit në Srebrenicë dhe se kjo ditë duhet kujtuar nga e gjithë bota.
“Gjersa bota kujton gjithmonë këtë ditë, nga ana tjetër, autorët e këtij gjenocidi të tmerrshëm në zemër të Evropës, ku brenda pak ditësh u vranë brutalisht mbi 8 mijë boshnjakë të pafajshëm, mohojnë vit pas viti krimet e kryera. Prandaj, boshnjakët kudo që janë, duhet ta kujtojnë dhe nuk duhet ta harrojnë kurrë këtë krim. Republika e Kosovës ka qenë dhe do të jetë me boshnjakët e Bosnjë e Hercegovinës gjatë gjithë këtyre viteve”, theksoi Shabani.
Edhe deputetja Duda Balje, tha se mohimi sistematik i gjenocidit të Srebrenicës dhe festimi nga akterët kryesorë dhe i atyre që urdhëruan gjenocidin ka vazhduar për 28 vjet.
Ajo shtoi se ky gjenocid njihet si një nga krimet më të mëdha në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Srebrenica është dhe do të mbetet vula e përgjakshme e shekullit të 20-të. Shamia e gjelbër me lulen e Srebrenicës, e cila u vendos në foltoren e Kuvendit, ka 11 pika ari, që përfaqësojnë 11 korrikun, ngjyra e bardhë simbolizon pafajësinë, ndërsa ngjyra e gjelbër në mes përfaqëson shpresën që diçka e tillë mos të ndodhë më kurrë”, theksoi Balje.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tubimin përkujtimor me rastin e 28-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, organizuar nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, në bashkëpunim me prof. Nexhmedin Spahiu, që u mbajt në Institutin e Historisë.
Duke kujtuar gjenocidin e tmerrshëm që ndodhi 28 vjet më parë në Srebrenicë, kryeministri Kurti tha se na kujtohen 8732 burra e djem boshnjakë që nuk ju dha as më e vogla fije shprese për mbijetesë, e të cilët u masakruan pamëshirshëm, nga dora e shtetit armik. “Na dalin përpara kolonat e 30 mijë grave, fëmijëve e pleqve që u abuzuan dhe detyruan të shpërngulen nga vendi i tyre. Na kujtohen ata një mijë persona trupat e të cilëve ende nuk janë gjetur as sot. Na kujtohet dhe na mundon gjithmonë fakti që kriminelët kurrë nuk morën dënimin e merituar. Pa çka se Serbia u bë përgjegjëse që nuk e ndaloi kryerjen e gjenocidit, ajo nuk u mbajt asnjëherë përgjegjëse që e kreu pamëshirshëm këtë gjenocid”, tha në fillim të fjalës kryeministri Kurti.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri përmendi të dhënat e Qendrës për të Drejtën Humanitare e udhëhequr nga Natasha Kandic, sipas së cilës katër mijë oficerë të armatës jugosllave nga Serbia luftuan kundër boshnjakëve në Bosnjë e Hercegovinë, e që janë paguar nga Serbia. Po ashtu, i gjithë armatimi dhe uniformat iu shkonin nga Serbia. Prej 25 mijë serbëve që u vranë në Bosnje, më pak se 1/5 ishin civilë. “Serbia është përgjegjëse sepse në fund të fundit Marrëveshjen e Dejtonit e ka nënshkruar Presidenti i Serbisë, Millosheviq” tha ai.
Më tej, Kryeministri Kurti, tha se Radovan Karaxhiqi e Ratko Mlladiqi tashmë janë dënuar për pjesëmarrjen në gjenocid, dhe me shumë vonesë u dënuan edhe Jovica Stanishiqi e Frenki Simatoviqi, për implikim në krimet e kryera nga Serbia në Bosnjë. Kjo, siç tha ai, është tregues që gjenocidi në Bosnjë nuk ka ndodhur së brendshmi, por nga jashtë dhe se përgjegjës nuk janë vetëm disa serbë të Bosnjës, por Serbia si shtet.
“Prandaj, ende nuk ka drejtësi e paqe për Srebrenicën dhe Bosnje dhe Hercegovinë. Prandaj, kjo mizori peshon rëndë në ndërgjegjen ndërkombëtare edhe më shumë se çerek shekulli më vonë”, u shpreh kryeministri.
Ai rikujtoi se dy vite më parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës është miratuar një rezolutë, me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date.
Në atë rezolutë pika nr. 6 shkruan se Kuvendi i Kosovës:
“Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.”
Në këtë tubim ndër të tjerë, të pranishëm ishin edhe Shemsudin Mehmedoviq, deputet në Parlamentin e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Fatmir Xheka, Ministër i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave nga Mali i Zi.
E para çerek shekulli – 25 viteve, në Korrik 1998, për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si dhe për Radio Televizionin Shqiptar kam raportuar se, edhe “në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”…
“Të dhëna dramatike për masakra në Rahovec – Bosnja po ndodh në Kosovë – Srebrenica në Rahovec”, citoheshin raportimet edhe në mbititullin e kryetitullin e gazetës kosovare të rezistencës “Bujku”, të 22 Korrikut 1998, në ballinën e së cilës ishte edhe mbititulli “Gjendje alarmante në Rahovec dhe rrethinë” dhe titulli “Të masakruar, të vrarë dhe të djegur”.
Ndërsa, në botimin e 25 Korrikut 1998 gazeta “Bujku” në ballinë kishte kryetitullin “Pamjet e Rahovecit ngjajnë me ato të Vukovarit”. Me titullin “Rahoveci shembull i spastrimit të egër etnik të Kosovës” citohej Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga konferenca për shtyp. “Shumë të vrarë, të humbur pa gjurmë e të arrestur”, ishte titulli nga informata për ngjarjet në Rahovec e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.
“Kongresisti John Olver i shkruan Bill Klintonit – Në emër të viktimave të Srebrenicës shpëtojeni Kosovën”, ishte mbititull e titull tjetër në ballinen e gazetës, e cila theksonte edhe se letrën drejtuar Presidentit të SHBA e nënshkruan 27 kongresistë amerikanë…
Gazeta e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmes të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë…
Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Në 19 Korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur.
Raportoja se edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.
Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.
Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.
Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 Korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.
Për situatën në Rahovec para 25 viteve, në 23 Korrik 1998 në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” raportoja se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj.
Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.
Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojnë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera, masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec, e krahasojnë me Srebrenicën.”
Ndërsa, në 24 Korrik 1998, po para 25 viteve, raportoja që në titull se “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”.
“‘Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.
‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se, edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.
‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.
Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”.
Sias citimit të gazetës “Bujku”, pyetja ime drejtuar Presidentit Rugova në atë konferencë shtypi ishte kjo: “A po vonohet bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, kur dihen vlerësimet gjithnjë e më të shpeshta se këtu po ndodh Bosnja?”…
Në raportimet nëpër vite kam theksuar se, në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan rreth 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur.
Sipas të dhënave të bashkësive të familjarëve të të zhdukurve, të të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së përfunduar para 23 viteve mbërrinte afër 6.000 veta, mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Menjëherë pas luftës në Kosovë edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi.
“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocide të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda, në një bisedë që kam zhvilluar.
Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”, ka thënë Gruda.
Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e 7 Korrikut 2021 votoi Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.
“Dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut”, theksohej në të parën nga 6 pikat e Rezolutës…