DR. Osmani: Fuqizimi i grave është gurthemel i fuqishëm dhe i qëndrueshëm për demokracinë-
Në zbatim të Rezolutës për krijimin e Këndit të Kurajos, të votuar në Kuvendin e Kosovës, sot në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është inauguruar Këndi i Kurajos, i iniciuar nga deputetja Donika Kadaj.
Në këtë kënd janë ekspozuar punimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së vitit 1999, mundësuar nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Medica Kosova dhe Medica Gjakova.
Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, ka thënë se nëpërmjet këtij projekti po shihet forca e grave dhe vajzave që mbijetuan luftën, por edhe dhunën seksuale gjatë asaj lufte.
“Sot këtë forcë e shohim të shndërruar në art dhe në kreativitet përmes punës së dorës. Nga dita e parë e ardhjes sime në krye të Kuvendit, jam zotuar së bashku me koleget deputete se do të mbështesim çdo nismë që ka të bëjë me promovimin dhe avancimin e të drejtave të grave, sepse besojmë fuqishëm se fuqizimi i grave është gurthemeli më i fuqishëm dhe më i qëndrueshëm për demokracinë e vendit tonë”, tha Osmani.
Ajo shfaqi besimin se kjo nismë të vazhdojë të zbatohet edhe në institucione të tjera, ashtu siç është paraparë në rezolutën e votuar në Kuvend, në veçanti në Qeveri dhe Presidencë, e pastaj edhe në komuna e institucione.
Kryetarja e Kuvendit premtoi se do të jenë çdo herë në mbështetje të tyre, duke paralajmëruar se dhuratat që ekspozohen në Këndin e Kurajos do të jepen në emër të Kuvendit të Kosovës në çdo vizitë jashtë vendit dhe në çdo takim me miq ndërkombëtarë.
“Me anë të këtij simboli tregojmë, jo vetëm rolin e gruas në Kosovë, por tregojmë mbi të gjitha që gratë, por edhe burrat që ishin subjekt i dhunës gjenocidale të serbëve, mbijetuan dhe do të vazhdojnë që dhimbjen e tyre ta shndërrojnë në punë, siç po shihet këtu”, tha Osmani.
Kurse Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës tha se ndihet e emocionuar që po jetësohet kjo iniciativë. Ajo tha se ky vend do të jetë inkurajues për gratë që sot e 20 vjet nuk po e gëzojnë tërësisht lirinë.
Ndërkaq deputetja Donika Kadaj-Bujupi, me iniciativën e të cilës u krijua ky kënd, theksoi se institucionet publike, e veçanërisht Kuvendi, duhet të jetë vendi ku kujtohet e kaluara, kujtohen të gjitha ato gra dhe burra që mundësuan lirinë, por kujtohen edhe të gjitha ato krime të pandëshkuara, të cilat vazhdojnë të mbesin plagë të hapura.
“Këtë hapësirë ne e quajtëm Këndi i Kurajos, sepse të gjitha ato gra gjetën kurajon që përtej dhunës, padrejtësive dhe vuajtjeve të të kaluarës, të bëhen bashkë nëpër shoqata të ndryshme dhe të triumfojnë mbi vdekjen”, theksoi deputetja Kadaj-Bujupi.
*Me shume fotografi nga kjo veprimtari gjeni ne Facebook-Gazeta Dielli