(Mbresa dhe kujtime nga një tragjedi në Amerikë që mori jetën e tri hyjneshave shqiptare)
Nga Keze Kozeta Zylo
Ndonëse kanë kaluar 17 vjet që nga ikja tragjike e artistes së madhe shqiptare Anita Bitrit, përsëri Diaspora, gjithë dashamirësit e Anitës dhe artdashësit e kujtojnë me dhimbje tragjedinë që ndodhi në qytetin ku jetoi në Staten Island, në New York. Ishte një ngjarje tejet e dhimbshme ku u trondit çdo qënie njërezore që e dëgjoi në te gjitha lajmet në mediet amerikane dhe shqiptare, ngase humbën tri jetë njerëzish. Ishin tri gjenerata: Anita, e bija Sibora dhe nëna e saj Hazbija.
Ato u mbytën nga gazi, monoksidi i karbonit.
Kujtoj në 10 –Vjetorin e ikjes së tyre bashkësia shqiptare e udhëhequr nga Pastori amerikan Steve Galegor dha një përshpirtje në gjuhën shqipe në përkujtim të Anitës, bijës dhe nënës së saj, në 10 vjetorin e tragjedisë së humbjes së jetës së tyre. Pastori amerikan Galegor, i cili të befason me të folurën e bukur të gjuhës shqipe tha se edhe pse nuk kam qenë atë ditë në koncertin e lamtumirës, pasi ishja me shërbim në Tiranë, e përjetova me dhimbje të madhe humbjen e tri krijesave të Zotit që u ndanë nga ne para kohe. Gjithmonë do t’i kujtojmë me dhimbje e dashuri Anitën, Siborën dhe nënë Hazbijen të cilat humbën jetën tragjikisht në mjediset e shtëpisë së tyre në Staten Island në New York tha pastori amerikan Steve Galegor në përshpirtje.
Në këtë përshpirtje ishte dhe vëllai i Anitës, Arben Bitri.
Në intervisten që dha për TV Alba Life në New York, ai kujtoi me dhimbje dhe lot në sy tragjedinë e tmerrshme që i ndodhi familjes së tij. Ai vazhdoi se sonte ndodhemi pikërisht në këtë vend të shenjtë në Kishën First Evangelical Free Church në Brooklyn, ku dhjetë vjet më parë të gjithë artistët e Komunitetit, Diaspora, artdashësit e shumtë, së bashku me Qemal Zylon si organizator kryesor në bashkëpunim të ngushtë me artistin e shquar Frederik Ndocin dhe orkestrën e mirënjohur “Alba” të udhëhequr nga kitaristi i talentuar Edi Xhani, organizuan një koncert lamtumire në nderim të artistes vlonjate mbarë kombëtare Anita Bitrit. Ai shprehu mirënjohjen e pakufishme në emër të gjithë familjes së tij për nderimin e veprës që i bën Anitës dhe tha se do të punojë së bashku me artistët për të realizuar një dokumentar që trashëgimia e vyer e saj t’u ngelet brezave. Ndërkohë Qemal Zylo kujtoi të gjithë bashkëpunëtorët, veçanërisht Frederik Ndocin, Edi Xhanin, ambasadorët e kulturës shqiptare Merita Halilin dhe Raif Hysenin, Vait Hajdarin, Sokol Asllanin dhe Maksim Vathin, artistët e shumtë, dashamirësit, mediat si Adem Belliun për kulturën shqiptare, Dalip Grecën për gazetën “Illyria”, të cilët u ndodhën pranë në vendin e ngjarjes pasi e dëgjuan gjëmën që ndodhi, ngjarje që u publikua në mediet e shumta. Ai shprehu dhe mirënjohjen për të gjithë amerikanët dhe bordin e kishës First Evangelical Free Church, pasi si i punësuar aty për vite me radhë, kujtoi ditën që kjo kishë hapi të gjitha dyertë për të organizuar koncertin e lamtumirës. Ajo që do të më ngelet gjatë në kujtesë vazhdoi ai është se në vendin që u organizua koncerti i lamtumirës, ishte planifikuar me kohë të organizohej ceremonia e një dasme amerikane, por kur bordit i paraqita se me shqiptarët duam të organizojmë një koncert lamtumire për artisten e shquar shqiptare, familjarët dhe Bordi me zemërgjerësinë më të madhe pranuan të shkonin në katin e nëndheshëm, përdhes, (basement siç e quajnë amerikanët) dhe na lejuan që ne t’i bënim nderimet e duhura tri gjeneratave që humbën jetën tragjikisht.
Çdo njeri mbart kujtimet e tij në atë ngjarje tragjike, dhe ne kësi rastesh është e vështirë të ngjesh fjalë ngushëlluese. Personalisht kurre s’do ta harroj telefonatën në kolegj në Brooklyn të Frederik Ndocit i cili me një zë vajtues më dha i pari lajmin e kobshëm për tri gjeneratat të mbytura nga monksidi i karbonit. Tepër e rëndë ishte për vellain e Anitës, Benin jo vetëm tragjedia, por edhe sepse ai se kishte takuar kurrë Siborën, për shkak dokumentesh, një ëngjëll që premtonte shumë për të ardhmen, por mjerisht ai erdhi për të përcjellë trupat në Atdhe, në Vlorë. Beni kishte dëgjuar vetëm zërin e saj qindra herë në telefon, dhe shprehjen aq të bukur të mbesës së tij Siborës duke i thënë në anglisht: “I love you Daja”!
Arti i Anitës, këngët e saj, violina e bukur, tekstet muzikore që krijonte, i përkasin fondit të artë të muzikës shqiptare. Nga të gjithë folësit atë ditë ajo u pagëzua si Pop Star i muzikës shqiptare, por mjerisht shpesh herë na duhen histori të dhimbshme si tek kalaja e Rozafës, që të dalin në pah madhështia dhe gjenialiteti i popullit tonë. Nga shpirti atë ditë në ceremoni nga skena i dhashë lamtumirën me këtë poezi: Kjo vdekja e zezë/ muret i çanë/ për tri hyjneshat që vdekjen panë/. Tmerruar nga lajmi rrugën mora/ kalova me drita të kuqe vetëtimë/ në cep të rrugës frymën ndalova/ ngriva statujë kur pashë shtëpinë/. Zemra më rrihte si e zënë në faj/ si labe e qava: e mjera e mjera/ ndenja gjatë, por porta s’u hap/ ndeza qiririn dhe e vura tek dera/. Vitet do të ikin dhe shpejt do të kalojnë/ loti i mërgimtarit do të ngelet në derë/ Orkestra “Alba” shpesh do të ekzekutojë/ këngët e tua në tastierë/. More helmin në zemër, ike larg Anita/ ndoshta të gjeje qetësinë/ bashkë me violinën si shelg lotues, le dhe këngën/ dhe me zërin tënd pavdeksinë!
Duke përfunduar në vesh ende kam zërin e vogëlushes, zërin e një ëngjëlli Siborës e cila i këndon mamit të saj si: “Jam e bekuar si ty, kënga ime le të jehojë, për mamin le ta dëgjojnë…”
Kënga dhe Zëri i Anitës kur këndon me të bijën e saj Siborën në duet duket sikur vazhdon të mbush qiellin si cicërima zogjsh, si zëra në përjetësi!
19 Tetor, 2021
New York