Duket se takimi I dy qeverive shqiptare është punë e mbaruar. Pse është lënë në Prizren, kuptohet, po përse në datën 11 Janar, le shteg për diskutime e hamendje. Gjithësesi duhet vlerësuar si hap pozitiv, edhe pse duket si patriotizëm qeveritar folklorik. Të bashkëpunojnë dy qeveri shqiptare nuk ka nevojë të bien daullet e zhurmës. Në vend të do të zhurmës mediatike do të qe mirë që të ndërtohej një platformë reale bashkëpunimi, që t’I paraprinte takimit formal. Gjithësesi Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë do të mbahet më 11 Janar 2014 në Prizren.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook thekson se në mbledhjen e parë do të marren disa vendime të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, dhe atë në fushën e integrimit evropian mes dy vendeve.
“Poashtu, do të vendosim modalitetet për themelimin e një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës! Bashkëpunimi mes nesh tani e tutje do të jetë edhe më i strukturuar. Synojmë një qasje të përbashkët dhe strategjike për interesat tona vitale. Fillimi i një rrugëtimi të ri!” shkruan Thaçi në Facebook
Rama:Mbledhja e Prizrenit çel një faqe të re
Gjithashtu në lidhje me mbledhjen e përbashkët të dy qeverive ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Rama shprehet se kjo mbledhje e përbashkët do të çelë një faqe të re bashkëpunimi.
“Mbledhja e parë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës do të mbahet në 11 janar në Prizren. Do të çelim një faqe krejt të re bashkëpunimi mes dy qeverive që kanë sfidën e njëjtë të demokratizimit, modernizimit dhe integrimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Europian. Me vetëdijen e lartë për potencialet e zhvillimit dhe nevojat për zhvillim të popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, dy qeveritë do të ndërtojnë një qasje të përbashkët strategjike për të hapur perspektiva të reja ekonomike, sociale e kulturore për qytetarët tanë. Kjo mbledhje do të zhvillohet edhe në shenjën e solidaritetit me bashkësinë shqiptare të Preshevës, të cilës të dyja qeveritë do t’i akordojnë një fond të posaçëm ndihme për ngritjen e maternitetit të ri” shkruan Rama.
Në fakt, kjo mbledhje ishte parashikuar të mbahej që në muajin nëntor, madje kjo do të ishte edhe një simbolikë më rastin e Festës së Flamurit. Por shtyrja e mbledhjes erdhi pas zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Takimi i përbashkët i dy qeverive është hedhur si ide qe në fillim të marrjes së detyrës nga kryeministri Edi Rama, madje në vizitën e tij të parë në Kosovë me anëtarë të kabinetit të tij.
Analistët kosovarë e kanë cilësuar pozitiv angazhimin e qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare, madje e krahasojnë me ndihmat që Serbia jep në veri të Kosovës.
Në pritje të takimit sugjerojmë që qeveritë e dy anëve të Kufirit, ajo e Tiranës dhe ajo e Prishtinës, të shkojnë të përgatitura që të mos i shërbejë takimi vetëm zhurmimit, që do t’I shkonte për shtat Beogradit për të justifikuar ndërhyrjen në Kosovën e Veriut.