Arjeta Ferlushkaj Kotrri
Stamford, 7 prill 2024/
Përshëndetje Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane, në veçanti grupit organizues të këtij eventi si dhe mediave të pranishme!
Faleminderit që nga koha juaj e ngushtë (siç është për këdo këtu në SHBA), ju zgjodhet t’i kaloni disa orë në shoqërinë e Panairit të Librit Shqip.
Pse është kaq i rëndësishëm ky eveniment, sa herë që bëhet?
I pari u zhvillua në vitin 2009 dhe i dyti në vitin 2010, të dy edicionet u zhvilluan në New York. Ky edicion i tretë na gjen sot bashkë, pas 14 vitesh, në një shtet tjetër, Connecticut.
Po lexoja për zhvillimin e dy panaireve te para dhe, duke qene një diferencë goxha e madhe kohore, menjëherë pata dy ndjesi:
E para ishte krenaria. Me gjithë verejtjet që zakonisht shoqërojnë çdo organizatë dhe çdo aktivitet që bëhet, jo vetëm këtu në komunitetin shqiptar në SHBA, por kudo, gjej rastin të falenderoj të gjithë ata burra të pa lodhur dhe ato gra të sakrificës, që, me gjithë angazhimet personale të një jetë larg vendlindjes, morën përsipër të ngrenë në këmbë një shoqatë për shkrimtaret. Me gjithë ulje-ngritjet e veta, me superlativa apo me vërejtje, kjo shoqate është bërë 23 vjeçe. Secili nga ne MUND dhe DUHET ta ndihmojë SHSHSHA-në që të kërkojë çdo ditë më të mirën nga vetja e saj.
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë nuk ka iniciativa apo anëtarë për të cilët duhet të na vijë turp. Kjo Shoqatë bën një punë për të cilën çdo shqiptar i Amerikës, e jo vetëm, duhet të ndjejë krenari, sepse modelet paraprinjëse krijuese ishin dhe vazhdojnë të jenë frymëzuese: Fan Noli, Faik Konica, si dhe shumë të tjerë. Ky konstatim nuk vjen si anëtare por si një qytetare e diaspores shqiptare në SHBA. Ky është një falenderim e mirënjohje për të gjithë shkrimtarët, që nga themeluesi Gjekë Marinaj e deri tek anëtari më i ri, për kontributin e tyre intelektual dhe njerëzor.
Ndjesia dyte që pata ishte ngutja. Pse do të thoni ju? Në të dy edicionet e para, po lexoja emrat e disa shkrimtarëve dhe autoriteteve institucionale që kishin marrë pjesë. Disa prej tyre, nuk i kemi më mes nesh.
Në aktivitetet që bëhen në komunitet, jo gjithmonë e kemi mundësinë t’i ndjekim dhe vjen një kohë që kuptojmë se kemi humbur shumë nga mosprania. Në panairin e dytë, në vitin 2010, të pranishmit kanë pasur mundësi të takonin Fatos Kongolin. Sot, unë kam mundësinë të takoj një autor shumë të dashur për mua, Visar Zhitin. Mundësi të tilla nuk duhen humbur, qoftë nga shkrimtarët e qoftë nga lexuesit. Sepse, në çdo takim letrar apo panair, ne nuk vijmë të njëjtë.
Prandaj, ejani të bëhemi bashkë, sa herë që kjo shoqatë ju dërgon një ftesë. Ejani të bëhemi bashkë, sa herë që keni një projekt të mirë për ta ndarë. Ejani të bëhemi bashkë që të bëjmë letërsi e kritikë të mirë. Ejani e takoni njëri-tjetrin sepse, pas çdo viti, pas çdo vepre të shkruar a të botuar, ne vijmë ndryshe. Kur vijmë ndryshe, kemi shumë për të thënë, jo vetëm për njëri-tjetrin por edhe për lexuesit tanë.
Panairet e librit shqip nnë Amerikë nuk janë e nuk kanë pse të jenë të njëjtë si ato që bëhen në Shqipëri. Ne kemi të tjera misione shtesë, për të cilët duhet të jemi të qartë që në fillim (ajo që quhet “Utile”), por kjo nuk do të thotë që mund të mos tregojmë vëmendje ndaj literaritetit, pra cilësisë së fjalës si art.
Me këto dy ndjesi personale, unë shpresoj të frymëzoj e të ngacmoj secilin prej jush, sidomos me ngutjen. Nganjëherë mendojmë se kemi kohë mjaftueshëm për t’u takuar, për t’u lexuar mes vedi por mos harroni të nguteni: le të njihemi përtej takimit të parë, përtej librit të parë, përtej panairit të parë. Çdo ditë ne vijmë si një tjetër dhe duhet të vijmë edhe më të mirë.
Ju uroj suksese secilit prej jush dhe frymëzim kur të uleni para letrës së bardhë dhe ftoj lexuesit të gjejnë veten apo ndjesi të bukur përcjellura nga faqet e librave tuaj!
(Fjala e rastit në edicionin e tretë të Panairit të Librit Shqip në SHBA)